Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Haxhi Vokshi, poet i fjalës së bukur poetike

| E enjte, 20.10.2016, 07:32 PM |


Haxhi Vokshi na ishte poet i ngrohtë i fjalës së bukur poetike...

Në 3-vjetorin e vdekjes

Nga Tefik Selimi

Tash e tre vjet na mungon kolegu, profesori e poeti ynë, Haxhi Vokshi, krijues gjilanas. Na mungon dhe, mungesa e tij po ndjehet kudo: në familje, në shoqëri, por edhe nëpër orët letrare e manifestime të tjera kulturore. Ai shkoi, por vepra e tij mbeti e pavdekshme.

Si sot na kujtohet kur ai erdhi në promovimin e librit të Gjergj Gjergjit –Gashit “Martirët shqiptarë 1846-1848), dhe është ulur aty afër derës së sallës së KK të Gjilanit. Kësaj here erdhi dhe është ulur afër derës në të djathtë të sallës në fjalë. Nuk e dinim se ishte hera e fundit e prezentimit të tij në ato orë letrare.

Siç dihet,  ai përherë në këto manifestime ulej përballë kolegëve e shokëve në mes të sallës, aty ku e nderonin shokët e krijuesit të tjerë. Por, ja ajo ditë qe dita fundit e jetës së tij. Qëndrim i tij në atë vend nuk na dha “sinjale” se ai pati shenja jo të mira te jetës me dhimbje. Nuk e dinim se ai më nuk do të vijë më në atë sallë ku jehonte “Vjeshta letrare” e krijuesve tanë. Kaloi ajo ditë. Të nesërmen, erdhi kumti Haxhi Vokshi, poet gjilanas, ka ndërruar jetë. Na iku një mik, një poe e profesor që e njihnin krejt rinia e qytetarët e Gjilanit e më gjerë.

Thonë, poetët nuk vdesin, ata vetëm e ndërrojnë  jetën “tjetër”. Pra, veprat e tyre, mbetën të “gjalla” dhe  të pavdekshëm. Poetë nuk janë njerëz të rëndomtë, por janë frymorë me dhunti të rralla natyrore. Ata përherë janë të trazuar në shpirt e në zemër. Jetojnë me vargje, strofa, fjalë, rima, tinguj, strofa e me teknika të tjera. Kështu e jetoi jetën Haxhi Vokshi, poet, koleg, mik dhe profesor! Kjo na ishte një vdekje e dhimbshme.

Ai ishte shok, mik, arsimdashës, por ishte edhe krijues me emër. Por, ja vdekja. Ajo po i merr njerëzit para kohe dhe pa i pyetur. Vdekja, thonë, vjen pa ftesë. Pa ftesë e mori edhe poetin Haxhi Vokshin, tash e tri vjet më parë. E mori Haxhi Vokshin, poetin një ditë pas përurimit të veprës së Gjergj Gjergjit –Gashit “Martirët shqiptarë 1846-1848).

Sa e sa krijues që hynin në sallë, e përshëndetnin poetin që sot na mungon. Kjo mbeti vetëm kujtim i një kohe! E, ai, atyre ua kthente duke ua shtërnguar dorën, sikur më t’mos takoheshin me te tash e tri  vjet më parë. Poeti, Haxhi, sot na mungon, por vepra e tij - jeton.

Ai vdiq në moshën 73-vjeçare. Ai ishte i lindur në Voksh në vitin 1940, Malësia e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc, Junik dhe në Deçan, të mesmen në Pejë, ndërsa Fakultetin Filozofik (Gjuhë dhe letërsi shqiptare) në Prishtinë. Punoi në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, prej nga dhe doli në pension.

Ai ishte udhërrëfyes dhe shembull tipik i punës së palodhur për Liri, Pavarësi e Demokraci. Puna intelektuale, krijimtaria poetike, përcaktimi i qartë i kauzës së tij nacionale, do mbeten kujtimi më i mirë për gjithë atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, qoftë si profesor, poet, intelektual e veprimtar, si trashëgimtar për të sotmen dhe  gjeneratat e ardhshme që do të vijnë.

Veprimtaria e tij e gjithpërfshirëse do ta bëjë të pavdekshëm. Gjilani do ta përkujtojë përherë qytetarin, poetin e profesorin e tyre Haxhi Vokshin. Ai ishte autor i disa veprave letrare, si janë: “Shqetësimi i vargut”, “Koha e ditës sonë”. “Përralla e kulla”, “Udhëtimi me korbin”, “Lirika këndon vetë” etj. Ishte poet i lindur dhe i ngrohtë për lexuesit.

Gjilan, 19 tetor