Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Nga dashuria e tepërt të hedh nga ballkoni

| E hene, 05.12.2016, 07:58 PM |


Nga dashuria e tepërt të hedh nga ballkoni

Nga Elvi Sidheri

Ndoca vite të shkruara pata shkruar të tjera herë për këtë fenomenin që gjithmonë e më tepër po përvijohet bindshëm, si krejtësisht shqiptar, të vrasjes, keqtrajtimit dhe përçudnimit të femrës, gruas, motrës e nënës ndër bashkëpatriotët tanë.

Një fenomen që, të themi, në Italinë fqinje për shembull, vendin që bashkë deri diku (për fat të keq për shkak të 5 shekujve pushtim) edhe me Turqinë, në shumë aspekte na ngjan më tepër në sjellje, doke dhe mendësi me ne, dhe që sakaq quhet “Feminicidio”.

Feminicid pra, diçka fort e ngjashme me “Genocidin” domethënë, për ata që kanë nevojë për një zgjerim të diapazonit lidhur me këtë çfarë ndodh në vendin tonë me femrën, jo vetëm vitet e fundit, por sidomos këto kohë.

Jo se regjimi i kaluar enverist shquhej për ndonjë dashuri të madhe ndaj femrës shqiptare, teksa në përpjekjen kryesisht politike dhe ideologjike për emancipimin e gruas, ideali komunist e zhveshi gruan nga trajtat dhe vetitë e saj thelbësore femërore, nga tiparet unike të femrës si gjini më vete (jo domosdoshmërisht e brishtë sidoqoftë) dhe e zhbëri atë duke tenduar drejt një burrëzimi total të femrës, për ta njësuar atë me njeriun e ri ushtar, brezare-punues dhe spiun sigurimi të synuar aq fuqishëm nga Partia e Punës.

Të mos harrojmë që pikërisht gruaja shqiptare nën atë regjim ishte vuajtësja dhe shënjestra e shumicës së mënxyrave dhe mizorive moniste, qysh nga përdhunimet e sigurimsave e gjer te trajtimet çnjerëzore nëpër burgje e kampe internimi, ku shembuj të pavdekshëm mbeten raste tragjike si ai i Musine Kokalarit, gruas së mençur, të emancipuar, të bukur dhe të shkolluar, që komunizmi e trajtoi në mënyrën më kanibale të imagjinueshme.

Në kohë të mbretit Zog, pak të dhëna kemi për pozitën e gruas, por dihet mirë se mbretëria ndaloi ferexhenë dhe zgjedha të tjera mesjetare-fetare, trashëgimi turke-osmane që i qenë ngarkuar në kurriz gruas shqiptare, bashkë me bestytni orientale dhe paragjykime e përçmime pafund antifemërore, të lëna pas fort “bujarisht” nga osmanët në Shqipërinë e viteve post-pavarësisë.

Ndërkohë që tranzicioni ndërkaq, në vend që gruas t’i jepte vendin e merituar (më në fund) në shoqëri, duke ia hequr asaj njollat e trashëgimisë orientale turkomane, apo edhe imazhin nënçmues të burrneshave që Partia i nxirrte nga prapambetja për t’i shndërruar në kooperativiste me të cilat kënaqte epshet shtazarake brigadieri i rradhës, apo pamjet vetëidentifikuese me shoqet Lenka e Themie që bënin lolot në Byronë Politike, realisht bëri të kundërtën.

Shqiptarja e pas-viteve 90-ë u dergj ndër të tjera nëpër trotuaret e Italisë dhe gjysmës së Europës Perëndimore nga vëllezërit e saj meshkuj shqiptarë, që shfrytëzuan mishin dhe trupin e motrave të tyre, për t’u pasuruar brenda ditës nën mitin e Tony Montanës së shikuar vjedhurazi në televizor me kanoçe gjatë viteve 80-ë.

Gratë shqiptare çanë shpesh të vetme udhëve të emigracionit, duke u sakrifikuar thuajse përherë më tepër se bashkëshortët e tyre, duke bërë gjithçka për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë gjetkë dhe duke punuar gjithmonë ndershmërisht, duke u përballur me të gjitha vështirësitë me kokë lart, ndërkohë që meshkujt shqiptarë shpesh zgjidhnin krimin si shtegun më të shpejtë të pasurimit.

Gruaja shqiptare do pranuar se i mbajti mbi shpinë edhe peshën dhe vështirësitë më të rënda të këtij tranzicioni 26 vjeçar, qysh nga krizat e bukës, te fimat piramidale (ku dihet botërisht se meshkujt patën qenë shumë më të tepërt në “investimet” e verbëra në këto firma mashtruese), te anarkia e 97-ës, te kaosi politik e ekonomia përjetësisht e pandrequr.

Dhe e gjitha kjo ndërkohë që përfaqësimi i gruas në politikë vijon të mbetet në kuota honorifike sa i përket vendimarrjes reale, duke mbetur sidomos Jozefina Topalli si kryetare parlamenti e disa ministre të qeverisë aktuale e asaj të shkuarës, shembujt e vetëm të njëfarë pranie femërore në sferat e larta të pushtetit.

Dhe si ia shpërblejmë ne ndërkaq gruas shqiptare këtë dedikim, këtë vetëflijim të vazhdueshëm, përpjekjen e pandalur për ta mbajtur këtë vend në binarët e duhur, më kokë ulur, pa fjalë dhe gjithnjë me tërë atë përkushtim që vetëm një  grua, aq më tepër shqiptare, mund të ofrojë?

E thjeshtë, neve gratë i vrasim!

I vrasim, i rrahim, i fyejmë përditë e përnatë, i dhunojmë fizikisht e mendërisht, ua thyejmë brinjtë e nofullat, i djegim të gjalla, ua shkulim flokët, i shajmë e mallkojmë sipas aksiomave të njohura si “Gruaja e ka futur djallin në shishe”etj, dhe herë pas here i flakim ato edhe nga ballkoni gjithashtu.

Si tani, në Fier, ku një çift i kthyer nga Gjermania, grindet, gruaja së pari dhunohet nga i shoqi, bën denoncim në polici, merr edhe një urdhër mbrojtjeje prej shtazës që i ka rënë për burrë, por ky i fundit gjen pak më vonë rastin të hakmerret dhe si “burrë i vërtetë” ta vërë nderin mashkullor në vend dhe e merr gruan e ngratë për ta hedhur nga kati i katërt nga ballkoni.

E ndjera bie përtokë dhe mbetet e vdekur në vend.

Një tragjedi e paralajmëruar jo vetëm për këtë grua të mjerë, por edhe për sa e sa gra e femra shqiptare të tjera që janë të martuara apo fejuara me burrecër të këtillë shqiptarë, eunukë mendorë e gjenitalë, që impotencën e tyre fizike dhe trutë e tyre të kastruar i kompensojnë pikërisht me dhunën dhe vrasjen e viktimës së preferuar të sadizmit të tyre të bashkëlindur, pra me krimet mizore ndaj bashkëshorteve dhe të fejuarave të tyre të pafajshme.

O Shqipëri e mjera Shqipëri!