| E merkure, 12.04.2017, 07:41 PM |
NGA ËNDËRRIM-IDEALI: MËSUES –SHKRIMTAR
TE HAPËRIMI: STUDIUES GJUHËTAR
- Intervistë me shkrimtarin dhe gjuhëtarin e mirënjohur Dr. Nuhi Veselaj
Intervistuese: Shqipe Gashi, studente pasuniversitare - master
Shqipe Gashi: Profesor i nderuar, për këtë intervistë i kam përgatitur 11 pyetje që kanë të bëjmë me opusin Tuaj krijues, mjaft të gjerë, përveç dorëshkrimeve të mbetura, deri tash 11 vepra të botuara në fushën e letërsisë dhe 15 në fushën e studimeve gjuhësore.
Cilat ishin ëndrrat e juaja si fëmijë dhe ndikimet e tyre në profesionin tuaj të mëvonshëm?
Nuhi Veselaj: Faleminderit për interesimin Tuaj për veprimtarinë time në të dy krahët e veprimtarisë, edhe si letrar edhe si gjuhëtar, por me sa pashë pyetjet tuaja si dhe kjo e para janë mjaft përgjithësuese, pasi nuk kanë të bëjnë asnjëra konkretisht me ndonjë segment të ndonjë vepre konkrete, por në njëfarë mënyre shkumbullojnë nga rrënjët trungun e kujtesës së tërë jetës sime (edhe pak) 85 vjeçare, që nga foshnjëri – fëminia e deri në ditët e sotme, prandaj, edhe pse do të përpiqem, nuk e kam lehtë të shkëpus diçka më thelbësore dhe më me interes nga mbamendja që do të kënaqte kërshërinë Tuaj dhe të opinionit lexues. Sidoqoftë, edhe kjo pyetje Juaja nuk është pa vend, por kur kemi parasysh periudhën për të cilën është fjala, ngase unë, deri 7 vjet e diçka, fëmijërinë e kam kaluar në robëri në Kralevinën jugosllave SKS, dhe pjesën tjetër si fëmijë e nxënës nën tymnajën e LDB dhe rrjedhojat pas saj, prandaj mendoj që tofjalëshi ëndrrat rreth profesionit të mëvonshëm (me kuptimin: si dëshira të zjarrta), duhet zëvendësuar me dëshira të veçanta fëmijënore, madje edhe rreth konceptit profesion i mëvonshëm, për mos me lënë keqkuptim mbrapa, e shoh të nevojshme të sqaroj disa paradispozita si parashenja, të cilat ishin të imponueshme në moshën e fëmijnisë, periudhë kjo 1933-1948 (mosha 1-14 vjeç) të cilën po e ndaj në tri faza, të cilat kanë ndikuar në rritën, zhvillimin dhe formimin tim të mëtejshëm, përfshirë edhe paragjurmët rreth konceptit të profesionit të mëvonshëm, mësues, arsimtar i gjuhës shqipe:
1) Disa të dhëna nga faza e parë e rritës në robëri
Fazën e parë të rritës po e ndaj në dy nënfaza, së pari, nënfaza e foshnjërisë 1933-1935 dhe së dyti, nënfaza e mendmbajtjes nga 2-3 vjeç deri në diçka mbi moshën 7 vjeçare (1935-1941).
a) Nënfaza e foshnjërisë
Nga nënfaza e foshnjërisë (1-3 vjet) po filloj me faktin se si fëmijë i pestë nga nana Arife dhe baba Muharrem, pas katër vëllezërve dhe një motre, madje pas meje iu shtuan familjes edhe 2 vëllezër e një motër, sigurisht në këtë familje shumanëtarëshe nuk kam pasur tretman të veçantë, por si të thuash kam pasur përherë ngrohësi familjare dhe në anën tjetër për mua që nga lindja e deri në 2-3 vjeç, kur, si me thënë, u bëra me dijtë, flitej që si foshnjë paskam pasë qenë paksa i çuditshëm, me fantazi të bujshme, kryesisht i qetë, por here-herë edhe i përpushtë, por jo i praptë! Nëna tregonte, se deri edhe çastin pak pa lindur kur ajo paska qenë duke ndihmuar si argate te një fqinj (Mixha Demë) unë gjoja paskam pasë dhënë shenja mrekullibërëse me rapëlim të lehtë (si melaqe!), andaj ajo e kupton, ndërpret punën dhe brenda dhjetë minutash vjen në shtëpi dhe më paska pasë gjetur me lehtësi dhe të nesërmën, pothuaj normalisht(!), paska vazhduar punët e shtëpisë. Si foshnjë, në krahasim me të tjerët, nuk paskam pas nxjerrë telashe. Shumë herët paskan pasë filluar me gaugullue e luajtur shumë me duar, me gishta. Shumë herët qumështin e nanës e paskam pasë kursyer, kur, pa nxjerrë kajde, si ushqim plotësues, paskam gëlltitur mazë e fluçkë djathi. Është, pak e çuditshme, por, siç tregonin, sa paskam qenë në djep më paskan pasë bërë synet dhe si duket pa e kaluar mirë fazën e shërimit paskan pasë qëndruar në këmbë, paskam pasë hedhur hapat e parë, duke mos e përjetuar fare fazën e zhagitjes… /Vallë mos, ishte kjo enigma pse tërë jetën jam përpjekur, pa marrë parasysh mundësitë, që hapin ta bëj kilometër?!/ S’po flas për të bëma të tjera.
b) Nënfaza e mbamendjes
Ajo “pjekuri” e parakohshme e fazës së foshnjërisë mbase do të ketë ndikuar në formimin tim që në nënfazën e dytë, vitet 1935/36-1941 të bëj “ecje” të tjera, disa prej të cilave ende i mbaj mend. Edhe pse i vogël 2-3 vjeç, mbasi gjumi nuk më paska pas koritë, përveç dhuratë një plisi të ri, prindët më paten gëzuar edhe me një xhurdi, por si dhuratë më të madhe: pata fituar, kur m’u dha e drejta të bëhem “burrë”, jo të flë në sobë të vogël me motër, po që bashkë me vëllezër më të mëdhenj me fjetë në odë të babës… Në të vërtetë, në këtë periudhë, mosha 2/3-7 vjeçare ruaj në kujtesë shumë ngjarje si vargonj robërie, por këtu, me qëllim, po e rrëfej vetëm një episodë:
- Shih xhanarët e Srpit, ata edhe po na rrehin edhe po na hypin në shpinë me kapërcye rekën!
2) Faza e dytë, periudha e rilindjes sonë dhe të frymimit shqip (1941-1944)
Edhe ne fëmijët, pasi tash e kisha moshën, brengoseshim si për hallet e shkollimit serbisht, por e ndjenim edhe presionin rreth shpërnguljes, mirëpo fati e desh që të shpëtonim nga këto katrahura, kur erdhi lajmi se Stanicën, ndërtesën më të dalluar në Suharekë e kishin braktisur xhan(d)arët. Dhe kur u mor vesh se vërtet, mbaroi Kralevina, gëzimi s’kishte kufi. Mixha Hoxhë na qiti kafe me sheqer edhe ne fëmijëve. Të nesërmen me plot vullnet i pata çue lopët në Liplak, ara e livadhe drejt Suharekës. Për çudi, ndërsa unë fantazoja, duke i parë si hije kah iknin larg në Serbi xhandarë, poreznikë e naçellnikë, dëgjoja krisma pushkësh që vinin nga Gjinoci, fshat ku i kishim të martuara dy halla. Dhe në këto çaste, hetova papritmas, b. Rizah, simixhë yni, me pushkë në dorë, i cili doli nga pylli nga ana kah vinin krismat dhe me shpejtësi ecte drejt fshatit... Nuk vonoi erdhi im atë. Edhe ai me pushkë nën gujë edhe më tha t’i lë lopët dhe t’i bashkohem familjes, e cila tashmë ishte nisur urgjentisht për Budakovë, te dajtë e nanës. Mos me zgjatë atë natë, jo vetëm familja jonë por edhe të tjera bujtëm jo te daja Miftar, po përtej Budakovës në bjeshkë Te Karolli. Të nesërmën u panë tanksat e Gjermanisë, që prej Bërrylit të Xhades, shkrepën predha drejt Gjinocit dhe kështu luftëtarët e Gjinocit dhe të bajraktarit të Suharekës me ndihmën e Gjermanëve dolën fitues kundër atij krahu të ushtrisë serbo-jugosllave,e cila u shpartallua krejtësisht.
Kështu filloi një frymim i ri shqip, rilindje e vërtetë, me shkollë shqipe (me abetare e libra shqip) dhe pasi mësova me lexue, i nxitur dhe nga im atë, nuk e leja pa e përthithë me andje çdo nektar nga çdo libër që më binte në dorë, madje edhe librat fetarë, ndër të cilët pati zgjuar interes të veçantë Mevludi i H. Ali Ulqinakut, (Mevludi i Shkodrës), të cilin ndërkohë pothuaj të tërin e mësova përmendësh. Në këtë kontekst, nga ky mevlud, pati bërë jehonë, sidomos pjesa Vdekja e H. Muhametit që nuk ishte në Mevludin e Kosovës, të cilin që më parë, me të dëgjuar, e pata mësuar përmendësh. Këtë pjesë, nga Mevludi i Shkodrës (Vdekja …) më shtinin me këndue veçan, pothuaj, kudo, ndër burra e ndër gra, deri një rast edhe në Xhaminë e Suharekës, me bekimin e Babës Haxhi (Haxhi Rexhepit të Bardhoshanit të Opojës, mësues fetar ky, nga i cili, për tre ramazana, pata mësuar shumë nga doktrina e sunisë islame ebuhanife etj).
Gjuha, mëmëdheu mbesin të patundura për jetë.
Kuptohet, përmbajtjen ma patë thelluar mësuesi dhe im at, që ndërkohë e pata skalitur në mendje këtë të vërtetë -porosi për mos me harrue kurrë: Për Shqipninë si Mëmëdhe, edhe pse atëhere ishte e brishtë (e okupuar), por paksa e bashkuar, duhej punuar deri në flijim, ndërsa gjuhën shqipe si armë zemre e mendjeje kombëtare duhej mësuar pa u lodhur, pa ndëprerë. Sa për kërshëri po them se i pata ushtruar me pasion këto profesione të shpirtit: recitues, vjershëtar, këngëtar - të cilat i ushtroja fillimisht nga trapazani i odes, entuziazëm ky i ndërthurur me flakë shqiptarie që nuk do të shuhen kurrë në qenien tonë.
3) Faza e tretë, zhgënjime e shpresime (1944-1948), mosha 11-15 vjeçare
Menjëherë pas “Çlirimit” nga fundi i vitit 1944 që në familjen tonë intimisht quhej “Shtrëngim”, te ne u kthye regjimi serbofil, madje edhe më i djallëzuar e dhelpnak se ai i Kralevinës, ngase ky u fut pothuaj me detyrim brenda çdo qelize shtëpie, familje. Dy simaxhallarë të mi (b. Aziz e b. Qazim), i burgosën dhe i humbën pa shenjë pa dukë. Edhe Babën e shumë të tjerë i patën burgosur përkohësisht. Si duket këto ishin masa që të mos përhapej rezistenca, pse Kosova nuk iu bashkua Shqiprisë. Ç’është e vërteta, një situatë të tillë rirobërimi e ndjenim edhe ne si fëmijë. Edhe pse shkolla shqipe nuk u shua, por meqë fillimisht na mungonin mësues, neve si progjimnazistë në Suharekë, dikush nga ushtarakët fillimisht na mbante ligjërata në serbisht, por edhe me disa parulla rusisht. Librat e vjetra i ndaluan, të reja nuk kishte. Megjithatë, në shtëpi unë nuk i harroja librat e Shqipnisë. Atë botë, vuanin deri edhe për mungesë lapsash e fletoresh, por edhe më keq populli vuante sa pa liri, aq edhe për bukë goje. As në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë e hajrit - si thoshte im atë. Më kujtohet një rast, pothuaj gjithë natën patëm shkokluar misër për t’i dërguar disa thasë ndihmë popullit në Shqipni, mëgjithatë në masë, krahas mbledhjes së tepricave (otkupit) vlonin fushata që na tërhiqnin si: lufta kundër analfabetizmit, aksionet vullnetare të rinisë, heqja e ferexhes etj., ku na aktivizonin edhe ne fëmijëve, sidomos mua që më patën caktuar kryetar të organizatës së pionierëve të fshatit.
- Në krahasim me Fitoren kundër nazi-fashizmit, dhe kalitjes së Vëllaznim-Bashkimit - flamuri është një leckë(!). Shiko ne e bartim …
Së këtejmi, edhe ne fëmijët e kishim të qartë se Liria e propaganduar me aq pompozitet ishte kthyer në zhgënjim, por edhe shpresa nuk na u shua, pasi ne vazhduam disi shkollën shqipe dhe në vitin 1948 pas semimaturës m’u dha mundësia me vazhdue një shkollë të mesme. Patëm dy oferta, një në Mitrovicë (shkollë teknike) dhe tjetra në Gjakovë (shkollë shqipe për mësues). Baba ma këshilloi Gjakovën, sepse, sipas tij:
2. A është dashuria kombëtare e juaj prezente në krijimtarinë tënde?
3. Sa ndikon letërsia në fisnikërimin e shoqërisë njerëzore?
Nuhi Veselaj: Pyetje pak e gjerë, po jo pa vend. Vetëm nëse preket me dorë një libër me dashamirësi, ajo të joshë me ndjenja qytetërimi, nëse lexohet ajo të jep shenja fisnikërie, ndërkaq nëse vlerësohet ose komentohet të edukon e fisnikëron bashkë me rrethin shoqëror. Së këtejmi, nëse shkruhet një vepër dhe del e sukseshme, kuptohet, që veç autorit, rrit autoritetin e emrit të familjes, të mjedisit, deri edhe të kombit a shtetit që i përket autori, ngase vetëm në shoqëri me moral të lartë, me bujari e mirësjellje, me humanizëm universal, lindin edhe vepra të mëdha. Për mua si mësues, që mbetem përherë pasionisht si i tillë, kam vërejtur që përveç fisnikërisë si ndjenjë, vepra jo vetëm të jepë mirësjellje, por vepron edhe si edukatë gjuhe, andaj qysh i ri jam shoqëruar me aq sa kam pasur mundësi, me botën e librave, të cilat u bënë pjesë e jetës sime edhe një pjesë e tyre u transmetua e po transmetohet në njëfarë mënyre edhe në krijimet e mia. E thashë se vepra të fisnikëron edhe me edukatë gjuhësore, por edhe më shumë veti të tjera të mbara. Unë duke e pasur parasysh këtë vlerë edukative kombëtare edhe vetë jam përpjekur që atë frymë ta përvetësoj dhe ta shpreh në veprat e mia, duke e kompletuar edhe me fjalë e shprehje sa më njerëzore, përshtatur sipas grupmoshave përkatëse, që të ndikojnë në mendje, zemër e shpirt të lexuesit tonë.
4. Si e përjetoni momentin e frymëzimit para se të filloni
punë krijuese?
Nuhi Veselaj: Qoftë në shkrime letrare, qoftë në ato shkencore frymëzimi fillimisht nxit. Por nuk thuhet kot se atë që ia kërkon Zotit ta jep si dhanti hyjnore, andaj këtë formë frymëzimi nuk e mohoj dot, ai mund të vijë në çast, po mund të vijë edhe si shtim disponimi edhe gjatë vetë procesit të krijimtarisë. Unë nuk e kam atë aftësi, siç e thotë dikush, që vetëm me një frymëzim si përftim rasti ta quaj të arrirë, pa e vënë në analizë, kah po qet e ku po vret, qoftë edhe një vjershë njërrokëshe. Zakonisht frymëzimi, qoftë spontan, qoftë të përftuar gjatë procesit të krjimtarisë, parësorisht lypset me u klasifikue, sipas nënfushës kuptimore që imponohet në mënyrë të vetëdijshme të ruhet në shtratin e vet, pastaj dhe ndërkohë sipas disponimit e do të zgjohet nga ai gjumë-pushim dhe ndërfutet në struktura sistemesh mendimore dhe aty përpunohet gjithanshëm si temë nëse ia vlen, apo jo. Mua më ndodh që perftim-frymëzimin ta shënoj në notesin përkatës dosido sa për mos me e harrue. Ndërkohë, sipas kohëhapësirën përkatëse, varësisht nga përparësia e bëj realizimin e mbresës së tillë, duke spikatur patjetër ndërlikueshmërinë edhe synimin se çfarë risimi ndenjor ose mendor mund të sjellë vepra, qoftë në fushën e letërsisë ose në atë të studimeve shkencore (gjuhësore, historike). Natyrisht, për çdo rast kihet parasysh ndërthurja terminologjike, varësisht nga zhanri dhe stili që i përshtatet temës së përzgjedhur për elaborim. Shprehem kështu, sepse ndërsa frymëzimi mund të konsiderohet si ndihmesë hyjnore, krijimi i një vepre del si punë vetjake shumë më serioze, delikate dhe me përgjegjësi. Me fjalë të tjera, çdo temë, edhe ajo me lëndë shkencore dhe ajo me përmbajtje letrare në njëfarë mënyre lyp edhe tipizim zhanror, përveç të veçantave të tjera edhe sa i përket gjuhës e stilit.
5. A ekziston një luftë e brendshme mes vetëdijes dhe ndërdijes gjatë krijimit të një libri shkencor?
Nuhi Veselaj: Edhe kjo pyetje teorike është pak e gjerë dhe i takon më fort fushës abstrakte psiko-filozofike. Edhe gjatë krijimit të një vepre letrare kemi të bëjmë me futjen në veprim të formave të të menduarit logjik, të vetëdijës e të nënvetëdijës, por në këto process mbizotëron drita e zemrës, mbizotzëron përjetimi ndjenjësor i botës subjektive të krijuesit, sipas idealit siç e kocepton ai, varësisht nga tema që e trajton, ndërsa te vepra shkencore tek vetëdija dhe nënvetëdija, ose siç e theksoni ju, ndërdija e krijuesit, mbizotëron drita e mendjes, mbizotëron arsyeja, objektiviteti si lëndë joaq ndenjore. Sidoqoftë, për luftën e brendshme të krijuesit si e keni shënuar ju, ku gjallojnë të dy dritat bashkë (e zemrës dhe e mendjes) teorikisht më mire dijnë me zbërthye psikologët,filozofët dhe psikoanalitikanët, ngase këta terma (vetëdijë e nënvevetëdijë) në stilin neutral shkencor i kemi të huazuar nga ato disiplina, megjithatë me sa di te dy termat kanë të bëjnë me procesin e të menduarit abstrakt, me dijen abstrakte, ku përformohen si dy fjalë-nocione, si dy mendje, po në të vërtetë kemi të bëjmë me një mendje që brenda saj zhvillohet luftë ne kuptim të një koncepti sihiperonim të dijës, ku si primare del vetëdija, sepse siç shpjegohet nënvetëdija ose ndërdija, i nënshtrohet urdhërit të saj. Në të vërtetë, vetëdija materialin e lë, si me thënë, vetëm të mbrumet në nënvetëdije. Në këtë shtratim të dy termat, pra si një dije e veçantë bëjnë sendëzimimn e atij materiali në atë mënyrë që krijuesi, duke shfrytëzuar idetë nga shtratimi mund t’i dritësojë e kurorëzojë ose t’i përformancojë ato në diçka të re specifike si shpikje, qoftë në botën e krijimtarisë artistike, qoftë, në atë shkencore ontologjike etj. Në burime të caktuara profesionale kam hasur të thuhet se vetëdija si kujtesë historike, së bashkë me unin (egon) dhe vullnetin si elemente hyjnore të njeriut, tipare këto të cilin (njeriun) jo vetëm e dallojnë nga qeniet e tjera fizike, biologjike, psikike e shoqërore, por edhe e ndihmojnë që me rizgjimin e këtyre komponenteve nga nënvetëdija, truri i njeriut krjues do të jetë më i përgatuar ose më i ripërtëritur për avancimin e vetëvetëdijës.
6. Cila është e veçanta juaj nga krijuesit dhe studiuesit e tjerë të gjuhës shqipe?
Nuhi Veselaj: Nuk mund të di, nuk jam në rrjedhë për të tjerët, por e veçanta ime në punë shkencore rreth gjuhës shqipe si shkencë fillon relativisht vonë, nga fillimvitet e ’70-a, kur më larguan me dhunë nga ëndërrim-profesioni im ideal i pëzgjedhur si mësues i gjuhes shqipe dhe në atë fatkeqësi, ndërsa isha nën mbikëqyrje, por gjoja isha i lire të konkurroja për punësim kudo në ndërmarrje prodhuese jashtë arsimit, papritmas u hap një derë fati për studiues: në Prishtinë u bë i mundshëm regjistrimi i studentëve pasunivesitarë (postdiplomikë) për gradën magjistër, në dy degë: degën e letërsisë dhe në degën e gjuhësisë.
institucioneve ose ndërmarrjeve përkatëse prodhuese
(metalpërpunuese);
2) emërtesat e profesioneve, sipas organikave;
3) rreth termave teknikë:
a) emërtimi i mjeteve të punës, veglave, përdorëseve,
b) emërtimi i pjesëve të mjeteve të punë, veglave, përdorëseve
etj.,
4) emërtimet e proceseve tekniko-teknologjike dhe
5) terma përkatës nga fushat e tjera me interes.
Edhe sot e kësaj dite në raportin Shqipëri/Kosovë/ terminologji ndëkombëtare/ serbokroatisht kanë ngelur jo pak gjëra të hapura, ndërsa unë më 1997 pata përgatitur material disa vëllimshe (8), ku rrahnin këto çështje.
7. Cilat janë shqetësimet e juaja që mendoni se ka krijimtaria në aspektin letrar dhe gjuhësor?
Nuhi Veselaj: Nëse mendoni për ndonjë rol timin si faktor me ndikim, nuk shoh arsye pse më bëhet kjo pyetje, ngase nuk e kam pasur atë mundësi, megjithatë sa mos me lënë pyetjen pa përgjigje, si individ po shpreh mendimin tim si këshillë shoqërore jo si shqetësim edhe për letërsinë, edhe për gjuhësinë.
Së pari, le ta dijë çdo shkrimtar krijues, te ne e kudo, i vjetër e ri se, standardi i shqipes së sotme, nëse kuptohet drejt, nuk i kushtëzon krijuesit letrarë e të tjerë që të mbyllen në korniza të ngurta të asaj gjuhe mbi bazë toskërishte, ngase sa është e madhe gjuha e veprës b.f. të një D. Agolli ose I. Kadare, Fatos Arapi etj. etj., të cilët në veprat e tyre, vërtet madhore për admirim, kanë arritur majat, edhe pse gjetën mënyrë të të joshnin edhe me ndonjë vlerë të dialektit tjetër, përdorën kryesisht toskëridshten ose fjalësin e shqipes së sotme standarde mbi atë bazë, po aq e madhe e për admirim ishte dhe është edhe gjuha disa shkrimtarëve që përdorën më herët dhe e përdorin edhe sot shqipen mbi bazë të gegnishtes letrare, andaj këshilloj që të shfrytëzohen edhe vlerat e gegnishtes si pjesë organike e gjuhës sonë globale, njësoj si edhe thesarin e pasurisë gojore të të gjitha trevave shqiptare. Së këtejmi, mendoj se në të ardhmen mund të priten suksese të reja edhe më të mëdha nga çdo shkrimtar talent punëmbarë, i cili, pasi tash janë krijuar mundësi të reja, e shfrytëzon mirë lëndën gjuhësore, duke bashkuar me mjeshtri tërë pasurinë ligjërimore e fjalëformuese të shqipes globale.
Së dyti, edhe sa i përket aspektit të studimeve gjuhësore po theksoj, përsëri flas si individ, si mësues i vjetër, se nuk shoh gjë të keqe pse kërkohet paksa zgjerimi i bazës së standardit të shqipes, por njëherazi nuk duhet parë çdo të zezë lidhur me normëzimin e gjuhës shqipe mbi bazë toskërishte, sipas rekomandimit të Kongresit të Drejtshkrimit 1972, ngase më shumë të zeza shoh aktualisht te disa kuadro standardistë zyrtarë në Shqipëri dhe pasues të tyre në institucione të ndryshme në Kosovë e gjetiu, që fanatikisht kanë mbetur të pozicionuar në ruajtjen e asaj norme, duke mos ndryshuar asnjë presje (!) dhe se mjerisht pothuaj krejt energjinë e talentin e tyre krijues e kanë shpenzuar dhe po e shpenzojnë duke e mbrojtur normën e tillë, deri edhe në mënyrë makiavleiste, duke mos i parë me sytë e dijes, lajthitjet ose gollet përkatëse që kishin mbetur ose ishin përvjedhur fillimisht në ato shtylla, ku jo pak çështje ekzistuese sot duken dritë me diell si të lëna keq, jo të zgjidhura mirë, ngase në atë normëzim patën mbetur të papërfshira disa vlera të padiskutueshme nga kodi i shqipes globale, përkatësisht nga ish-shqipja letrare mbi bazë të gegnishtes, të cilat tashmë me dhjeta vite kanë dale sheshazi si të diskutueshme dhe po kërkohet (ri)integrimi tyre. Vërtet shqetësues del fakti pse deri tashti nga kuadrot e tillë nuk janë bërë me dhjetra e dhjetra përmirësime edhe në Drejtshshkrimin e gjuhës shqipe (1973), siç janë bërë (edhe pse jo të plota) në Gramatikën e Akademisë dhe në Fjalorin shpjegues normativ dhe në botime të tjera edhe të Akademisë.
8. A jeni i kënaqur me punën shkencore që bëhet sot kundrejt gjuhës shqipe, konkretisht ndaj dialektit gegë?
Nuhi Veselaj: Ne nuk e mohojmë, pra, periudhën para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ku sa i përket normëzimit, edhe pse në Shqipëri kryesisht mbi bazë të një dialekti, janë kristalizuar shumë gjëra pozitive. Ne, shikuar formalisht e realisht e quajtëm shumë pozitiv atë normëzim, sepse përveç rregullave të sistemuara e të kompletuara gjuhësisht mjaft mirë, së paku ishte arritur që edhe në sy të botës, shqiptarët të përfaqësoheshim me një gjuhë zyrtare dhe kjo nuk ishte punë e vogël, mirëpo ndërkohë pas viteve të ’90-a e fillimvitet e shekullit të ri e deri më sot në situatë të ndryshuar, po shihet qartë se ai standard del me bazë tepër të ngushtë (të drunjëzuar), andaj lypset zgjeruar e përplotësuar, qoftë me disa risime që ka sjellë vetë jeta, globalizmi i brendshëm dhe i jashtëm, qoftë edhe me prurje të domodoshme nga gegërishtja, përkatësisht nga ish shqipja letrare mbi atë bazë, siç është edhe paskajorja me + pjesore të shkurtër se dhe me disa përforcime më fort me plotësim interpretimi, siç janë foljet me –NO ndaj atyre me –RO, foljet me –AV(Ë) (të pavërejtura fare), zbardhja rreth përdorimit të katër tipave të asnjanësit të shqipes, zbutja e kontaminimeve të homoformave ose homonimeve të vrazhda e përplotësime të tjera drejtshkrimore, fjalëformuese e gramatikore, si shumësi e shquarsia e emrave etj. Në këtë kontekst, siç konstatojmë edhe ne, ky normëzim fatlumnisht pa e prishur komoditetin e bazës, ka mundësi me pranue edhe prurjet e domosdoshme si shtojcërisime, natyrisht kur kemi të bëjmë me ndreqjen e padrejtësive bërë vetvetes normës globale, përkatësisht disa segmenteve të ish normës letrare mbi bazë të gegnishtes. Konkretisht, e kam fjalën për një mori sinonimesh të zbuluara ose të rizbuluara, qoftë të trashëguara nga gjuha popullore, qoftë si krijime të reja fjalëformimi, jo vetëm nga krijimtaria e letësisë artistike, por edhe nga visari popullor e studimet gjuhësore dhe aq më tepër nga shkencat humanitare e natyrore matematikore, tekniko-teknologjnike, elektrono-digjitale etj.
Nuk dime ku ka gjetur mbështetje autori, por siç u cek edhe pak më sipër, të gjitha të dhënat nga ky pasazh janë plotësisht të pavërteta, sepse edhe në dokumentat normativë të gjuhëtarëve të Kosovës del ndryshe. Kështu në burimin e vitit 1952, paskajorja e mirëfilltë ishte përfaqësuar në 20 raste, më 1956 në 50 raste, ndërsa më 1963 në 24 raste, madje me rregulla të përcaktuara të mbështetura shkencërisht.
Ne e marrim me mend se reaguesi i tillë, si ne, kishte parasysh edhe disa nga faktet që janë përmendur më përpara në burime të caktuara nga disa autorë, por ndoshta edhe për këto që do t’i ricek sa për joshje kurreshtjeje tash fill:
- Për mos me koritë mësues e shkollë - mëso me folë mirë e me kontrollë.
1) Nga Gjergj Pekmezi, KLSH Shkodër 1916:
- Nga dokumetacioni i Mustafa Krujës:
Nga Edi Rama:
-Nga gurra popullore:
- Me pas pasë një shok si Mema/Paç me i hi sarajt përsmbrena…/
- Me dalë në shesh me marrë vesh, pitja e nxehtë s’bahet përshesh!
Sa m’ka marrë malli për zotninë tande, hajde me ndejtë me
mue…
etj, etj.
Edhe pse s’ka nevojë, ne po paraqitim nja katër-pesë shembuj nga kjo nënfushë dhe një sqarim:
- E i ka vu nji barrë dru n’zjarrm/Treqind vet per’i’her me u nxe. (nga një këngë kreshnike)
(Martin Camaj)
- Kam për detyrë me shkue – kam për detyrë të shkoj / për të
shkuar.
- Detyra e shqiptarit është: me folë shqip, me mendue shqip dhe me veprue shqip.
/Detyra e shqiptarit është: të flasë shqip, të mendojë shqip dhe
të veprojë shqip;
- Detyra jonë si shqiptarë është: të flasim shqip, të mendojmë shqip dhe të veprojmë shqip.
/Detyra jonë si shqiptarë është me folë shqip, me mendue
shqip dhe me veprue shqip.
( Sipas Afrim Morinës)
etj.
Së këtejmi, shprehjet e tilla me paskajoren me + pjesore pasi i mbrojtka e drejta universale, duhet t’i mbrojë e respektojë edhe çdo folës yni, çdo mësues, çdo gazetar, çdo përfaqësues institucioni, apo jo?! Është krejt tjetër gjë, nëse dikush në gjuhën e vet autoriale më tepër parapëlqen sinonimet përkatëse nga standardi zyrtar në fuqi ose nga dialekti që e bartë dhe për këtë ka plotësisht të drejtë, por kur është fjala te përfaqësimi, shprehjet lapidare, citimi, shprehje poetike, madje edhe në raste sinonimie, pasi nuk është shartim, po bimë e natyrshme organike e gjuhës shqipe, me rrënjë, trung e fryte të species së vet, respektimi i paskajores nga origjinali është, pra, detyrues, apo jo?!
Të tillët mjerisht ende nuk janë në gjendje me kuptue se çfarë gabimi është bërë fillimisht ndaj gjuhës shqipe me injorimin e kësaj forme ekzistuese dhe ende nuk pajtohen dot me kthimin e menjëhershëm të saj në standard, qoftë për nevoja të gjuhës marrëveshjore, qoftë të asaj shkencore, ngase në të dyja këto procese trajta e tillë imponohet domosdoshmërisht, siç u argumentua edhe me shembuj konkretë në 4-5 pikat e sipërcekura, që njëherazi kanë mbështetje përfaqësimi edhe për shembuj të tjerë me mundësi të pakufizuar shumimi sipas nënfushave përkatëse semantike.
9. Ju jeni i shquar në fushën e gjuhësisë, këtë e dëshmojnë shumë vepra që keni botuar, a jeni shpërblyer nga institucionet e shtetit tonë e gjetiu?
Nuhi Veselaj: Unë në të vërtetë, deri tash asnjëherë nuk kam pritur të jem i shpërblyer plus nga institucionet e shtetit tonë e gjetiu, për veprimtarinë time për vepra që i kam konsideruar të shenjta dhe i kam kryer me mish e shpirt, së pari atë të detyrës në fushë të arsimit, pastaj në krjimtarinë letrare dhe së fundi në fushë gjuhësore shkencore, ku nuk kam pasur as obligim as shpërblim. Prandaj nëse kërkohet prej meje ta them pse institucionet e shtetit (shqiptar) nuk e kanë vlerësuar punën time si diçka plus kjo është pyetja më e pakëndshme edhe jo e lehtë për mua, ngase pos pamundësisë sime ose fatit që ia kam pri vetes, nuk dua ta fajsoj askënd tjetër, sepse unë në të vërtetë në arsim e kam marrë shpërblimin nga suksesi që kam arritur në mësimdhënie, nga krijimtaria letrare nga lexuesi i nderuar dhe anëtarësimi në shoqatën përkatëse të shkrimtarëve, ndërsa sa i përket veprimtarisë në fushën e studimeve gjuhësore shpresoj se ndihmesa ime sadopak do të jetë e pranishme në konsolidimin e zgjidhjen e çështjeve të shqipes standarde që do të jetë njëherazi edhe shpërblimi më i madh për mua.
Për periudhën e parë, duke luftuar ose duke mos qenë i dëgjueshëm ndaj organizmave të regjimit titist e pasuesve të tij, si person i burgosur, i përndjekur, gjithsesi jo i rehatshëm… sipas logjikës aktuale të atëhershme shtetërore njerëzit tanë të implikuar në organe të tilla për me ruejtë karrigë e rrogë kanë pasur të drejtë zyrtare të zbatojnë dekretet e pushtetit, pra edhe të ndalojnë botimin e veprave të mia ose të ndalojnë të botuarat e rastësishme, apo jo? Andaj, kur më është dhënë rasti, pa ngushtuar materialisht e politikisht faktorët e organizmave përkatës, më është dashur që me vetiniciativë dhe kryesisht me vetfinancim t’i botoj shumicën e veprave të asaj natyre.
Unë si reagim përgatita punimin tjetër Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, vepër kjo me të cilën argumentoja plus se integrimi paskajores në standard e ka vendin e zbrazët dhe aspak nuk prek për të keq normëzimin aktual, përkundrazi etj. dhe para se ta botoja pata rastin që përmbajtjen e këtij punimi ta paraqitja si kumtesë para një tubimi gjuhëtarësh… Pati reagime: ashtu e kështu. Ndërkohë, kur dorëshkrimin ia dorëzova recensuesit, profesorit të nderuar Fadil Raka, ngase edhe ai ka qenë fjalëmirë i paskajores, i cili pasi e lexoi, më përgëzoi, por njëherazi me keqardhje më bëri me dije se kishte selamin nga faktorët (pa i emnuar se kush ishin) si për të si recensues dhe për mua si autor që assesi kjo vepër mos të botohet, për ndryshe do të kisha për pasojë bojkotimin e 8 vëllimeve të paralajmëruara si dhe punimet e tjera. Megjithatë, pasi që e kisha ristudiuar e mbarëshktruar temën, duke e ditur rëndësinë që kishte integrimi i paskajores së mirëfilltë për gjuhën shqipe si tërësi, dhe standardin e shqipes në veçanti, u bëra i padëgjueshëm. Punimin e botova privatisht në vitin 2006. Jehona qe mjaft frytdhënëse. Këtë e dëshmoi edhe Konferenca e Durrësit (2010). Por, vërtet, pasojat ndodhën, madje edhe më të rënda seç më kishin paralajmëruar. Bojkotimi i botimeve të mia pa vendim arsyetimi u zbatua nga redaksitë përkatëse dhe si duket, ashtu nën rogoz, ende është në fuqi, apo jo?!
10. Çfarë është shkrimi për ju dhe çfarë porosie keni për studiuesit e rinj?
Nuhi Veselaj: Të shkruarit si proces dhe shkrimi si rezultat i veprimit për mua kanë domethënie të thellë. Të shkruarit i jep mundësi njeriut për veprimtari të thella që mund të mundësojnë edhe përkryerje të botës së tij mendore, ndërsa shkrimi si rezultat i atij veprimi është kurorëzim që dëshmon aftësinë krijuese të intelektualit të caktuar. Dihet dhe një fakt tjetër: shkrimi, ose krijimtaria me vlerë të lartë më pak i takojnë së sotmes, ndërsa të ardhmes më shumë. Ju do të jetoni, në mbretërinë e veprave të reja letrare e shkencore si dhe në botën e informacionit digjital dhe të arritjeve të tjera mbi këtë bazë, sistem ky i cili e zhvillon kreativitetin dhe invensionin e njeriu gjithsesi edhe nga aspekti mendor e gjuhësor, prandaj urime e suksese në valët e rrymave të reja edhe së studimin e gjuhës e të letërsisë shqiptare.
Së ketejmi urojma jonë për studuesit e rij është që të jenë të palodhshëm në këtë rrugë jo të lehtë, por mrekullisht idealiste joshëse, por veç gjuhëve të huaja, assesi mos të harrojnë të shikojnë mbrapa dhe t’i marrin me vete vlerat e gjuhës sonë deri tash të zbuluara dhe ende të pazbuluara dhe së bashkë me vlera të tjera t’i shfrytëzojnë, t’i trashëgojnë dhe t’i plasojnë ato në dobi të kulturës gjuhësore e shkencore shqiptare në oponencë me vlera universale që mësohen nga gjuhët e huaja.
11) Profesor i nderuar, në një
intervistë të më parshme, patët paralajmëruar se përveç 5 veprave shkencore që sapo dolën
nga shtypi
/1. Çështje të shqipes standarde (III), 28 tema të hapërdara, 2. Çështje të shqipes standarde (IV) rreth emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë, 3. Çështje të shqipes standard (V) rreth disa termave nga fusha e ekonomisë dhe e teknikës, 4. Çështje të shqipes standard (VI) rreth vendbanimeve dhe 5. Fjalor pune shqip-serbokroatisht, me theks terminologjia tekniko-teknologjike/,
keni edhe 4 vepra të pabotuara nga fusha e letërsisë, kur mendoni që edhe ato t’i botoni?
Nuhi Veselaj: Po është e vërtetë, përveç këtyre 5 veprave nga fusha e studimeve gjuhësore që sapo dolën nga shtypi, kam në dorëshkrim edhe ndonjë tjetër, madje edhe 4 (ndoshta edhe më tepër), nga fusha e letërsisë, të cilat pas rishikimit, do të përpiqem që edhe ato t’i ofroj për botim, por sa i përket libërtimit, kjo varet nga mundësitë, prandaj nuk mund ta di se kur mund do ta shohin dritën e shtypit edhe ato.
Intevistuesja Shqipe Gashi: Faleminderit profesor për intervisten dhe për veprat që ia keni dhuruar kulturës shqiptare!
Nuhi Veselaj: Me nder qofsh, dhe unë kërkoj falje nga lexuesit, për ndonjë fjalë të shpëtuar pa vend dhe për gabime shtypi e ndonjë tjetër, për të cilat lus lexuesin e pasionuar që t’i shënojë sipas veprës përkatëse, në mënyrë që ne t’i botojmë veçanë në një fletë: “ndreqje gabimesh”. Sidoqoftë, suksese, shëndet!