E enjte, 14.11.2024, 06:42 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Një femër në krye të OKB?

E marte, 16.08.2016, 06:47 PM


NJË FEMËR PËR UDHËHEQSE TË KOMBEVE TË BASHKUARA?

Nga Frank Shkreli

Kjo është dëshira e Sekretarit të Përgjithshëm (të tanishëm) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Z. Ban Ki Moon, i cili përfundon mandatin e tij të dytë pesë-vjeçar më 31 dhjetor të këtij viti. Udhëheqsi i OKB-ës u shpreh gjatë një interviste javën që kaloi në Kaliforni se do të dëshironte që – për herë të parë në historinë mbi 70-vjeçare të OKB-së -- vendet anëtare të organizatës botërore të zgjedhnin një grua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet fushata elektorale për president për zgjedhjet e nëntorit, në të cilat njëri prej dy kandidatëve kryesorë, për herë të parë në historinë e këtij vendi është një grua, Hillary Clinton, e cila duket se dita ditës po i përmirëson mundësitë për një fitore ndaj kundështarit të saj republikan Donald Trump -- edhe OKB-ja po zhvillon një fushatë prapa skene dhe publike, siç lë të kuptohet edhe deklarata e Ban Ki Moon, në përpjekje për të zgjedhur një femër në krye të organizatës botërore.

Vendimi për këtë nuk i përket ta marrë Ban Ki Moon-i por 15-vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-ës të cilat në fund të këtij viti do të zgjedhin kandidatin e tyre për t’ia rekomanduar 193-vendeve anëtare të Asambalesë së Përgjithshme për aprovim.  Gjatë një takimi me deputetin republikan dhe kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për punët e jashtme, Z. Ed Royce, Z. Ban Ki Moon citohet nga agjencia e lajmeve AP të ketë thënë se femërat përbëjnë gjysmën e popullësisë botërore dhe si të tilla, ato duhet të gëzojnë të mundësi të barabarta me meshkujt.  Ai ka shtuar se, “Kemi shumë femra e gra udhëheqse të dalluara në qeveritë e vendeve anëtare, ose në organizata të ndryshme, madje edhe në komunitetin e biznesit, komunitete politike dhe në pjesëmarrëse në çdo aspekt të jetës njerëzore.”  Si rrjedhim shtoi ai, nuk ka asnjë arsye që Kombet e Bashkuara të mos marrin në konsiderim kandidate femra për tu emëruar në detyrën më të lartë të organizatës botërore.

Këtë vit, për herë të parë në historinë e Kombeve të Bashkuara, Asamblea e Përgjithshme ka mbajtur dhe do mbajë deri në fund të vitit debate publike me kandidatët e interesuar në postin më të lartë diplomatik botëror.  Në këtë proces transparent, si asnjë herë më parë, kandidatët paraqesin idetë dhe objektivat e tyre para përfaqsuesve të 193-vendeve anëtare të OKB-ës dhe u përgjigen pyetjeve nga indidvidë dhe organizata të shoqërisë civile nga mbarë bota.  Siç dihet, në të kaluarën, zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara bëhej me dyerë të mbyllura dhe në fund vendosej me kompromis nga fuqitë e mëdha në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj emri I kandidatit i paraqitej Asamblesë së Përgjithshme për votim.  Historikisht, emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ishte një kompromis gjeopolitik midis palëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-ës.

Por këtë vit shpresohet që procesi i zgjedhjes së kandidatit për të zevëndësuar Ban Ki Moon-in në krye të organizatës botërore, të jetë më transparent dhe më gjithë-përfshirës.  Sipas një sondazhi, edhe nëpunësit  dhe burokracia e OKB-së dëshirojnë një proces transparent në zgjedhjen e liderit të tyre, gjë që përveç tjerash, shton edhe presionin ndaj  vendeve anëtare të organizatës botërore për një konsiderim serioz të kandidateve femëra.

Megjithë vullnetin e mirë në OKB për një transparencë më të madhe këtë vit, në krahasim me të kaluarën, në procesin e zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, gazeta britanike the Guardian shkruan, se më në fund dhe pas të gjitha debateve, pyetjeve e përgjigjeve, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës prap se prap është ai që do të vendosë për kandidatin/ten të cilin do ia paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për votim. Gazeta citon Sam Daws, një ekspert për Kombet e Bashkuara pranë universitetit Oxford të jetë shprehur se, “Janë anëtarët kryesorë dhe permamentë të Këshillit të Sigurimit, ata të cilët do të luajnë gjithnjë rolin vendimtar në emërimin e kandidatit me të cilin ata presin që të punojnë së bashku pa ndonjë problem të madh.”  Por, ai shton se si pjesë e këtij procesi më transparent se në të kaluarën, pritet që në mos asgjë tjetër, kandidati kryesor të pakën të jetë më i aftë në fushën e negocitave politike, në drejtimin e një organizate aq të madhe dhe të tregojë aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive nepërmjet medias globale, në krahasim me kandidatët e tjerë.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u shpreh për agjencinë e lajmeve AP se ndonëse nuk është në dorë të tij për të zgjedhur sekretarin e ardhëshëm të OKB-së, pasi kjo është e drejtë e Këshillit të të Sigurimit për t’ia rekomanduar  kandidatin Asamblesë së Përgjithshme për aprovim, ai mendon se kandidati ose kandidatja për këtë detyrë të lartë, duhet të ketë, “një vizion të qartë për të ardhmen e botës”, si dhe të posedojë “integritet dhe angazhim” për përparim drejtë paqës, promovimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut” anë e mbanë botës dhe që  njëkohsisht kandidati të jetë i aftë ose e aftë të artikulojë rëndësinë dhe të mbrojë dinjitetin njerëzor pa dallim.   Ban Ki Moon u shpreh gjithashtu se pasardhësi/ja e tij të ketë aftësi që të merret – nepërmjet dialogut gjithëpërfshirës dhe një politike elastike -- me probleme botërore të cilat në sipërfaqe mund të duken të pazgjidhëshme.

Zgjedhja e një femre në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të dërgonte një simbol të fuqishëm anë e mbanë botës, një bote ku sot shkelja e të drejtave të grave dhe vajzave si dhe përdorimi i dhunës kundër tyre – në familje dhe jashtë familjes -- konsiderohen si dhuna më brutale e të drejtave të njeriut, pasi siç ka thënë Hillary Clinton, të drejtat e njeriut janë gjithashtu edhe të drejta e grave. (Human rights are women’s rights).   Ndoshta edhe në Kombet e Bashkuara ka ardhur koha për ndryshim në favor të barazisë midis burrave dhe grave edhe në nivelet më të larta të diplomacisë botërore.  Anë e mbanë botës, patjetër duhet të ketë femëra të dalluara dhe të afta për të shërbyer në postin diplomatik numër një në botë, si Sekretare  Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.  Por mbetet për tu pa nëse në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë histori duke zgjedhur një grua presidente në personin e Hillary Clinton dhe nëse edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara do të zgjedhë një femër për të udhëhequr organizatën botërore, gjithashtu për herë të parë në historinë e saj mbi 70-vjeçare.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora