| E shtune, 23.08.2008, 02:23 PM |
Katër reliket e ralla të Skënderbeut
Nga Kristo Frashëri
Teza e hedhur nga Faik Konica Njoftimet për armët e Skënderbeut i kemi nga dy rrugë-nga burime të shkruara dhe nga vetë armët që kanë arritur në ditët tona. Në burimet e shkruara flitet vetëm për shpatat. Dh. Frëngu thotë se shpata e Skënderbeut ishte një pallë e harkuar (una scimitarza storta) me tehe shumë të hollë dhe me damaskinë me shumë hijeshi, e cila për cilindo dukej e rëndë, kurse për të ishte e lehtë. Dikur mbante dy shpata, të cilat i vendoste në një mill. Pastaj ai shton se njëherë pruri nga Italia një mjeshtër të shkëlqyer, i cili i bëri tri palla shumë të mira. Njërën prej tyre, e cila mund të priste hekurin ia dërgoi dhuratë sulltanit. Dimë më në fund se në pritjen zyrtare që Papa Pali II i bëri Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466, ai i dhuroi Heroi (siç do ta shohim në Kreun XXVI) një shpatë dhe një kësulë (una spada ed un capello). Përkundrazi nga pajimet personale që kanë arritur në ditët tona, ne kemi katër objekte- dy shpata, një përkrenare dhe një libër uratash. Përkrenarja dhe dy shpatat tani ndodhen në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë, kurse Libri i Uratave, i cili, sikurse u tha, ia dhuroi Heroit familja Di Capua e Napolit ndodhet në fondet e Shtëpisë Botuese “Shelley House” në Çelsi (Chelsea), Londër. Për Librin e Uratave nuk kemi ç të themi më tepër nga sa u trajtua në Kreun XII kushtuar flamurit të Skënderbeut. Histori e errët Përkrenarja dhe shpatat kanë fillimisht një histori të errët. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato i morën me vete, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Se kush i pati pas vdekjes së tyre nuk dihet. Ato shfaqen në burimet dokumentare në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XVI. Në vitin 1590, përkrenarja dhe dy shpatat nuk ndodheshin në një dorë të vetme. Përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Wolfang i Stunbenbengut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeun e Armëve (siç del nga inventari i hartuar më 30 tetor 1590) të arkidukës Karl i Stirisë, biri i perandorit të Gjermanisë në Gratz (Austri). Ai që i bashkoi ato ishte biri tjetër i perandorit gjerman (vëllai i Karlit) arkiduka Ferdinand i Tirolit, me porosinë e të cilit, kancelari i tij, J. Shrenke (Jacob Schrenk von Gotzing), i shtiu ato në dorë (me blerje). Me to ai pasuroi Muzeun që Ferdinandi ngriti në Ambras pranë Tirolit në Austri, të cilin e mbushi me veshje luftarake, mjete lufte, sende artistike dhe piktura të ndryshme të perandorëve, mbretërve, princëve, kontëve dhe figurave të shquara të shekullit XV-XVI. Në inventarin e hartuar në vitin 1595 përkrenarja dhe dy shpatat e Heroit renditen ndër objektet e Muzeut të Ambrasit një shekull e ca më vonë, në vitin 1806, ato u transferuan në Muzeun Perandorak të Vjenës, por përsëri të veçuara. Përkrenarja dhe shpata me trup të drejtë u vendosën në sallën e quajtur të Maksimilianit (salla XXV, nr.71 dhe 92), kurse shpata tjetër me trup të harkuar (palla), në sallën e quajtur të Karlit V (salla XXVII, nr.345). Ato u veçuan ngase drejtuesit e Muzeut të Vjenës, nuk ishin plotësisht të bindur se palla, e shkëputur nga përkrenarja, i takonte me të vërtetë Skënderbeut. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, dyshimet u davaritën. Si rrjedhim, në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit, ato u bashkuan në të njëjtën sallë, madje në të njëjtën vitrinë, të po atij institucioni që tani quhet “Muzeu i Historisë së Artit” (Kunsthistorisches Museum, Wien). Përshkrimi i përkrenares Përkrenarja e Skënderbeut është punuar në metal të bardhë, pajisur me një rrip (ruban) të larë në ar. Në majë të saj është vendosur një kokë dhije me brirë, punuan në bronx të larë gjithashtu në ar. Në pjesën e poshtme të saj, ka rreth e rrotull një rrip bakri me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndarë midis tyre me rozeta: IM*PE*RA*TO*RE*BT, që do të thotë: Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae “Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me këto gjashtë monograme duket se është vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me shtimin e titujve do t ia rritnin atij vlerën, kurse, siç u tha, ai nuk ka mbajtur asnjë nga këto tituj, por vetëm “zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae). Elementi kryesor që të bie në sy në përkrenare është koka e dhisë që qëndron në majë të saj. Se çfarë ajo simbolizon mbi përkrenaren e Skënderbeut, është vështirë të shpjegohet me saktësi. Mund të shpjegohet me kultin e dhisë së egër, simbolin e zanave shqiptare, të cilat jetojnë, sipas legjendës, edhe sot në bjeshkët e larta, përfshirë edhe në atë të Gjelagjoshit, mali që qëndron mbi krye të Qidhnës së Dibrës. Ka shenja që tregojnë se kulti i dhisë së egër është shumë i lashtë. Shkrimtari romak i shek I-II të erës sonë C. Suetom Tanquilli (De vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjatë luftës kundër Batos së ilirëve, kur arriti në Apoloni, preu për nder të fitores së tij, një monedhë argjendi me kokën e dhisë së egër. Por ka dhe një shpjegim tjetër me ndikim historik. Shefqet Pllana sjell një njoftim të dhënë nga Sami Frashëri në “Kamus-al-alam” në zërin Dhu l Karnejn se togfjalëshi Dhu l Karnejn (pronar i dy brirëve) ishte apelativ që në kohët e lashta madje edhe në Kuran, i Aleksandrit të Maqedonisë. Nga ana tjetër L. Malltezi shton pohimin e Plutarkut:”Në fillim (pjesa më e madhe e ushtarëve- K.F.) nuk e dallonin dot (Pirron) mbasi nuk kishte përkrenare, pastaj kur ai e kuptoi këtë gjë dhe vuri përkrenaren, u njoh nga pupza e lartë dhe nga briri i cjapit”. Pra, nuk përjashtohet mundësia që motivin e brirëve të dhisë, Skënderbeu ta ketë huazuar, sipas dy historianëve të përmendur, ose drejtpërdrejt nga legjenda e Aleksandrit të Maqedonisë, ose, siç duket më bindëse, nga pohimi i Plutarkut, meqënëse në Mesjetë shqiptarët e mbanin veten si pasardhësit e Aleksandrit të Maqedonisë, sidomos të Pirros së Epirit, aq më tepër se për Pirron e Epirit Skënderbeu ka pohuar skoqur se shqiptarët janë pasardhësit e tij. Duket se ky shpjegim i dytë ka më tepër të ngjarë të anohet nga e vërteta, mbasi teoria e vazhdimësisë maqedone-shqiptare dhe epirote-shqiptare ishte tepër e rrënjosur jo vetëm në opinionin shqiptar, por edhe në atë evropian. Ky opinion përshkon fund e krye sidomos veprën e M. Barletit. Mjafton të riprodhojmë një fragment të historisë së tij monumentale ku ai shkruan:”Njerzit kur vështronin atë rini luftarake dhe kur shikonin ata lule burrash rreth Skënderbeut, nuk u dukej aq çudi që fuqitë e Muratit ishin thyer prej shqiptarëve. Me të vërtetë ishin kthyer atëhere përsëri shkëlqimi i lashtë i Maqedonisë dhe dukej se kishin ardhur prapë tamam, siç ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros”. Një kopje në Shqipëri Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937 nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Eshtë e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mëhill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: (Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu). Tezat e Konicës Sipas Faik Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Dorëza e larë në argjend dhe mëhilli i veshur me kadife, janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të Paraluftës. Sot ndodhen në Muzeun Historik të kryeqytetit. Ndër dy shpatat, ka mundësi që Skënderbeu në fushën e betejës të mos përdorte atë me trup të drejtë, por pallën me trup të harkuar (siç nënkuptohet nga Dh. Frëngu), për arsye: se e para (shpata) ishte e shkurtër për shtatin e tij të lartë, kurse me pallën, të cilën e kishte në përdorim ushtria osmane, ai ishte familjarizuar më tepër se me të parën. Këtyre mund t u shtohet edhe një arsye tjetër: me të parën luftëtari e kishte më të lehtë ta godiste kundërshtarin horizontalisht, kurse me të dytën kishte përfitim, sidomos kur ishte trupmadh, ta asgjesonte më lehtë armikun me të një të rënë të fuqishme vertikalisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkrenaren, e cila nuk duhet të ketë qenë komode në fushën e betejës. Përfundimisht, mund të thuhet se si përkrenarja ashtu edhe shpata me trup të drejtë i kanë shërbyer Skënderbeut kryesisht si pajime ceremoniale. Madje ka shumë mundësi që kjo e dyta të jetë shpata që Papa Pali II i dhuroi Heroit natën e Krishtlindjes së vitit 1466.