E enjte, 26.12.2024, 01:11 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Çmimi i lirisë

E diele, 11.12.2016, 08:22 AM


ÇMIMI I LIRISË

Nga cikli “Burrat shkojnë në luftë”

Tregim nga Resmi Osmani

Mes gushti. Ditë e nxehtë e plot dritë. Sido që nga deti frynte flladi i freskët, avulli dhe duhma e valë e betonit dhe asfaltit ishin mbytëse. Oficeri në lirim, veterani Braho Sulejmani, me çap të ngadaltë e me një tufë trëndafila e karafila të kuq në dorë hyri në varrezën e dëshmorëve. Pamja e trishtoi.Kjo tokë e shënjtë, nën të cilën prehej lavdia, dukej që ishte e lënë pas dore. Lulet dhe bimësia gjelbëruese ishin vyshkur nga thatësira, kurse mermerin e kishte mbuluar pluhuri. Në emrat e disave mungonin shkronjat e bronzit. Brahua ishte vetëm. S’kishte vizitorë të tjerë. Për shumëkënd ishte ditë e zakonshme, por jo për atë. Atë ditë gushti në vitin e largët 1943, në ndeshjen e parë me gjermanët, kishin rënë dy shokë të skuadrës. Erdhi t’i takonte, t’u fliste shpirtërave të tyre ,të bashkbisedonin, të ndanin kujtimet, e pse jo, edhe të shmalleshin! U afrua.  U pastroi me dorë portretet,si të donte t’i ledhatonte e t’i zgjonte nga gjumi i amshuar. Vendosi lulet,trendafila dhe karafila te kuq. Jo. Për të ata nuk kishin ikur nga jeta. Rronin Brenda qënies së tij, jo vetëm si kujtim, por të gjallë, ashtu të rinj e gazmorë, në zemër e në shpirt. Sa të jetonte ai, do të jetonin edhe ata.

Qëndroi i heshtur. Vapa ishte përvëluese, ajri dridhej. Zemërvrarë, i mallëngjyer e me një boshllëk në shpirt, u tërhoq në hije të selvive, nga trupi i te cilave dukej se pikonte dhimbje.Kishte ardhur nga larg dhe s’i bënin klëmbët të ikte. U ul në një bangë të drunjtë, dhe si për çdo vit kur vinte në këtë ditë,  kujtesa i solli para syve të mendjes, me një qartësi të çuditshme atë që kishte ndodhur, si të kishte ngjarë dje.

*      *      *

Brahua doli nga dyqani i Shemos që ishte në mes të fshatit, me një okë kripë në trastë. Pranë  rrapit të madh, si ta kishte pjellë dheu u faneps Metua, shok dhe vërsnik i tij, me një pushkë në dorë.

-O  Mete, ç’e ke atë shkop në dorë?

-Hapi xelet, nuk e sheh që është dyfek!

-E shoh mor’ e shoh,që e paske këmbyer kërrabën me ‘të, po për ku kështu?

Metua që ishte pak më i gjatë se pushka, i dha rëndësi vetes. Nxori nga xhepi një kapele ku ishte qëndisur me ibërshim të kuq një yll pesëcepësh, e rrasii në krye.Në brez kishte ngjeshur një gjerdan me fishekë dhe dy granata.  E pa si me pasajdi shokun dhe tha rëndë-rëndë:

-Po shkoj në luftë. Të luftoj për Shqipërinë!

-Mos more! Na shkrive. E kush të pranon ty, akoma si ke mbushur të pesëmbëdhjetat.

Metua trashi me zor zërin:

-Kam shkelur në të gjashtëmbëdhjetat, nuk e sheh që më kanë dirsur mustaqet!

Tjetri po e shihte paksa i habitur por edhe me një far zilie, ata ishin vërsnikë.

-Ç’të bësh në këtë fshatin tonë që ka mbetur shkretë. Gratë dhe fëmijët kanë ikur nga frika e gjermanit në shpellat e malit. Me cilin të rrish? Gjith të tjerët i janë bashkuar batalionit partizan. Kanë shkuar në luftë. Këtu kanë mbetur vetëm pulat dhe qentë.

-Dhe ti i dhe karar ta këmbesh kërrabën me pushkën.

-Ta merr mendja.Kur në front shkojnë edhe pleqtë dhe plakat, po ne si mund të bëjmë sehirë.

-Po delet, kujt ja le?

-Nuk i paska çarë ujku! Ja lashë Selfos. Do ta bëjmë me radhë. Kur të kthehem unë do të shkojë ai në çetë.

-Pse ç’u bë çeta, hani i Bobos?

-Ti s’ditke gjë: është batalioni, pastaj forcat territoriale dhe populli i armatosur. Ne jemi populli I armatosur, që shkojmë e vijmë sa herë ka nevojë fronti. Si thua, do të vish edhe ti me mua?

Tjetri u zu ngusht.

-Unë jam djalë i mirë, nuk vij dot pa lejen e Çeços. Le që s’kam as pushkë!

-Pse unë qënkam çun i keq?

-S’e thashë këtë.Të dy jemi çuna të mirë, po ty, më vjen keq që e them, s’të rron babai dhe s’ke pse të kërkosh leje. Vetë zot, e vetë shkop!

-Sa për pushkë të japin atje,kanë marrë plot nga depot e italianëve. Unë të pres.S’kam ndonjë ngutje,s’më prêt njeri. Shko thuaja Çeços.

-Eshtë në front,te Guri i Zi.

-Ca më mirë, ne për andej e kemi udhën.

-S’di si të  them.

-Pse i bie rrotull, thuaje që s’ta mban, që të shkojnë shtatë në qase dhe pikë. E unë iki në punë time!

Tjetri u vu në sedër. Edhe ja kishte qejfi, po edhe nuk vendoste dot.S’ishte shaka. i thoshin luftë!

-Mos e thuaj atë fjalë. S’më kandis dot duke më quajtur qoti.

-Si të duash,-dhe Metua hodhi pushkën në krah, siç hidhte kërrabën nisi të vërshëllejë një këngë partizane dhe mori udhën për në çetë.

-Prit, Meto. Po te bëj shoqëri një copë udhë.

-S’më lipset kallauz, e di vetë udhën, ti po ke për të ardhur hajde.

U nisën të dy. Udhës, Brahos ju mbush mëndja të shkonte edhe ai në çetë, por ama, pasi ti merrte leje Çeços, prandaj pas një copë udhe u ndanë, Brahua për te Guri i Zi dhe Metua në komandën e çetës.E gjithe faqja e mëkëtejme e malit ishte rrahur nga artileria gjermane. Binte erë barut dhe dinamit. Toka ishte gjymtuar, gërrmuar e hapur gropa te thella, gurët ishin copëtuar dhe shkurret ishin djegur.Ciflat dhe copat e shqyera të predhave shiheshin gjithandej. Përkohësisht kishte pllakosur një qetësi e shurdhër, ndjellakeqe, si ajo para stuhisë. Metua po takohej me shfaqien e shëmtuar të luftës,me gjurmët e saj si të egërsirave, por jo me vetë luftën. Ajo është tjetër soj,- mendoj ai- është kacafytja për jetë a vdekje e njerëzve të palëve ndërluftuese të atyre që sulmojnë dhe atyre që mbrohen, të zaptuesve të huaj dhe zotërve të vendit.Të atyre që duan të na robërojnë dhe neve që duam të jetojmë të lirë në vëndin dhe vatrat tona. Në këtë luftë s’ke si të rrish menjanë e të bëhesh sehirxhi. Këto mendonte Metua kur sosi në vendkomandën e çetës.

Burrat që gjeti aty,e panë me bisht të syrit dhe si vunë mëndje. Kishin të tjera punë më të rëndësishme. Pritej sulmi i këmbësorisë Gjermane,që ishte vendosur në Sajadhë dhe Lopës të Çamërisë që duhej të niste aty nga pasditja. Metos nuk i pëlqeu që e shihnin, por bënin sikur se vinin re. Edhe kur i njatjetoi ata s’ja kthyen përshëndetjen. Ai u ndje i tepërt, aq sa i tha mëndja të kthehej nga kish ardhur. Nuk e kishte menduar që do ta prisnin kësisoj. Ca nga pasajdia, zori, e ca nga vapa, i hipi  sikleti  dhe e theu djersa. Vendi ishte i zhveshur dhe s’kishte një hije ku t’i ruhej diellit përvëlues të mesditës. Desh e mira erdhi Brahua, me buzën vesh më vesh. Kuptohej, Çeçua ja kishte dhënë lejën.

-E ?

-Hiç.Bëjnë sikur nuk më shohin dhe merren me punët e tyre, presin dhe nisin korrierë.

Brahua u koll fort, që t’u tërhiqte vemendjen, por pa dobi.

Kur po u sosej durimi, erdhi pergjegjesi i rinise i çetës. Ata e njihnin,ishte bashkfshatari i tyre, Astritii, edhe ai te të njëzetat. Me uniformë dhe i armatosur. Në gjoks i vareshin nje pale dylbi, në brez një revolver dhe granatat.. Që të dukej më burrëror kishte lënë mustaqet, të plota e të zeza. Sido që mundohej të mbahej rëndë, atij një buzëqeshje ia zbuti ashpërsinë e fytyrës. Ata njiheshin.

-Keni shumë që prisni? Sapo më lajmëruan me korier që kishit ardhur. Doni ti bashkoheni çetës?

- Ashtu i kemi dhënë karar.

-Jeni menduar mirë? I pyetët njerëzit e shtëpisë? Se kësaj i thonë luftë e jo dasmë!

-Po, po.Punë e mbaruar.

-Keni ardhur në kohë. Me ju plotësohet skuadra e të rinjve. Bëhemi tetë vetë.Mua më kanë caktuar skuadër komandant. Edhe të tjerët janë thuajse në moshë tuaj. Sa për sot, zereni ditën të mbaruar. Nesër që në mëngjes paraqituni se do fillojmë stërvitjen.

Ata s’po i besonin vetes: i kishn pranuar në çetë!

Stërvitja qëlloi e vështirë: ditën dhe natën, në pisk të vapës nën përvëlimin e diellit të gushtit, nën bubullimën dhe uklërimin e predhave të artilerisë gjermane, që gjuanin matanë mbi tri qafat e maleve që ndanin  kufirin me Greqinë, por nuk arrinin deri te ata. Era sillte tymin e dinamitit që u linte në gojë një shije të hidhët E si të mos mjaftonin ato, disa herë mbi ta fluturonin ult një çift aeroplanësh që ngriheshin nga Korfuzi dhe mitralonin vijën e frontit. Bëheshin ujë në djersë, me zvarritje, barkas, në brinjë e në shpinë, me pushkë në dorë, gjunjët iu vranë,rrobat iu grisën,duart dhe mjekra që “duhet të hante dhe” u çorrën e përgjakën. Mbërthenin dhe zbërthenin pushkën, mbushnin e zbraznin fishekët, i mësuan të merrnin vijën e shënimit. Bënë qitje të vërtetë mbi shenja në largësi të ndryshme, mësuan sesi përgatitej dhe hidheshin granatat, ato me bisht druri, të tjerat te ndara në kuti-kuti dhe ca bomba të vogla italiane të kuqe si vezë pashke që u thoshin “Balile”.Astriti u spjegoi si të dallonin nga zhurma gjylet e artilerisë së rëndë nga ato të mortajave e si të mbroheshin duke u shtrirë në gropat që hapnin predhat e rënda sepse ato asnjë rast nuk bijen dy herë në të njëjtin vend. Gjylet e artilerisë ishin një armik që s’dukej por që vinte tinëzisht e të vriste nga larg. Luftimi trup me trup me bajonetë ishte kulmi i msymjes. Nga lodhja i zinte gjumi si të vdekur!

Lufta ishte zanat më vete dhe mësuan që kishte shumë yçkla, por atë çmim, që mund të shkonte edhe  me jetë, e kishin pranuar me dëshirën e tyre. Më në fund, pas dy javësh, stervitja mbaroi dhe skuadra e tyre ishte gati për veprime luftarake. E ndjenin veten të burrëruar.

 

*       *        *

Detyra e parë luftarake që u ngarkuan ishte goditja e motoskafëve gjermanë që niseshin nga Korfuzi dhe patrullonin për zbulim bregdetin, për të parë mundësinë e zbarkinit të desantit detar për tu dalë në shpinë forcave partizane.Ata i afroheshin bregut pa frikën e ndëshkimit dhe mitralonin objekte që u dukeshin të dyshimta.

Ata të tetë, me të feksur dita, zbritën tatëpjetë të përkulur e me kujdes nëpër shtratin e një prroi për të zëne vend ne bregun shkëmbor e të thiktë  të detit, ku gjelbëronin një trumbë fiq të egër. Pak më tej shkëmbit që zbriste pingul mbi ujë ishte një gjideti i vogël  e i bukur, që i thoshin i Shënkollit.  Zunë vend prapa shkëmbinjve në mënyrë që të mos dukeshin nga deti. U kujdesën që të kishin fushëpamje e të merrnin shenjë nga lart – posht dhe t’i flaknin granatat pa pengesë.

Dielli ndrinte e digjte sa piqej guri. Sido që kurorat e gjelbra të fiqve bënin hije,afshi që ngrihej bga brigjet shkëmbore ishte përvëlues. Deti ishte i qetë, ca dallgë të vogla pllaquriteshin pas shkëmbenjve, në largësi lodronin një çift delfinësh. Qielli ishte i pastër e pa re. Qetësi. Po të mos ishte kjo luftë,çdo gjë ishte e bukur dhe këndellëse.

Metua dhe Brahua kishin zënë vend pranë njëri tjetrit, në anën e djathtë, të tjerët krah tyre në të dy anët. Në qendër Astriti që me dylbi s’ja ndante sytë brigjeve të Korfuzit.

I hoqën granatat nga brezi dhe i vunë mbi gurë para vetes në vend të volitshëm.

-Ore, di ti përdorësh mire? Në mos jo, do na i varësh zorrrët në degët e fikut!

-Pa merak.

-Ke frikë?- e pyeti Brahua.

-Jo, ç’ne! Po ti?

-Unë s’di të gënjëej, kam.

-Po nga se?

-Se di tamam.Them nga vetë frika. Ajo s’duket, nuk shihet, nuk preket po është gjithandej, prapa çdo rreziku, Unë e ndjej. Më duket se më hyn në trup me frymën. Besoj që kështu të ndodh edhe ty edhe të tjerëve, por nuk e thoni.

-Të dija më trim,po ti qenke zemërlepur!

-Leri dëngëlat. Prit.Është hera e parë dhe ti mos shit trimëri pa zbrazur akoma një pushkë!

Metua u largua i përkulur dhe shkoi prapa një shkëmbi për të derdhur ujët e hollë.Kur u kthye, tjetri e pyeti:

-Ore, e sajta herë është kjo që përmjer,ç’të gjeti?

-S’e di, s’më mbahet. E para herë që më ndodh.

-Dhe thua që s’ke frikë! Po kjo është frika. Mos pret gjë që ajo të ketë brirë? Thonë se ata që e kanë për herë të parë, e kanë bërë edhe në brekë!

-Shko ore mbushu!

Metua su ndje një copë herë, pastaj pyeti:

-Ne s’i kemi parë, po ti ke dëgjuar gjë si janë gjermanët?

-I ka parë vëllai i Selfos, në Kretë, ku e kishin internuar grekët pas dezertimit nga ushtria italiane. Ata u hodhën në ishull me parashuta. Se ishin trupmëdhenj, flokëçelët, trima të tërbuar, luftojnë më këmbë, që s’i zinte plumbi, por edhe kur i zinte, nuk i shponte!

-Dëngëla, ai vëllai i Selfos qenka një pordhac. Kështu mendonin edhe shumë nga të çetës para se të ndesheshin me ta. Po kur u ndeshën me pritën, u thyen, ja therën vrapit dhe lanë prapa disa të vdekur që i kishin bërë shosh plumbat.

Petriti që s’ja ndante dylbitë detit, shqoi dy njolla të zeza që sa vinin e zmadhoheshin.

-Po vijnë. Janë dy. Kujdes! Fshihuni mirë që të mos dukeni. Mbushni armët. Përgatisni granatat sulmuese!

Skuadra u bë njësh me shkëmbenjtë. Motoskafët ishin ende larg, por sa vinin e afroheshin bregut. Prapa linin një vazhdë uji të shkumëzuar.

Djemtë e skuadrës s’e jepnin veten, por duket që i pushtoi paniku, po afrohej armiku: se ç’kishin një boshllëk në lukth, një mpirje të gjymtyrëve, rrahjet e zemrës u shpeshtuan, djersa e ftohtë u plasi nga çdo pore e trupit, rridhte nga balli, zgavrat e syve i kishin të lagështa, duart u dridheshin.Me tu dukur motoskafet, në ajër u ndje rreziku, dhe te secili nga djemtë vetiu u ngjall refleksi i vetëmbrojtjes. U ngjeshën si mundën më mirë në pozicionet e tyre. Fytyrat u ngrysën dhe ngurtësuan. Kjo ishte frika. Ajo frika e poshtër nga vdekja që sillej si fantazmë rreth tyre. Por atyre u erdhi turp nga vetja. E mblodhën veten, u shkundën dhe shtrënguan fort pushkët sa u therën gishtat. Po tu hiqje armët, a nuk ishin edhe ata njerëz si gjithë të tjerët, po armë kishin edhe ata, e pse duhej patur frikë?

Le të bëhej ç’të bëhej!

Motoskafët po afroheshin. Ishin me ngjyrë të murrme, bashin të mprehtë si sqep zogu dhe kiçin të prerë.Motorrët punonin me ritëm të ngadaltë duke bubutirë. Ushtarët, nga katër në secilin, ishin më këmbë, me pantallona të shkurtëra, pa helmeta, automatikë varur  në gjoks. Ky ishte armiku.  Në bash, mbi trekëmbësh ishte instaluar mitralozi i rëndë.

Motoskafët po i afroheshin gjirit, por s’kuptohej do të afroheshin më pranë pritës. Petriiti mermëriste ngadalë: ”Ejani, afrohuni, mos u largoni, ejani, ejani se po u presim” Brahua që po e dëgjonte dhe që i kishte hyrë tartakuti, tha me vete: ”Po ky, çka që i ndjell si pulat me kokrra misri? Leri të ikin e të thyejnë qafën!” Motoskafët e pakësuan shpejtësinë, kur ishin ndoca njëqind metro larg, mitralozi lehu dhe lëshoi një breshëri plumbash mbi pritën e tyre. Plumbat kositën gjethet e fiqve dhe ceflosën gurët.

Brahua ndjeu në ballë një dhimbje si ta kishin djegur me zjarr.Lëshoi një “Oh” dhe  vuri dorën, ajo iu lye me gjak, gjaku i rrodhi tatëpjetë.

-U plagosa!- tha ai zëdredhur.

-Hiqe dorën. S’është gjë,mbylle sqepin,të ka gërvishur një ciflë guri. Pllakose me shami.

-Na kanë zbuluar?

-Jo, qëllojnë në tym, për siguri.-U tha Petriti,-Kështu bëjnë ngaherë. Mos luani vendit dhe jini gati se po na afrohen.

Erdhi çasti.Motoskafët ishin posht pritës.

-Zjarr!-komandoi Astriti.

Njëhershe u zbrazën pushkët dhe u flakën granatat. Gjermanët u kapën në befasi.Mbi ta vazhdonin të qëllonin, kurse ata nuk arritën të zbraznin asnjë pushkë. Njëri nga motoskafët mori flakë dhe u mbyt. Tjetri që nxirte tym të zi, u brinjas, u kthye drejt Korfuzit dhe lundroi për të ikur me tërë shpejtësinë. E gjitha kishte zgjatur vetëm pak minuta

Posht pritës, mbi ujin e gjirit skuqnin  pllangat e gjakut, dhe njollat e karburantit. Dallgët përplasnin pas bregut shkëmbor  katër trupat e gjermanëve të vrarë. Djemtë s’po u zinin besë syve. Ja kishin dalë. Djalli s’ishte aq i zi sa e bënin! Kur motoskafi tjetër humbi në horizont, ata të ngazëllyer dolën nga prita.Që kur u zbrazën armët, frikës ia zuri vendin guximi, ata u trimëruan: filluan të hidheshin pupthi dhe të zbraznin pushkët në erë, përqafoheshin, u bënë llafazanë dhe nisën të festojnë.Vetëm Brahua s’ishte mirë.Ishte zbehur, ju ftoh trupi, i dridheshin duart. U mënjanua dhe volli sa nxori zorrët. Metua u shqetsua për shokun, por Petriti i qetësoi. I dha ujë nga paguri që Brahua të shplante gojën dhe e pyeti:

-Je më mirë? Të ka zënë gjaku. Kështu u ndodh shumëve kur vrasin njeriun e parë. Do të kalojë dhe do mësohesh.

Petriti ,pasi i përgëzoi ja u preu vrullin:

-Ju sot vratë frikën. Patë që armiku është i thyeshëm. Ky ishte pagëzimi juaj me zjarrin.

-Ç’do me thënë të pagëzohesh- pyeti njëri nga djemtë.

-Epo, si ta them, të bësh sefte. Se gjithmonë ka një here të pare.Duhet të ndërrojmë vend, gjermanët mund që sulmojnë për hakmarrje.S’e kanë zakon të durojnë humbjet.

Ishin tërë sy e veshë, nën afshin mbytës të shkëmbenjve të nxehur nga dielli, me djersët që u kullonin çurg, por në det nuk u dukën motoskafë të tjerë.

Petriti dhe Kosta që ishin notarë të mirë,u futën në ujë,notuan dhe u zhytën atje ku ishte fundosur motoskafi.Kur dolën nga uji prunë me vete tre automatikë, një dylbi dhe një kuletë që e kishin gjetur në xhepin e njërit nga të vrarët. E hapën. Aty ishte libreza ushtarake, ca letra të shkruara që ishin lagur e bërë të palexueshme dhe një fotografi. Në librezë ishte emri i ushtarit: Vili Hofman. Me profesion farkëtar. Në fotografi ishte në jetën civile bashmë një grua të re, me flokë të çelët, fytyrëqeshur dhe një vogëlushe me një fjongo të madhe. Prapa ishte shkruar: Vili, Greta dhe Eliza. Ishin fotografuar në shtator të vitit 1940.

Brahua nuk ja shqiste sytë vajzës dhe gruas së ushtarit. Ata kishin vrarë farkëtarin Vili Hofman, që në vendin e tij ishte një puntor, burrë dhe prind.

-Sa gjynah!- I shpëtoi atij padashur.

Astriti ju kthye menjëherë:

-Si the? Mos ta dëgjoj më atë fjalë. Armiku nuk duhet mëshiruar, për të s’ka keqardhje. Armiku duhet urryer, i padëmshëm bëhet vetëm duke e mundur dhe vrarë. Ngule mire në mendje këtë!

Brahua s’foli më, po mendja i punonte gjith po atje: po sikur ta kishte vrarë ai? Gjermani ishte puntor, nga fotografia dukej që s’ishte i kamur. Ndoshta pa dëshirën e tij e kishin nisur në luftë. Gruaja dhe vajza e tij e prisnin që një ditë të kthehej në shtëpi, pa e ditur që atij jeta ju shua në një det të huaj ku do të bëhej ushqim për peshqit. Ku ta dish, mund që në ushtri të kishte shkuar edhe vullnetar. Atëhere ca më keq për të. Punë dreqi! Po fundja kjo ishte lufta. Ose të vrisnin ose do t’i vrisje.Të njëjtën do të bënte edhe gjermani me ‘të. Tek e fundit ne jemi në të drejtë tone, në token tone.Më tej ai se vazhdoi arsyetimin, mendimet ishin katrahurë, punët ishin më të thella nga sa ia merrte mendja atij.

E lanë pozicionin dhe vargan njëri pas tjetrit morën të përpjetën për të shkuar në çetë. Nuk kishin bërë as njëqind hapa, kur u dëgjua utyrima e motorrëve të motoskafëve dhe ata u shfaqën nga kthesa e gjirit pranë bregut. Ishin dy: i mëparshmi dhe një tjetër, më i madh.

Skuadra ishte në vend të zbuluar dhe i diktuan.Mitralozët rrapëllinë mbi pozicionin e mëparshëm dhe mbi ta.Të zënë në befasi, u hutuan.

-Shtrihuni, zini vend pas gurëve,në formacion zinxhir, shpejt, shpejt!

Motoskafi i vogël mori trupat e të vrarëve të gjirit dhe u largua andej nga kishte ardhur. Tjetri, pa rreshtur së qëlluari, u drejtua për nga vendi ku bregu zbriste butë në det dhe lejonte zbarkimin në tokë. Gjermanët, u hodhën në ujë dhe zunë bregun.Ishin dhjetë.Me automatikë, helmetat e çelikta u shkëlqenin në diell. Kishin një qen-ujk që tërhuzej dhe një ushtar me flakhedhëse.Ishin trup të zgjedhur dhe përgatitur për luftë malore. Bëheshin rret dhjetë vetë.Pa vonuar u hodhën në sulm, me kërcime, dy e nga dy. I mbulonte me zjarr të pandërprerë mitralozi.

-Kujdes! Mos qëlloni pa urdhër.Do shtjemë mbi ta kur të hyjnë në rrezen e qitjes. Kurseni fishekët. Bëni gati granatat!

Me zvarritje dhe kërcime, duke u fshehur prapa gurëve, gjermanët po afroheshin,ashtu siç zvarritet gjarpri.Në krye ishte ushtari me qenin dhe zjarrhedhësi.

Partizanët zbrazën breshërinë e parë. Gjermanët u tulatën. Petriti shkrehu tërë karikatorin e automatikut.

-Asgjësoni qenin dhe flakhedhësin!

Metua, terziti mirë shënjestrën,mori shenjë dhe qëlloi mbi qenin që zvarritej krahas të zot. U dëgjua një angullimë e thekshme. E kishte qëlluar.”Një në dorë!” bërtiti Metua. Gjermanët përparonin me këmbëngulje. Flakhedhësi lëshoi para pozicionit të tyre shkulmin e flakëve. Morën flakë gurët bari dhe shkurret e cfakave.

-Qëllojeni atë dreq flakëhedhëse!

Dikush e qëlloi flakhedhësen.Ajo u kall në flakë e tym të zi.Ushtari duke bërtitur u rrokullis tatëpjetë, flaku bidonin, dhe me vrap mori tatëpjetën për tu kredhur në det. Ishte si një pishtar I gjallë që digjej.  Nuk ia doli. U këput si një urë zjarri dhe ra perdhe. Era pruri deri te ata grahmën e shkrumbit dhe mishit të djegur.

Mitralozi nga motoskafi villte breshërin e plumbave dhe si linte të ngrinin kokë, gjermanët përparonin pëllëmbë pas pëllëmbe duke mbuluar me qitjen e automatikëve njëri-tjetrin. Kur u afruan në rrezen e granatave, Petriti urdhëroi:

-Me granata, zjarr!

Pati të vrarë e të plagosur, por gjermanët vazhdonin sulmin.

Nga partizanët u vra Kosta.Kur i dha trupit përpara për të hedhur granatën, e goditi plumbi në kokë.Dha shpirt në çast. E shihnin,por s’ishte koha për të qarë.Mund që të vriteshin të gjithë!

Fishekët po u mbaroheshin, qëllonin me kursim. Hodhën edhe granatat e fundit. Drejtuan bajonetat. Po i vinte radha luftimit trup me trup. Në atë çast u godit Metua. Plumbi e mori në këmbë. Qe përvëluese si goditje rrufeje.

-Ah!-klithi ai- qentë, më goditën.

Brahua pa që nga mbigjuri pantallona u skuq me gjak. I grisi rroben dhe u lemeris: nën të u duk mishi i dërrmishur, si ta kishin coptuar dhëmbët e një egërsire dhe ceflat e dërrmuara e të përgjakura të kockës. Gjaku rridhte çurg.

Brahua grisi këmishën dhe ja lidhi si mundi plagën, por gjaku nuk pushonte, hoqi rripin e mesit dhe ja lidhi mbi plagë. “Mbaje veten,s’është veç një plagë, do bëhesh mirë”- i dha zemër ai.

Në atë djerrinë të thatë shkëmbore, buzë detit, larg fshatrave e njerëzve, si në arenën e një cirku gladiatorësh, po zhvillohej një episod i egër e i përgjakshëm, për jetë a vdekje, midis djemve të një çete partizane dhe ushtarëve nazistë, të fuqisë që kishte pushtuar Europën. Dëshmitar kishin vetëm diellin.

Gjermanët u riorganizuan dhe u bënë gati për sulm.

Djemtë mberthyen bajonetat, shtrënguan dhëmbët dhe u bënë gati për luftën trup me trup. Secili duhet të luftonte për jetën e tij dhe atë të shokut.Kishte ardhur çasti i madh!

“Paraaa partizanëë” Jehona e kësaj thirrje të papritur erdhi nga prroi i thatë, u dëgjuan dhe shkrehje armësh. Nga çeta kishin dërguar një skuadër për ndihmë, që po u delte gjermanëve në shpinë. Ata të zënë në befasi, nga frika e rrethimit, morën të plagosurit dhe të vrarët e tyre dhe zunë vrapin për te motoskafi, që nën goditjet e sulmuesve, mori rrugën e detit.

Të dy grupet u takuan, të shpëtuarit u hodhën në qafë dhe përqafuan shpëtimtarët.Fjalët ishin të tepërta.

Sajuan dy tezga.Një për Kostën e pajetë dhe tjetrën për Meton e plagosur, që ishte zverdhur dhe i rridhnin djersë të ftohta. Gjaku vazhdonte ti kullonte pikë-pikë, plaga që tashmë ishte ftohur i jepte dhimbje therëse e të padurueshme. Brahua i jepte zemër:

-Durim, bëhu burrë  ke për të parë, do të bëhesh mirë, plaga do të shërohet dhe do të kthehesh prapë në çetë- ai s’i besonte as vetë fjalët që i thoshte, por shoku duhej mbajtur me shpresë. Brahua veç rënkonte, goja i ishte tharë e bërë shkrumb, Ai pyeti me fjalë që mezi dëgjoheshin:

-Si thua ti, do të ma presin këmbën? Më mirë të vdes se të mbetem me një këmbë!

-Leri budallallëqet, të thashë, ke për ta parë, do të bëhesh mirë.

*      *      *

Ata , fare të rinj, sapo kishin hyrë në vorbullën e luftës. Atë ditë, pas përpjekjes së parë,kishin humbur dy shokë.Ishte haraçi i gjakut që i paguhej lirise. Ajo e kishte çmimin të shtrenjtë. E ndjenë veten të burrëruar.Ishte fillimi. Kishin për të bërë ende një rrugë të gjatë e të panjohur, por me shpresa dhe besim në fitore deri në çlirimin e vendit, por këtë ditë s’do ta harronin tërë jetën.

Metos ja prenë këmbën mbi gju. Nuk ia doli. Plaga iu gangrenizua, ai u shua në lule të moshës, pas një muaji dhimbjesh dhe vuajtjesh sfilitëse nga helmimi i gjakut. Brahua i ndenji mbi krye dhe e qau me lot të hidhur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora