E shtune, 21.12.2024, 11:59 AM (GMT)

Faleminderit

Bajram Canameti: Nënë Tereza, Perëndesha e Dashurisë

E merkure, 24.08.2016, 06:59 PM


Shenjtorja Nënë Tereza, Perëndesha e Dashurisë

Nga Bajram Canameti

Një planet i ndritshëm po i shtohet qiellit. Në vallen e shenjtorëve rreshtohet Nanë Tereza, gruaja më e guximshme e botës, shqiptarja e madhe, që në emër të dashurisë njerëzore punoi e jetoi që të ndryshonte botën e vrazhdë.

Shenjtorja shqiptare i mësoi botës universitetin e humanizmit, duke u bërë zë i dhimbjes dhe i dashurisë. Me udhëzimin e Krijuesit frymoi tokë e qiell, duke ushqyer njerëzimin me dritë. Ajo shartoi zemrat me dashurinë, duke gërshetuar hyjnoren me tokësoren.

Shqiptarja e ndritshme punoi me dashuri e përkushtim për rrëzimin e mureve mes njerëzve, fërshëlloi si era dhe uji, duke rrezatuar si dielli mbi njerëzinë. Ajo punoi t’i fshinte globit lotin, urinë, mjerimin e tejskajshëm, padrejtësinë sociale dhe sëmundjet.

Ajo shembi hierarkinë e një shoqërie të korruptuar nga titujt dhe pasuria dhe me veprën e saj pohoi se dashuria e Zotit vështron tek të gjithë njerëzit njësoj, pavarësisht shkallës shoqërore dhe nivelit pasuror.

Shenjtorja ishte dora e drejtësisë dhe paqes, kultivuesja e shpresës, kthimi i buzëqeshjes, perëndeshë e dashurisë.

Fryma e saj ishte frymë Perëndie. Duart e saj ishin ilaç mirësie, ndërsa fjala e saj ishte gurrë dashurie.

Tereza gjigande një jetë punoi për ripërtëritjen e botës, saqë e detyroi globin të ndalë rrotullimin e të mendohet! Ajo u kthye në një yll për dashurinë njerëzore…

Anjeza (Gonxhe) Bojaxhi, e njohur botërisht shenjtore, simbol botëror i paqes dhe dashurisë, me emrin Nënë Tereza, lindi më 1 gusht 1910 në Shkup, në një familje të nderuar shqiptare.

Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare bëhet misionare e Bamirësisë duke e shtrirë veprimtarinë e saj në të gjithë botën. Misioni i saj numëroi mbi 650 fondacione të ngritura në 130 vende të Botës.

Shqiptarja Anjeza Bojaxhiu u kthye në legjendën e gjysmës së shekullit të XX. Në vitin 1990, «Urdhëri i Misionarëve të Bamirësisë» që drejtohej nga Nënë Tereza numëronte mbi katër mijë motra dhe mbi një million bashkëpunëtorë.

Ajo mbetet nëna që trajtoi mbi pesëdhjetë mijë viktima të lebrozës në 123 klinika dhe kujdesej për katër mijë pleq të braktisur. Ajo ngriti 610 shtëpi për sistemimin e të pastrehëve dhe birësoi mbi dy mijë fëmijë ilegjitim.

Humanzmi i saj çuditi Botën. Ajo u bë dorë e shtrirë për të pamundurit, krah i ngrohtë për të trishtuarit, zemër e nxehtë për mbjelljen e paqes e të dashurisë njerëzore.

Nënë Tereza, në mëshirën ungjillizuese ishte profetike, bijë e të gjithëve, Nana e të varfërve, shëruesja e kujdestarja ë të sëmurëve të të gjitha racave, feve e ngjyrave. Ajo mbeti përmendore e gjallë në ndihmë të njerëzimit.

Për veprën e saj bamirëse në të katër anët e planetit Nënë Tereza ka marrë mirënjohjet më të larta, si askush tjetër në Botë. Ajo është Doktore Nderi e mbi tridhjetë universiteteve më në zë të Botës : Kembrixhit, Delhit, San Diegos, Milanos, Harvardit, Luvenit, Brukselit e të tjerë.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, nga një radhë e gjatë shtetesh në të gjitha kontinentet është vlerësuar me titujt më të lartë të nderit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dekoruar Nënë Terezën me tre medaljet më të larta: «Medaljen Presidenciale të Lirisë», titullin «Qytetar Nderi  e Amerikës» dhe « Medalja e Artë e Kongresit Amerikan». Ajo është qytetare nderi e Uashingtonit, Nju Jorkut, San Françiskos, Ohaios, Toledo, Bostonit dhe e shumë qyteteve të tjerë.

India e ka dekoruar me titujt më të lartë të nderit si: «Margaritari i Indisë’, «Lotuesi Madhështor», « Rair Gandi» dhe çmimin «Nerhu» për për paqen dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.

Mbretëria e Bashkuar i ka akorduar Nënë Terezës dekoratën më të lartë civile «Urdhërin e Lartë të Meritës » nga vetë mbretëresha Elisabetë.

Shenjtorja e madhe, Nana e Botës, midis dy mijë personaliteteve të botës fitoi çmimin britanik «Tempelon » dhënë nga Princi Filip.

Italia, vendi ku ndodhet Selia e Shenjtë, i akordon çmimin « Balzan» për paqe e vëllazërim midis popujve.

Kanadaja e ka nderuar Nënë Terezën me titullin «Dhurata e Paqes», ndërsa Bashkimi Sovjetik i ka akorduar « Medaljen e Artë të Paqes».  Nënë Tereza është dekoruar me çmimin e UNESKO-s me medaljen «Ceres» për mirëkuptim dhe paqe dhe nga Organizata Botërore e Ushqimit FAO.

Shteti i Venezuelës i ka dhënë mirënjohjen «Urdhëri i Çlirimtarit » dhe Filipinet e kanë nderuar me çmimin më të lartë të shtetit « Magsaysay ».

India dhe Suedia kanë nxjerrë pulla postare me portretin e Nënë Terezës, ndërsa Hollanda e ka pagëzuar me lulen kombëtare të hollandezëve, me Tulipanin.

Vatikani e ka nderuar me çmimet «Papa Jean XXIII» dhe «Procelesia ec Ponfice».

Por çmimi më i madh tokësor është Çmimi Nobel. Me 16 tetor 1979 i akordohet medalja e artë e çmimit «Nobel për Paqen» dhënë nga Mbreti Olef V i Norvegjisë, në prani të 800 të ftuarve.

Në shqipëri është krijuar Urdhëri «Nënë Tereza», me të cilin janë dekoruar mjaft personalitete botërore si ish Presidenti amerikan Bill Klinton, gjenerali i NATO-s Ueslli Klark, Hillari Klinton etj. Nga Shqipëria Nënë Tereza është dekoruar me çmimin «Nderi i Kombit» dhe «Urdhëri i Klasit I». Me emrin e shenjtores është emëruar aeroporti i Rinasit, Qendra Spitalore Univesitare dhe sheshi para Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Në sheshin e Universitetit ngrihet përmendorja e saj.

Edhe në Kosovë janë ngritur tre përmendore të Nënë Terezës: Prishtinë, Gjakovë dhe Novoselë të Epërme. Në vitin 1990, ajo është shpallur Anëtare Nderi e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Por le të ndalemi se si e kanë vlerësuar personalitetet më në zë të Botës.

Papa Pavli VI e quajti Nënë Terezën: «Lajmëtare dhe guximtare e dashurisë së Krishtit », ndërsa Papa pavli II e quajti: «Frymëzuese për përparim njerëzor e shoqëror».

Presidenti Regan e quan: «Heroina e shekullit», ndërsa Presidenti Gandi ka thënë: «Të njohësh Nënë Terezën do të thotë të kuptosh për urësinë absolute, të jetosh në fuqinë, butësinë dhe forcën e dashurisë njerëzore».

Ish sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Peres De Kuelar e quajti Nënë Terezën: «Gruaja më e fuqishme e Botës. Ajo është paqja në Botë».

Presidenti i Indisë e cilëson: «Njeri me shpirt të lirë, që ka kapërcyer të gjitha pengesat që vijnë prej racës, religjionit dhe kombësisë. Nënë Tereza sjell një shpresë të re për të ardhmen e njerëzimit».

Prof. John Santes, kryetar i Komitetit Norvegjez të çmimit Nobel për paqe e cilëson: «Nënë Tereza me cilësi të jashtëzakonshme është njeri i shenjtë».

Shqiptarja Nënë Tereza ishte arkitekja shpirtëore që ndërtoi urën në mes të të varfërit dhe të të pasurit. Ajo me fjalën dhe veprën e saj eleminoi humnerën, duke  dhuruar mirësinë mes njerëzimit.

Për të ilustruar pak personalittein e saj, le të ndalemi në disa shprehje të shenjtores së gjallë Nënë terezës:

«Sëmundja më e keqe sot nuk është leproza, as tuberkulozi, por ndjesia e të qenit i padashur, i pa vlerësuar dhe i braktisur prej të tjerëve ».

« Bota ka shumë uri për dashuri »…

« Nga gjaku jam shqiptare. Nga shtëtësia Indiane. Nga feja murgeshë katolike. Pas thirrjes time unë i përkas botës. Me zemër i pëkas tërësisht zemrës së Jezusit ».

« Jeta është mundësi-Përfitoje

Jeta është e bukur-Adhuroje

Jeta është ëndërr-Realizoje

Jeta është sfidë-Sfidoje

Jeta është detyrë-Përmbushe

Jeta është lojë-Luaje

Jeta është e shtrenjtë-Ruaje

Jeta është pasuri-Mbaje

Jeta është Dashuri-Dashuroje

Jeta është Mister-Zbuloje

Jeta është dhimbje-Përballoje

Jeta është këngë-Këndoje

Jeta është luftë-Pranoje

Jeta është tragjedi-Përballoje

Jeta është vuajtje-Kapëceje

Jeta është fat-Kërkoje

Jeta është aventurë-Guxoje

Jeta është e çmuar-Mos e shkatërro

Jeta është jetë-Lufto për të

Jeta është provë-Provo të jeshë Njeri

Jeta është shkollë-Mëso prej saj.

Me 5 shtator 1997, ditën e premte, Nënë Tereza u nda nga kjo jetë, për të vazhduar në jetën e gjatë. Trupi i saj u vendos në shtratin e topit, aty ku ishte shtrirë Gandi i vdekur dhe u shoqërua me mbi dy million njerëz, ndër të cilët dyqind kryetarë qeverishë e presidentë shtetesh nga gjithë Bota.

MË 19 Tetor 2003 u bë beatifikimi i Nënë Terezës, në prani të qindra personaliteteve të larta të botës dhe 150 kardinalëve, të 400 ipeshkvinjve dhe 500 misionarëve të bamirësisë.

Papa Gjon Pali, në ceremoni tha: «Me autoritein tonë Apostolik pranojmë që e adhuruara, Sherbetorja e Zotit, Tereza e Kalkutës, tash do të quhet e beatifikuar ».

Këto ditë, bija shqiptare, nëna e Botës së madhe, Gonxhe Bojaxhiu, në sheshin e Shën Pjetrit të Selisë së Shenjtë shenjtërohet, duke ju rreshtuar bijve të racës shqiptare, shenjtorëve ilirë, profetë të Testamentit të Ri.

Nënë Tereza rreshtohet pranë : Shën Helenës, Shen Kostandinit, Shen Jeronimit, Shen Dardanit, Shen Lefterit, Shen Angjelines (motra e Gjergj Aranitit dhe e Donika Kastriotit), Shen Dhimitrit , Shen Xhakoni i Vlores, Shen Frani i Durrësit, Shen Gjergji i Janinës, Shën Kukuzeli i Durrësit, Shen Joani i Konicës, Shen Kristo kopështari i Përmetit, Shën Kristo nga Perveza, Shen Marini, Shen Nifoni i Sarandës, Shen Adami nga Durrësi, Shen Demetri nga Vlora, Shën Naumi i Ohrit e dhjetra shenjtorë të tjerë me origjinë shqiptare.

Shqipëria dhe shqiptarët, brenda dhe jashtë trojeve etnike, përveç krenarisë kanë dhe një përgjegjësi para bijës së tyre, Shenjtores Nënë tereza. Mesazhet e dritës që shenjtorja dërgon duhet të ndriçojnë çdo shqiptar e familje shqiptare. Politika në të katër shtetet shqiptare duhet të reflektojë para këshillave të Shenjtores, duke mos pranuar të quhet më nëna e vesit dhe mëkatit. Të pasurit që kurrë s’po ngopen duhet të ushqehen me dritën e saj. Ata duhet të hapin sytë dhe zemrën para të varfërve.

Të dobëtit, të cfiliturit, të grabiturit, të përloturit foleprishur, të uriturit shpirtplagosur, duhet të kenë dorën e ndihmës së shtetit dhe të shoqërisë. Për këtë jetoi, punoi, sakrifikoi dhe u shenjtërua Gonxhe Bojaxhi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora