Shtesë » Historia
Tanush Kaso: "Ja veprat e mëdha që ngritëm ne, të dënuarit e ndërgjegjes"
E diele, 24.08.2008, 03:27 PM
Tanush Kaso |
Dëshmitë e Kasos: 1945- Përfundimi i Stadiumit "Qemal Stafa"
Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë, të cilin e kishin filluar italianët dhe të lënë përgjysmë për shkak të luftës, e mbaruan së ndërtuari të burgosurit politikë në vitin 1945. Rreth 300 të dënuar politikë shoqëroheshin çdo ditë me shumë roje të armatosura nga të dy burgjet e kryeqytetit për në stadium, ku punonin gjithë ditën si kafshët dhe po ashtu ktheheshin në mbrëmje në burg, për të vazhduar të nesërmen dhe për shumë muaj me radhë, të njëjtin ritual të detyruar. Pas mbarimit të stadiumit, një pjesë e të dënuarve u dërguan të punonin për krijimin e fermës së Kamzës, ku rropateshin në hapje kanalesh, sistemim tokash etj. Rreth 400 të burgosur të vendosur në kampin e punës së detyruar, të ngritur në disa barake të vjetra ushtrie, pranë fshatit Valias, (12 km në veriperëndim të Tiranës) punuan për afro dy vjet me radhë të drejtuar e të mbikëqyrur rreptësishtë nga policët dhe rojet pa kurrfarë orari dhe kushtesh jetese. Në vitin 1946, të burgosurit politikë punuan në ndërtimin e Kanalit të Jubës, në Qarkun e Durrësit. Kampi me 800 të burgosur, u ngrit në afërsi të fshatit Jubë të Durrësit. Ata hapën një kanal të gjatë 5 km, me gjerësi 10 m dhe thellësi 6 m. Nga kushtet e rënda të terrenit me baltë, pamjaftueshmëria e ushqimit, që përbëhej vetëm nga një supë e 600 gr bukë misri, si dhe nga torturat e lidhjet pas shtyllave e rrahjeve shtazore, u sëmurën dhe vdiqën njëzet të burgosur politikë.
Tharja e Kënetës së Maliqit
Tanush Kaso, pak ditë pas daljes nga burgu, duke punuar si hekurkthyes në Fabrikën e Çimentos në Elbasan |
Ndërtimi i aerodromit të Kuçovës
Në vitet 1948-‘52 me qindra të burgosur politikë punuan për ndërtimin e Aerodromit Ushtarak të Kuçovës. Kampi i të burgosurve politikë, që punonin për ndërtimin e atij aeroporti, ishte ngritur në Urën Vajgurore. Për katër vjet me radhë në atë vend derdhën djersën më shumë se 2000 të dënuar. Punimet drejtoheshin nga inxhinierë ushtarakë sovjetikë, të cilët u shërbenin synimeve afatgjata për vendosjen e hegjemonisë së shtetit të tyre në Ballkan e më gjerë. Për t‘u përmendur është një arratisje masive nga ky kamp. Disa mundën ta kalojnë kufirin jugor dhe dolën në "Botën e lirë". Të tjerët u kapën dhe u dënuan me afate të ndryshme burgimi e me pushkatim. Ndërsa në vitet 1949-‘51 u punua për ngritjen e fermës së Gosës në rrethin e Kavajës. Fronti i punës aty përbëhej nga kanalizime dhe sistemime tokash. Kampi ndodhej në afërsi të fshatit me të njëjtin emër, 12 km në jug të Kavajës. Për afro 2 vjet aty punuan mbi 600 të burgosur politikë, gjithmonë të uritur e të keqtrajtuar. Aty pati 15 të vdekur nga të dënuarit. Në vitet 1950-‘52 u punua në hapjen e Kanalit të Bedenit, në rrethin e Kavajës. Kampi ngrihej pranë fshatit Beden, disa kilometra në jugperëndim të Kavajës. Më shumë se 1000 të burgosur politikë për rreth dy vjet punuan si skllevër për hapjen e një kanali vaditës 15 km të gjatë, në një terren kodrinor me shtresëzime shtufi, që vende-vende mundën të çelen me përdorimin e minave, nga të cilat pati edhe aksidente. Nga vështirësitë e jetës dhe puna e rëndë, u sëmurën dhe vdiqën më shumë se njëzet të dënuar. E tmerrshme ka qenë në këtë kamp, vdekja e një mirditori krejtësisht të pafajshëm, të quajtur Nikollë Bardhoku, nga Bushkashi. Vetëm për kapriçon e një polici, ai u zhvesh lakuriq, u lidh pas një shtylle në oborrin e kampit dhe u la nën saçin e diellit përvëlues të korrikut, gjersa trupi iu bë plagë. Ulërinte nga dhimbjet e kërkonte shpëtim, por askush nuk guxonte t‘i afrohej e të pësonte fatin e tij. Të nesërmen vdiq aty, si një shenjtor i lidhur. Komandant i kampit ishte Haxhi Pela nga Qarku i Beratit. Në vitin 1950 u punua në ndërtimin e trasesë së hekurudhës Peqin-Elbasan. Të vendosur në një kamp pranë Urës së Bonës, jo shumë larg qytetit të Peqinit, punuan për ndërtimin e trasesë së hekurudhës së dytë të vendit tonë, asaj Peqin-Elbasan (që ishte vazhdimi i hekurudhës së parë Durrës-Peqin), 700 të burgosur politikë. Po në vitin 1950, të dënuarit politikë punuan në hapjen e tunelit të Bishqemit, në hekurudhën Peqin-Elbasan (400 m i gjatë). Për një vit, 900 të dënuar politikë të vendosur në një kamp pranë fshatit Bishqem, që ndodhet rreth 15 km në perëndim të Elbasanit, punuan për hapjen e tunelit më të gjatë hekurudhor të vendit tonë. Aty mungonte teknika e nevojshme dhe askush nuk kujdesej për sigurimin e jetës së atyre njerëzve në kushtet e nëntokës, ku punohej në mënyrë primitive, me dalta e qysqi. Si rezultat i kësaj pati edhe të vdekur nga aksidentet në punë, për të cilat as përgjigjej dhe as paguante njeri. Në vitin 1950 u punua edhe për hapjen e rrugës automobilistike Gramsh-Lozhan. Kampi i të burgosurve politikë që punuan për çeljen e kësaj rruge, ndodhej në afërsitë e fshatit Lozhan, pranë Maliqit. Aty ishin rreth 900 vetë, të cilët bënin çdo ditë disa kilometra më këmbë, të shoqëruar me policë e qenë, për të arritur deri te vendi i punës. Lodhja ishte kapitëse dhe trajtimi shtazor. Shumica e tyre ishin çamë, të dënuar vetëm sepse kishin kundërshtuar propozimin e Qeverisë së Hoxhës, që të luftonin kundër shtetit grek për llogari të komunistëve të EAM-it grek. Për këtë qëndrim të tyre, ajo qeveri ua hoqi përdhunisht shtetësinë greke, të gjithë të ardhurve nga Çamëria, duke u hequr kështu edhe mundësinë e kthimit në trojet amtare.
Nxjerrja e kromit në Bulqizë
Tanushi, në vitin 1961, pak ditë para arrestimit |
Kanali Peqin-Kavajë
Në vitet 1952-‘55 të burgosurit politikë punuan në hapjen e Kanalit Peqin-Kavajë, i cili ishte 50 km i gjatë. Kampi i punës, i zhvendosur tri herë, gjatë tre vjetëve, në linjën midis Peqinit dhe Kavajës, kishte rreth 2000 të burgosur politikë, të cilët me një punë tepër të rëndë, në kushte shumë të vështira, me mungesë uji dhe ushqim të keq, hapën kanalin vaditës më të gjatë të vendit tonë. Ashtu si në kampet e tjera, edhe këtu praktikohej lidhja nëpër shtylla dhe rrahjet për ata që nuk e realizonin dot normën e punës së detyruar. Ka pasur tre të vrarë nga përdorimi i dinamitit në disa pjesë shkëmbore të kodrave. Aty në atë kamp, nga torturat, uria dhe sëmundjet, kanë humbur jetën më shumë se 20 të burgosur. Po kështu në vitet 1952-‘54 u punua për hapjen e Kanalit të Vlashukut në fushën e Myzeqesë. Kampi u ngrit 10 km në veri-perëndim të qytetit të Kuçovës, me 1500 të burgosur politikë, të cilët gjatë dy vjetëve hapën një kanal prej vetëm 2 km të gjatë, por tepër të thellë. Kanali u çel për të marrë ujë nga lumi Devoll e për të vaditur fushën e Myzeqesë. Pak para përfundimit të punimeve, për shkak të shirave dhe të teknikës së keqe të përdorur, u shemb argjinatura dhe u desh të rifillohej nga e para. Në këtë kamp, veçmas, punonin edhe mjaft robër grekë, ish-ushtarakë të ashtuquajtur "monarko-fashistë", të kapur nga forcat komuniste të EAM-it, gjatë luftës vëllavrasëse të viteve 1945-‘49 në Greqi dhe të dorëzuar prej tyre qeverisë shqiptare. Më vonë, me kërkesën e qeverisë greke, ata që mbetën gjallë, u riatdhesuan. Nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës së shpëtimit, disa kanë vrarë veten. Nga uria, lodhja e keqtrajtimi, si dhe nga sëmundje të ndryshme, kanë vdekur rreth 40 shqiptarë. Numri i grekëve të vdekur nuk dihet me saktësi. Në vitet 1953-‘55, u punua për ndërtimin e pallateve "Agimi" në Tiranë. Rreth 600 të burgosur, të vendosur në kampin nr. 4 në Tiranë, kanë punuar për dy vjet rresht për ndërtimin e pallateve "Agimi", që ndodhen pranë ish-blloku të udhëheqjes. Ajo që kujtohet më tepër nga ky kamp ishte përpjekja për një arratisje masive, nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm të hapur me kujdes e fshehtësi të madhe, të quajtur "Tuneli i lirisë". Pak përpara vendimit për të dalë andej, u arrestuan organizatorët kryesorë, në rrethana që ende mbeten të errëta. Ata që u mbyllën në qelinë e vdekjes, ishin: Mark Zef Pali, Isuf Velçani, Abdylla Bajrami, Zyhdi Mancaku dhe Besim Latifi. Këtij të fundit iu fal jeta. Ndërsa katër të tjerët, kur i morën për t‘i pushkatuar, u përleshën me xhelatët dhe mbetën aty të vdekur nën goditjet e levave të hekurit".
Ish-mësuesi që u dënua me 13 vjet burg politik në grupin e Pjetër Arbnorit
Kush është Tanush Kaso
Tanush Xhelal Kaso u lind në qytetin e Tiranës në vitin 1934. Për shkak të vdekjes së prindërve të tij, kur ai ishte në moshë fare të vogël, u detyrua që të kalonte një fëmijëri tepër të vështirë. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e Tiranës, Tanushi shërbeu për disa vjet si arsimtar në fshatrat e kryeqytetit e më pas në rrethin e Peshkopisë. Qysh kur ishte në bankat e shkollës 8-vjeçare, Tanushi kishte pasion të madh letërsinë dhe që në atë kohë ai filloi të botonte poezitë e para, kryesisht humoristike, të cilat i përdori për të goditur veset e këqija dhe padrejtësitë shoqërore. Ndërsa vazhdonte të punonte si arsimtar në fshatrat e Tiranës dhe ndiqte me korrespodencë Fakultetin për Gjuhë-Letërsi (në vitin e tretë), në vitin 1961, ai u arrestua me akuzën e pjesëmarrjes në një grup armiqësor kundër pushtetit komunist, i cili kishte si qëllim krijimin e një partie social-demokrate. Ai grup ku bënin pjesë edhe Uran Kalakula, Pjetër Arbnori, Agim Musta, Riza Kuçi e Zeqir Koçi, vuajtën dënime të rënda dhe vetë Tanushi u dënua më shumë se dhjetë vjet në burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas kryerjes së dënimit, të cilin ai e vuajti në disa kampe-burgje të ndryshme, si në Laç, Fushë-Krujë, Elbasan etj, ai u lirua nga burgu dhe u detyrua që të punonte në disa punë nga më të rëndat. Gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, u dënua dy herë me burg edhe i vëllai i Tanushit, Pëllumb Kaso, i cili punonte si piktor në disa organe shtypi. Pas viteve ‘90, Tanushi filloi të shkruante përsëri dhe që nga ajo kohë ai ka botuar shumë artikuj publicistikë në shtypin e përditshëm e gjithashtu, ai është autor i disa librave ku ndër më kryesorët janë: "Lufta ime" (1994) "Si me të qeshur" (1996) "Kalvari i burgjeve komuniste" (1998), "Hamit Matjani", (2007) etj. Krahas publicistikës, Tanush Kaso gjithashtu është i angazhuar edhe me veprimtaritë shoqërore-politike të ish-të dënuarve dhe të burgosurve politikë, duke drejtuar si kryetar njërën prej tre shoqatave.