Kulturë
Tefik Selimi: Dokumentar i rëndësishëm për historinë e Gjilanit
E hene, 10.04.2017, 05:49 PM
Ribotime
Një dokumentar i rëndësishëm për historinë e Gjilanit – si qendër e Anamoravës me rrethinë…
Aliriza Selmani: “Gjilani qendër e Anamoravës”- ( nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX-të” (2017), botoi Shtypshkronja Inter Graf, Ferizaj 443 faqe.
Nga Tefik Selimi
Ditë më parë, Mr. Sc. Aliriza Selmani (1944), historian, botoi veprën dokumentare për hisorinë e Gjilanit – si qendër të Anamoravës. Kjo vepër e tij është ribotim i vepërs së njëjtë, të cilën autori e ka botuar para dy vitesh, më 2015. Siç dihet, ky profesor, tash në pension, me vullnet i ka hyrë punës në ndriçimin e historisë së qytetit, Gjilanit, të cilin qytet e konsideron si vendlindje të tij. Prandaj, edhe është nisur nga fjala e urtë orientale se “Njeriu i ka borxh vendlindjes”. Ose aforizma tjetër: “Çka shkruhet në letër, mbetet në vepër”. Kjo është fakt.
Duke shkruar për të tilla tema, ai para disa vitesh është avansuar me gradën e magjistrit, më 1984, në temën “Kazaja e Gjilanit 1908-1912”. Tash për tash është autor i disa tekseve, si: monografia “Gjilani me rrethinë 1908-1912”- (1998), mandej, (bashkëautor) “Myderriz Haki Efendiu (1914-1948), të botuar më 2005, “Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore të ANDGJ”, botuar më 2007, “Shpërngulja e shqiptarëve nga Gjilani e rrethina në Turqi”, “Gjurmime historike për Gjilanin e rrethinën” dhe pra dy vitesh Aliriza Selmani, profesor, botoi monografinë me titull: “Gjilani – qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shek. XX” (2015.
Siç jemi të ditur, Mr. Aliriza Selmani është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historisë dhe atij Albanologjik të Prishtinës. Jo vetëm kaq. Vepra e tij e ribotuar ditë më parë, është një punë kulmore hulumtuese dhe studimore për qytetin, Gjilani me rrethinë. Është vepër me peshë dhe ka vlera të shumta shkencore e dokumentare, por është edhe fort e qëndrueshme me shumë të dhëna “argumentuese”,të cilat e bëjnë veprën me karakter të mirëfilltë shkencor, publicistik e dokumentar. Në këtë vepër (monografi), të ribotuar, autori ka bërë pak ndryshime duke i shtuar veprës afro 50 faqe të tjera. Pra, vepra e autorit është ribotim i plotësuar i veprës së më parëme.
Duke vërejtur se vepra ka nevojë për pak “ndryshime”, autori në fjalë nuk hezitoi dhe, brenda dy vjetësh ia hyri punës dhe doli me ribotimin e veprës së parë, duke plotësuar me disa prurje të reja të kësaj fushe të trajtuar e të studiuar. Pra, këto “ndryshime” të veprës, autori i ka parë si të arsyeshme, për faktin se, i ka mbetur borxh arsimi shqiptar të kohës para viteve ’50-ta.
Në një bisedë rasti, autori na ka shtuar: “... lexuesi i fushës profesionale dhe ai i zakonshmi, janë të interesuar që për Gjilanin, si qendër kulturore, arsimore e administrative e Anamoravës, të dinë më gjerësisht. Andaj, veprën me titull: “Gjilanit – qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e shekullit XX-të”, të cilën po e ribotojmë, kemi bërë përpjekje që ta pasurojmë me të dhëna të plotësuara. Libri që po i ofrohet lexuesit, është fryt i hulumtimeve të kryera për një periudhë mjaft të gjatë, dhe na mban shpresa se do t’i plotësojë deri diku këto kërkesa mjaft serioze”(f.17).
Po ashtu, autori i monografisë për Gjilanin e ka përfunduar me sukses veprën e tij të ribotuar dhe plotësuar, e cila vepër, siç, është një dije mjaft e gjerë, ku autori, nëpërmjet intervistave, dokumenteve, të dhënave, datave, vendeve, lagjeve, njerëzve, por edhe të bashkëbiseduesve, e ka rrumbullakësuar një “projekt” kapital, i cili, thënë ndryshe, është një vepër kulmore e historisë së Gjilanit me rrethinë. Në këtë vepër të ribotuar e të plotësuar, Mr. Sc.Aliriza Selmani flet për Gjilanin si vendbanim i një kohe të hershme, për banorët e hershëm, islamizmin, shpërnguljen e popullatës, arsimin e një kohe, ekonominë, kulturën etj. Por, ai flet edhe për familjen e Gjinollëve, e cila “familje e ka sunduar Kosovën.
Pra, Gjinollët, sipas autorit të veprës, janë themeluesit e Gjilanit, të cilët, më vonë, janë shpërëndarë nëpër qytetet e Kosovës. Autori, gjthashtu na flet për adrministratën osmane, për popullsinë e qytetit të Artanës (Novobërdës). Pra, vepra e autorit është një studim monografik, në të cilin ka marrë në shqyrtim aspekte zhvillimore të disa fushave të veprimtarisë shoqërore dhe të kulturës material e shpirtërore të popullsisë së qytetit të Gjilanit dhe të rrethinës.
Andaj vepra në fjalë është një fryt i hulumtimeve të kryera për një periudhë mjaft të gjatë, e cila, si e tillë, do t’i plotësojë kërkesat e lexuesve të moshave të ndryshme. Kjo monografi, e cila është e para e këtij lloji, lexuesi do të ketë mundësi të ketë informacione sa më të bollshme e të plota rreth qytetit me rrethinë, të cilat informacione janë të qëndrueshme në fushat e veprimtarisë shoqërore, kulturore e arsimore, ekonomike, bujqësore, zejtare etj. Pra, autori i veprës flet për popullatën e Gjilanit me rrethinë gjatë periudhës së përmendur, por pa bërë ekzagjerime të gjëra, duke mbetur besnik të vërtetës së shkruar me fakte e dokumente. Autori është munduar ta paraqes “gjendjen” realisht si e ka parë syri i tij apo të tjerët që i kanë rrëfyer.
Ky dokumentar krysisht bazohet në burimet e shërbyera nëpër arhiva të ndryshëm. Autori ka shfrytëzuar arhivin e Shtetëror të Maqedoniës, Shkup, Arhivi i Kosovës, të Tiranës, Arhivi Ndërkomunal në Gjilan, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, sektori i Kadastrës, Këshilli i Rrethit të Gjilanit, dokumentet e botuara nga Arhivi i Turqisë e shumë materiale të tjera.
Në monografi, autori i veprës flet se si ky qytet (Gjilani) ka qenë një qendër e rëndësishme zejtare, bujqërore, blegtorale, për t’u shndërruar më vonë në një nga qendrat kryesore të Kosovës me një rëndësi strategjike, ekonomike e politike, gjë të cilën e përmendin edhe shumë emisionarë diplomatic, udhëpërshkrues e shkencëtarë të kohës, që lanë shënime për këtë qendër të rëndësishme të Anamoravës. Pra, autori ju ka qasur shumë fushave për t’i ndriçuar e për t’i ndritur, duke filluar themelimin e qytetit, Gjilanit me rrethinë gjer në gjysmën e parë të shekullit XX-të.
Mandej, Aliriza Selmani, historian, flet për gjendjen e arsimit të kësaj kohe, për shkollat e hershme, për Gjilanin në periudha të ndryshme, të kohën së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë dhe pas Revolucionit të Xhonturk. E rëndësishme është se, kësaj here, në ribotimin dhe plotësimin e veprës në fjalë, autori më tepër është ndalë tek çështja e alfabetit të gjuhës shqipe, gjatë kohës së luftëravë për çlirim të këtij teritori deri në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Këtu autori ka shtuar disa faqe, në të cilat ka shtuar se, përkundër asaj kohe, me gjendje të “skajshme” e të përvuatshme, popullata shqiptare ka bërë përpjekje të shkollohet, arsimohet me anë të kurseve analfabetike etj.
Andaj, në një bisedë rasti, ai (A. Selmani), na ka shtuar: “Vepra ime, kjo që doli ditë më parë nga botimi, që në faktë është ribotim i plotësuar, është një projekt (vepër) e plotësuar, por dhe e punuar më profesional. Me vullnet ia kam hyrë kësaj pune, dhe, lirisht le ta marrin për ta lexuar, madje dhe akademikët tanë nga Shqipëria etj. Shihni, shtoi autori, -menjëherë pas botimit të parë, e pash të arsyeshme ta filloj ribotimin dhe plotësimin e veprës në fjalë. E vërejta mirë se kisha një arsye të madhe t’ia hyj kësaj pune serioze, e cila do mundi e punë të pakursyer. Aspak nuk hezitova për ribotimn e veprës sime për së dyti. Është një thënie, edhe pas 30 here të botimit, vepra ka nevojë të shtohet e të ripunohet. Në vëpër kam bërë plotësime, kam qitur “gjëra” të reja, por ka raste që kam bërë edhe përmirësime, sepse, është e pamundur që njeri t’mos gabojë.
Me një fjalë, jam munduar ta plotësoj çdo pjesë (shënim), të cilit i kam shtuar nga pak. E kam bërë këtë duke i përdorur fusnotat. Mandej, i kam zgjeruar disa hapësira. Më tepër jam ndalë tek kaptina e shpërnguleve të popullatës në mes dy Luftërave Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë kaptinë e kam plotësuar mjaft me argumente të thëneve të akademikëve të huaj etj., sepse e kam parë se, kjo pjesë ka dalë më e zbehtë dhe më është dashur ta plotësoj. Në këtë monografi të ribotuar e të plotësuar kam shtuar për gjendjen e arsimit të popullatës sonë në një kohë të hershme. Këtë pjesë e kam pasur më parë jo aq të trajtuar, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, është fjala për arsimin në komunën e Gjilanit, para viteve të ’50-ta. Kjo është një risi në veprën time të plotësuar në veprën time të botuar ditë me parë.
Me fjalë të tjera, më kanë shtyrë do “thash e thënme” se nuk ka qenë puna mirë. Faktikisht, puna ka qenë ashtu si thonë disa vlerësues. Unë, sipas analizave, kjo gjendje e arsimsit e kësaj kohe ka pasur një hov i zhvillimit të nxjerrjes së gjendjes nga analfabetizmi. Ka pasur kuse të shumta e të ndryshme, të analfabetizmit, si: kurse shëndetësore me femra etj. Me kohë janë hapur shkolla dhe, populli është munduar në çdo vend të hapi shkolla fillore e gjimnaze këtu në Gjilan, që më vonë është themeluar Gjimnazi i lartë, shkolla ekonomike, shkolla e ultë bujqësore, ku të rinjtë kanë mësuar zante të ndryshme etj. Do të thotë, kjo “gjendje ka qenë një hov gjer sa UDB-a nuk e ka “prekur” këtë fushë të dije.
Dhe, atëherë kur UDB-a e ka marrë në dorë, pas vitit 1950, atëherë mësuesit e ardhur nga Shqipëria etj., janë burgosur dhe janë larguar. Ndërsa, këta mësuesit tanë, janë shpërngulur në Turqi e mese tjera. Kështu që, nga kjo kohë fillon faza e degradimit të arsimit shqip. Pra, në shënimet e mia të kësaj vepre, desha të shtoj se kjo kohë nuk ka qenë krejt errët, sepse janë bërë përpjekje të mëdha, sepse, aso kohe, 95% e popullatës ka qenë analfabet.
Të shtoj edhe këtë se, s’ka vepër të përsosur apo të përkryer. Unë jam munduar që çdo gjë që e kam thënë e shkruar, e kam argumentuar me fusnotë, por edhe nqoftëse diçka ka mbetur si “dilemë”, e arsyetoj se kush ka rrëfyer apo ka thënë. Këtu në veprën time kam shënime për të shpërngulurit, ku kam cituar Akademik, Mark Krasniqin etj”.
Kjo veprë monografike është fryt i një pune të gjatë hulumtuese e kërkuese e autorit në fjalë. Vepra është shkruar sipas kritereve të metodologjisë bashkëkohore në punën kërkimore, hulumtuese e shkencore. Autori është bazuar vetëm në fakte e të dhëna të vlevshme, të cilat janë të lidhura fort me historinë e trevës së Gjilanit me rrethinë për periudhën që ështtë objekt i trajtimit të kësaj fushe të dijes. Vepra në fjalë ka 443 faqe tekst. Është e botuar nga Shtypshkronja Inter Graf – Ferizaj.