Kulturë
Tefik Selimi: Një vepër me dabate të nxehta
E marte, 09.08.2016, 06:16 PM
Një vepër me dabate të “nxehta” mbi të vërtetën historike të çështjes sonë kombëtare…
(Sabri Maxhuni – Novosella: Vepra “Marrëveshja”, botim i dytë i plotësuar)
Shkruan Tefik Selimi
Në fillim nuk e patëm lehtë t’ia hyja kësaj teme, e cila si temë është jo vetëm e gjerë, por edhe “shqetësuese” e interesante për të gjithë ne. Është temë që na “prek” dhimbshëm pjesën tonë. Dhe, ajo që dhemb, si ka shtuar A. Podrimja, poet i ndjerë, është jona. Edhe kjo temë e trajtuar dhe e interpretuar, është jona. Por, vullneti na shtyri që t’i rrekem kësaj teme me të vetmin qëllim që të ndriçohet sado pak e vërteta e prekur nga eseistët dhe publicistët tanë të çmuar. Pse jo? Është fjala për veprën “Marrëveshja” të Sabri Maxhunit – Novosella, e cila vepër më ka lënë përshtypje të veçantë, për faktin se, në vete ngërthen materje interesante dhe shumë joshëse për lexuesin e gjerë. Nuk kemi të bëjmë me një autor të “lehtë” apo si thonë, autor periferik, por kemi të bëjmë me një autor eseist të “pjekur” që në gjak e ka ndriçimin e çështjes madhore shqiptare, e cila “çështje”, edhe sot e kësaj dite ka mbetur “pezull” tek disa historianë e publicistë.
Kësaj “teme” me kohë i është qasur eseisti i filozofisë së çështjes sonë kombëtare, z. Sabrti Maxhuni – Novosella. Ky autor, edhe me aq shkollim, sa posedon, përkundrazi, ai po tregon se është njohësi më i mirë i realitetit të një kohe të hershme e të vonshme të historisë së çështjes shqiptare, në përgjithësi. Këtu, në librin e tij “Marrëveshja”, pothuajse, e tërë lënda ngritet për debate të “nxehta” rreth librit të Ismail Kadaresë, “Mosmarrëveshja”. Këtu, strumbullar i temës së veprës së autorit është përpjekja për marrëveshje, ku, shqiptarët si etnitet, përherë ishin për marrëveshje dhe nuk i shkelën ato, ndërsa popujt fqinj, këto marrëveshje jo vetëm që nuk i përfillën, në fund të kësaj padrejtësie, zhvillimet e më vonshme rodhën me tmerre, masakra, gjenocid dhe me gjendje të rëndë në popullatën shqiptare.
Njohësja e mirë e kësaj çëshjte, z. Mr. Naile Demiri, publiciste, duke analizuar veprën në fjalë të Sabri M. Novosellës, ajo ngre shqetësimin e autorit duke thënë se ky shqetësim “është i zjarrtë, dhe pikërisht, përse bash i famshmi Kadare sot insiston në një marrëveshje me serbo-sllavët dhe grekët?”(f.11). Dihet fare mirë se nuk ka marrëveshje me serbo-sllavët dhe grekët e me disa të tjerë. Këto mosmarrveshje kanë ekzistuar edhe para shumë kohësh, por asnjëherë nuk kanë sjellë gjë të mirë për shqiptarët. Kjo gjë është e ditur nga të gjithë ne.
Po kështu, redaktori i librit Dëfrim Cani shton se, “ky libër është një sprovë e mirë dhe shumë intelegjente, të cilën autori Sabri Maxhuni – Novosella e afron si kontribut intelektual nga njëra anë dhe, si një çështje për të cilën duhet të ketë kontribute historio-grafike nga dija e historisë dhe e filozofisë, një kohësisht”(f.32). Në librin e autorit në fjalë gjejmë tema të përfolura, si bie fjala: Beteja e Kosovës (1389), Gjenerali Skënderbeu, Rrezistenca shqiptare, por këtu flitet edhe për Ali Pashë Tepelenën, Lidhjen e Prizrenit, Kuvendin e Taksimit, Fenomenin Baleta dhe Kadare, për Pajtimin e Edi Ramës me Fatos Nanon, të Sali Berishës me Abdi Baletës etj.
Vepra e Sabri Maxhuni – Novosella “Marrëveshja” na duket se ka një lloj premise të polemikës në mes personaliteteve publike, e cila polemikë prek dhe shoshit çështjen fundamentale të historisë dhe të marrëdhënieve të popujve ballkanik në rrjedhat e historisë së tyre. Autori i librit e shoshit mirë e mirë çëshjen e Betejës së Kosovës, e cila, edhe sot e kësaj dite “ngjarje” ka mbetur si e shenjtë për serbët?! (f.45). Dhe, do të ishte mirë të hulumtohet ky “fenomen” i marrëveshjes, sepse “gjërat” kanë mbetur pezull e s’kanë shkuar gjer në fund. Pra, edhe më shumë do të duhej të shkruhej e të bëhen studime analitike e serioze në këtë drejtim. Sabri Maxhuni – Novosella, në librin e tij është sa qortues, reagues, aq është edhe polemizues dhe këmbëngulës në këto “pika” të këtyre marrëveshjeve që janë bërë me hile, të cilat jo vetëm që i ka të ditura e të njohura, por, në esencë edhe është në qendër të njohjeve të tyre si publicist e eseist. Këtu në qendër të vëmendjes e ka shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadarenë, por në vazhdën e këtyre shkrimeve, autori e “prek” edhe H. Hysenin e të tjerë, të cilët, në një formë a tjetër, dëshiron t’i bindë se populli shqiptar, nga padrejtësitë që i janë bërë atij nëpër shekuj, ka pësuar shumë në njerëz nga regjimet e egra sllavo-greke etj.
Libri i Sabri M. Novosellës lehtë lexohet, por edhe “lehtë” interpretohet. Autori në fjalë e ka jo si “vështirë” ta ndriçojë këtë temë, temën e marrëveshjes, për faktin se është zë i madh i njohjes së kësaj fushe të dijes. Dihet se, kurrë populli ynë nuk është vetëdijësuar e i mbushur mend. Nga ky elaborim vijmë në përfundim se, edhe ato marrëveshje që janë bërë, nuk janë marrëveshje reale, të cilat, edhe sot e kësaj dite, ato kanë mbetur vetëm në letër, e jo të realizuara në praktikë. Prandaj, lirisht mund të shtojmë se, në asnjë periudhë nuk ka pasur marrëveshje të sinqertë e të zbatueshme. Këto marrëveshje përherë kanë prodhuar tragjedi e gjak- derdhje në popull. Nuk ka libra nga fusha e historisë që nuk i ka përshkruar gjak-derdhjet e shqiptarëve. Këtë “dukuri” me kohë e me vend e ka prekur autori i librit, i cili çështjen në fjalë e ka ngritur debat në librat e tij publicistikë e polemizues.
Një është e qartë se, kurrë shqiptarët nuk kanë bërë luftë pushtuese, por gjithmonë kanë luftuar për të drejtën e tyre se kanë jetuar dem baba dem në trojet stërgjyshore. Prandaj, edhe autori i librit Sabri Maxhuni – Novosella ka shtuar me të drejtë se, “të gjithë luftërat e tyre (të shqiptarëve) kanë qenë çlirimtare, pasi është një rast i rrallë dhe unikat në botë” – vetëm shqitparët nuk kanë bërë në jetën e tyre luftëra pushtuese dhe luftëra barbarizuese”(f.52). Prandaj, këto luftëra janë lidhur “me një fakt të pazëvendësueshëm me asnjë mjet dhe mekanizëm tjetër, - lidhet me pakte me marrëveshje të favorshme, të cilat prodhojnë fuqi, unitet, mbështetje dhe drejtësi”, ka shtuar D. Cani, (f.52).
Po i kthehemi përsëri qortimeve të Ismail Kadaresë, i cili në librin e tij “Mosmarrëveshja” i ka qortuar shqiptarët pse nuk kanë bërë marrëveshje me fqinjët sllavo-grek etj. Përgjigjen pse shqiptarët nuk kanë bërë marrëveshje ndërshqiptare, Sabri M. Novosella e jep me faktin se, “në shumë raste janë bërë marrëveshje të tilla, por fqinjët sllavo-grek, të cilët kanë ndikuar, që ato marrëveshje të shkatërrohen” (f.71). Autori ose eseisti i filozofisë së çështjes sonë kombëtare, z. S. Maxhuni – Novosella ka shtuar se, “mua vazhdimish më ka përcjellë dilema, - a jemi popull me fat apo jemi populi i pafat!? Andaj, shton autori – “ Në këtë dilemë shpesh kam ardhur në përfundim se jemi popull pa fat” dhe si shton ai, - këtyre dilemave të autorit i kanë dalë përpara shumë argumente, se populli shqiptar është “popull më i vjetër i Ballkanit, ky popull ka pasur kushte më të mira për ekzistencë fizike dhe jetese”, ky popull me kohë e ka siguruar ushqimin nga tokat e veta dhe, si shton ai, asnjëherë ky popull nuk ka qenë kanibal. Siç dihet, Ilirët, të parët e popullit shqiptar, asnjëherë nuk kanë përdorur kanibalizmin për ushqim.
Përsëri po dalim te vepra e Kadaresë “Mosmarrëveshja”, e cila vepër ka nxitur debat jo vetëm për autorin e librin në fjalë, por ka nxitur edhe polemika të tjera të kësaj natyre. Pra, Kadare, marrëveshjet i ka interpretuar si “mosmarrëveshje”! Duke i mohuar ato, zanafillen e tyre që e kanë në kohërat e e pushtimeve romake të territoreve ilire”(f.78). Zbritja e fiseve sllave nga malet e Karpatevde në tokat e ilirëve, jo si pushtues me fushata ushtarake, siç bënin romakët, por me grabitje për planc për bukë, drejt bukës, si lypsarë. Por, ngjau e kundërta. Ata, duke zbritur e hyrë në tokat ilire, u bën të urtë, bën politikë servilizmi e nënshkrimi dhe zënë vend në të gjitha viset ilire, që nga Deti i Zi e deri në Ilirska Bistrica e sotme. Me fjalë të tjera, huazuan doket, zakonet, ritet e vendasve. Më vonë, si shton autori i librit, “pranuan edhe fenë e vendasve, jo për t’i shërbyer fesë, por për t’u shërbyer me te”(f.80).
Ky servilizim u keqkuptua. Ilirët (shqiptarët) e konsideronin vetën autokton dhe jetonin në tokat e veta, por, të tjerët, ardhacakët e Karpateve shtrinë pushtetin, aty ku erdhën. Kështu filloi miti i rrejshëm për qëndresën e tyre.Tash lindi përçarja në mes ardhacakëve dhe ilirëve vendas. Ardhacakët ishin pengesë, sepse kërkonin zhdukjen e ilirëve nga faqja e dheut. Kështu, territoret shqiptare vazhdimisht tkurreshin, ndërsa sllavët ardhacakë me barbari dhe me egërsi zgjeroheshin me territore duke vra njerëz e me forma më brutale ndaj popullatës autoktone shqiptare.
Beteja e Kosovës e vitit 1389 është një temë më vete, ku autori e elaboron në mënyrën më të mirë të tij si publicist dhe historian. Janë dhënë shumë argumente e të dhëna për këtë ngjarje të kohës së lartshënuar, ku edhe sot e kësaj dite, serbët e kremtojnë humbjen e tyre. Mandej në vepër e kemi edhe figurën e Skenderbeut, i cili, sipas autorit, ai e njihte mirë Ballkanin para se ai të kthehej në atdhe, Shqipëri. Ky hero legjendar i shqiptarëve, “serbëve fqinj u afronte marrëveshje, mirëkuptimi e bashkëpunimi, ndërsa serbët përgaditnin plane, projekte e kurthe për zhdukjen e popullit shqiptar nga Ballkani” (f.93). Për sllavët, shqiptarët e mirë ishin vetëm shqitari i vdekur! Këto projekte fashiste u përsëritën gjer vonë tek shqiptarët. Për ta, shqiptari i mirë duhet të jetë i dëgjueshëm, shqiptari lojal, shqiptari i urtë, i ndershëm etj.
Autori, Sabri M. Novosella nuk është treguar aq i “rreptë” ndaj Ismajl Kadaresë, sepse e ka kuptuar natyrën e tij prej shkrimtari që ka emër dhe është i respektuar nga lexuesi ynë i gjerë. Por, ai shton se, “Kadare donë marrëveshje m’u pse është humanist dhe ia don të mirën popullit të vet po edhe popujve fqinj, qoftë serb, qoftë grek etj. Përgjithësisht, ia don të mirën gjithë njerëzimit”(f.95). E autori shton se, serbët e dinë (marrëveshjen), por nuk e duan marrëveshjen, pasi që, sipas tyre, marrëveshja e shpëton popullin shqitar nga zhdukja totale” (95). Autori është në anën e fuqisë së sakrificës, sepse, pa sakrifikuar, nuk arritet ajo që kërkohet. Duhet ta dijmë se, fqinjët e shqiptarëve asnjëherë nuk kanë pasur të përbashkët me Ilirinë. Me Ilirinë të përbashkët e kanë pasur shqiptarët, sepse kishin emrat, vendbanimet, varrezat, racën ilire, hartat etj.
I kthehemi përsëri marrveshjeve. Marrëveshjet mbetën për marrëveshje, e asnjherë nuk përfunduan me marrëveshje. Sabri Maxhuni – Novosella shton se, “pas çdo beteje, vinin marrëveshjet. Erdhi marrëveshja e Shën Stefanit. Më këtë marrëveshje, faktikisht merr fund sundimi i Perandorisë Osmane në Ballkan. Shqiptarët asnjëherë nuk i patën shkelur marrëveshjet, ndërsa fqinjët gjithnjë iu bishtëruan atyre marrëveshtjeve”(f.164).
Në fund të këtij libri, Sabri Maxhuni – Novosella i drejtohet z. Ismail Kadaresë, i cili edhe qe nxitësi i hartimit të veprë në fjalë, ku pos tjerash, shton: “Ismail Kadareja ynë i madh, si poet që është, flet më zemër. Të gjitha këto që ia thashë dhe që nuk arrita t’ia them për marrëveshjet me popujt fqinj, Kadare i dinë më mirë se unë, por ai flet me zemër, sepse është poet. Edhe pse shkeljeve të të gjitha këtyre marrëveshjeve të popullit shqitar me popujt fqinj, duke filluar që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme, me masakra e tmerre të panumërta, që bënin mbi popullin shqiptar, prapë se prapë Kadareja ynë i kërkon marrëveshje, duke thënë se janë shqiptarët ata që nuk kanë bërë mjaft për arritjen e marrëveshjeve me popujt fqinj ballanas!”(f.175). Ka të drejtë z. Maxhuni sepse, një popull kur gjykohet me zemër, pasojat janë fatale. Pra, autori kërkon të drejtë dhe zgjidhje të njëjtë për dy palë. Tingëllojnë thekshëm e bukur vargjet e At Gjergj Fishtës: “Me çdo kënd miq e shokë/ Por çdo kush në cak të vet”(f.182.).
Sipas Fishtës, nacionalist, populli shqiptar asgjë nuk kërkon më tëpër, të ishte në cak të vet, në tokë të vet, në atdhe të vet. Kadare i qorton shqiptarët përse nuk bëjnë marrëveshje me popujt fqinj. Dhe, sipas autorit të librit, “shqiptarët gjithnjë deshën marrveshje. Të bëhen marrëveshje, por çdo kush në cak të vet”(f.184). Në fund autori shton se, “I madhi Kadare e din mirë, ashtu siç e dinë të gjithë njerëzit e kësaj bote, se popujt që harrojnë të kaluarën e tyre, janë të rrezikuar të zhduken”(f.186). Autori shton se, hilet e Kadaresë janë të dukshme dhe me tendencë jo në të mirë të çështjes. “Nga njëra anë bën zhurmë të madhe se si populli shqiptar e ka vendin në Evropë, dhe, nga ana tjetër, na del se ata që gjatë historisë nuk kanë bërë marrëveshje me popujt fqinj, na qenkan fajtorë, se paskan bërë pengesa për t’u gjendur shqiptarët në Evropë. Kjo është hile në pikë të ditës. Në këtë libër fllitet për “tradhti\në e Kadaresë ndaj E. Hoxhës.
Më në fund, autorit në fjalë flet për grabitjen e tokave më të plleshme nga serbët. Pra, vendet më të mira na i mori shkau dhe, ajo që është më e rëndë është fakti se, na ndau vëllaun me vëllanë, thotë autori i librit. Sabri M. Novosella shton edhe këtë se, “Më e udhës do të ishtë që Kadare, me penën e tij gjeniale të na shkruante për këto të vërteta, të kërkonte marrëveshje “çdo kush në cak të vet”(f.242). Dhe si përfundim të këtij shkrimi: Vërtet, nuk thuhet kot së koti: “Mos qofsh në zor! Kjo ka qenë fatkeqësia më tronditëse dhe më e rëndë e popullit shqiptar në shekujt e tij të jetës.