Kulturë
Sinan Sadiku: Poetët e mirë dhe poetët e dobët
E shtune, 01.04.2017, 08:44 AM
POETËT E MIRË DHE POETËT E DOBËT, VLERAT, SHPËRBLIMET
Nga Sinan Sadiku
Ibrahim Rugova, në librin “Strategjia e kuptimit” (1980), të gjithë librat me poezi të botuara deri në vitin 1979 nga shqiptarët në ish Jugosllavi i vlerëson me pesë nota: libër i dobët, libër i zakonshëm, libër interesant, libër i mirë dhe libër i mirë e me ndikim. Për vlerësimin e librave që janë botuar pas vitit 1990, kur ka rënë edhe censura artistike, nuk mjaftojnë vetëm këto nota. Kjo sepse deri atëherë përveç librave të tjerë janë botuar edhe libra të dobët, ndërsa tani përveç librave të tjerë dhe librave të dobët botohen edhe libra shumë të dobët. Me që tani ka poetë që shkruajnë vetëm libra të dobët dhe shumë të dobët, unë të gjithë poetët do t`i klasifikoj në: poetë shumë të dobët, të dobët, të zakonshëm, interesantë, të mirë dhe të mirë e me ndikim apo shembullor.
Poetët shumë të dobët
Këta shkruajnë vargje, ua japin një titull dhe mendojnë që kanë krijuar poezi. Në realitet aty nuk ka asgjë poetike. Gjuha është e drejtpërdrejtë, e zhveshur nga figurat. Pra, nuk ka gjuhë poetike, nuk ka thurje interesante, nuk ka ndonjë ide, mendim apo mesazh të thënë bukur që do të na e zgjonte kërshërinë, që do na prekte në ndjenja, në shpirt duke na shkaktuar kënaqësi estetike. Shihet që ju mungojnë aftësitë dhe imagjinata krijuese. Thjeshtë ju mungon gjithçka që do të duhej të kishte një poet. Këta “poetë” janë shumë të dobët edhe sa i përket shprehjes së përgjithshme gjuhësore. Ju mungon kultura elementare gjuhësore, veçmas sa i përket shprehjes me shkrim. Në drejtshkrim qëndrojnë shumë keq, në kuptimin që jo vetëm se nuk dinë ku t`i përdorin shkronjat q e ç, gj e xh, por shpesh në vend që ta shkruajnë çdo e shkruajnë gjdo, e të mos flasim për përdorimin e shkronjës ë dhe çështje tjera më të ndërlikuara. Këtyre ju mungojnë njohuritë elementare sa i përket poezisë. Shpeshherë nuk mund ta dallojnë një poezi të dobët nga një poezi me vlera antologjike. Për vete janë të bindur që janë poetë të mirë, në mos shumë të mirë. Pra janë shumë larg njohjes së realitetit që ka të bëj me ta si “poet”. Falë kësaj ata mburren, e ndiejnë veten krenar që kanë arritur të shkruajnë poezi dhe të bëhen poetë. Pastaj fotografohen me sa më shumë poetë të njohur, fotografohen duke lexuar poezi në manifestime të ndryshme, fotografohen... dhe të gjitha këto i plasojnë në rrjetet sociale. Kur ndodhë që në ndonjë manifestim t`u jepen mirënjohje të gjithë pjesëmarrësve, duke i përfshirë edhe ata, gëzohen si fëmijët dhe gëzimin e ndajnë me miqtë e shumtë në rrjetet sociale. Pastaj pasojnë like-t (pëlqimet), komentet, urimet, përgëzimet... Shpesh marrin pëlqime, urime, përgëzime, lëvdata... shumë më shumë se poetët e njëmendët. Mund të them që në ambientin tonë social, politik dhe kulturor të tillët më së lehti gjejnë donacione dhe subvencione për botimin e librave, jo vetëm nga kryetarët e komunave, por edhe nga sektori privat. Këta njerëz në një aspekt kanë arsye të besojnë që janë poetë të mëdhenj. Në facebook marrin shumë pëlqime, urime, përgëzime. Kanë botuar nga disa libra dhe nuk kanë pas problem për donacione. Rrethi familjar dhe shoqëror ku jetojnë nuk është i atij niveli intelektual sa të jetë në gjendje ta dijë se krijimtaria e tyre nuk ka vlera artistike. Andaj na ndodh shpesh të lexojmë nga fëmijët, gruaja, nipat, mbesat, kushërinjtë, miqtë... e tyre se sa shumë e ndiejnë veten krenar që një familjar apo mik i tyre ka arrit të shkruaj poezi aq të bukura, të bëhet poet, të bëhet njeri i madh, i pavdekshëm! Këta e përbëjnë mbi një të katërtën e poetëve, apo së bashku me poetët e dobët, më shumë se gjysmën e tyre. Imponohen, i rrasin hundët kudo, duke ndikuar në shëmtimin e orëve letrare dhe manifestimeve të ndryshme kulturore.
Poetët e dobët
Në librin e shënuar më lartë Rugova ka shkruar “Libër i dobët, - që është nën nivelin e asaj që është shkruar apo shkruhet”. Më këtë notë Rugova i ka vlerësuar 14 nga 217 libra, apo 6.45% të librave të botuar deri në vitin 1979. Pra vetëm 6.45% e tyre kanë qenë nën nivelin e asaj që është shkruar, ndërsa pas vitit 1990, mbi 60% e librave të botuar janë libra të dobët dhe shumë të dobët. Më duhet t`i informoj lexuesit se disa nga poetët që kanë botuar libra të dobët deri në vitin 1979, sipas vlerësimit të Rugovës, kanë botuar edhe libra të zakonshëm. Andaj numri i poetëve që kanë botuar vetëm libra të dobët mbetet vetëm 8 nga 91 poetë që kanë pas libra të botuar. Por as këta 8 poetë nuk mund t`i quajmë të dobët , sepse disa prej tyre ndërkohë e kanë përsosë krijimtarinë dhe kanë shkruar libra të zakonshëm, madje ndonjëri edhe libra interesantë. Unë, të dobët do t`i quaj vetëm ata poetë nga krijimtaria e gjithmbarshme e të cilëve, nëse i zgjedhim poezitë më të mira, nuk e bëjmë dot një libër të zakonshëm. Pra nuk do ta quaj poet të dobët atë i cili i ka botuar 5, 10, apo 15 libra të dobët me poezi, nëse nga krijimtaria e gjithmbarshme e tij mund t`i zgjedhim rreth 40 poezi për ta kompletuar një libër të zakonshëm. Poetët e dobët shkruajnë vargje, strofa, “poezi”, “libra”, duke u shërbyer me një gjuhë jopoetike, ku ka retorikë, deklarativizëm, patetikë, didaktikë dhe moralizime. Duket se nuk janë të përkushtuar ta shkruajnë një poezi sa më të bukur, sa më artistike, por përpiqen ta edukojnë lexuesin, ta mësojnë atë, t`i shesin mend, për gjërat më elementare. Në esencë qëllimi i tyre nuk është krijimi i poezisë, por përmes poezisë, me ose pa vetëdije, përpiqen të paraqiten të mençur, atdhetarë, humanistë, shpesh me qëllim që të arrijnë të bëhen të njohur, të famshëm dhe të zënë pozita sa më të larta, veçmas në politikë dhe pushtet. Pra këta nuk e dinë që përmes poezisë mund të bëhesh vetëm poet dhe nuk mund t`i kompensosh deficitet intelektuale, njerëzore, patriotike... Andaj edhe pse shkruajnë vargje nuk arrijnë të bëhen poetë, sepse përveç talentit, ju mungon edhe përkushtimi, përkushtim ky që në kushtet e sotme shpesh duhet të kalojë në sakrificë dhe heqje dorë nga disa veprimtari të tjera që të sjellin shumë më shumë përfitime ekonomike dhe përfitime të tjera. Kanë shumë gjëra të përbashkëta me poetët shumë të dobët, por sa i përket ngritjes intelektuale, kulturës së përgjithshme, janë pak më të avancuar. Sa i përket kulturës gjuhësore janë pak më të mirë se poetët shumë të dobët, si në aspektin e drejtshkrimit, formulimit të fjalive etj. Edhe këta kanë shkruar vargje pa vlera artistike. Duke shkruar poezi e kanë humbur kohën kot, ndërsa kanë mundur të japin diçka në ndonjë fushë tjetër, siç është publicistika, etj. Kuptohet gjithnjë me një mbështetje dhe mbikëqyrje të shtuar të redaktorit, lektorit... Ta zëmë ndonjëri prej këtyre, falë moshës dhe informatave që posedon, ka mundur ta shkruajë ndonjë kronikë të ndodhive në një komunë për disa dekada, ndonjë monografi për një shkollë dhe të ngjashme. Në poezi mundi ju ka shkuar huq. Ca prej këtyre kanë botuar nga disa libra brenda një kohe të shkurtër. Pjesën më të madhe të librave që i kanë shkruar poetët e dobët dhe të gjithë librat e shkruar nga poetët shumë të dobët një botues pak më serioz nuk do t`i botonte fare.
Poetët e zakonshëm
Rugova, për libër i zakonshëm shkruan: “që nuk vërehet mjaft në poezi, nuk sjell ndonjë element shques, të nxis diçka të re, po që inkuadrohet në situatën momentale”. Pra këtu hynë kryesisht librat me vlera mesatare poetike. Prej 217 librave që i ka vlerësuar Rugova, 131, apo mbi 60% e tyre kanë marrë notën libër i zakonshëm. Tani shumicë nuk janë librat e zakonshëm, por librat e dobët dhe shumë të dobët, librat të cilët në një shoqëri me sistem të konsoliduar të vlerave nuk do të botoheshin fare. Nëse nuk i llogarisim librat e dobët dhe shumë të dobët, librat e zakonshëm do ta përbënin prej 75% deri në 85% të librave të botuar gjatë dhe pas viteve të nëntëdhjeta. Poetët e zakonshëm, pra shkruajnë libra të zakonshëm, libra me vlera mesatare poetike, që ia vlen të lexohen, dhe mirë që janë botuar. Edhe pse këta libra nuk kanë sjell diçka të re leximi i tyre e kënaq shijen estetike të një shtrese intelektuale që e lexon poezinë. Këta poetë nuk sjellin ndryshime, por i ruajnë vlerat që fillimisht i kanë krijuar disa të tjerë, më të talentuar, para tyre. Te poezia e poetëve të zakonshëm hetohet, deri diku, njëfarë uni i tyre poetik, njëfarë mëvetësie, njëfarë bote poetike sa i përket, idesë, mendimit dhe ndjeshmërisë, botë kjo që ende nuk ka dhënë fryte të pjekura estetike. Poetët e zakonshëm janë intelektualë të mirëfilltë, janë njerëz të penës, por si poetë, ose nuk janë mjaftë të talentuar, ose për shkaqe të ndryshme e kanë filluar krijimtarinë poetike me vonesë, ose nuk kanë mundur t`i përkushtohen sa duhet për ta dhënë maksimumin në këtë fushë të krijimtarisë artistike. Disa nga këta me kalimin e viteve e kanë ndërprerë krijimtarinë poetike dhe i janë përkushtuar kritikës letrare, studimit të letërsisë, ose ndonjë fushe tjetër të artit, shkencës etj, ku kanë arrit rezultate të mira. Poetët e zakonshëm e njohin poezinë, i njohin vlerat poetike, i shijojnë ato, veçmas vlerat e verifikuara, por zakonisht me vështirësi i kuptojnë dhe i pranojnë risitë, ndryshimet, veçmas kur ato janë më të theksuara, më të shpejta. Në kushtet e sotme është shumë më lehtë të vihet deri te informatat e reja, të përcillen risitë, të arriturat e të tjerëve në gjitha lëmit, duke përfshirë edhe të arriturat, trendet, stilet, rrymat, shkollat në artin poetik dhe kjo është ndihmesë që poetët e zakonshëm, në veçanti ata që i janë përkushtuar krijimtarisë poetike, leximit dhe shijimit të poezisë, ta zhvillojnë vetveten dhe të mos bëhen pengesë e afirmimit të vlerave të reja siç ka ngjarë në të kaluarën. Megjithatë edhe në kushtet dhe rrethanat e sotme shpeshherë më i madh është presioni nga vlerat mesatare se sa nga vlerat kulmore.
Poetët interesantë
Për libër interesant Rugova shkruan: “Që përmban elemente të cilat heqin mendjen e kritikës dhe të praktikës poetike, po si tërësi nuk është i realizuar”. Në poezitë e këtyre librave janë të pranishme gjetjet interesante, të befasishme sa ju përket figurave poetike, sa i përket, mendimit, idesë, ritmit, sa i përket ndërtimit të vargut, strofës, poezisë. Te këta libra gjejmë fryte të pjekura poetike me shije të këndshme që na kënaqin, por edhe fryte të papjekura sa duhet që deri diku na e prishin shijen e të parave. Nganjëherë vargu nuk është i spastruar prej përbërësve joestetikë, që e dëmtojnë. Te disa poezi, heqja e ndonjë fjale, vargu, strofe, e te disa të tjera zëvendësimi i ndonjërit nga këta përbërës, do t`ia shtonte vlerën asaj. Libra interesantë shkruajnë poetët e talentuar, të cilët po t`i përkushtoheshin më shumë krijimtarisë do të mund të shkruanin edhe libra të mirë dhe shumë të mirë. Pra janë njerëz që e kanë unin e vet poetik, që e kanë botën e vet poetike, që e kanë stilin e vet, disa nga poezitë e të cilëve janë të mëvetësishme dhe origjinale. Pra, poetët interesantë janë të talentuar dhe shumë të talentuar, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta japin maksimumin. Arsyet mund të jenë të shumta si: mungesa e përgatitjes shkollore, leximi i pamjaftueshëm, pamundësia që t`i përkushtohen krijimtarisë poetike, sepse për shkak të gjendjes së rëndë sociale ju duhet të merren me punë të tjera, problemet shëndetësore, mungesa e mbështetjes institucionale etj.
Poetët e mirë
“Libër i mirë, - që ka mëvetësinë e vet artistike po nuk ndihet shumë në procesin poetik”- shkruan Rugova për librat e mirë. Pra te këta libra janë të bollshme frytet e pjekura poetike që e kënaqin dhe përsosin shijen estetike të lexuesit të formuar. Teksti i poezisë, gjegjësisht fjala, vargu, strofa, poezia, janë të spastruara nga shtresat parazitare që do ta dëmtonin atë. Poeti është kujdesur dhe ka investuar dije, përkushtim, talent, imagjinatë, përjetim, jo vetëm në krijimin e poezisë, por edhe të librit si tërësi, ashtu që leximi i librit si tërësi ua shton vlerën poezive veç e veç. Të gjithë përbërësit e poezisë janë kombinuar dhe harmonizuar bukur. E kam fjalën për idenë, kuptimin, ndjeshmërinë, mesazhin, ritmin, gjuhën poetike etj. Poetët e mirë janë krijues të talentuar, që i janë përkushtuar deri në sakrificë krijimtarisë poetike, duke hequr dorë nga shumë të mira që do t`ua sillte marrja me veprimtari të tjera. Botën e pasur poetike, shpirtin poetik kanë arritur ta materializojnë në poezi.
Poetët e mirë e me ndikim, apo poetët shembullorë
Për librat e mirë e me ndikim Rugova shkruan: “Libër i mirë e me ndikim, - që me mëvetësinë e vet artistike dhe me elementet inovative ndikon në procesin poetik, në kreativitetin e situatës poetike, pra jashtë kuptimit epigonist, ndikon në aktivizimin e ideve të reja dhe të akumulimeve poetike, natyrisht duke u aplikuar elementet e tij kreativisht”. Këta do të mund t`i quanim edhe libra shembullorë, që lënë shije të veçantë estetike te njerëzit të cilët e shkruajnë poezinë, duke ushtruar ndikim jo vetëm në shpirtin e tyre poetik, por duke e pasuruar edhe botën e tyre poetike dhe duke ushtruar ndikim në krijimtari. Librat e tillë e pasurojnë, e zhvillojnë dhe e përsosin poezinë e një populli. Libra shembullorë shkruajnë poetët me talent të jashtëzakonshëm, të cilët i janë përkushtuar krijimtarisë poetike me tërë qenien e tyre dhe falë kësaj kanë arritur të krijojnë poezi të veçanta, origjinale me vlera antologjike. Vetëm këta poetë, respektivisht poezitë e tyre meritojnë dhe do të duhej të përfshiheshin nëpër libra shkollorë, nëpër antologjitë e poezisë shqipe; të përkthehen në gjuhë të tjera dhe ta prezantojnë me dinjitet poezinë shqipe; të mësohen në shkolla, në fakultete; të studiohen në institute; të nderohen me shpërblime të karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar; të shkruhen studime, libra, monografi për krijimtarinë e tyre etj. Vetëm poezitë e këtyre poetëve kanë gjasa të lexohen nga gjeneratat e ardhshme pas një gjysmë shekulli, pas një shekulli... dhe të zënë vend në thesarin e çmuar të vlerave të përhershme kombëtare. Prej 217 librave të shkruar deri në vitin 1979, Rugova vetëm 9 sosh, ose 4.14% i vlerëson me notën libër i mirë e me ndikim. Tani librat e tillë marrin pjesë me më pak se 2% të librave të botuar dhe së bashku me librat e mirë mund të arrijnë deri në 3% të pjesëmarrjes.
Në fund, të mos harroj pa shtuar, se sa më i dobët poeti aq më shumë beson në vlerën e krijimtarisë së tij poetike, ndërsa nevojën për ta përsosë atë, më së paku e ndiejnë poetët shumë të dobët, pastaj ata të dobët, e kështu me radhë deri te poetët e mirë e me ndikim. Pra derisa poetët e mirë dhe me ndikim, poetët e mirë... shpesh kanë dyshime, nuk janë të kënaqur me poezitë që i kanë shkruar, poetët e dobët dhe ata shumë të dobët, thuajse gjithherë janë të kënaqur dhe flenë rahat, nëse nuk kanë probleme të tjera jetësore.
Shpërblimet
Në rrethanat tona të sotme, kur ekziston kriza e sistemit të vlerave në të gjitha fushat, kur nuk janë të diferencuara vlerat nga jovlerat dhe nga antivlerat, edhe në fushën e poezisë gjendja është e çrregulluar, kaotike.
Është me interes ta dimë si shkon puna me rastin e ndarjes së shpërblimeve dhe çmimeve për artin poetik, kush i merr më shumë ato çmime, a i marrin poetët shembullorë, poetët e mirë, poetët interesantë, poetët e zakonshëm apo poetët e dobët dhe shumë të dobët? Mund të them se prej rastit në rast i marrin të gjithë ngapak!
Sa ju përket konkurseve letrare anonime, që organizohen bukur shumë dhe bukur shpesh edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni, e më rrallë në Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi, më duket se me çmime shpërblehen më së shumti poetët e zakonshëm, pastaj poetët interesantë, por shpërblehen edhe poetët e mirë, ata shembullorë, e besa nganjëherë edhe poetët e dobët!
Në orët letrare ku shpërblehen poezitë e lexuara (ndokund një poezi, ndokund tri), përsëri më së shumti shpërblime marrin poetët e zakonshëm, pastaj poetët interesantë e më rrallë poetët e mirë dhe ata shembullorë. Ka raste kur me vendin e tretë, apo të dytë shpërblehen edhe poetët e dobët!
Edhe te konkurset anonime, e edhe te orët letrare, poezitë e zakonshme e ndonjëherë edhe ato të dobëta shpërblehen ose për arsye që juria me vetëdije i shkel kriteret estetike, ose për arsye se anëtarët e jurisë e marrin punën me nguti, shkel e shko dhe në fund ia ndajnë çmimin poezisë që nuk e meriton. Sa ju përket poezive të zakonshme, ato mund të shpërblehen edhe për shkak të mungesës së konkurrencës, por edhe për shkak se në disa raste shumica e anëtarëve të jurisë nuk dinë ta vlerësojnë poezinë, nuk dinë ta ndajnë vlerën e zakonshme nga vlerat e larta, nga vlerat e jashtëzakonshme poetike. Pra ka raste kur juria si tërësi nuk është kompetente, nuk ka dije të mjaftueshme, e besa as shije për ta vlerësuar poezinë.
Kur jemi te çmimet vjetore të karakterit kombëtar për libra poetikë, që i ndajnë Ministria e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve, apo dikush tjetër, mund të them se me këto çmime deri tani janë shpërblyer edhe libra të mirë, edhe libra shembullorë, edhe libra interesantë e edhe libra të zakonshëm, thuajse në mënyrë të barabartë. Shpesh herë kjo bëhet sipas formulës “kësaj herë unë ty, herën tjetër ti mua”, ose funksionojnë lidhjet e ndryshme politike, miqësore, klanore, lokale... Në njëfarë mënyre dikujt i jepet rasti që t`ia bëj një nder, t`ia bëj një të mirë mikut, të njohurit dhe shpesh nuk e lëshon rastin.