Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Shqipëria me tre lobingje në Washington

| E shtune, 29.04.2017, 12:04 PM |


SHQIPËRIA ME TRE LOBINGJE NË WASHINGTON

Nga Frank Shkreli

Në të vërtetë nuk është Shqipëria që ka tre lobingje në Washington, por, sipas të dhënave në median shqiptare, janë tre partitë politike kryesore të Shqipërisë, PS-ja PD-ja dhe LSI-ja, që tani kanë nënshkruar marëveshje me organizata të lobit amerikan, për të shërbyer si agjentë ose përfaqsues të këtyre partive në Washington. Me fjalë të tjera, paguhen qindra mijëra dollarë për të punuar në interes të partive në fjalë, por jo doemosdoshmërisht në interes të Shqipërisë.

Tani, nuk dua që të keqkuptohem.  Unë besoj se Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të kenë – përveç ambasadave të tyre në Washington – edhe një organizatë lobingu për të shërbyer si përfaqsuese e interesave shqiptare në Washington, sidomos në lidhjet me Kongresin amerikan. Një gjë e tillë mund të justifikohet, pasi kjo është një praktikë që ushtrohet edhe nga shumë vende të botës.   Natyrisht se ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në Washington luajnë rolin e tyre si përfaqësi zyrtare diplomatike në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.  Por nuk besoj se për nga natyra e tyre, marrëveshjet e partive politike shqiptare, të nënshkruara me organizata amerikane të lobingut, u shërbejnë drejtë për drejtë, interesave të Shqipërisë ose të shqiptarëve.  Këto marrveshje u shërbejnë kryekëput vetëm interesave politike afat shkurta të partive në fjalë, ose udhëheqësve të tyre, të cilët gjatë vizitave në Washington “blejnë” në rend të parë marrjen e fotografive me anëtarë të Kongresit ose me zyrtarë të lartë të administratës.  Duket se fotot janë diplomacia e preferuar e politikanëve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara.  Deri më sot, këto lobingje nuk kanë prodhuar asgjë më shumë se ndonjë foto të udhëheqsve shqiptarë me ndonjë zyrtarë të lartë amerikan ose kongresmenë.  I famëshëm tani është rasti i fotos 80-mijë dollarëshe e Kryministrit shqiptar Edi Rama me ish-presidentin Barak Obama dhe shtërngimi i duarve midis tyre prej një minute!

Përsonalisht, nuk jam dakort me këtë praktikë të partive politike shqiptare për të pasur grupe të tyre lobingu në Washington -- për arsyen se, në mendimin tim, ato marrveshje nuk i shërbejnë interesave dhe kauzave shqiptare që duhen mbrojtur në Washington.  Por u takon votuesve dhe medias shqiptare që të vlerësojnë përfitimet ose jo që mund të vijnë nga përfaqsi të tilla me pagesë në Washington, të sponsorizuara nga partitë e tyre politike.  Janë taksa-paguesit shqiptarë ata që duhet të vendosin nëse praktika të tilla janë në interes të shqiptarëve apo vetëm të partive politike, ose përfaqsuesve të tyre?

Unë në të vërtetë -- si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan-- kam një shqetësim tjetër, që sipas meje është më i rëndësishëm dhe më i dëmshëm, për të mos thënë edhe më i rrezikshëm, që ky fenomen mund të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe mbi rolin që diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur historikisht nëkëto marëdhënie, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica e deri më sot.   Pra, ka të bëjë me faktin se këto aktivitete lobiste të partive shqiptare në Washington, sidomos vitet e fundit, duket se po afektojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe rolin e tij prej pothuaj një shekulli në mbrojtje të interesave shqiptare në Washington, gjatë një periudhe kur as Shqipëria dhe as Kosova nuk kishin ambasada e as lidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në fakt ishte komuniteti shqiptaro-amerikan, si individë dhe si grupe të organizuara, që ushtronte rolin e ambasadave dhe të lobit shqiptaro-amerikan.  Dihet se lobi shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë luftës në Kosovë, konsiderohej si ndër më të fuqishmit në Washington, gjë që u provua me mbështetjen e pakursyeshme të këtij vendi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjatë periudhës komuniste, ky komunitet ka promovuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Gjatë viteve të fundit – me përjashtim të Presidentit të Republikës -- është venë re një mos interesim i gjithanshëm zyrtar për një pjesë të madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, madje disa vërejtës thonë se shihen përpjekje për ta përçarë komunitetin, bazuar në mbështetje ose jo të partive politike në trojet shqiptare. Fatkeqsisht, duket se fryma e ndasive dhe e përçarjeve politike në trojet shqiptare ka përfshirë edhe komunitetin këtu.  Jo vetëm për t’a përçarë, por edhe për t’a injoruar dhe për ta anashkaluar si të pa rëndësishëm.   Në të vërtetë, marrëveshjet e partive politike shqiptare me lobingjet amerikane në Washington, përforcojnë këto ndjenja. Duke komentuar mbi marrëveshjet e partive shqiptare me grupe lobiste në Washington, dukebiseduar me një koleg timin, ai komentoi se me këtë veprim partitë politike shqiptare sikurë duan t’i thonë diasporës shqiptare në Amerikë: s’kemi nevojë më për ju. E kaluam lumin, e u…kalin.  Kemi ambasadat tona e kemi dollarë për lobingje personale…

