E diele, 22.12.2024, 12:32 PM (GMT)

Kulturë

Hysi: Duke u përciellë me një njeri të mirë

E enjte, 22.09.2016, 06:54 PM


Duke u përciellë me një njeri të mirë

In  memoriam, GËZIM   TEKI  LIBOHOVA

Nga Përparim Hysi

Dje përcollëm për në banesën e fundit një njeri me vlera të veçanta. Përcollëm një veteran jo vetëm të LNAÇL ku ai mori pjesë me armë në dorë në rreshtat e Brigadës së parë Sulmuese, por, nga ana tjetër, ky luftëtari i ditëve të para të luftës për liri, është dhe një intelektual me zë të veçantë në fushën e arsimit e të kulturës në rrethin e Lushnjes.  Këtë shkrim e bëj, enkas, për GËZIM  TEKI LIBOHOVËN dhe, në e bëj unë, kam një arsye madhore: Gëzim Libohova, ky gjirokastrit nga Lushnja, e meriton jo vetëm këtë shkrim homazh, por dhe ca më tepër. Tërë jetës ka jetuar në Lushnje dhe në vitet e demokracisë erdhi familjarisht në Tiranë. Kur u vendos në Tiranë, kish kohë që kish dalë në pension. Pra , duke jetuar vitet e fundit të jetës në Tiranë, vetvetiu qe, sado kundër dëshirës së tij, larg Lushnjes dhe lushnjarëve. Qe kështu fizikisht, por shpirtërisht asnjëherë nuk qe larg, por me Lushnjen në gojë dhe u nda nga kjo jetë.

Kur shkruaj kështu, mos e merrni stisje timen. Përkundrazi. Është një e vërtetë e paluajtshme, sa, kur thonë, nuk e lëviz as topi. E la me gojë.- tha i biri, Tekiu dhe nusja e Tekiut, Merita,- që të më varrosni në Lushnje. Dhe, ngaqë amanetin nuk e tretë dheu, Tekiu, u nis me një frymë në Lushnje. Bëri gjithë ato procedura që duhen dhe dje në ora 12 kortezhi mori rrugën për në Lushnje.

*      *    *

Po kush është Gëzim Libohova? Mbiemri është "tapia" që tregon origjinën e familjes. Por, sado libohovit, qenë shpërngulur që në vitet e paspavarësisë në Lushnje dhe qe lindur e rritur në një famije goxha të madhe: prej tetë fëmijësh. Të gjithë si familje kanë qenë me gjak atdhetarësh të vërtetë: qysh nga gjyshi i  Gëzimit (Haliti), tek i ati, Tekiu dhe më tej tek vëllezërit e motrat. Babai i Gëzimit, Tekiu, ka qenë aq mik me Aqif PASHË BIÇAKUN, sa njërit prej djemëve të ij, i vuri emrin Aqif. Aqifi dhe djali tjetër i Teki LIbohovës, Skënderi, luftuan me armë në dorë në rreshtat partizane dhe, që të dy, janë dëshmorë të Atdheut. Edhe Gëzimi vet ka qenë partizan me brigadën e parë sulmuese, por...

Sado që kjo familje gjirokastrite mbështeti en-bloc luftën, një pjesë e familjes shikohej nga regjimi (partia e pushteti i kohës) me syrin e njerkës. Dhe ja pse:

Djali i madh i Tekiut, Rexhaiu, njihej nga Enver  Hoxha dhe, ngaqë nuk dëgjoi që të bënte siç i foli "ariu në vesh"( nënkupto,Enveri), ndodhi, kur u çlirua vendi, ajo që nuk pritej:Rexhainë e futën në burg, e dërguan të "thante" kënetën e Maliqit dhe kjo"damkë" e qëllimshme, penalizoi pak a shumë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Libohova.

*     *    *

Sikur historia e familjes së Teki Libohovës (babait të Gëzimit) të shkruhej  ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet, atëherë do të shikoni  një djalë 8-vjeçar në sallën e Kongresit  të Lushnjes. E dini kush është? Djali i madh i Tekiut: Rexhaiu.Dhe nuk mbaron historia  e Rexhaiut me kaq. Kur qe 10-vjeç, pa i marrë lejë askujt, i doli përpara dhe i uroi  merëseardhjen senatorti francez: JUSTIN GUDAR. Francezi u befasua që në vitin 1922, një djalë 10-vjeçar në një qytezë provinciale si Lushnja të bënte këtë gjest kaq sinjifikativ. Si kavalier i vërtetë iu përgjigj befasisë me  një ofertë shumë mikluese:  ma jepni djalin ta shkolloj në Francë. Por oferta e kavalierit francez nuk u realizua. Gjysh Haliti nuk ndahej dot nga nipi.

Sidoqoftë, Rexhaiu u shkollua brenda e jashtë vendit. U bë një specialist finance; u burgos nga iltalianët, por më keq e pësoi nga Enveri. Pas burgosjes, hija e"luftës së kllasës" ra mbi  familjen Libohova: tentativa për të bërë "Hero të popullit" Skënderin apo Aqifin (sado që u propozuan herë pas here) u arshivuan si të papërshtatshëm dhe nuk ndodhi kurrë që të bëhej një vizitë kortezie përkujtimore për dy vëllezërit dëshmorë as tek Tekiu dhe as tek Rexhaiu. Vizita jubilare bëheshin vetëm tek Gëzimi që shtëpinë e kishte dy çapa ë tej. "Lufta e kllasës bëhej dhe në gjirin e familjes."

*      *     *

Kur shkruaj për Gëzim Libohovën jo vetëm si veteran të LUFTËS NÇL, por dhe si veteran të kulturës, kam parasysh gjithë atë veprimatri me vlerë të tij. Herë- herë më ngjan si komediografi i madh fracez, Molieri, që i shkruante dhe i vinte vet në skenë komeditë e tij dhe shpesh luante dhe si aktor. Kështu ka ndodhur dhe me Gëzim Libohovën. Aktor, shkrues tekstesh për t'u vënë në skenë; shkrues skeçesh; regjisor dhe në gjithë veprimtarinë e tij inkurajues talentesh në fushën e kulturës dhe  artit. Nuk ka aktor, këngëtar, piktor, kompozitor që nuk  ka kaluar "nëpër duarët"  e tij. Njerëzit e kulturës dhe artit nga Lushnja, pa dyshim, e kujtojnë me mirënjohje këtë profesionist dhe njeri me zemër të madhe. Sikur t'i hedhësh një sy "biografisë së punës" të Gëzim Libohovës, pa dyshim që do befasohesh. Ai, sikur i ka bërë vetë  tëra: nga a-ja tek zh-ja.

Natyrisht, në "vija të trasha", mund të them: Gëzim Libohovën në vitet 1954-1956 e gjen drejtor të kulturës në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë. Mandej, tërë jetës në Lushnje:aktor, drejtor të shtëpisë së kulturës; inspektor të arsimit e kulturës; shef të seksionit të arsimit e kulturës; drejtor të shtëpisë së librit e filmit.

Për kontributin në luftë ka marrë dhe Medaljen e trimërisë ; të Flamurit; të Kujtimit. Po kështu   me medlaje është çmuar dhe për veprimtarinë në punë. Jetoi gati 90-vjeç. Pothuajse, e jetoi shekullin e tij.

*     *    *

Para 10-vjetësh, ka humbur bashkëshorten e tij aq të mirë,LETIN, dhe kjo, pothuajse, e vrau moralisht. Pikërisht, këtë mungesë të madhe shpirtërore, sikur e malcoi nusja e shtëpisë (e Tekiut), inxhinierja-arkitekte, Merita, që u bë jo vetëm nusja, por si çupa që kujdeset për Babanë e  saj.  Kur shihja se si e ndjente veten , tek shtrëngonte me dashuri dorën e nuses së djalit,Tekiut, si i moshuar që jam, thosha:- Ah, sikur të kisha një nuse për djalin si Merita!

Gëzim Libohova  e meritonte një shkrim të tillë. Në e bëra unë, kjo ndodhi jo se në Lushnjë nuk ka kush shkruan për të, por në këtë "shtegtim mizor" të posttranzicionit as nuk e di kush, në rron ti apo nuk rron. Ky "shtegtim mizor" nuk do thonjëza, por,sidoqoftë, mirë është që vlerat të mos"arkivohen". I paharruar qoftë kujtimi për NJERIUN E MIRË: GËZIM TEKI  LIBOHOVËN!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora