Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Dasmë shqiptare 'madhështore'
E enjte, 01.12.2016, 08:59 PM
DASMË SHQIPTARE “MADHËSHTORE”
NGA KALOSH ÇELIKU
Jo, o krushkë politik shqiptar! Nuk është kjo politika “madhore” Shqiptare. Pikë e pesë, kur jeni përçarë nëpër parti politike në këtë fushatë të jashtëzakonshme parazgjedhore. Qindra mijëra euro harxhoni për “fitore” historike. Edhe, nuk e shihni veten se jeni bërë si ato qentë endacakë, që mbyten për një asht Lope në mes të rrugës. Gjatë, gjithë kohës merreni me njëri - tjetrin si parti politike, e kurrë me armikun historik shekullor. Mendja, ma thotë se ju, si politikanë nuk e keni lexuar tregimin e Libri të Këndimit në shkollën fillore: Dy qetë dhe ujku mes livadhit, rrëzë Çukës. Ujku, kur i thotë në vesh njërit ka të zgjedhës, se: vëllai yt ta hanë barin. I përçanë, dhe njëri pas tjterit i futë në bark. Ende ju duhen rrugë malore, dhiare për të arritur në Baba Tomor. Atdheun e Perëndive, ku vera pihet me shtamba, shkruhet poezia dhe bëhet dashuri gjithë Natën e Madhe deri në Agim me Lirinë.
Mëkot, nateditë çirreni sokaqeve të Bit - Pazarit me çaj rusi, larg me vite nga ju është Liria dhe Shqipëria Etnike. Hë për hë, mund të bëni dasëm dhe merrni nuse pa koçi. Lodrat, mund t’i bëni copë-copë nëpër stadiume sportive. Mic Sokolin ta zgjoni nga varri, krah për krahu me ju, topin ta rrok për fyti. Edhe, nateditë të thirrni UÇK. Askushi, nuk ju merr në përgjegjësi, t’ju dënojë si “armik” i popullit. Vdiq ajo kohë, kur për një sharje të shokut Tito, ose Kosova - rebulikë i haje më së paku pesë vjet burg, në Idrizovë - Universitetin e shqiptarëve. Tashti, çirruni e shani sa të duani rrugëve dhe stadiumeve sportive të “vëllazërim - bashkimit”, askushi nuk ju fut në burg. Shkaku, se: i paguani me paratë e popullit shqiptar: Punemadhe, që ju sot nuk keni as gjuhë shqipe, shkolla e barabarësi të plotë kombëtare në Shtetin e “përbashkët”. Mjafton ta kënaqni veten gjatë kësaj fushate parazgjedhore me bërtitje, sharje e këngë patriotike dhe valle nëpër Bit-Pazar. Flamurin kombëtar shqiptar kuqezi, pa frikë ta zvarritni rrugëve nëpër baltë e pluhur në dasmat familjare, dhe gjatë fushatave parazgjedhore ta harroni me vite të kalbet nëpër bandere (shtylla) telefonike. Vite me radhë të bëni jetën e argatit në pushtet. Nuk është çudi, kështu siç keni dalldisur pas “pushtetit”, nesër të na e ndërroni edhe flamurin kombëtar kuqezi, në vend të tij të valoni flamurin turko - arab.
Pak rëndësi ka kjo dasëm euforike me muzika folklorike, se: çfarë nuseje merrni ju në këtë fushatë parazgjedhore, kur krushqit i keni të ngrirë mes maleve. Plot krushq janë nisur në rrugë për ta sjellur një Nuse me atë këngën tradicionale popullore brez pas brezi: Hjedeni bini djemtë e Shalës, përmaes Sarajeve të Pashës. E, ajo Nuse i takon vetëm një dhëndrri. Rrugës, mes maleve jeni zënë me krushqit vëllezër, që edhe ato janë nisur luginave për ta sjellur Nusen e tyre në Katund. Fatëkqsisht, mes kodrave u ka dalë para një plak me një grua të bukur mbi kalë. Edhe ju, posa e keni parë Gruan e hijshme, pasi e keni vrarë plakun, jeni zënë vëllai me vëllanë mes rruge, se: cilit i takon gruaja?!
Papritmas, pas një zënke, vëllai i madh e shkrep mauzerrin dhe e vretë vëllain e vogël. Tek atëherë, gruaja e bukur u rrëfehet vëllezërve, se: është Zana e Malit. Edhe, i ka shituar të dy vëllezërit e një Nane për një grua.
Edhe, kur Nusja shqiptare, zbret nga koçia në lëmë, krushkat i hedhin sheqerka të larmë mbi koçinë e mbuluar me qilima. Megjithatë, duhet pasur frikë: përderisa, rrota e qerres na është thyer rrugës, mos vallë mes maleve komitat na e kanë ndërruar Nusen, dhe në koçi na kanë futur tjetër nuse?!
Patjetër, sipas zakonit me dajre, Nusja e heq edhe një valle në lëmë me cucat e katundit. Vjehërra mbi kokë i hudhë me grushta sheqera të larmë. Babai, e nxjerr mauzerrin nga hatullat, qetë pushkë. I paralajmëron bashkëfshatarët se Nusja e Maleve erdhi në Katund. Fëmijët, turr njëri përmbi tjetrin të rrëmbjenë ndonjë kokërr sheqeri.
Natën e Madhe para se nusja do ta kalojë me dhëndrrin natën e parë martesore, cucat shqiptare me këngë dhe darje, para derës e përcjellin me disa grushta shpinës dhëndërrin në Odën e burrave. Edhe, po të thuash gati gjatë gjithë natës i këndojnë pas dere këngë me dajre. Dhëndrri, kur Nuses ia heq duvakun, tek atëherë e sheh se në koçi, komitat i kanë shti një tjetër nuse. Nuk është ajo Nusja që e takoi në male.
Ditën e nesërme, nusen e nxjerrin te bunari (pusi) nën ftua në mes të lëmës për ujë, ku duhet të pijë ujë nga grushtat e një fëmiu para familjarëve. Patjetër, edhe kjo ceromoni dasmore, përcillet me dajre, këngë e valle.
Ecë, e i thuaj sot kësaj dasme shqiptare “madhështore”...