Ndoshta zyrtarët e sotëm shqiptarë nuk i japin rëndësi diasporës shqiptare dhe rolit të saj historik në Shtetet e Bashkuara, por Washingtoni zyrtar i ka njohur gjithmonë meritat e tij në promovimin e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë dhe me Kosovën, ashtu siç kanë bërë edhe disa udhëheqës shqiptarë në të kaluarën.  Është kjo një traditë dhe një doemosdoshmëri që nuk duhet të harrohet as të zhduket sepse nuk dihet se kurë do të ndodhë kriza e ardhëshme për shqiptarët në trojet e tyre, dhe si rrjedhim do të ndjehet nevoja për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Është ky një rol që duhet vlerësuar, jo vetëm për arrrijtjet në të kaluarën, por me qëllim edhe për të mbajtur të interesuar dhe të angazhuar edhe brezat e ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtjen e interesave shqiptare në Washington.

Por, pa marrë parasyshë marrëveshjet e nënshkruara nga partitë politike shqiptare me lobingjet amerikane dhe megjithë anash-kalimin dhe mos interesimin seleksionues zyrtar që vihet re sot, sidomos ndaj diasporës së vjetër në Amerikë, komuniteti shqiptaro-amerikan – besoj unë – do të vazhdojë të shërbejë me dinjitet dhe atdhedashuri, si ambasadori më i mirë që mund të ketë Shqipëria dhe Kosova në Washington.  Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhojnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar diasporën pa dallim, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por kudo gjetkë, si një vlerë dhe pasuri të pazevendësueshme për forcimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën.

Shqiptarët e Amerikës, si gjithmonë më parë, ç’prej kohës së Fan Nolit e Faik Konicës – dhe pa marrë parasyshë interesat personale politike dhe frymat e kohës aktuale matanë oqeanit – qoftë si individë qoftë si grupe të organizuara, kur të paraqitet nevoja, do të vazhdojnë të japin për Nënën, për Shqipërinë e për Kosovën dhe për shqiptarët kudo në trojet shqiptare, me ose pa ndihmën e lobingjeve të sponsorizuara nga partitë politike shqiptare.

 

FAN NOLI: JEPNI PËR NËNËN

 

Ç'thot' ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!"

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Qan e lutet Nën' e mjerë,

Kërkon vatrën edhe nderë,

Do lirinë dhe atdhenë,

Si ç'e pat me Skënderbenë,

Bijt' e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s'i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Cilët jan' ata tiranë

Që të pren' e që të vranë

Që të therrë bij e bija,

Dhe t'u-nxi, t'u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

Gjakn' e Nënës për të marrë,

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Cilët bij të trathëtuan

Dhe të doqnë dhe të shuan

Dhe të lan', o Shkab' e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok' i mbytni,

Mbushni gjyle që t'i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s'ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S'kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Do të ndihim pa kursyer

Për ty, Nëna jon' e vyer,

Që me drit' e nder të thuresh

Dhe me bijt' e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s'i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

Armë dhe fishekë mblithni,

Qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin' e vëndit t'onë,

Sot - se nesër është vonë-

Jepni, Nënën të shpëtoni,

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n'Amerikë.

 

1917