Kulturë
Përurimi i librit Kërcimi i Drenushës të Nexhat Halimit
E hene, 26.09.2016, 02:59 PM
Në kuadër të botimeve shqipe në Mal të Zi, në fund të javës së kaluar, në bibliotekën e qytetit në Ulqin u bë përurimi i librit me poezi “Kërcimi i Drenushës”, të Nexhat Halimi.
Libri përmban 108 poezi kushtuar Ulqinit, 41 janë për fëmijë dhe të rijnë ndërsa të tjerat për lexuesin më serioz. Për librin folën dr. Rrustem Berisha, Ali Gjeçbritaj dhe Fatmire Duraku. Me kët rast nga aktori Shefqet Luca u deklamuan edhe disa poezi nga libri, ndërsa pikë e veçantë e mbrëmjes që deklamimi i poezisë “Libri” nga Dea Halimi.
Libri Kërcimi i drenushës, i botuar nga Diti & Oli në Ulqin, nën përkujdesjen e botuesit entuziast Gazmend Çitaku, ka dy cikle me poezi kushtuar Ulqinit, qytetit perlë bregdetar, me një histori të madhe e të stuhishme gjatë mijëvjeçarëve të frymëmarrjes së vet epiko-lirike në këtë hapësirë.
E veçantë e librit është ajo se të gjitha poezitë i kushtohen detit, Kalasë, ullirit e njeriut të këtushëm me të përditshmen e vet, me hallet, ngashërimet, me dhembjet e dashuritë. Këtë botim e mundësoi Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi dhe në kuptimin e vet paraqet urë bashkëpunimi, forcim të lidhjeve të gjithanshme dhe sidomos të atyre kulturore, në mes të Ulqinit e të Kosovës. Nën logon e Ulqinit, Kërcimi i drenushës është libri i tretë i Nexhat Halimit, pas dramave për fëmijë Trëndafili me zemër dhe Vetëtima e shpatës, u theksua me këtë rast .
Libri, i botuar nën përkujdesjen e Gazmend Çitakut, me realizim të shkëlqyeshëm teknik, me dy punime – piktura, në ballinë të Salih Lutollit, në mënyrë të shkëlqyeshme e paraqet atmosferën e ambientit, për të cilin bëhet fjalë.
Dea Halimi hap mbrëmjen me deklamimin e poezisë së vet “Libri”
Aktori Shefqet Luca deklamon poezi nga libri “Kërcimi i drenushës”