Editorial » Mehmetaj
Mehmetaj: Në xhami - qimja e Pejgamerit dhe kryqi
E shtune, 08.10.2016, 12:59 PM
Në xhami: qimja e Pejgamerit dhe kryqi
Nga Gani Mehmetaj
Për herë të parë me 1985 mora vesh se një emër më të cilin brezi i moçëm dhe brezi i mesëm i shqiptarëve janë pagëzuar më mijëra, duke menduar që është emër myslimanë, arabisht e ka kuptimin e kalit të shalës!
Damask (Sham), 1985
Siria e rinisë sime ishte ndryshe nga ajo që e shohim sot në ekranet televizive. Sirianët shquheshin për tolerancë fetare, u takonin dy feve kryesore: myslimanë e të krishterë. Tregtia, karakteristike e popujve të lindjes ishte shumë dinamike. Diktatura e Asadit (babait) ndjehej kudo, ashtu sikurse ndjehej prania ushtarake ruse. Shumica nga brezi i moçëm, burra e gra e flisnin mirë gjuhën franceze. Evropa për ta ishte ëndërr, që e gjakonin të gjithë. Delegacioni ynë nga Kosova kishte trajtim të veçantë, sepse ishin të pakët ata që u vinin nga Evropa. Nuk e takova asnjë sirian që dinte rusisht. Sirianët nuk i donin rusët, shihnin anash kur e tregonin përbuzjen ndaj tyre. Njerëzit u shmangeshin bisedave politike, por nuk u shmangeshin të huajve.
Zyrtarët sirianë e donin Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik, sepse këto dy shtete e mbështesnin Asadin e kauzën arabe kundër Izraelit. Palestinezët që nuk ishin të pakët nëpër kampet siriane e në qytete, nuk gëzonin simpati. Refugjatin askush nuk e do. “Janë të paparashikuar” më tha shoqëruesja ime, shpejt i nxjerrin thikat po u zure me ta.
Kur e vizitova për herë të parë Damaskun, në hotelin më të mirë të kryeqytetit, hotelin Sham, ku na vendosen, mbahej një Kongres i Kishave Ortodokse të Lindjes së Mesme, kështu që restoranti dhe ambientet e hotelit ishin plotë dinjitarë të lartë të ritit lindor. Dy shoqërueset e delegacionit tonë ishin siriane: njëra e krishterë, tjetra myslimane.
Në xhaminë më të madhe të Damaskut, xhamia Azam, ku na dërguan, na thanë se janë dy atraksione turistike në të njëjtin vend: qimja e profetit (Pejgamerit) dhe një relikte, kryq i rrethuar, i një kishe të vjetër, mbi të cilën pastaj arabët e kishin ndërtuar xhaminë. Besimtarët faleshin para dy faltoreve: myslimanes e të krishterës. Shoqëruesja myslimane më bënte presion që të puthja shtyllën e rrethojës së drunjtë, prapa së cilës ishte qimja e Muhametit, ndërsa e krishtera më thoshte ta puthja kryqin e ritit lindor. Që të mos ua prishja, gjeta zgjidhje solomonike: putha dorën time duke e vënë para qemerit të qimes se pejgamberit dhe para rrethojës së kishës së krishterë. Ato duartrokiten të entuziazmuara.
Sirianët të krishterë e myslimanë kanë emra kuptimi, pra sikurse janë të ne Fatmire, Dritë, Mërgim, Shkëlqim, Fitim, Saimir, Afërditë etj. Edhe të ne ka emra arab kuptimi që po t’i përkthenim do të dilnin Fatmire, Dritë, Fitim, Shkëlqim, por hoxhallarët nuk ua lejonin besimtarëve shqiptarë. Nëse siriania apo arabja e ka emrin Samira është e krishtere, sikurse shoqëruesja ime, por mund të jetë edhe myslimane, sepse është emër arab. Samir e Samira kryesisht janë emra arabësh të krishterë. Xhemail, është po ashtu emër arab i të krishterëve e myslimanëve, ashtu sikurse shumica e emrave të tjerë beduin që i kanë huazuar një pjesë e shqiptarëve, duke menduar që janë emra myslimanë. Nga emrat nuk mund t’i dallosh cilës fe i takojnë. Më thanë se vetëm emri Muhamed është emër puro mysliman, që nuk e kanë të krishterët.
Sirianët e thoshin se janë me prejardhje nga asyrët e moçëm, ashtu sikurse ta thoshin që në fillim se u takojnë të dy feve. Për këtë arsye në një moment të caktuar patën një problem më filmin “Proka”, të adaptuar sipas novelës më të njëjtën emër të shkrimtarit shqiptar Filip Papajani. Sirianët druanin që shikuesit e krishterë mund ta keqkuptonim, apo ta merrnin fyerje, sepse kishte priftërinj në film. Por i qetësuam.
Me emrin e njërit nga aktorët kryesor po asht na doli një “problem”. -Si shqiptohet emri i aktorit, - më pyeti një vajzë me prejardhje shqiptare nga prindërit e lindur në Istog. Ia shqiptova. “Ua sa keq”, me tha ajo e skandalizuar. Ashtu si e paskeni pagëzuar ju, duke menduar që është myslimanë, në fakt e keni pagëzuar kalë shale! Qeshem kohë të gjatë më marrëzitë e prindërve tanë që i emërtonin fëmijët e tyre me emra që nuk i merrnin vesh, ndërsa të ne ka mijëra emra kalë shale, duke menduar që janë emra myslimanë. Ia treguam kuptimin e emrit, kur erdhëm në Prishtinë aktorit, bartës të këtij emri. Ai u thartua, ne prapë qeshëm. Në Siri më treguan që deformime të këtilla kanë dëgjuar edhe më parë. Shqiptarët, duke mos e njohur gjuhën arabe, emrat e fëmijëve të tyre i deformojnë frikshëm: arabisht dalin përçudnime ose emra turpi. Disa fjalë pastaj edhe hoxhallarët tuaj në lutje i deformojë: në vend të lutjes ata shqiptojnë fjalë të pista.
Këto mi thoshin shqiptarët e Sirisë, që ishin më mijëra në këtë shtet, të shpërngulur nga terrori serb dhe nga mashtrimet e hoxhallarëve që ua premtuan parajsën. Një burrë me 1985 i kishte mbi 70 vjet më tregonte se si hoxha i katundit, i nxiti të braktisnin vendlindjen, duke u premtuar se do t’u printe, ndërsa vet mbeti e neve na dëboi. Dramat e tyre ishin rrëqethëse.