E shtune, 21.12.2024, 02:16 PM (GMT)

Kulturë

Murat Gecaj: Më shumë dashuri

E hene, 10.04.2017, 08:21 AM


Një kujtim, nga përurimi i librit të 12-të,”Tplani i Krasniqes”, me autor Ibrahim Kadri Malaj (në mes, ulur), në qytetin “Bajram Curri”, mars 2017.

ME SHUMË DASHURI, PËR VENDLINDJEN DHE TRADITAT E SAJ…

(Autori Ibrahim Kadri Malaj, botoi 12 libra me këtë tematikë)

Nga Prof. Murat Gecaj

1.

Jemi njohur bashkë në vitet 70-të, të shekullit kaluar, kur kisha shkuar me qarkullim, nga Tirana, në vendlindjen time, pra në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Unë punova atje 7 vjet dhe përsëri u ktheva në shtyp. Ndërsa bashkëkrahinasi im, Ibrahim Kadri Malaj shërbente në sektorin e bujqësisë. Gjithnjë më ka mbetur në kujtesë pamja e buzëqeshur dhe shpirti i tij dashamairës me njerëzit.

Të them të vërtetën, në atë kohë, nuk e kam ditur që ai merrej me letërsi ose që shkruante. Por vitet kaluan dhe ky mik i mirë u shfaq para lexuesve, si dhe për mua, me disa botime të çmuara, kryesisht me tematikë vendlindjen. Se është e njohur, që ajo i tërheq njerëzit e profesioneve të ndryshme, si një magnet i fuqishëm. U jep atyre frymëzim e shpirt krijues, në poezi ose në prozë. Në rastin e mikut Ibrahim, ai i shpalosi prirjet kryesisht në prozë,  me mbresa e shënime nga jeta e asaj krahine plot tradita, por dhe nga puna  e profesioni i tij.

Nuk dua të zgjatem, po shënoj këtu se libri i parë i Ibrahim Kadri Malajt është botuar në vitin 1997. Ai e kishte titullin kuptimplotë, “Tropoja ime” dhe ndjenjat e mendimet e veta i shprehu aty, në vargje. Hyrjen e këtij libri e bëri i paharruari Dritëro Agolli, ku theksonte edhe keto fjalë:“Vetë Tropoja, me djemtë dhe vajzat e saj, është një poezi e vërtetë!”

Pas një ndërprerjeje për rreth pesë vjet, që atij iu desh të kërkonte dhe të studionte për temën e librit të tij, Ibrahimi botoi “Tropoja në breza”. Kuptohet, se sa mund e djersë dhe punë hulumtuse i është dashur atij, për ta trajtuar këtë temë, në 500 faqet e botimit të tij serioz. I ngjashëm në tematikë ishte dhe libri pasues, “Malësia e Gjakovës”(2007), që nënkupton rrethin e Tropojës. Dy punime tjera, me mjaft vlera, ishin: studimi “Besimet fetare në Tropojë”(2010) dhe “Traditat etnokulturore, në Tropojë”, po në atë vit.

Është i ditur pozicioni gjeografik i rrethit verior të Tropojës. Për nevoja të ndryshme, si ekonomike, shëndetësore etj., malësorëve u është dashur të udhëtojnë në qytete dhe krahina tjera të Shqipërisë, sidomos në Shkodër, por dhe në Gjakovë, qytet që ndodhet më afër etj.  Këtë temë të ndjeshme e trajtoi Ibrahimi në librin e radhës, “Udhëtimet e malësorëve” (Tiranë, 2015). Ai vit ishte mjaft i begatë në botimet e këtij autori, pasi atëherë shkroi e publikoi dhe librat: “Grimca humoristike”(duke dëshmuar në të, humorin e hollë të malësorëve), “Rromët tropojanë” dhe “Dada”(siç i thonë motrës, në Malësinë e Tropojës).

 

2.

Tashmë, me botimet e mësipërme, emri i krijuesit Ibrahim Kadri Malaj u bë i njohur, jo vetëm për lexuesit e krahinës, ku ai ka lindur dhe jeton me familjen, por dhe më gjerë. Kështu, duke gjurmuar e mbledhur të dhënat e nevojshme, në vitin  2013, botoi librin “Malajt e Grisë”. Flitet këtu për një fshat të vogël të asaj zone, i cili ndodhet ndërmjet Geghysenit e Bujanit. Libri në fjalë përmban 282 faqe dhe u përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Kam patur kënaqësinë që edhe unë të jem i pranishëm, në atë veprimtari të bukur. Me atë rast, pjesëmarrësit e shumtë në atë sallë të madhe dëgjuan fjalë të shumta e të merituara, vlerësuese dhe dashamirëse, për krijmarinë e bashkëkrahinasit të tyre.

Duke e patur gjithnjë “në rendin e ditës” këtë temë, një vit  më parë, Ibrahimi  botoi librin “Tplani i Krasniqes”(Tiranë,2016). Në të, në afër 300 faqe, jepen dëshmi e të dhëna të shumta për këtë fshat të fisit të gjerë, me emrin “Krasniqe”. Në hyrjen e tij, Zeqir Hasanpapaj, shkruan edhe këto radhë: “Është i 12-ti libër i studiuesit Ibrahim Kadri Malaj. Titulli i tij, menjëherë, të bën me dije se shkruhet për historinë e fshatit të tij të lindjes, Tplanin e Kraniqes, fshatin e banorëve atdhetarë  e liridashës…Në qendër të këtij  botimi të ri të Ibrahim Kadrisë, janë vendosur: ngjarje, data dhe personazhe të rëndësishëm, emra të shquar të breznive tplanase, historitë dhe ndihmesat e tyre historike  dhe jo vetëm”.

Duke  e shfletuar këtë libr, lexuesi njihet edhe me bukuritë natyrore e pasuritë e Tplanit, për zhvillimin  e bujqësiisë e blegtorisë, për arsimin e kulturën etj. Një vend të posaçëm zënë raditat atdhetare, luftarake e liridashaëse, ndër breza. Po kështu, flitet për vllaznitë e fshatit dhe emrat e shquar të tyre etj.  Janë mjaft domethënëse fjalët e përmbyllëse të redaktorit të këtij libri, Lulëzim Logu: “Libri “Tplani i Krasniqes” është një kronikë malli, dashurie dhe një krenari e pamasë e autorit, për vendlndjen e tij…”.

Ky botim i ri u përurua në qytetin “Bajram Curri”, në muajin mars 2017, me pjesëmarrje të gjerë të bashkëfshatarëve të autoit, por dhe banorë të qytetit e nga fshatrat tjerë të atij rrethi. Aty u thanë fjalë dashamirëse për autorin dhe i uruan krijimtari të pandërprerë.

3.

Siç është e kuptueshme, Ibrahim K.Malaj nuk mund të mos shkruante dhe një libër të posaçëm, që lidhet me profesionin e tij bazë, pra agronominë. Poeti tropojan Gjon Neçaj, më 2015, ka publikuar një shkrim, me titullin domethënës, “Agronomi, që u bë shkrimtar i eksplorimit të vendlindjes së tij”. Ndër të tjera, ai riprodhon fjalët e Ibrahimit: “Dëshira për të shkruar më ka lindur që herët. Por, duke qenë se unë studiova për agronomi,më vonë punët e shumta dhe detyrat, që kam kryer,nuk më dhanë mundësi t’i kushtohem fushës së krijimit.Në vitet e pensionimit, m’u krijuan kushtet e përshtatshme, që të shkruaj e të botoj…”.

Ja, tani kam në duar edhe  librin e Ibrahimit, “Bujqësia tropojane në vite” (Tiranë, 2012), me gjithësej 480 faqe. Hyrjen e tij e ka shkruar vetë autori. Ndër të tjera, ai shprehet:“Dëshira për të shkruar diçka për bujqësinë e Tropojës është e kahershme dhe që më më ka shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme…Fati e solli që unë të jem ndër specialistët e parë të kësaj krahine veriore, i  diplomuar agronom, në Institutin e Lartë Bujqëesor (sot, Universiteti Bujqësor-Tiranë). Ky fakt bëri që e gjithë jeta ime t’i përkushtohej rritjes e zhvillimit të bujqësisë së kësaj treve…”. Duke qenë njohës i mirë i kësaj fushe jetike edhe për malësorët, në faqet e këtij libri, së pari, jep të dhëna për Malësinë e Gjakovës (Tropoja), sipas fshatrave të saj. Aty është  ndalur posaçërisht dhe për pasuritë e shumta, që ajo ka, si në frutikulturë, pemëtari e blegtori, pyje e kullota, për florën e faunën etj.

Vend me rëndësi i kushton autori zhvillimit të bujqësisë, në vite të ndryshme, që nga 1939-ta dhe në periudhën e pasçlirimit. Ka përfshirë këtu kolektivizimin e bujqësisë, me drejtuesit kryesorë të saj dhe ka folur për bimët kryesore të kulivuara, për  blegtorinë e frutikulturën. Duke i shoqëruar të dhënat shumta për këta sektorë, librin e ka pajisur me fotografitë e mjaft specialistëve dhe drejtuesve të përkushtuar, të këtyre fushave jetësore.

Një pjesë të posaçme, në këtë libër, autori ua ka kushtuar, me emra, 32 specialistëve të bujqësisë dhe 18 zooteknikëve e veterinerëve dhe 21 ekonomistëve të plan-financës, shoqëruar me fotografitë e tyre. Aty  ka të dhëna të hollësishme për jetën dhe punën e tyre të palodhur. Po kështu, me fjalë dashamirëse është shprehur për 15 kuadro, të cilët kanë punuar dhe drejtuar në sektorin e bujqësisë së rrethit Tropojë. Në vazhdim të këtij libri, është folur me dashamirësi e nderim, edhe për 7 drejtues e specialistë në ujëra-bonifikim, për 9 specialistë në ekonominë pyjore dhe për 3 kuadro e specialistë në SMT.

Tërë ky libër dokumentar, i autorit Ibrahim K.Malaj, kushtuar vendlindjes, mbyllet me një jetëshkrim të shkurtër të tij; me burimet kryesore, ku është mbështetur ai, për hartimin e tij dhe me falënderimin, që u drejton njerëzve, të cilët kanë ndihmuar ose bashkëpunuar me të.

…Në përfundim të këtij shkrimi modest, për tërë krijimtarinë  dhe librat e botuar, nga bashkëkrahinasi dhe miku i nderuar Ibrahim Kadri Malaj, i cili në gushtin e këtij viti feston 85-vjetorin e lindjes, dëshiroj që ta përgëzoj atë, për tërë këtë punë voluminoze, të vyer dhe me shumë vlera, kushtuar vendlindjes. Gjithashtu, duke shprehur respekt të veçantë për të, i uroj: Shëndet të mirë, begati e mbarësi dhe gëzime e lumturi, si vetjake dhe familjare!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora