Kulturë
Albert Habazaj: Dëborë në Tërbaç
E enjte, 26.01.2017, 07:00 PM
DËBORË NË TËRBAÇ
Këngë nga Albert HABAZAJ
Në Tërbaçin ton’ të dashur ra dëborë
Në fshatin me Çikën matur, vë kurorë.
Vë kuror’ dëbor’ e bardhë mbi Tërbaç,
Tërbaçin që asnjë hasmi s’dha haraç.
Dhe në dimër ësht’ i bukur fshati ynë,
Se s’luftoi për t’u dukur, i puth synë
I puth syrin e drenushës, sy fisnik,
I puth ballin lar’ me diell, shpirt lirik.
Prap’ na do Tërbaçi ynë, fshat bujar,
Andej kur e kthejmë synë, ësht’ krenar.
Kur harrojmë, heq në zemër, na qorton,
Me mallin e ngrohtë të zemrës na afron.
Me dashuri djali për vendlindjen,
Albert Habazaj, e diel, 15. 01. 2017, ora 13.03’
DHJETË SHQIPONJAT E TËRBAÇIT
Nga Albert HABAZAJ
Vallja - kurorë dafine
për dhjetë shqiponja mali,
dhjetë tufa trëndeline,
lum Tërbaç, kush ia fali!
Janë vajzat e Tërbaçit,
Si shtojzovalle të këngës,
Kënga, kaluar ilaçit,
Flori shpirti, mjalt i zemrës.
Për këngën - dy labe zonja,
Nuse si lulet në baçe,
Bashkë me tetë shqiponja,
Porsi dhjetë Miro Tërbaçe.
Në këngë porsi thëllëza,
Në valle porsi shqiponja,
Mbushur diell ato rrëza,
Bekim i nënave tona.
Vlorë, e mërkurë, 18. 01. 2017