Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Përfaqësuesi i ri i Vatikanit në Shqipëri
E shtune, 13.05.2017, 09:04 AM
PËRFAQSUES I RI I VATIKANIT NË SHQIPËRI
Nga Frank Shkreli
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pranoi të martën Letrat Kredenciale të Nuncit të ri Apostolik, Kryeipeshkëvit Charles John Brown, rezident në Tiranë. Më 9 mars të këtij viti, Papa Françesku e emëroi atë në këtë detyrë, si përfaqsues të Vatikanit në Shqipëri. I përndershmi Brown, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, para se të emërohej në postin apostolik në Tiranë, ka shërbyer në Irlandë si Nunc Apostolik dhe njëkohësisht mban edhe titullin si Kryeipeshkv i Akuileas. Irlanda ishte posti tij i parë diplomatik.
Imzot Charles John Brown, ka lindur në Nju Jork, më 13 tetor 1959. Ka kryer studimet në degën e historisë, në Universitetin e njohur Notre Dame të shtetit Indiana, në SHBA. Më pas ka vazhduar teologjinë në Universitetin e Oksfordit në Angli dhe është specializuar në Studime Mesjetare në Universitetin e Torontos, në Kanada, për të përfunduar më vonë studimet në Teologji Sakramentale në Universitetin e Shën Anselmit në Romë. Përfaqsuesi i ri diplomatik në Tiranë, është shugurua meshtar më 13 maj 1989, në Katedralen e madhe të Shën Patrikut, në Nju Jork. Fillimisht, ai ka shërbyer si zëvëndës famullitar, pastaj është emëruar Kapelan i Shenjtërisë së Tij Papë, ndërsa në shtator 2009, kryen detyrën si Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar. Që nga viti 1994 është edhe funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Besoj se gjatë shërbimit të tij në New York, është e pamundur që të mos ketë qenë në kontakt me komunitetin shqiptaro-amerikan, sidomos me komunitetin katolik, i cili i ka pasur gjithmonë dyertë e hapura të Katedralës së Shën Patrikut, si komunitet në përgjithsi dhe pa dallime feje. Kështuqë, përfqsuesi i ri diplomatik i Vatikanit në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ketë ditur diçka më shumë për kombin shqiptar dhe për historinë e kishës shqiptare, para se të emërohej Nunc Apostolik në Shqipëri.
Sipas zëdhënsit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta, nunci i ri mbërriti të dielën në Shqipëri, ku u prit nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, nga ipeshkvijtë dhe kleri vendas. Përfaqsuesi i ri i Vatikanit në Tiranë, fjalët e para që ka thënë me të arritur në kryeqytetin shqiptar ishin se, kishte takuar para disa javësh Papën Françesku, i cili i emocionuar i ka thënë: “Po të dërgoj në një komb të martirizuar. Mos rri i mbyllur në nunciaturë por dil e tako njerëzit, kishën lokale. Shko në periferitë për të takuar njerëzit.”
Në portalin peregrinus.al, Imzot Charles John Brown citohet të ketë thënë gjithashtu se takimi midis tij dhe Kryetarit të shtetit shqiptar, Z. Bujar Nishani – me rastin e paraqitjes së Letër-Kredencialave, ishte shumë i ngrohtë, ndërsa është shprehur, njëkohsisht, se ndjehej shumë entuziast për detyrën e tij të re në Shqipëri. Si përfaqsues diplomatik i Vatikanit me titullin “Nunc Apostolik” në Shqipëri, Imzot Brown do të jetë përfaqsues i Selisë së Shënjtë pranë shtetit shqiptar por siç e cilëson radio Vatikani, edhe “krahu i zgjatur i Papës” pranë Kishës Katolike Shqiptare.
Siç dihet, Shqipëria dhe Vatikani gëzojnë midis tyre marrëdhënie diplomatike shumë miqësore, të shkëlqyera, mund të thuhet. Vitin që kaloi, shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së këtyre marrëdhënieve (7 shtator, 1991), pas rënjes së komunizmit dhe pas një historie persekutimesh dhe martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Lidhjet e kombit shqiptar me Selinë e Shenjtë janë shekullore dhe historike. Pothuaj të gjithë udhëheqsit shqiptarë të periudhës post-komuniste kanë vizituar zyrtarisht dhe privatisht Vatikanin, ndërsa Papa Gjon Pali i dytë dhe Papa Françesku janë dy udhëheqës të Kishës Katolike që kanë vizituar Shqipërinë pas shëmbjes së komunizmit. Gjatë vizitave të tyre, ata kanë shfaqur nderimin dhe kanë deklaruar respektin e tyre për bashkjetesën që ekziston midis shqiptarëve të të gjitha feve, duke e theksuar tolerancën fetare midis shqiptarëve, si një shembëll bashkjetese fetare, madje edhe në nivel ndërkombëtar.
Marrëdhëniet e ngushta midis Vatikanit dhe Shqipërisë, duke marrë parasyshë historinë e persekutimit të fesë nga regjimi enverist, tregojnë se me vullnet të mirë, gjithçka është e mundur në këtë botë. Gjithçka ngjallet e përtrihet dhe se arsyeja, megjithëse për fat të keq e kishte humbur drejtimin gjatë regjimit komunist, më në fund e ka gjetë rrugën dhe na bën të besojmë se e drejta dhe e mira triumfojnë, përfundimisht, mbi të keqën.
Ndonëse marrëdhëniet zyrtare midis Vatikanit dhe Shqipërisë shënuan 25-vjetorin e themelimit të tyre shtatorin që kaloi, marrëdhëniet e Arbërit me Vatikanin dhe udhëheqësit e Kishës Katolike gjatë shekujsh, janë aq të vjetra sa edhe historia dy mijë vjeçare e ekzistencës së Kishës Katolike. Vatikani ka inkurajuar vazhdimisht përpjekjet dhe dëshirën e kombit shqiptar për të gjetur më në fund vendin e vet aty ku i takon, në rradhë me kombet e tjera europiane -- aty ku e ka pasur gjithmonë vendin. Selia e Shënjtë gjithashtu ka promovuar si shembull të mirë, për mbarë botën, bashkjetesën fetare midis shqiptarëve. Fatbardhësisht, nuk është feja as marrëdhëniet fetare midis shqiptarëve ato që ndalojnë integrimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, por janë grindjet, mosmarrveshjet dhe mos-toleranca politike, midis partive të pozitës dhe opozitës, ato që po pengojnë tmerrsisht zhvillimin normal të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe që po e çon kombin drejtë një katastrofe të paparashikur.
Shqipëria dhe kombi shqiptar i shumë vuajtur nga ajo që Papa Françesku e ka cilësuar si “ideologjia e së kaluarës”, ka nevojë për një fillim të ri, për tolerancë më të madhe politike dhe për një diskurs më njerëzor dhe komunikim të respektshëm në radhët e politikës.
Shqipëria gjeti mënyrën, më në fund, që të rivendoste -- dhe për më shumë se një çerek shekulli -- të zhvillojë marrëdhënie diplomatike që konsiderohen si të shkëlqyeshme dhe miqësore me Vatikanin, të cilin ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës e konsideronte si qëndrën e “obskurantizmit botëror”. Si është e mundur, që siç është shprehur edhe Papa Françesku për të gjitha besimet që jetojnë dhe veprojnë në, “vëllazëri mes tyre” në Shqipëri, që kjo të mos ndodhë edhe në radhët e klasës politike shqiptare, ashtuqë kombi i rimëkëmbur shqiptar të ecën më në fund drejt integrimit euro-atlantik. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Shqipërisë dhe Vatikanit duhet të jenë shëmbull se sa do të acaruara dhe armiqësore, historikisht, të jenë marrëdhëniet midis shteteve (siç ishin dikur mes Shqipërisë dhe Vatikanit) ose edhe individëve dhe kundërshtarve politikë -- pajtimi është gjithmonë i mundshëm dhe i preferueshëm.
Urojmë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Vatikanit dhe Shqipërisë – dikur kundërshtarë të përbetuar ideologjikë – të shërbejnë si shëmbull se çfarë mund të arrihet me respekt, tolerancë dhe bashkpunim me njëri tjetrin, jo vetëm në nivel ndërkombëtar por edhe në nivel kombëtar. Me këtë rast le të bashkohemi me ambasadën e Shqipërisë në Vatikan dhe t’i, “Urojmë punë të mbarë dhe suksese Nuncit të ri Apostolik në Tiranë, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhieve shekullore të popullit shqiptar me Selinë e Shenjtë”.