E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Majlinda

E merkure, 10.08.2016, 08:30 PM


Majlinda

Nga Elvi Sidheri

Të lindësh në muajin maj, zakonisht është fat; sidomos në rajone ku dimri është pakëz më i ashpër, bora më jetëgjatë, acari tepër i pranishëm, dhe ku vera pritet zakonisht si ujët e pakët.

Njëlloj si në Pejën e bukur buzë alpeve, Drinit dhe mahnitjeve të panumërta natyrore të Rugovës dhe krejt bjeshkëve kosovare.

Kështu që, të shihje disa ditë më parë këtë bijë shqiptare të Kosovës, tek ngrinte në qiell medaljen e saj të artë olimpike, flamurin e vendit të vet, krenarinë e një populli të tërë, dhe entuziazmin gjithëshqiptar, nuk përbënte në fakt ndonjë habi të theksuar.

Majlinda Kelmendi dukej prej kohësh si një vashë e predestinuar për t’u bërë e madhe, për të hyrë me të drejta të plota në panteonin e miteve të sportit shqiptar, dhe padyshim në majën e podiumit të vlerave dhe arritjeve sportive të vendit të saj të ri në moshë (si ajo vetë, fundja), por tepër të moçëm në përpjekjet dhe flijimin e vet për liri.

Kosova pra, qysh pak ditë më parë, mund t’i gëzohet kampiones së saj, vashës që diti të prijë me simbolet e shtetit të pavarur kosovar, në Rio, duke e bërë atdheun e saj, pjesë të lavdisë olimpike, duke e fokusuar vëmendjen e krejt universit mediatik botëror, për një mbrëmje, në këtë vend të vogël me shumë probleme dhe proces të gjatë dhe të ndërlikuar shtetformimi, me një luftë pas shpatullave dhe shumë plagë ende të hapura, por njëkohësisht edhe me një popull, një rini dhe një shpirt ngaherë të paepur, siç Majlinda dëshmoi ngadhënjyeshëm në këtë Olimpiadë 2016.

Kjo vashë kosovare, me ngulmimin e saj, forcën fizike dhe mendore, me dëshirën e pathyeshme, me vullnetin dhe shpirtin e sakrificës, u tregoi bashkëvendasve të saj, por edhe gjithë shqiptarëve, sesi triumfohet faqe gjithë botës, duke u përqendruar te objektivi madhor, pa shkarje vëmendje, pa huti të panevojshme, apo polemika të zbrazëta.

Ky është një leksion që të tërëve na takon, nëse jemi mjaftueshëm të mençur sa për të ditur ta nuhasim atë siç duhet, ta përvetësojmë dhe ta mbajmë paskëtaj në mendje:

Shqiptari, brendapërbrenda kushteve dhe situatave të caktuara, kur di t’i vendosë vetes objektiva të epërm, që ngërthejnë në vetvete arritje gjer në atë moment krejt të papërfytyrueshme; pas një përkushtimi dhe përcaktimi të qartë të synimit final, jo rrallë ngadhënjen.

Nuk ka rëndësi nëse quhesh Majlinda sportistja, apo ndoshta Dasareta, vajza normale e hijshme shqiptare, shpirti shqiptar triumfon.

Mjafton që të mos përhumbemi nëpër ujërat e baltovinës dhe kënetës së zakonshme të pamungueshme prapanike, ku mendësia jonë ende tepër vetë-rrënuese, na mbyt herë pas here pashmangshmërisht.

Majlinda është një profesioniste e mirëfilltë para së gjithash.

Një sportiste në të gjitha këndvështrimet, e fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të vetvetes si njeri dhe si xhudiste, përherë në kërkim të së përkryerës pra, ashtu si çdo sportist tjetër elitar në botë, në çdo disiplinë sportive qoftë.

Ky dhe vetëm ky, është çelësi dhe sekreti i vërtetë i suksesit të saj të jashtëzakonshëm.

I gjithë sporti shqiptar nevojitet të marrë shembull prej saj, si në Kosovë, por edhe në Shqipëri veçanërisht.

Dy shtete relativisht të vogla si ne, do të duhej pikërisht që falë shembullit të suksesit të Majlindës, të projektonin pritshmëritë dhe planifikimin e tyre të ardhshëm sportiv, duke u përqendruar kryesisht te disiplinat individuale ku gëzojmë një traditë të vlerësueshme (peshëngritja për shembull, në Shqipëri) dhe synuar rezultate prestigji pikërisht përmes këtyre sporteve, duke krijuar një vazhdimësi suksesesh që do të krijonte një zinxhir të tërë trajnerësh, metodash dhe sportistësh, që do të na bënin pjesë të zhvillimeve sportive botërore, pa munguar ndonjëherë edhe copëza jonë e suksesit në to, ashtu siç ndodhi mrekulllisht në këtë Olimpiadë me Kosovën.

Suksesi nuk bie nga qielli, aq më pak talenti dhe medaljet.

Gjithçka vjen me profesionalizëm, ambient të shëndoshë sportiv, trajnerë dhe lojtarë të zotët që janë gati të japin 100% të vetvetes për suksesin, dhe padyshim edhe një mbështetje të gjithanshme të autoriteteve përkatëse shtetërore përgjegjëse për mbarëvajtjen e sportit në vend.

Dhe në këtë rast, i tërë ingranazhi që shpie gjer të një sukses me jehonë botërore sportive si ky i Majlindës, rezulton të ketë funksionuar në mënyrë të përkryer.

Zinxhiri “Sportiste e talentuar-trajner-federatë-shtet”, ka qenë krejtësisht në lartësinë e sfidës, dhe medalja e artë në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një Olimpiadë, shërben si dëshmi e mjaftueshme për këtë përfundim logjik.

Le të mësojmë nga ky sukses, dhe në të ardhmen, padyshim që shqiptarët qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, do të gëzojmë dhe ngazëllehemi jo pak nëpër Olimpiada apo kampionate botërore e europiane në disiplina të ndryshme sportive.

Nuk jemi aq të vegjël sa për të hequr dorë “a priori” nga gjëmimi i suksesit në sport.

Xhamajka dhe dominimi i përfaqësuesvetë këtij ishulli në Mbretëreshën e Sporteve, na mëson fundja.

Nevojiten objektiva të nivelit të epërm, për rezultate të njëfarë vlerësueshmërie.

Ishte një verë magjike sportive për gjithë shqiptarët, nga lavdia e Kombëtares gjithëshqiptare në EURO 2016, te shpirti i papërkulur i Partizanit në Champions dhe Europa League, ku njëkohësisht po shkëlqen edhe skuadra shqiptare e Shkëndisë së Tetovës.

Medalja e artë e Kosovës në Rio 2016 i vë kapakun një vere triumfale shqiptare në sport, në mënyrën më të bukur të imagjinueshme.

Le ta shijojmë të gjithë këtë valë entuziazmi dhe të presim përherë më tepër nga vetja.

Një Majlinda Kelmendi në xhudo, një Armando Sadiku në futboll, janë frymëzime të mjaftueshme për ne.

Nëse nuk synojmë qiellin, kurrë nuk do të shohim yjet!

Yje si Majlinda Kelmendi.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora