E enjte, 14.11.2024, 06:50 AM (GMT)

Kulturë

Fatmir Miraka: Pëllumb Gorica - Sulova e Poshtme në shekuj

E enjte, 02.02.2017, 08:19 PM


KA NJË DIMENSION TË PLOT THËNIA; - KUSH NUK E DI SE NGA VJEN, NUK E DI SE KU SHKON-

Një dedikim për librin –Sulova e Poshtme në shekuj- dhe autorin e tij, Pëllumb Gorica

NGA FATMIR MIRAKA

Kur dëgjon, shikon apo lexon ndonjë gjë, dhe merr emocione kënaqësie prej tyre, për momentin nuk gjen fjalë të shprehesh... Kështu më ndodhi mua, kur mbarova së lexuari librin “Sulova e Poshtme në shekuj: të autorit Pëllumb Gorica. Tani që jam i qetë, ndjej detyrimin tim moral, të shprehem e të komentojë faktin, atë gjënë interesante se simbolika e librit dallohet më së shumti në ballinë, e që më ngjalli dëshirën për ta shfletuar me padurim.

U befasova, që një djalë i thjeshtë, i urtë, por kurajoz e ambicioz nga Sulova, ka realizuar një punë sistematike studimore, shkencore, historike, gjeografike, arkeologjike, etnografike, folklorike pse jo dhe letrare. Një libër antologjik për Sulovën e Poshtme e më gjërë për jetën në kohëra, për përpjekjet për ekzistencë dhe për të sotmen. Për të gjitha këto jam i detyruar t'i dhurojë një faleminderit e mirënjohje të sinqertë këtij djali sulovar. E thënë bukur ndjej respekt për atë që është shkruar, dhe mënyra se si është shkruar libri. Në fakt nuk kam asnjë njohje direkte me autorin, por tani më duket sikur njihemi si në ata “shekuj” që ka hedhur e ka dokumentuar ai në këtë libër me faktet historike të nxjerra me kujdes nga arkivat. Ky libër është ajo që pritej, dhe që duhej bërë me kohë me pare për Sulovën e Poshtme. Kjo na gëzon dhe na e shton krenarinë e të qënit sulovar. Jo vetëm kaq, por siç kam simpati për Pëllumbin, e do t'i lutesha çdo sulovari të lexojë sadopak nga ky libër, dhe të freskojë kujtesën e tij. Në të gjithë kapitujt e librit sejcili gjen vehten dhe mendon peshën e historisë në formimin e brezave.

Personalisht shprehem se treva e Sulovës së Poshtme me një histori liridashëse dhe kulturë të lashtë si pjesë e historisë së Shqipërisë, relativisht është e njohur për mua si sulovar nga Sulova e Sipërme që jam unë. Libri është domethënës, i ngrohtë e dashamirës. Është ky libër frut i një pune shumëvjeçare i përkushtimit të një njeriu, që në çdo çast ka jetuar me vendlindjen, dhe njerëzit e saj, që kurdo e kurdoherë e ka marrë me vete atje ku jeton këtë dashuri, duke gjurmuar e hedhur në letër çka dëgjuar e hulumtuar për t’i bërë të njohur. Ai më dhuroi magjishëm imazhin e kësaj treve, që edhe pse larg i kam të freskëta këto pamje të natyrës sulovare me shëndet, freski, bukuri, që ajo në kohëra dhe dora e njeriut i ka selitur aq bukur. Sulova me njerëzit punëtor e klimën e përshtatshme për banim për këdo që e viziton zgjon intresim për peisazhet interesante. Ajo rrit e prodhon ato që mbjellë natyra, por edhe ato që mbjellë dora e njeriut. Janë këto që i kanë joshur të parët tanë të nguliten këtu e ta kthejnë këtë territor në vendbanime shekullore. Ndaj, këto copëza vlerash janë sjellë me ngjyra të gjalla e detaje konkrete, kur shkruhet edhe për traditat, këngët e dasmat, për dollinë e kostumet popullore, për bujqësi e blektori etj, me një vështrim të përmbledhur.

Libri më kompletoi me shumë gjëra të tjera të panjohura. Ndaj më duken të tillë të njohur, të gjithë ata emra personash, fisesh, ngjarjesh, vendesh, gurësh e drurësh, fushat e kodrat, kalatë e shpellat, për të gjithë të gjallët e të vdekurit e pavdekshëm të Sulovës së Poshtme, që nga Selita, Linasi, Kamunau, Mollasi, Topojani, Dragoti, Selviasi, Floqi, Banja, Qyrkani, Klosi,Qafa, e deri tek historia e shtatëdhjetë nuseve që kanë zbritur në një ditë në të.

Ky libër është një risi për vetpërmbajtjen sa i ngjeshur me fakte aq i shkoqitur në stilin e të shkruarit, sa tërheqës dhe aq njohës, por që ruan e do të ruaj të freskët në gjithë kohërat e brezat historinë e kësaj treve. Të qëmtosh e pasqyrosh vlerat e vendlindjes, historinë e lashtë, grimca faktesh së bashku me detajet tregon shpirtin skurpuloz që mëshiron autori. Si hulumtues për të depërtuar në rrënjët dhe gjallimin sa historik dhe jetësor të krahinës, faktet të bëjnë me dije, të venë edhe në mendime, e të nxisin interesin për të depërtuar në terë dimensionin e së shkuarës së krahinës. Ajo më e rëndësishme është se kjo trevë evidentohet e paraqitet në indetitetin e saj, ku dhe del roli mbijetues, kontribues në të gjitha reformat pro zhvillimit në mbrojtje të të drejtave të lirisë njerëzore, si dhe vlerat morale tipike sulovare të një populli punëtor, i urtë, bujar, mikëpritës, bashkëveprues e ndihmues. Duke pasqyruar edhe misteret e jetës së dikurshme të kësaj krahine nga lashtesia deri në ditët e sotme, i largon disi mjegullat që na kanë penguar njohjen. Në dritën e dokumenteve historike ngjarje e dukuri janë trajtuar gjerësisht në libër, dhe të shkruash për historinë, e jetën e një krahine para së gjithash tregon një vlersim objektiv dhe krenari nga një bir i saj, i devotshëm dhe i virtytshëm. Ai ka fshirë shtresa të shumta hiri të harresës, dhe ka betonuar një bazament, mbi të cilin mund të ngrihen pafundësi plindash me studime, shkrime historike, gjuhësore, folklorike, monografi figurash patriotike, familjesh e fisesh, si dhe episodet për vlerat e shoqërisë shqiptare, por sidomos asaj sulovare. Përmenden dhjetra figura të njohura, që janë e nuk janë në jetë, por që kanë dhënë kontibutin e tyre. Në mjaft raste emrat e figurave patriotike kanë qënë të lidhur me emrin e familjeve, të cilët ishin në pararojë të përpjekjeve për liri. Dëshiroj të nënvizoj faktin që pjesëmarrja e tyre në ngjarjet madhore të kombit është vlersuar nga autori për kontributin e vyer. Ndërkohë mendoj se të rëndësishme janë edhe ilustrimet me fotografi plot larmi.

Pëllumb Gorica e ka shprehur edhe mendimin e tij me një gjuhë të kuptueshme, të rrjedhshëm dhe qartazi, se cilët kemi qënë, dhe ç'gjurma kemi lënë. Antikiteti dhe lashtësia e trevës janë evidentuar në mënyrën më të mirë të mundëshme. Libri bërtet me forcën e fjalës për monumentet e mbetura të lashtësisë: - Jemi këtu, na ndihmoni, po dergjemi në mëshirën e natyrës, na zbuloni sytë e vesht se do t'ju ndihmojmë shumë në të ardhmen-. Jo çdo kush i dëgjon këto zëra. I pari i ka dëgjuar autori i librit, z. Pëllumb, të tjerë do të ketë nesër e pasnesër... Gurë- gurë bëhet kalaja, ato janë pasuria jonë historike, dhe ne jemi të zotët e saj. Sot këta elementë janë pjesë e kohës moderne dhe lakmohen nga shoqëria e civilizuar. Autori thekson se ato duhen kthyer në vende pelegrinazhi, vizitorësh turistik e tematika të mediave të shkruara e vizive. Në këtë kuptim banorët e Sulovës dhe pushtetarët e tij, duhet t'i dalin zot kësaj prone me shumë vlera në revokim të historisë, si dhe biznesi duhet të jap kontributin e vet duke i mirëmbajtur. Me përshkrimin e toponimeve e sjell të kaluarën pranë, sa parakalojnë përpara syve, ngjarje dhe vende sikur t’i kemi shkelur vetë. Ato përbëjnë një argument më shumë për lashtësinë e kësaj treve, që tregojnë një shkallë të lartë të nivelit të jetesës e të organizimit shoqëror.

Natyrisht në të gjitha problematikat e trajtuara në këtë libër, autori ka shkruar historinë si në gur, por mbi të gjitha ka dhuruar shpirtin e tij. Ai ka shprehur emocionalisht rrëfenjat e lashta, për rrjedhojë është bërë pjesë e tyre, por edhe duke shkruar për vlerat dhe antivlerat që sjell rrjedhja e jetës. Sulova nuk i ka shpëtuar dhe fenomeneve negative e ngjarje tragjike tw gjakmarrjes. Libri bën thirrje - mjaft më me këtë marrje të jetës- ulni armët përpara faktorit njeri, si ruajeni jetën si më të shtrenjtën se njëherë vjen ajo.

Do t'i bëhej nder zonës së Sulovës së Poshtme në veçanti, dhe krahinës së Sulovës në përgjithësi, që ky libër të mishërohet në sistemin arsimor e të institucioneve të tjera. Do të ishte një faqe e mirë në librat shkollor për edukimin e brezit të ri me traditat dhe pasurinë materiale shpirtërore të popullit tonë. Ndaj gjithashtu u kërkoj kolegëve të mi misimdhënës në shkollat e kësaj treve, të thithin përmbajtjen e këtij libri në edukimin e brezave të rinj në Sulovë, që ata ta ndjejnë vehten sulovar të denjë, pse jo dhe krenar. Sepse në këndvështrimin krahinor është një krahinë me histori dhe ngjarje interesante.

Sipas mendimit tim ky botim – “Sulova e Poshtme në shekuj” - është një dritë në tunelin e vlerave gjeografike, njerzore, historike dhe morale të kësaj treve. Kështu mbase duhet shtuar një thirrje, një mesazh, për ta vazhduar edhe më tej këtë dokumentim nga autorë të tjerë, pasi kaq sa është bërë është ende pak. Kjo mbase është dëshirë dhe mbetet e tillë se rrallë njerëz u hynë këtyre punëve.

Përfundimisht dua ta mbyll urimin tim, dhe sipas një thënie të një mendimtari citohet: - Njeriu ka për detyrë të realizojë tre gjëra në jetë: E para të martohet e bëjë fëmijë; e dyta të mbjellë një pemë; e treta të shkruaj një libër. Në pamjen e parë ai i ka realizuar këto shumë shpejt, ndaj përgëzimi i veçantë shkon për librin e botuar “Sulova e Poshtme në shekuj”.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora