Kulturë
Vahit Nasufi: Shqiptarët në Turqi
E diele, 14.08.2016, 11:45 AM
Vahit Nasufi
SHQIPTARËT NË TURQI
Një plagë e vjetër që s`shërohet,
Kurrë nga mendja s`më largohet,
Plagë e vjetër me t`vërtetë,
Vrragë n`zemër më ka mbetë!
Për shpërnguljen e shqiptarëve,
Që lanë trojet e të parëve,
Për jetë më t`mirë n`Turqi shkuan,
Nga vendlindja u larguan!
Shitën tokat dhe bagëtitë,
Për pak t`holla shitën shtëpitë,
Nënë e bijë, babë e bir,
I thanë - Atëdheut lamtumirë!
Ata vetë siç kanë treguar,
Në Turqi kur kanë shkuar,
Shtëpi prej balte kanë ndërtuar,
Dhe me kashtë i kanë mbuluar!...
M`shkuan dajë e mixhallarë,
Për të cilët malli m`ka marrë,
Morra rrugën n`Turqi shkova,
Ren me ren i vizitova.
Për vendlindje të përmalluar,
Ishin plakë dhe asimiluar,
Mirë se erdhe askush s`më tha -
Por, hajde bujrum dhe merhaba!
Me shami n`kry një vajzë e re,
E pyeta emrin si e ke?
Xhejlane emrin tha - unë e kam,
Vllau im quhet Hakan!
Pa e pyetë fare m`ka tregua,
Se për një turk ishte fejua,
E kishte burrin n`fotografi,
Cigaren n`gojë, vetë korb i zi.
I bëjnë dasmat me flamur,
Por, shqiponja s`valonë kurrë,
Kënga shqipe atje s`dëgjohet,
Në shkollë shqip atje s`mësohet!...
Në asnjë vend të Turqisë,
S`dëgjohet zëri i çiftelisë,
Veshjet tona kombëtare,
Ashtu si vallet s`përdoren fare!...
Në vendlindje vijnë shpeshherë,
Puthin tokën nga dy - tri herë!
Pikonë loti nuk donë të ndalet,
Zemra e djegur s`mund të çmallet!...
Shkojnë te shtëpia ku kanë lindur,
Se kanë gabuar tani janë bindur,
Shkojnë te arat ku kanë prashitë,
Te livadhet ku kanë kositë!...
Shkojnë te mulliri ku kanë bluar,
Dhe te shkolla ku shqip kanë mësuar,
Shkojnë te kroi ku kanë mbushë ujë,
N`ë vendin tonë thonë - jemi të hujë!
Kur vjenë koha të këthehen n`Turqi,
U rrjedhin lotët porsi shi,
Ngadalë përpara duke shkuar,
Me sy prapa duke shiquar.
Qoftë n`Stamboll apo n`Izmir,
Si n`vend tënd nuk ka më mirë,
N`çdo vend tjetër, as n`Ankara,
Si vendlindja n`botë nuk ka!