E diele, 22.12.2024, 10:55 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Beqir Cikaqi: Shkodra - qyteti i traditës dhe kulturës

E enjte, 29.09.2016, 07:45 PM


REPORTAZH (i vonuar ):

SHKODRA – QYTETI I TRADITËS DHE KULTURËS...!

Nga  Beqir M. CIKAQI

Të shkruash për  një vendbanim të lashtë me tradita shekullore vetëm me një reportazh (të shkurt...) është shumë pak! Ky (foto)reportazh është realizuar gjatë mbajtjes së  Seminarit XII-të Mbarëkombëtar  “PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË”, mbajtur në fillim të gushtit në Shkodër. Që të kompletohet në këtë formë ky material, e falënderojë kolegen e nderuar, zonjën Merita Bërdicës, mësuese e MP në Itali me origjinë nga Shkodra e traditës,  kulturës, arsimit, historisë, legjendave, etj. etj.

Pak njohuri për Shkodren...

Shkodra është vendbanim, qytet, bashki, qendër e rrethit qarkut dhe krahinës veriperëndimore të Shqipërisë me histori mijëvjeçare  e shtrirë mes Alpeve Shqiptare deri në detin Adriatik buzë liqenit me të nijetin emër si dhe lumenjve: Bunë, Drin dhe Kir.  Përveç liqenit të mrekullueshëm të  Shkodrës, egzistojnë edhe liqenet artificiale, si; Liqeni i Vaut të Dejës, liqeni i Komanit dhe Liqeni i Shtodrit. Shkodra ka një llojëllojshmëri shumë interesante të bimëve e shtazëve. Ka fushat pjellore, male e kodrat të gjelbëruara, si: Shiroka, Taraboshi, Bushati, Bërdica, deri në Razëm, Shkrel, etj.

Ka klimë mesdhetare si pasojë e liqenit të Shkodrës dhe Detit Ardriatik, me lagështi e dimër të butë dhe vere të nxehtë e të thatë. Shkodra dhe zona për rrethë konsiderohet si zona ma me lagështi në gjithë Shqipërinë…

Shkodra ka disa objekte e institucione me rëndësi, si: Kalaja e Rozafës me Muzeun, Kisha-Xhami dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit, etj. Institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti "Luigj Gurakuqi", Biblioteka "Marin Barleti", Fototeka "Marubi", Teatri Migjeni, Muzeu  Oso Kuka, Radio "Shkodra", Qendra Kulturore "Don Bosco", Gjimnazi "28 Nëntori", Shkolla"Prengë Jakova" etj. Spitali Civil , Pediatrik, Gjinekologjik, Psikiatrik, Infektiv. Mandej,  Telekomi, Hotel "Rozafa", Hotel "Argjenti", Banka Kombëtare Shqiptare, etj…

Hyrja e qytetit…

Duke filluar nga Kalaja, janë lagjet: Ajasëm, Luguçesme dhe Draçin. Më pas vjen Lagjia Iliria, ku jetojnë magjypet;  për të vazhduar me Lagjen Xhabie , bashkangjitur me Tophanen, ku ndodhet edhe Çinari i Tophanes dhe Çinari i Hoxh’dheut.  Në vazhdim pas Xhabijes, vjen Sheshi Parruca dhe drejtimi në Lagjen e e quajtur Rus-Maxhar…  Nga perëndimi është  Lagjia Paresh e cila vijon në dy rrugë: Arra e Madhe dhe Kisha e Madhe deri tek vorrezat katolike. Mandej Sheshi(Pijaca) e gërshetuar me Kishen e freterve, kinema Mileniumi dhe Kisha e ortodoksve. Në fund të piaces së dytë(pedonale) është rruga Gjuhadoll… Në qënder të qytetit ka hapësirë karakteristike për turizem dhe Kafja e Madhe, pa harruar Teatrin MIGJENI dhe Bibliotekën “Marin Barleti”, studius dhe autor i librit “Rrethimi i Shkodrës”…

Shkodra e traditave…

Jo rastësisht ky reportazh mban titullin Shkodra – qyteti traditave…Shkodra ka një bagazh të pa shterur të traditave, që me plot kuptimin e fjalës konsiderohet si kryeqendra e Shqipërisë së veriut. Traditat karakteristike shkodrane, janë me përmasa jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike e evropiane. Shkodranët e kanë të shenjt atdheun. Trashëgojnë  prej të parëve dashurin për tokën e dheun, ndjenjën e trimërisë, qëndresës, besës, krenarisë... Festojnë ritet e motit, si: ndërrimin e stinëve, ditën e pranverës, Shën Gjergjin, etj. Historikisht kanë traditë edhe respektin e besimit fetar. Veshjet janë me karakteristika të veçanta sipas fesë(katolike apo myslimane)tek femrat, kurse te meshkujt nuk kanë ndonjë dallim të theksuar.

Është  pjesë e traditës edhe mënyra e përgatitjes së ushqimit , sidomos gatimet me enë të posaçme si vaksh ose enë prej bakrit, etj.  Gatimet e përgatitura kanë emra karakteristikë të ruajtur nga e kaluara, si: çorbe vezësh, mish jahni, tave kosi, pite, tarator, etj. Nga peshku është përgatitur  ngjala jahni dhe krap jahni. Ndërsa ëmbëlsirat tradicionale janë: bakllava, hallve, pekmezi, etj. – shprehen ndër të tjera shoqëruesit me të cilët jemi duke shëtitur nëpër Shkodër.

Kultura shkodrane...

Historikisht Shkodra ka qenë një ndër qytetet kryesore dhe vatër e rëndësishme e kulturës shqiptare. Ka shumë monumente kulturore me rëndësi antike e mesjetare: Kalaja e Rozafës, Muzeu i kështjellës, Sahati Inglisit, Kisha, Xhami, etj. Nga Shkodra janë  humanistët, shkrimtarët,  gjuhëtarët, historianët më eminent shqiptar, si:  Marin  Barleti,  Marin  Beçikemi,  Ndre  Mjeda, Kel  Marubi, Luigj  Gurakuqi,  Millosh  Gjergj Nikolla – Migjeni, Prenk  Jakova, etj. Shkodra ka patur gjithmonë dhe ka edhe këngëtar, aktor e sportistë me përmasa jo vetëm kombëtare. Shkodranët gjithnjë janë kanë dhe janë të njohur me humorin dhe batutat e tyre. Me fjalë tjera: “ Me kanë shkodran, gjithë çka ban! “...

Seminari Mbarëkombëtar “ Shkodra 2016 “...

Se Shkodra është djepi i kulturës dhe traditës shqiptare jep për të  kuptuar  mënyrën shumë të mirë në organizimi i  Seminari XII Mbarëkombëtar  “PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË”  nga 01 – 04 Gusht 2016 në Shkodër.

Edhe në këtë Seminar i 12-ti me radhë, sikur është paraparë kanë marr pjesë shumica dërmuese e mësuesve shqiptar që punojnë me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në disa shtete të Evropës, më së shumti mësues pjesëmarrës ishin nga Greqia, Suedia, Gjermania, Austria, Anglia, Zvicra, mandej edhe nga Italia, Kroacia, Sllovenia. Unë i takoja grupit të mësuesve nga Italia që gati të gjithë jemi nga Kosova, përjashtim koleges nga Shkodra , që na u bashkua pikërisht kur arritëm në Shkodër. Gjatë seminarit   u njoftuam edhe me një mësuese nga Vlora që jeton në Milano, aty ka hapur një paralele me nxënës shqiptar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Seancat plenare, ligjëratat dhe aktivitete e grupeve të ndryshme mbaheshin në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Seancat moderoheshin  kryesisht nga: z. Nuhi Gashi ( MASHT, Kosovës) dhe Anila Ferizaj (MAS, Shqipëri), Kadri Ymeri ( DAR Shkodër), etj. Në hapje të Seminarit të pranishmit i përshëndetën ministrja Lindita Nikolli( MAS, Shqipëri), ministri Arsim Bajrami(Masht, Kosovës), dhe kryetarja e Bashkisë Shkodrës zonja Voltana Ademi. Ndërsa në ditën e fundit të Seminarit pati një paraqitje edhe Ministri i Diasporës Kosovës z. Valon Murati.

Tema të ndryshme për mënyrën  dhe formën e organizimit të MP, ligjëruan: Zamira Gjini, Nuhi Gashi, Gerti Janaqi, Agim Berdyna, Iris Gjinofci, Anila Ferizaj, Blerta Avdia, Osman Ademi, Hazir Mehmeti, Feime Lapashtica dhe Sami Thaqi. E veçanta ishte ligjërata në shqip e Prof.dr. Basil Shader – zviceran, që së bashku me Nexhat Malokun prezantuan edhe doracakët e mësimit plotësues, për të cilët u zhvillua edhe një debat nëpër grupe.

Gjatë katër ditëve të seminarit u bë edhe prezantimi i filmit nga Lozana(Zvicër) “Emi, Imi, Remi,...” të autorit Mahir Mustafës, dhe dokumentari: “Shqiptarët në Suedi” të autorëve Murat Koci(skenar) e  Arian Melanoshi (regjia dhe kamera). Mandej, promovimi i librit “ 15 vjet shkolle në Greqi” të autorit Abdurrahim Arshiku, dhe libri “Ndërgjegje kulturore, monografi e Arsimtarëve Shqiptar “N. Frashri” Gjermani, grup autorësh. Libri elektronik për kl. I dhe II të Sh.sh. në Finlandë. Gjithashtu u bë prezantimi i librit “ Fadil Vata, frymëzim për ardhmërinë”(monografi-promovim) nga autori Ruzhdi Jata.

Në kohen e ndarë për veprimtarit kulturore /shoqërore bëhej vizita në monumentet historike e kulturore.  Ditën e parë iu bë vizitë Muzeut Historik “OSO KUKA” Shkodër, ku ciceroni na tregoi në imtësi për secilin send a objekt i vendosur nëpër dhomat e Muzeut, ku përshtypje të veçante nder të tjera ishte për portat e mëdha e të vogla dhe lartësia e mureve rrethuese. Në oborrin e Muzeut ishte edhe një çift i sapo martuar  me veshje kombëtare duke bërë foto për kompletimin e albumit martesor. Në ditën e dytë në kuadër të veprimtarisë kulturore e artistike në Bashki të Shkodrës, u vizitua fototeka  “Marubi”, Kalaja e ROZAFËS dhe “Mozeumi i Kështjellë”. Secila nga këto kishin karakteristikat e veta me rëndësi historike, etnologjike, kulturore, etj. Në ditën e tretë sikur ishte e planifikuar edhe u realizua Udhëtimi në Razëm. Ky udhëtim u realizua me dy autobus, pasi kishte një distancë rreth 30 kilometra, me një rrugë të rrezikshme për shkak të terenit. Në Razëm gjatë qëndrimit shijuam ajrin e freskët të alpeve shqiptare, ku nuk munguan fotografimet si kujtime për të ardhmen.

Në ditën e katërt e të fundit, përveç seancave plenare, u bë edhe prezantimi i rezultateve të grupeve, si dhe ndarja e CERTIFIKATAVE për rreth 150 pjesëmarrësve të seminarit.

Pas përfundimit të Seminarit, ashtu sikur kishim ardhur edhe u shpërndamë në dy drejtime kryesore me dy autobus njëri për Tiranë e tjetri për Prishtinë. Përveç njohurive të reja dhe eksperiencës së fituar krijuam edhe një imazh edhe ma të fort për Shkodren në përgjithësi dhe për mikë pritjen e bujarinë e afruar në veçanti, ku do që shkonim dhe këdo që takonim. Nuk duhet anashkaluar pa i falënderuar edhe ato vajza e djem që na servonin te hotel - bar - restorant TRADITA Gegë & Toskë, ku drekonim dhe darkonim, e mbas darke organizohej ndej me muzikë e aheng deri në orët e vona.

Vërtet “ Me kanë shkodran, gjithë çka banë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora