| E diele, 02.10.2016, 08:55 AM |
NJË JETË NË SHËRBIM TË NËNËS DHE FËMIJËS
= PORTRET PËR MJEKUN E TALENTUAR LEZHJAN DR. ZEF ZEFAJ NË 70 -VJETORIN E LINDJES=
NGA FRAN GJOKA
Gjinekologun e talentuar Zef Zefaj nga Lezha,e njohin të gjithë.Ai kishte vite që shërbente pranë Shtëpisë së Lindjes në qytetin e Lezhes,madje shpesh inentifikohet me këtë institucion mjekësor,sepse ishte pikërisht ky doktor që hodhi themelet e sherbimit gjinekologjik në këtë qytet.Doktori lindi në fshatin Tresh të Lezhës në gusht 1946, në një familje të mesme fshatare. Gjyshërit dhe prindërit e tij të ardhur nga zona e Mirditës 300- vjet më parë, u vendosën në këtë fshat. Nëna, Mrika, rrjedhë nga një familje e njohur mjekësh popullor të Bulgjerit të Rubikut.Zefi mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare, pasi babai i tij u vra pabesisht nga bandat e asaj kohe duke mbetur dëshmori Atdheut.Shkollën fillore,shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e Lezhës, duke qenë kështu ndër maturat e para të gjimnazit “H. Lezha” dhe një nxënës shumë i mirë. Gjatë viteve të gjimnazit, i ndikuar edhe nga nëna, ëndërronte gjithnjë të bëhej mjek. Kështu, në vitin 1964 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe i përfundoi ato në vitin 1969 në degën e mjekësisë së përgjithshme.
Në periudhën e studimeve u përfshi në të gjitha veprimtaritë e rinisë universitare,prandaj pati punuar në shumë vepra që u ndërtuan në atë kohë me punë vullnetare, që nga tarracat e bregdetit dhe në ndërtimin e disa prej hekurudhave të vendit. Për dr. Zefin janë të pashlyeshme kujtimet e atyre viteve, kur të gjithë studentët e fakultetit dhe pedagogët e tyre të vendosur në çadra, jetonin, punonin dhe ushqeheshin bashkë.Kujton sot me nostalgji doktori, pedagogët e tij të paharruar Ilir Gjylbegu, Kujtim Spahivogli, Teuta Jovani, Simon Çepeli, Ferdinand Paparisto, Rexhep Bregu, Përparim Tepelena etj., emra këto, që kanë mbetur jo vetëm në kujtesën e dr.Zefit,por edhe në memorjen e kombit dhe shokëve të tij, si kuadro me karakter dhe cilësi të larta humane, si modele dhe shembuj frymëzues për një brez të tërë mjekësh. Ata edukuan dhe rrënjosën thellë te studentët e tyre, ndjenjën e dëshirës dhe dashurisë për profesionin e mjekut,me qellim që të bëheshin të aftë dhe të zotë, për t`i shërbyer me përkushtim dhe devotshmëri popullit.
Zef Zefaj u diplomua suksesshëm dhe filloi specializimin në maternitetin e Tiranës si obstetër - gjinekolog për rrethin e Lezhës. Specializimin e mbaroi në dhjetor të vitit 1972 dhe, që nga ajo ditë ka punuar shef i pavionit në maternitet dhe i shërbimit të obstetrikë-gjinekologjisë së rrethit të Lezhës. Pas viteve ’70, shërbimi ndaj nënës dhe fëmijës mori përmasa të fuqishme. Kështu, nga 3 maternitete që kishte Lezha, u bënë 16, nga 8 mami e infermiere u bënë 88 në vitin 1975. Ky zgjerim i shërbimit shëndetësor, forcoi më shumë disiplinën dhe kualifikimin për të gjitha mamitë e infermieret e shërbimit të rrethit, të drejtuar me pasion të veçantë nga dr. Zefi, si shef i shërbimit obstetrik-gjinekologjik dhe nga ish kolegu i tij, i ndjeri Llesh Mataj, shef i shërbimit pediatrik,për të cilin dr.Zefi ruan kujtime të pashlyera. Është për t`u theksuar se, gjatë kësaj periudhe e deri në vitin 1997, dr. Zefi dhe ekipi i tij shendetësor, ka kryer në periudha dhe kohë të ndryshme, rreth 100 lindje jashtë mjedisit spitalor, në kushte të vështira të terrenit, në zonat malore dhe fshatrat e thella të rajonit të Lezhës.Meqenëse gjatë viteve studentore dr. Zefi pati marrë pjesë aktive në rrethet shkencore të mjekësisë dhe praktikat që organizonte fakulteti, temën e parë shkencore në repartin e kirurgjisë së spitalit Shkodër e ka referuar në sesionin e dytë shkencor të studentëve. Në vitin 1970, në bashkëpunim me dr. Apollon Gjebrenë, botoi temën e parë në revistën “Shëndetësia Popullore” ,e cila u prit mjaft mirë nga rrethet shkencore të mjekësisë, ndërsa nga viti 1973 deri në vitin 1990, në 12 sesione shkencore të Spitalit Lezhë, ka patur mjaft tema shkencore dhe të karakterit profesional të përgatitura nga ana e tij ku disa prej tyre të botuara në revistat “Shëndetësia Popullore" apo “Nëna dhe Fëmija".
Duke qenë shef i shërbimit Obst¬etrik-Gjinekologjik, puna e dr. Zefit ka qenë e përqendruar në parandalimin e vdekshmërinë foshnjore dhe lindjeve të shëndetëshme të fëmijëve,por kur pati nisur punë kishte gjetur një bilanc negativ të vdëkshmërisë foshnjore.Vetëm në vitin 1972 kishin gjetur vdekjen 44 fëmijë për 1000 lindje, kurse, me punën vetëmohuese dhe profesionalizmin shkencor,ekipi i drejtuar nga i mirënjohuri dr.Zef Zefaj arritën ta ulin vdekshmërinë foshnjore nga 44 në 15 vdekje për 1000 lindje. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm,jo vetëm për dr.Zefin dhe kolegët e tij,por edhe për komunitetin e këtij rajoni.Dr. Zefi nuk mund të harrojë kurrë ato periudha të vështira kur blegtoria u tufëzua nga sistemi i mëparshëm dhe nungesa e lëndëvë ushqimore sidomos për nënat dhe fëmijët mungonte,prandaj i duhej të luftonte me burokratët e ngritur në pushtet për të kërkuar krijimin e kushteve minimale dhe lehtësuese, sidomos për gratë shtatzëna. Mund të themi se, me dhjetëra herë, për një abort, dështim,apo lindje ,dr.Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë rrugën në këmbë dhe me vështirësi,duke sakrifikuar natën dhe ditën, në shi dhe në diell, me rrugë e pa rrugë në zonat e thella malore.
Puna e kualifikuar dhe vetëmohuese e gjinekologut të ri dha shpejt rezultate,pasi nisën ndryshime të shpejta dhe funksionale.Kështu, pësoi ndryshime dhe materniteti i Lezhës,nga një ambient me 4 dhoma, në një spital të mirëfilltë me mbi 60 krevate të sëmurësh, i cili në vitet 96 - 98, u mor në provim si spital “Mik i Fëmijëve” dhe e fitoi këtë titull si i 192 - ti në Evropë dhe i pari në Shqipëri. Vlen të theksohet, se iniciativa e tyre për ta përpunuar fëmijën e porsalindur në barkun e nënës, për ta lënë fëmijën 24 orë pranë nënës, për të asistuar edhe babai në lindje, për ta ushqyer atë vetëm me gji, bëri që materniteti i Lezhës të jetë një shkollë kombëtare gjinekologjike për këtë novacion, duke i imponuar Kuvendit të Shqipërisë, që në atë kohë të miratonte një ligj, duke u bazuar në eksperiencën e pozitive të këtij ekipi pune. Rezultatet e asaj pune të madhe e vetëmohuese, janë referuar në konferenca dhe seminare kombëtare e ndërkombëtare nga dr.Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Nisur nga eksperienca që fitoi në spitalin rajonal të Lezhës dhe aftësitë e tij profesionale në vitin 1993, dr. Zefi u dërgua për eksperiencë pune në Tunizi, bashkë me një grup mjekësh,ku si qëllim kryesor ishte të implementoheshin edhe në Shqipëri metodat shkencore të planifikimit familjar. Në vitin 1995, bashkë me disa mjekë specialistë, ka bashkëpunuar për hartimin e ligjit “Mbi Abortin". Eksperiencë e paharruar shkencore ishte edhe ajo e specializimit të kryer në Kantonin Frankofon të Vodit në Zvicër në bashkëpunim me Caritasin zvicëran dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Për këto 40 vjet si “gardian" i shëndetit të nënës dhe fëmijës, jo vetëm që ka futur dhe zbatuar të gjitha metodat shkencore në punën e përgjithshme dhe në operacionet e ndryshme gjinekologjike, por mund të them se rreth 4000 lindje kanë kaluar në dorën e tij. Sot, raporti i vdekshmërisë foshnjore me lindjet është 10 / 1000 dhe që nga viti 1994 nuk kanë patur asnjë vdekje të nënave. Çdo vit dr.Zefi realizonte rreth 400-450 operacione dhe në maternitetin e Lezhës lindin rreth 1400 fëmijë në vit.Është emocionuese të thuash se në maternitetitn e Lezhës sa ishte në punë ai, kanë lindur 43 mijë fëmijë nën asistencën dhe kujdesin mjekësor të dr.Zef Zefajt.
Puna e tij pasionante dhe eksperienca e madhe në gjinekologji,bëri qe në vitin 2005, dr. Zefi të botojë si bashkëautor librin “Pyetje dhe Përgjigje në Gjinekologji",ndërsa më vonë botoi një libër të dytë mbi problemet gjinekologjike. Ai është trajnuar në seminare të ndryshme dhe ka mbaruar kursin e kualifikimit si “Menaxhues i Lartë i Shërbimit Shëndetësor”, organizuar nga Caritas Zvicër dhe Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu, ka kryer kualifikime dhe specializime në sektorin e Obstetrikë-Gjinekologjisë, në sektorin e Planifikimit Familjar, ku ka qenë për 10 vjet drejtues i politikave të planifikimit familjar të zonës së veriut. Po kështu, ka kryer dhe kualifikime të shkurtëra në Yverdon (Zvicër), Tuniz (Tunizi), Stamboll (Turqi), Moskë (Rusi). Është i martuar me Rrexhinën,një farmaciste e njohur dhe e zonja dhe kanë dy djem Rezarin dhe Arbërin, të shkolluar në universitetet Europiane.Motoja e dr. Zefit ka qënë dhe është “Gjithë jetën time deri sa të kem forca, do të vazhdoj të qëndroj e të punoj si mbrojtës i shëndetit të nënës dhe fëmijës,do të jap gjithçka për të shtuar dhe shpëtuar jetë”. Puna e tij orientohet gjithmonë nën moton: “Nga çdo shtatzani e nisur duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm”.
Në vitin 1995, pas eksperiencës së fituar në shumë vende të Evropës, për herë të parë u praktikuan në maternitet metodat të reja “Roomenigen” në lindje, ku u kerkua edhe asistenca familjare, u vlerësua praktika e vendeve të zhvilluara që lidhej me lindjen e fëmijës në prezencë të nënës dhe ushqyerjen e tij vetëm me ushqim natyrorë, duke e bërë të panevojshëm biberonin. Për hir të së vertetës, duhet thënë, se Lezha bë modeli i një koncepti të ri dhe për këtë arsye,Materniteti i Lezhës në vitin 1998 u shpall “Spitali-Mik i Fëmijëve”, i pari spital në Shqipëri. Pas kësaj eksperience në mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës, materniteti i Lezhës u bë shkollë kombëtare dhe vendi ku merrej eksperiencë nga shumë institucione shëndetësore në Shqipëri.Arritjet e tij iu bënë me dije të gjithë materniteteve të vendit.Niveli tekniko-profesional e shkencor i punonjësve të maternitetit të Lezhës është krahasuar shpesh me klinikën universitare të Maternitetit të Tiranës. Krahas shumë aftësive dhe virtyteve të larta, si njeri me zemër e shpirt të madh ndaj çdo jete që niste, te dr. Zefi bie në sy vetëmohimi dhe shpirti i lartë i sakrificës. Gjatë 40 viteve të punës vetmohuese si obstetër, gjithmonë e kudo u është përgjigjur në kohën dhe vendin e duhur urgjencave mjeksore, kudo ku është kërkuar, deri në fshatrat më të thella, jo vetëm të rrethit të Lezhës, por dhe në Kurbin,Mirditë,Krujë e deri në fshatrat e Pukës.
Për merita të shquara në punë, dr. Zef Zefaj, është nderuar me urdhra e medalje të ndryshme pune,por duhet përmendur urdhri “Për Shërbime Shëndetësore” të klasit të parë, dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kudo që të pyesësh për Dr. Zefin, të gjithë flasin me respekt e konsideratë të thellë. Ai është sot një model cilësor i dashurisë njerëzore, një burrë me zemër të gjerë, që rrezaton mirësi, dashuri e përkushtim, gjithmonë në mbrojtje të jetës që sapo nis, në mbrojtje të vazhdueshme të shëndetit të nënës dhe të fëmijës. Që në rininë e tij të hershme shquhej si djalë fjalëpak, i urtë,i heshtur,mjaft punëtor dhe i papërtueshëm,me energji të pashtershme dhe me një pasion të pakufijshëm për të arritur dëshirat dhe ëndrrat në shërbim të jetës. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet punë intensive në repartin e gjinekologjisë, dr. Zefi mbetet përherë një punëtor i palodhur,një mjek i dashur,një prind i përkushtuar që nuk përtoi kurrë për të falur dashuri dhe mbrojtur jetë. Për këtë mjek të shquar, “buja” në profesion është falsitet. Prandaj dhe reklamimi më i mirë i punës së tij, është pagjumësia, sakrifica në shërbim të jetës së njeriut, fjala e drejtë dhe e saktë, trajtimi i barabartë i pacientëve dhe durimi i pashembullt për të arritur tek rezultati i pritur,tek jeta. Ka ndodhur që, ndonjë pacient, nisur nga ideja se në Tiranë ka mjekë më të mirë, shkon për vizitë atje, por sapo takohet me mjekët, pasi e pyesin se, nga vjen dhe mësojnë se vinte nga Lezha, i kanë thënë: “-Po në Lezhë keni dr. Zefin, që është më i mirë se ne”.
Dr. Zefi gjykon me profesionalizëm, sinqeritet e dashamirësi edhe punën e mirë dhe plot përkushtim, që bëjnë kolegët e tij mjekë në repartin që punoi për 40 vjet me radhë. Figura e tij tashmë është e njohur dhe e respektuar jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Veriun e Shqipërisë e më gjerë.Ka vite që ka dalë në pension dhe vazhdon të punojë me intensitet dhe u palodhur në klinikën e tij private duke përcjellë në mënyrë të vazhdueshme eksperiencën e fituar te kolegët e rinj, që duan të punojnë me përkushtim e të kualifikohen me dashurinë për profesionin e bukur të mjekut. Eshtë bukur dhe në interes të shoqërisë që, kur këto dy anë të realitetit kombinohen, atëhere arrihet ajo që është më e mira dhe për këtë punoi dhe luftoi unë,çdo ditë me përkushtim duke mposhtur vështirësitë dhe duke sakrifikuar, me vullnetin dhe dëshiren për të bërë më të mirën për jetën,për nënën dhe fëmijën, që këta të fundit mbetën kapitali ynë më i çmuar,-thotë jo pa emocion dr.Zefi..
Më tej ai shton:-Pyetjes suaj se nëse ndryshimi im ka ardhur thjesht nga dëshira apo mundësitë që më janë afruar do ti përgjigjesha sinqersisht se, është një kombinim midis formimit tim për të kontribuar në frontet më të vështira të mjekësisë, por edhe mundësive që mua më janë ofruar në punë e në jetë në këto 40 vite nga shteti dhe shoqëria . “Në botë kanë kaluar në heshtje dhe pa u ndier miliona njerëz që nuk kanë mundur të tregojne vlerat, talentin dhe enregjitë e tyre krijuese “. Unë tërë jetën time kam punuar dhe përpiqem ende të punoj në klinikën time private dhe të mësoj nga të tjerët, sidomos nga vartësit e mi me eksperiencë dhe të ditur, sikundër edhe unë të mos rri pas tyre por t’u jap diçka nga vetja nga ajo përvojë që kam fituar jo pa mund e djersë në jetën time si mjek, me ndjenjën e njeriut të dashur, me shpirtin e madh për të mbrojtur nënën dhe femijën.Ai është vlerë e çmuar e qytetit të Lezhës, prandaj Presidenti i Republikëes e ka nderuar mjekun e njohur me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, sepse ai përherë ka qenë dhe mbetet mes njerëzve, i rrethuar me dashurinë dhe respektin e tyre kudo, qoftë të punonjësve me të cilët punoi një jetë të tërë, qoftë me kolegët, qoftë me pacientët e tij.
Një mjek i njohur dy muaj më parë, festoi mes miqësh dhe shokësh 70 vjetorin e lindjes,një ditëlindje ndryshe nga të tjerat,sepse dr.Zefi nuk e nisi dhe po e përfundon karrieren e tij vetëm më punë,perpjekje dhe përkushtim,por gjinekologu që bëri historinë në institucionin ku punoi po, ua la të tjerëve të gjykojnë punën e tij plot vetmohim dhe shërbimin përfekt që u bëri njerëzve në nevojë. Dhe shumë shpejt Zef Zefaj është shndërruar në një ikonë të mjekësisë shqiptare,në një ndër figurat më të dashura publike dhe të admiruara jo vetëm për Lezhën,por dhe për fshatrat e saj dhe më gjërë,sepse në këtë 70 - vjetor ka marrë urime më shumë se kurrë, nga nënat që kanë lindur në asistencën e tij,madje edhe nga fëmijë që doktori,jo rrallë i ka shpëtuar nga momentet më tragjike.Dr.Zefi njihet si një mjek tepër human, i ndjeshëm dhe njerëzor, por është po aq korrekt dhe kërkues ndaj vetes dhe të tjerëvë për t’i sherbyer punës dhë pacientëve. Këtë dr.Zefi, e ka filozofi jete të patjetërsueshme.Trashegoi,reflektoi dhe po përcjell gjithnjë te brezat e mjekëve të rinj lezhjanë e më gjërë, mesazhin e një kulture modrne dhe të një profesionalizimi të spikatur. Do të ishte në nderin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Lezhës, që personalitetit të rrallë, human dhe të përkushtuar të mjekësisë, dr. Zef Zefajt,”Mjeshtrit të madh”, t`i jepej titulli “Qytetar Nderi” i Lezhës.Ai meriton më shumë...