E shtune, 26.10.2024, 01:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Viktor Mërkuri: Liberalizmi përballë etatizmit

E diele, 27.11.2016, 11:36 AM


RECENSE

“Friedrich Hayek. Liberalizmi përballë etatizmit”

Autor:  Prof. Dr.  Adrian Civici

Nga Viktor Mërkuri

Kemi mësuar dhe pohojmë se, rënia e Murit të Berlinit shënoi rënien  e sistemit totalitar socialist  dhe triumfin e sistemit demokratik,që e bazonte egzistencën dhe progresin te prona private. Por nuk është   njohur dhe specifikuar fakti se në radhë të parë, kjo ngjarje epokale ishte dështimi i teorisë dhe praktikës së aplikimit të një ekonomie të planifikuar dhe të centralizuar si dhe rritjes së rolit të shtetit në ekonomi.

Nuk kemi patur mundësinë të njohim teoricenët që i treguan botës,qysh në fillimin e admirimit të drejtimit të ekonomisë të planifikuar dhe instalizimin e socializmit në shumë vende,se kjo ishte Rruga drejt skllavërisë.

Nuk kemi   njohur debatet e korifejve të dy rrymave filozofike në ekonomi,si dhe me pasojat e aplikimit të metodës së gabuar,të rritjes së prezencës së shtetit,në përpjekjet për eleminimin e efekteve të krizave ekonomike dhe parandalimin prespektiv të tyre. Rënia e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm triumfi i sistemit kapitalist ndaj atij socialist,por ishte në radhë të parë dëshmi e drejtësisë të teorisë së ekonomisë liberale ndaj asaj të centralizuar e të planifikuar. Ishte triumfi i liberalizmit ndaj etatizmit.

Por edhe ky triumf ishte produkt i një lufte të gjatë filozofike midis dy rrymave,që i parë në kohën që zgjati dhe “ashpërsisë” me të cilën u shoqërua aplikimi i saj në praktikën ekonomike,mund të quhet edhe  “lufta e viganëve“ të filozofisë ekonomike. Filozofia e ekonomisë të planifikuar dhe rolit primar të shtetit në të, pati veç shkollave dhe teoricienëve të saj,edhe  mbështetjen e madhe të shumë personaliteteve  dhe aparateve shtetërorë,të cilët,nuk ishin në gjëndje të shihnin “rrugën drejt lirisë”,edhe kur ajo u parashtrohej me një teori tepër të konkretizuar. Ecja në këtë rrugë pati një kosto shumë të lartë për njerëzimin. Liberalizmi kishte teoricienin e tij, Friedrich Hayek të cilin e sjell pranë nesh, në gjithë dimensionet e tij teorike, Prof.Dr.Adrian Civici me këtë libër.

Friedrich Hayek

I lindur në Vienë,në 8 maj 1899,në një periudhë kur ky qytet konsiderohej si djepi i modernitetit,duke qënë njëkohësisht dhe vendi i debateve të mëdha mbi vlerat e modernitetit dhe civilizimeve,një qytet kozmopolit,plot me kultura e kombe të ndryshme, me një borgjezi që,qysh në fillimet e shekullit XX kërkonte me forcë lirinë krijuese,në një qytet që u përfaqësua me kolosë të tillë si Frojdi me psikoanalizën e tij,Klimt me pikturat nudo,arkitekti modern Adolf Loos,shkrimtarët e suksesshëm Cvajgu dhe Karl Kraus. Në këto kushte lindi “shkolla austriake e ekonomisë” e drejtuar fillimisht nga Ludvig Von Mises. Mobilizohet në 1917 dhe plagoset. Me mabrimin e luftës vendos të ndjekë karierën univeristare, në mënyrë që…”të ndihmojë në evitimin e gabimeve, të cilat çuan …në një luftë të përgjakëshme”.

Regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë dhe diplomohet në vitin 1921 me titullin “doktor” në shkencat juridike,por juristi i ri interesohej më shumë për ekonominë dhe psikologjinë, madje,si përfaqsuesi më i spikatur i gjeneratës së katërt të shkollës austriake të ekonomisë, u cilësua si “babai i liberalizmit integral”. Dhe jemi vetëm në vitin 1934. Sepse  Hayek pati një jetë të gjatë e beteja të shumta,lënie në heshtje dhe vlerësim me çmimin Nobel,(  1974,kur ndryshimi i kursit të historisë dëshmoi drejtësinë e teorisë së tij) ose siç thoshte ai vetë …pata fatin e një ekonomisti që jeton gjatë,për të parë i gjallë saktësinë dhe triumfin e teorive të mia

Dhe në qoftë se ndonjeri do mendojë se e ka fjalën vetëm për teoritë ekonomike, sqarojmë se Hayek filloi si një ekonomist,por duke ndjekur mendimin e tij,ai u bë një filozof,të cilit i interesonin të gjitha fushat e aktivitetit njerëzore,ose siç thoshte vetë ai,një ekonomist i mirë duhet të jetë më shumë se një ekonomis.

Hayek jetoi në një shekull ku triumfuan regjimet totalitare si fashizmi italian,nazizmi gjerman,frankizmi në Spanjë,komunizmi rus dhe më pas komunizmi sovjetik në disa vënde lindore,komunizmi kinez,kubanez,vietnamez etj, të shoqëruar këto me dy luftëra botrore dhe me krizat ekonomike si Depresioni i Madh i viteve 1930,kriza japoneze e viteve 1990, kriza e viteve 2007-2014.

Të gjitha këto ngjarje ju nënshtruan“bisturisë” në (autopsinë) analizat shkencore të Hayekut,prej nga ai nxori konkluzione të sakta,konkluzione që shpesh herë binin në kundërshtim të plotë me njohuritë e përgjithëshme që qarkullonin nëpër qarqet akademike dhe shtetërore të kohës. Dhe do të triumfonte,aq sa  në vitin 1974 do ti jipej çmimi Nobël.

Është akademiku më i preferuar i Margaret Thatcher dhe Ronald Regan,ndërsa gazeta “The New Yorker” në vitin 2000 do ta cilësonte shekullin XX si “shekulli Hayek”,dhe është fjala për një “shekull” dhe jo për një “vit”.

Lufta kundër totalitarizmit,sepse totalitarizmi ishte nënshtrimi i plotë i individit ndaj sistemeve politike dhe ekonomike totalitare,lufta kundër etatizmit dhe kolektivizimit,për një liberalizëm ekonomik dhe shoqëri liberale,shpjegimi i krizave dhe faktorëve që i krijojnë ato si dhe faktorët afatgjatë që shërbejnë për shërimin e tyre,do jenë temat  madhore që do trajtojë ky kolos i mendimit njerëzor,fatkeqësisht aq pak prezent në Shqipëri,por jashtëzakonisht i nevojshëm.

Për lexuesin shqiptar,është tronditës analiza dhe konkluzioni i Hayek për liberalizmin, si promotor i progresit ekonomiko-shoqëror sepse,pikërisht në vitin 1974,kur “Babai i liberalizmit” Hayek nderohej para gjithë botës me çmimin Nobël,në Shqipëri,një Plenium politik i diktaturës,imponon procese gjyqësore ndaj “vogëlushëve” liberalëve vendas dhe ndaj mendimeve e veprave të tyre,duke mbushur burgjet me intelektualët më në zë dhe më kurajozë të kohës në vendin tonë dhe duke e shpallur liberalizmin “armik i popullit”.

Ishte koha kur bota e trajtonte Mont Pelerin si vend i shënjtë,ku shkojnë për pelegrinazh dhe mblidhen dishepujt e liberalizmit dhe ku Hayek kishte shprehur fjalët magjike se ”Lufta për lirinë, është para së gjithash, jë luftë intelektuale për ta fituar këtë luftë”. Motoja e diktaturës në Shqipëri se “Diktatura e proletariatit është mbrojtëse e lirive dhe e demokracisë popullore”, nën vështrimin e Hayek rezulton një bllof i madh propogandistik.

Një diktaturë proletariati,edhe demokratike në formë,që nga momenti që centralizoi drejtimin ekonomik,shkatëroi liritë individuale. Diktatura e proletariatit nuk mund të mbronte liritë e individëve,sepse “garancia më e mirë e lirisë është prona private” shkruan Hayek. Pra në Shqipëri mungonte prona private,pra mungonte baza e lirisë dhe diktatura është vetëm dhunë. Teza e Hayek se “socializmi prezanton një kërcënim të madh për larine”u vërtetua duke u përjetuar dhimbshëm në Shqipëri në një periudhë 50 vjeçare,ku u mohua edhe liria e besimit dhe jo më liritë e tjera me karakter ideo-politiko-ekonomik.

Shprehja simbol e liberalizmit “liri e barabartë për të gjithë”e cila nënkupton të njëjtën shkallë lirie për të gjithë njerëzit,shtrëmbëruar qëllimisht si “liri e  barazi(tizëm) për të gjithë”,është përdorur si justifikim dhe argument ideologjik e teorik nga pushtetet diktatoriale,për përqëndrimin në duar të shtetit të të gjithë pushteteve. Sipas formulës liberale,çdo njeri duhej të kishte të drejtat e tij themelore,të zotëronte dhe të gëzonte pa kushte e imponime jetën dhe lirinë, pasurinë. Shteti duhej vetëm të kujdesej që kjo gjë të ndodhte realisht dhe për çdo individ.  Pikërisht ndryshimi i  kësaj formule,dhënia e kopetencave më të gjëra shtetit,si zotërues dhe  administrator i lirive dhe pasurive të shtetit dhe    shtetasve solli,jo vetëm lindjen e shteteve diktatoriale,por dhe një ndërhyrje në rjedhën llogjike e natyrore të ecjes së shoqërisë njerëzore dhe ekonomisë botërore.

Kolektivizimi i gjithçkaje në Shqipëri e vendosi gjithë popullin nën diktatin e shtetit,si dhe krijoi atë regres ekonomik,që e çoi vendin në katastrofë.

Në pranverën e vitit 1944,në kulmin e Luftës së Dytë Botërore,por gjithashtu dhe në ditët  më të këqia të Liberalizmit,si dhe në shkallën më të ulët të popullaritetit të tij,sepse të gjithë e quanin shkaktar të krizave financiare të fundit të shekullit XIX,dhe  i  Hayek,duke u ngritur si Anteu,botoi librin e tij “Rruga drejt skllavërisë” me dedikimin simbolik ”Socialistëve të gjithë partive”,si një paralajmërim i fundit drejtuar civilizimit perëndimor,i cili po admironte rrugën e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi me planifikim të centralizuar dhe kontroll e ndërhyrje të shtetit . Është libri për të cilin Margaret Thatcher, në fjalën e saj në Parlament,duke ju drejtuar deputetëve tha: “I këshilloj kolegët e nderuar që të lexojnë”.

Thelbi i librit ishte shumë i thjeshtë: Pasojat e rënda mbi liritë individuale që shkaktonin tendencat centralizuese e planifikuese në regjimet socialiste,fashiste e naziste.

Hayek sqaron thjeshtë dhe qartë se “Planifikimi i centralizuar të çon drejt diktaturës”,duke sqaruar se ”termi planifikim nuk nënkupton mënyrën se si qeveritë parashikojnë të ardhmen,por nënkupton  drejtimin e centralizuar të çdo aktiviteti ekonomik”,kontrolli total dhe mbi çdo gjë është arbitrar dhe shkatërues i lirisë dhe se drejtimi ekonomik i centralizuar shkatëron në mënyrë të paevitueshme eleminimin e lirisë dhe të lirive  individuale” dhe se ”kolektivizimi është organikisht totalitar dhe socializmi demokratik është iluziv”.

Në këtë konteks, socializmi është “fryt i një gabimi intelektual” ndërsa nazizmi dhe fashizmi janë një lloj i veçantë i kolektivizimit. Por  të dyja janë shumë afër njera tjetrës, gati identike. Kur mjetet e prodhimit janë të përqëndruara në një dorë të vetme, populli është i nënshtruar ndaj një pushteti total,diktatorial. Dhe, siç thoshte Trotski :”në një vend ku shteti është i vetmi punëdhënës, çdo opsion do të thotë vdekje nga uria”

Populli shqiptar e provoi për 50 vjet centralizimin  e ekonomisë dhe ende nuk është shëruar nga pasojat e rënda që ai la,në ekonominë e vendit,por edhe në psikologjinë e popullit tonë. E parë në këtë konteks,ne jemi dëshmitarë të drejtësisë të tezave të Hayek.

Interesant është edhe konkluzioni i nxjerrë na Hayek në shkrimin “Intelektualët dhe socializmi” shkruar më 1949, sipas së cilit “Intelektualët ishin kundër liberalizmit sepse, në shoqërinë ku dominonte liberalizmi,ata nuk paguheshin mjaftueshëm në raport me investimin intelektual dhe akademik që kishin kryer. Dhe sidomos intelektualët e fushave sociale, jo ekonomiko-juridike

Dhe konkluzioni tjetër se “socializmi asnjëherë dhe në asnjë vend nuk ka qënë një lëvizje e klasës puntore” sado i befasishëm,në këndvështrimin e Hayek-ut është më se llogjik. Mjafton të shohim se gjithmon në krye dhe pararojë e klasës puntore kanë qënë intelektualët e ndryshëm,të cilët  idetë e tyre i kanë shkarkuar si programe të klasës puntore. Arsyet që intelektualët anojnë nga socializmi nuk janë interesat egoiste,por përgjithësisht bindjet e ndershme dhe qëllimet e mira që përcaktojnë idetë e intelektualëve, sepse intelektualët kanë prirje që të atashohen me idenë e barazisë materiale. “Intelektualët strehohen te ideja socialiste,në mënyrë që të ritin ndikimin e tyre mbi opinionin public” shkruan Hayek-u. Interpretimi i Hayek-ut për efektet e revolucioneve industriale është një përmbysje e plotë e teorive të majta,sipas të cilave këto revolucione (industriale) krijuan një varfërim të klasës puntore,që deri në atë periudhë jetonin në një mirëqënie të konsiderueshme dhe se i detyruan puntorët,gra e fëmijë,që të punonin dhe jetonin në kushtet çnjerëzore. Hayek-u na jep një pamje krejt tjetër në këtë drejtim,pikërisht rolin human të kapitalizmit edhe në lindjen e klasës puntore.

Para revolucionit industrial,kushdo që e kishte të pamundur të jetonte më bujqësi dhe që nuk i afrohej ndonjë mundësi pune tjetër,ishte i destinuar të jetonte në mizerabilitet. Pikërisht për këta njerëz,revolucioni industrial bëri të mundur që të gjenin punë nëpër fabrika,të siguronin jetesën nëpërmjet pagës. Vërtet që kushtet e punës ishin të rënda,paga ishte e vogël dhe niveli i jetesës ishte i ulët,por para kësaj oferte kapitaliste,kushtet e punës dhe të jetesës ishin katastrofike dhe çdo ditë një numër i madh njerëzish bëheshin “të tepërt” në zonat rurale.Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se këta puntorë,askush nuk i detyroi të bënin zgjidhje të jetës së tyre punësimin në fabrika. Ajo,vërtet ishte ndoshta e vetmja zgjedhje,por ishte zgjedhja e tyre,e lire,dhe duhet të themi se pikërisht kjo zgjedhje e bërë prej tyre i shpëtoi ata nga uria e mjerimi.

Kjo paraqitje  e fakteve historike të befason me thjeshtësinë dhe drejtësinë e saj,dhe të trondit me faktin se brezave të tërë u është servirur e kundërta e saj. Dhe ca më shumë,janë detyruar ta besojnë mashtrimin ideologjik mbi natyrën e kapitalizmit dhe mardhëniet e tij më klasën puntore.

“…Populli nuk ka nevojë për liri…” Lexon këtë citat të Leninit dhe nuk e beson se e ka shkruar ai. Ai që të majtët e quajtën “babai i popujve”,ai që u priu masave në revolucionin e Tetorit me emrin e lirisë,ai,me emrin e të cilit në gojë,dhanë jetën miliona njerëz në lulen e moshes,por ja që Hayek boton “Kushtetuta e lirisë” në 1960,libri që njohu sukses qysh në ditët e para të botimit (dhe për të cilën Margaret Thatcher tha…kjo është ajo që ne besojmë) sepse ai propozon  esencën e një programi të mirëfilltë liberal,politik,social, ekonomik e juridik,kredoja e të cilit është se “liria individuale krijon mundësi për gjenerimin spontan të progresit social”.  Dhe në rast se do përmëndim ligjin,në shtetin e të drejtës,duhet të themi se ligji kufizon një numër “veprimesh të këqia”,por nuk e kufizon lirinë e njeriut. Këtu përplasen me njeri-tjetrin konservatorët dhe socialistët me liberalët. Konservatorët bashkohen me socialistët në pranimin e ushtrimit të autoritetit dhe kontrollin e shtetit në ekonomi,në tezat nacionaliste ndërsa liberalët janë të vetëdijshëm se është vetë natyra njerëzore ajo që prodhon diçka të re.

Pas viteve 70,vendet perëndomore u përballën me një fazë të vështirë politike dhe me një krizë ekonomike,që sa vinte e thellohej,duke dëshmuar në këtë mënyrë dështimin e  metodës së  ndërhyrjes  të shtetit në ekonomi. SHBA dhe Anglia kryesisht,por edhe Franca e RFGJ,me gjithë tronditjen që pësuan nga kriza,e gjetën rrugëdaljen tek “receta liberale”e Hayek-ut. Margaret Thatcher në Britani dhe Ronald Regani në SHBA duke vënë në zbatim idetë dhe orientimet e shkollës hayekane,aritën të shpëtonin vendet dhe popujt e tyre. Por situate sa vinte e rëndohej në kampin socialist,deri në atë shkallë sa që në fund të viteve 80 flitej hapur për një “revolucion politik”,si kusht për ti hapur rrugën tranzicionit, për, rikthimin në kapitalizëm,si i vetmi shteg shpëtimi. E gjithë kjo lëvizje,që u kurorëzua me rënien e Murit të Berlinit,kishte si frymëzim idetë e Hayek-ut. Prandaj dhe u quajt …Kundërrevolucioni Hayekian..

Të marë emrin e një  njeriu,qoftë ky dhe filozof si Hayeku,një lëvizje mbarë botërore për rëzimin e sistemeve polikite  të centralizuara dhe me kontroll  shteti në ekonominë e tyre të planifikuar dhe të kërkohej rikthimi në një sistem të mëparshëm,ky ishte kulmi i lavdisë, nderimit dhe vlerësimit të këtij njeriu. Këtë nderim,vlerësim dhe lavdi e meritoi Hayeku në vitet 90,duke vulosur botërisht drejtësinë e tezave të tij. Të pranojmë se idetë e Hayek,janë kaq të ngjeshura në brendësi,sa që analiza e qoftë një ideje të vetme të shprehur në disa faqe libri,do kërkonin volume të tëra librash studimorë për ti shtjelluar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora