E diele, 22.12.2024, 08:04 AM (GMT)

Kulturë

Zyba Hysa: Në ditën e lindjes së poetit

E enjte, 04.08.2016, 06:43 PM


NË DITËN E LINDJES SË POETIT

(Tregim: Frymëzuar nga jeta dhe vepra e Prof. Dr. Isuf Luzaj)

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Ishte kohë lufte, atëherë, kur dy forcat e mëdha politike shqiptare, të Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste, njëra e lidhur me pushtuesit aktualë, gjermanët, tjetra në krahun e serbëve, kur njëri pushtues "garantonte" bashkimin e Shqipërisë Etnike dhe tjetri premtonte një të ardhme "parajse", ishte ajo kohë, kur shumica e njerzve suleshin andej nga i ndillte mendja sipës mendjes së tyre “curre”, ku vetëm ata që kishin mbaruar universitetet europiane, e kuptonin se kombin s’mund ta bashkojë, apo t'i sjellë begati e zhvillim pushtuesi, apo armiku e tij shekullorë, siç ishin serbët.

Lufta s'të lë kohë të mendohesh, gjithsesi u bë e mundur një takim në Mukje me përfaqësues nga të gjitha forcat politike, për çudi, pa pjesmarrjen e të huajve dhe u vendos për të luftuar bashkërisht e pas çlirimit të bëheshin zgjedhje të lira dhe demokratike...

Kishin kaluar tri ditë nga përfundimi i punimeve të konferencës së Mukjes dhe Sulua, korrieri i komunistëve, më në fund arriti në Vithkuq të Korçës. U ngjit një kodrine e ndaloi rrëzë pyllit, pranë shtëpisë, ku ishte strehuar Shtabi Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe trokiti në derë, nga ku doli një burrë i gjatë me pistoletë në dorë.

- Qënke ti, Sulo? Eja, futu mbrenda se shokët e shtabit sapo mbaruan një mbledhje të rëndësishme.

- Edhe unë kam një lajm të rëndësishëm, - foli ai gjithë ngazëllim, - dhe hyri duke përshëndetur me grushtin lart "Vdekje pushtuesit", por për çudi asnjë nuk ia ktheu përgjigjen, se kur ishin para partizanëve thoshin "Liri e Popullit!" e mbushej hapësira nga të thirrurat plot forcë e vendosmëri të partizanëve.

Si zakonisht, ishin të pranishëm edhe misionarët jugosllavë. Dushan Mugoshës dukej sikur i kishte ngecur fjala në grykë e s'priti më gjatë, por u drejtua korrierit:

- Pse u vonove kaq shumë? Kemi që dje që po të presim për të sjellë informacion...

- Për të mos u zgjatur me fjalë, udhëroni këtë komunikatë, e cila është shpërndarë në të gjithë vendin... Është lajmi më i mirë që kam sjellë gjer më sot!

- Lëri fjalët… s'ka mbetur të japësh vlerësime për gjërat që s'të përkasin ty...! - Tha me inatë të shprehur dhe rrëmbeu deklaratën nga duart e tij dhe u drejtua komandantit:

- Merre, shoku Shpati dhe grise! Çfarëdo që të jetë shkruar aty, është në kundërshtim me vijën tonë, me kauzën tonë...

- Kur ishte në kundërshtim, pse e lejuat të bëhej? - Ndërhyri njëri nga shokët e Shtabit.

- Këto mbledhje kanë më shumë rëndësi se betejat… - foli sërish ai duke i shkëlqyer sytë si dhelpër.

- Si ta kuptojmë këtë? - Pyeti prapë shoku i Shtabit.

- Se çfarë do të vendosej, unë e dija pa filluar mbledhja, se ajo që kërkojnë shqiptarët është e hershme, që në kohën e Skënderbeut dhe në çdo lidhje, kuvend, apo mbledhje, kjo gjë kërkohet e vendoset, por ajo që më interesonte mua, është të di se cilët janë ata persona që e kërkojnë këtë me këmbëngulje.

- Për çfarë të duhen personat? Në kohë lufte duhet bashkimi i forcave kundër pushtuesve…

- Ne s’kemi për qëllim të luftojmë pushtuesin, ai do të largohet një ditë që këtej, largimin e tyre e mundësojnë të tjerë, ka cili merret me gjermanin, qëllimi ynë është të eleminojmë që gjatë luftës ato koka që kërkojnë të marrin pushtetin. Po vrave kokat nacionaliste një populli, pushtimi dhe shfrytëzimi i tij bëhet vetëm duke treguar përralla, ashtu siç flasim edhe tani para popullit, por me shumë kujdes, se i kemi ende nëpër këmbë... Për herë të fundit e them: qëllimi ynë ka qënë dhe mbetet ekzekutimi i kokave të Ballit Kombëtar, por edhe nga krahu ynë, kushdo që s’është për kauzën tone! - Tha dhe i ra tavolinës me grusht, aq fort saqë të gjithë u drodhën e u shndërruan në statuja të bronxëta.

- Si urdhëron, shoku Dushan! - Foli i vendosur Shpati duke ngritur grushtin lart në shenjë nderimi.

- Fol, ti matuf, - u drejtua sërish korrierit, - cilët ishin ata që këmbëngulnin në bashkimin e forcave për të bashkuar Kombin?

- S’kam cilin të dalloj, edhe nga forcat tona, edhe nga Balli Kombëtar, edhe nga Legaliteti e të tjerë… aqsa ishin aty, qenë dakord për çka thuhet në komunikatë, - foli ai me zë të mekur duke drejtuar gishtin nga Shpati që ende e mbante në dorë pa e hapur.

- Mos më përmend komunikatë! Qelbanik! - U hakërrye ai. - Më thuaj emrat… emrat e atyre që folën dhe kërkuan bashkimin e Kombit dhe ti, shoku Shpati, grise atë letër dhe shkeli copat e saj me këmbë, ajo mbledhje kurrë s'është bërë e aq më pak të përmendet komunikatë. Jep urdhër të mos shpërndahet ndër forcat partizane!

- Si urdhëron, shoku Dushan! - Tha ai me grushtin lart në drejtqëndrim.

E ashtu në këmbë, grisi letren copa - copa, e hodhi për sheshi dhe filloi ta shkilte me këmbë sipas urdhërit.

- Kushdo që e kujton atë mbledhje, do t’i shtyp kokën me çizmet e mia dhe do ta var mbi degë peme për koqesh! - Foli ai egër.

Kudo mbretëroi heshtje, teksa ndjeheshin vetëm këmbët e Shpatit që ende shfrynte mbi coprat e letrave të shpërndara në tokë, gjer i dha urdhër Dushani të ndalonte.

- Ti, - u drejtua korrierit, - dil jashtë dhe shiko mos janë duke ardhur komunistët që morën pjesë në atë mbledhje e lajmëro.

Sapo doli korrieri, Dushani i ra përsëri me grusht tavolinës duke thënë:

- Jeni përzgjedhur si më të mirët që mund t'i shërbeni komunizmit, se komunizëm për ne, do të thotë, dominim i sllavizmit! Ndaj jeni përzgjedhur ju që mbartni në vena gjak të përzier sllav, boshnjak e kushdoqoftë tjetër, vetëm të pastër mos ta keni, se kështu jeni më afër antishqiptarizmit sesa me shqiptarët, nga kjo rracë që çfarë s'kemi bërë e nuk zhduket!  Të jemi të vendosur deri në fitoren tonë dhe ne fitojmë vetëm duke zhdukur të mençurit, patriotët me gjak të pastër shqiptar! Aqsa më shumë terror ndaj të pasurve, për të marrë floririn dhe pasuritë e tyre, aqsa më shumë vrasje e të mençurve, për të qorruar popullin, por çdo gjë duhet bërë me kujdes, të mos prishim imazhin dhe rëndësinë e luftës! Tani ka ardhur koha të dalim hapur kundër Ballit Kombëtar si bashkëpunëtor të pushtuesve e njëkohësisht me të njëjtën forcë të luftohen edhe patriotët që janë rreshtuar me ne, të shpallen tradhëtarë e të vriten duke i masakruar në sy të partizanëve.

Edhe në qeveri, disa prej tyre e pse janë rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar, janë shokët tanë, bile ata i japin informatat më të sakta dhe punojnë për kauzën tonë. Lufta s’bëhet në male, ajo bëhet në fshehtësi tryezave, krismat janë thjesht zhurma për të mos u dëgjuar fjalët e thëna fshehtësive.

Tani: Me luftë dhe të gatshëm për të arruitur qëllimet tona!

- Gjithmonë gati! - U dëgjua njëherësh thirrja e të gjithëve.

Kjo do jetë përgjithmonë motoja jonë, luftë pa kompromis ndaj të pasurve dhe të mençurve dhe mbrojtje popullit, se si do të fitojmë pa popullin? Ata do jenë skllevrit tanë për të marrë shumë e  më shumë të ardhura, për të ndërtuar jugosllavinë e madhe... - tha dhe u drejtua atij që bisedoi pak më parë:

- Ju shok, si pak u doli zëri, mos vallë ju jeni me gjak të pastër shqiptari? Le ta kuptojnë këta tjerët se njerëz të tillë s'kanë vend në Shtabin e Luftës, - tha duke nxjerrë pistoletën dhe e qëlloi në lule të ballit e më pas thirri fort: tradhëtarët kanë të gjithë këtë fat!

I vrari përpëlitej në gërhamat e fundit të jetës, por asnjëri nuk i afrohej. Gjaku kishte spërkatur tavolinën dhe letrat që ishin aty shkruan tradhëtinë e luftës me gjakun e dëshmorit të parë të Kombit.

Nga dhoma tjetër dolën të zotët e shtëpisë të shqetësuar, por roja që rrinte tek porta e jashtme ishte afruar dhe i ndaloi të dilnin duke i shtyrë të hynin mbrenda. Në atë çast u hap dera ku ishte Shtabi dhe u dëgjua zëri i Dushanit:

- Nxirri jashtë, se do futemi ne atje! Ata të merren me pastrimin e dhomës nga tradhtari i parë...

- Si urdhëron! - Foli ai me grushtin lart.

Dolën në dhomën tjetër dhe s'kaloi shumë dhe erdhi korrieri.

- Po vijnë shokët e Mukajt...

- Mos e përmend atë emër më, more qen! Herë tjetër do t’i hedh trutë në erë! - U hakërrye Dushani.

- Vdekje pushtuesit! - Përshëndetën me grushtin lart të 12 pjesmarrësit e mbledhjes Mukaj, por në vend të "Liri e Popullit", u dëgjua zëri i çakërdisur i Dushanit.

- U bënë për vete Ballistët more zagarë? Meritoni emrin tradhëtar! Ju shkuat dhe ratë pre e ballistëve...

- Ne shkuam dhe bëmë më të mirën për të bashkuar forcat në luftë kundër armikut, besoj se edhe ju këtë prisnit? - Foli me ton të vendosur...

- Nuk dua të di se çfarë u vendos, se nuk do zbatohet asgjë nga ato vendime, po dua të di cilët ishin ata që këmbëngulën për bashkimin e kombit më shumë se tjerët?

- Me thënë të drejtën, të gjithë mendonim që ta linim këtë gjë për një mbledhje tjetër, tani për tani të merremi me pushtuesit, por një Profesor nga Vlora, e ngriti me të madhe dhe sipas argumenteve që radhiste ai, u bindëm të gjithë që kjo luftë të kishte si qëllim shporrjen e pushtuesit dhe bashkimin e kombit njëherësh.

- Eeee, more shoku Shpati, e shikon shokun tend… vëllamin tënd? Ai ose duhet tërhequr në anën tonë, ose duhet diskreditohet dhe më pas të vritet si tradhëtar, po nga shokët e tij, nëse do ta vrasim ne, do kemi popullin kundra, populli duhet mbajtur me përralla…

- I kemi marrë masat shoku Dushan... Megjithë përpjekjet për ta kthyer në krahun tone, ai s'pranoi. I ofruam edhe poste të rëndësishme, por ai s’beson në komunizmin, është kokëshkëmb… edhe në qeverinë kuislinge i ofruan post të rëndësishëm, por edhe atë s’e pranoi, edhe shoku Tito është takuar me të dhe prapë s’pranoi të bëhet bashkëpunëtori ynë, ai kërkon bashkimin e kombit, ne kërkojmë pushtet... - tha ai, por kur vuri re hije dyshimi tek Dushani vazhdoi:

- Përmes shokut Kapo, i kemi koordinuar punët që ta diskretitojmë si fillim për ta shpallur armik, vetë krerët e Ballit Kombëtar dhe, kur shokët e tij të idealit të binden për këtë, do jenë ata që do e vrasin e ne jemi të fituar, ndryshe s'ka njeri ta mposhtë atë, "Ai është një Skënderbe për luftë dhe po aq orator si Skënderbeu...", më tha shoku Tito në një takim të posaçëm.

Me ndërhyrjen e shokut Kapo, kemi futur njerzit tanë deri në kryesinë e Ballit Kombëtar. Përherë të fortët janë rrëzuar nga miqtë. Por ai është shumë i zgjuar, edhe miqtë i zgjedh, se di t'i dallojë, ndaj kemi punuar me zgjuarsi dhelpre. Njëri nga të rëndësishmit e Ballit Kombëtar, i cili ka edhe arkën e ballit, një avukat i mençur, i kemi siguruar për sekretar një nga Dukati i Vlorës, shqiptar me gjak të përzier, i shquar brez pas brezi për krime dhe dredhi, është porositur, kur t'i krijohet mundësia, të vjedhë florinjtë e të hapë fjalën që i mori Profesori, se sigurisht do të ndodhë në një kohë që ai të ketë qënë aty. Kështu një rrugë e 2 punë, edhe florinjtë i marrim, edhe Profesorin e diskreditojmë.

- Hahaaaaa, - kot nuk të pregatitëm gjithë këto vite ty, vërtet po bëhesh më i fortë se ne! - Shpërtheu Dushani me të qeshura histerike.

- Shoku Dushan, - ju nuk e njihni atë njeri, ai është trim i madh dhe mendjendritur, ndaj nuk është mirë që të mendojmë kështu… ai është patriot i madh! Ju shoku Shpati e njihni mirë... - u hodh e tha njëri nga të sapoardhurit.

- Do ishte mirë të kishe qënë në shfaqjen që u zhvillua pak më parë në dhomën tjetër, shoku... Po e kursej një plumb sot për ty, por mos harro, nëse s’do ndërrosh mendje, që tani do ta ruaj… - u hakërrye Dushani.

Biseda u pre si me thikë. Të gjithë heshtën.

Kishin më se 2 ditë që kishin shkuar në Orenjë të Librazhdit, për të pritur Shtabin e Përgjithshëm, por ende s'kishin marrë asnjë sinjal.

- S’po kuptoj, si vallë u vonuan kaq shumë? - Tha Profesori.

- Mbase u ka dalë ndonjë e papritur, luftë është, - ndërhyri shoku tjetër që ishte caktuar nga Balli Kombëtar për të lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit sipas vendimeve të Koferencës së Mukjes.

Pritën edhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, por asnjë sinjal, atëherë u ktheyen në Tiranë, ku morën vesh të vërtetën e hidhur, ku kjo marrëveshje s’do të zbatohej kurrë. Atëherë dilte për detyrë të sqarohej populli, në çdo krahinë, në çdo fshat, në çdo lagje… kokë më kokë, për bashkim dhe vëllazërim mes shqiptarësh. Të gjithë u shpërndanë në gjithë anët e Shqipërisë, ku Profesori krahas fshatrave të malësisë e deri në Kosovë, nga Jugu, sidomos në Vlorë.

Kudo i suksesshëm, kudo i pritur dhe përcjellë me duartrokitje dhe brohoritje dhe kështu shtoheshin radhët e luftëtarëve.

I gjendur në fshatin Llamatund të Vlorës, i gjithë populli brohoriti fjalët e Profesorit kur tha: "Bashkohuni me ne, se në radhët tona s’ka vajza dhe gra, siç bëjnë komunistët, lufta është për burra. Nderi i familjes mbrohet vetëm duke luftuar bashkërisht për liri dhe bashkim kombëtar e këtë luftë duhet ta udhëheqin burrat e këtij vendi, ashtu siç luftoi dhe Skënderbeu kudër turqve... Selam Musai kundër italianëve..."

Sekretari i avokatit, Dukaqoti, në kohën që bëheshin përgatitjet e mbledhjes së popullit, i vodhi florinjtë dhe i fshehu në një shpellë afër fshatit Mekat dhe në atë moment ishte aty dhe brohoriste më shumë se tjerët.

Një natë më parë kishin fjetur në një familje patriote dhe nën "kujdesin" e sekretarit të avokatit, Profesorin e lanë të flinte në dhomën ku ishte dhe arka e parave. Kur u kthyen pas mitingut, shkuan të hapnin arkën për të dhënë para çetave, por e gjetën bosh. Filluan të grinden mes Avokatit dhe Profesorit dhe shkoi deri aty, aqsa për pak u vranë, po të mos kishin ndërhyrë disa tjerë.

Me të drejtë Avokati shkoi dhe ankoi për Profesorin, por drejtuesi fisnik i Frashëllinjve, që nuk e konceptonte dot këto fjalë si të vërteta, u mjaftuan vetëm me kaq: "Nuk kemi kohë për të bërë gjyqe tani, të mbarojë lufta, më pas merremi me këto punë! Vërtet nuk u bë gjyq, por "dashamirësi" dukaqot e përhapi vend më vend këtë turp dhe bashkëpunimi i dy më të ndriturve të zonës së Vlorës u prish dhe s'kaloi shumë e Dukaqoti fshehtas ia dorëzoi florinjtë Kapos së Vlorës dhe vazhdoi misionin e tij si sekretar i Avokatit, por nga frika se një ditë mund të dilte e vërteta, u planifikua vrasja e Avukatit dhe u organizua arrestimi i tij, ku për çudi iu gjet një foto e misionarëve anglo - amerikanë, si duket dhuratë e shokut Kapo dhënë sekretarit me porosi për të ia lërë në xhep.

- Profesor! - i tha njëri nga shoqëruesit tek po fliste para popullit në Prishtinë, por ai nuk e ndërpreu fjalën e vazhdoi të fliste, ndaj ai i foli sërish, - Profesor, e kanë vrarë Avokatin!

Atëherë ai mbaroi frazën e nisur duke e mbyllur me fjalë që ngritën peshë popullin. Mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve u mbyll takimi dhe menjëherë u nisën drejt Tiranës për të marrë vesh sesi kishte ndodhur. Në zyrë gjeti drejtuesit kryesorë të Ballit Kombëtar dhe në bisedë e sipër tha:

- Kush e vrau Avokatin?

- I gjetën një foto në xhep të anglo - amerikanëve, e arrestuan dhe e vranë gjermanët.

- Nuk ishte aq naiv Avokati, këtu vjen era tradhëti!

- Po shoqëruesit të tre u vranë?

- Jo, sekretari kishte ikur dhe për tu shpëtuar gjermanëve, ishte bashkuar me partizanët.

- Po 2 tjerët?

- Ata u vranë, se kështu ishte dëshira e tyre...

- Më duket pak si përrallë, kjo, si mundi vallë të shpëtonte e të ikte sekretari dhe 2 tjerët të kërkojnë të vriten? Dhe e dyta, pse të bashkohet me partizanët?

- Ata të 2 ishin besnikë deri në vdekje... ndërsa Dukaqoti, e tregoi veten se cili ishte...

- Atëherë sekretari duhet të ketë gisht në këtë punë... - tha Profesori dhe u ngrit e doli për të shkuar në Vlorë që të ngushëllonte familjet e të vrarëve dhe të merrte informata më të sakta. Njërin e kishte pasur shok idealesh dhe njerin nga shoqëruesin kushëri të bashkëshortes.

Kur arriti në shtëpi, para se t'i takonte, pyeti për të vrarët.

- Nuk dimë gjë more bir, ti e di si bëhën këto punë, por ruaju bir, se të pabesët janë kudo!

- Po nënë, ke të drejtë, por mos ki merak! - Tha dhe përqafoi me mall.

Më pas përqafoi me radhë motrën dhe fëmijët. Pasi foli pak përciptas, se asnjëherë s’fliste për politikë në familje, u drejtua nga dhoma e gjumit dhe e shoqja i dinte zakonin, se përherë kur vepronte kështu, kishte për t'i thënë ndonjë porosi, ndaj i shkoi pas.

- Ruaje veten, burrë, se do më lësh fëmijët jetimë! Shiko, edhe pak kohë e do të lindë edhe i gjashti… - tha dhe pushtoi me duar barkun e saj, ku ndjeu lëvizjet e trembura të foshnjës.

- Mos u shqetëso moj grua, - tha dhe i vuri edhe ai duar mbi të sajat, por ajo i tërhoqi dhe i vuri mbi të tijat duke i ledhatuar me dashuri dhe duke i shtërnguar që të ndjente edhe ai lëvizjet e foshnjës.

Ai mbylli sytë dhe duke ndjerë ato lëvizje i doli parasyshë një djalë i vogël që ikte buzës së detit duke rendur, më pas u drodh dhe i largoi duar duke e pushtuar të shoqen për qafe.

- O gruaja ime e bukur! Lufta do mbarojë dhe do jemi tok e do t’i rrisim bashkë fëmijët, - foli ai, por nuk i mbajti dot lotët.

- Mos qaj, se ndjell tersllëk, o burrë, kurrë s'të kam parë lot!

- Ti e di që unë s'flas kurrë për hallet e mia, se s'dua të shqetësoj, plot shqetësime keni, por amanet fëmijët!

- Çfarë më thua o burrë? Po më lë?? Do lësh fëmijët???

- Kurrë s’do ta bëja atë gjë, por pse ta fsheh, diçka ndjej, diçka që s’dua ta them...

- Unë s'mund të jetoj pa ty e fëmijët pa baba! - Foli ajo dhe e muluan lotët.

- Mos u shqetëso moj e mirë, se s’po vdes sot, po luftë është... Ti duhet ta dishë... Edhe mund të vritem...

Ajo u shkëput nga krahët e tij, me të 2 duart hoqi qostekun me florinj që kishte të ngulur në 2 anët e gjoksit dhe i tha:

- Merre burrë, sido që të ndodhesh floriri të shpëton kokën! Unë s’kam ç'i dua po s’të pata ty!

- Jo, moj e mirë, mbaje se e ke dhuratë nga unë. Të kujtohet kur ti vura mbi ballë? Kurrë s’kisha parë bukuri virgjine tek një grua si tek ti! Ti ishe kaq e brishtë, saqë ndruhesha kur të prekja se mos të lëndoja, ma more mendjen dhe zemrën, ndaj doja të martohesha aqsa më parë, se më dukej se s’do të gjeja më. As zanat e malit nuk e kanë bukurinë tënde! Ti ishe mbretëreshë e ballit tënd këta florinj i jepnin edhe më shumë hijeshi... Oh sikur të kthehej pas edhe një herë jeta!

- Çfarë do të bëje?

- E di që po i njëjti do të isha, por s’do isha martuar! U kam dhënë shumë vuajtje, ty, nënës, motrës, fëmijëve, por më shumë kam pengun e këtij të voglit që s’di në do ta shikoj dot kur të lindë... - tha dhe lotët i rridhnin si shi kokërrmadh.

- Përherë e dija që diçka do të ndodhë, o burrë, se gjithë ajo dashuri që kam për ty, nuk është mirë, se thonë, që dhe dashuria e madhe është vuajtje... Po unë do ti përballoj vuajtjet, veç të më kthehesh gjallë! Merri florinjtë! - Tha dhe i mori dorën mes pëllëmbëve të saj të bardha dhe i shtërngoi fort si për ti dhënë besën se do ta priste për jetë të jetëve!

- Eja bir dhe ha bukë! Të mblidhemi të gjithë në tryezë si dikur... - i foli e ëma që nga dera.

- Erdha, - tha, përqafoi dhe puthi fort gruan që edhe dhuratën i dha për të mbrojtur jetën, qëndroi pak çaste i përqafuar dhe ndjeu lëvizjet e trembura të foshnjes në barkun e saj dhe u largua sikur ti kishte shpuar zemrën tej e tej një plumb.

Të gjithë hanin racionin e përditshëm, vetëm nëna qëndroi në këmbë duke thënë që kishte ngrënë vonë mëngjesin, por në fakt ajo racionin e saj i dha të birit. Motra edhe lugën e mbushte duke e vështruar. Ajo i ndjente shumë mungesën. Ata duheshin si shokë. E shoqja bënte sikur hante, po nuk i ndante sytë, vetëm fëmijët hanin të uritur e herë pas here e shikonin sikur të kishin përballë një mik të largët.

- Nënë, - foli ai, - kujdesu për fëmijët! Ma bëj hallall moj nënë, se u kam sjellë mjaft vuajtje!

- Biri Xhixhos, trimi i nënës! - Mos ki merak, nëna do bëhet e fortë, se do rris gjakun tënd, bir, që nuk u çmalla një herë me ty! Mos m'i thaj sytë, o bir! Kujdesu për veten, se atëherë ne jemi mirë! - Tha dhe e puthi në ballë.

- O vëllai im, që kur ke ikur ti, s’kam shkuar më as në dyqan, as në rrobaqepsi, shiko, këto rroba kam... - tha e motra dhe u hodh në qafë duke ngashëryer.

Fëmijët rrinin si të trembur dhe asnjëri nuk u afrua. Ai shkoi dhe i mori një nga një në krahë, i përqafonte, u puthte sytë dhe i ulte lehtë në tokë. E shoqja e përcoli gjer tek porta. I dha vetëm dorën dhe ndjeu nën lëkurë drithma ankthi.

Iku. Ajo qëndroi derisa ai kaloi në kthesë, më pas u kthye dhe shkoi tek dhoma e saj dhe u shtri. Ndjeu një dhimbje të lehtë në fundin e barkut. Filloi ta përkëdhelte barkun gjer dhimbja u qetësua e më pas u ngrit dhe shkoi tek fëmijët në dhomën e ndenjes.

Asnjë nuk fliste, as nuk lëvizte. Secili kishin zënë nga një vend dhe ashtu si të dënuarit që nuk lëvizin dot pa urdhër, edhe ata dukeshin sikur prisnin që dikush të jepte atë urdhër.

- Nuse, shko e pusho nga dhoma, se je e rënduar bijë, e mos u shqetëso, ne jemi bashkë e do jemi bashkë deri në fund!

- Jo, nënë, jam mirë...

Fëmijët sikur kishin pritur dikush të fliste, filluan të cicërojnë me zë të ulët, nëna mori dhinë e bardhë dhe doli ta kulloste, motra shkoi të lante enët e nusja filloi të merrej me fëmijët. Jeta kaloi sërish në rrjedhën e përditëshme.

Pasi ngushëlloi familjet e të vrarëve, mori sërish rrugën drejt Tiranës për të kryer detyrat e ngarkuara. Fjalët e vjerrit të tij, se si i tingëlluan. "Kujdes o bir, se do m'i lësh fëmijët jetimë e vajzën time shamizezë gjithë jetën!" Asnjëherë nuk e kishte vrarë mendjen për vdekjen e tij. As që e mendonte se dikush mund ta vriste e pse shumë herë i kishin zënë pusi. Një zë i mbrendshëm i kishte rrëfyer rrezikun dhe kështu kishte shpëtuar, por tani që u vra dhe shoku më i ngushtë i luftës, po ndjente se diçka po kudisej edhe kundër tij.

"Eh, lufta, vetëm vdekjen ka ushqimin e saj, ushqim që s'ka të ngopur!" - Mendoi dhe e fiku më pas këtë mendim, sikur të kishte thënë: "Ushqimi i luftës, sjell paqe!" Po, cila ishte paqja? Cila ishte liria e Atdheut? Të heqësh një skllavëri për të vendosur një tjetër? Si nuk më kuptojnë shokët kur u flas hapur dhe shkoqur për rëndësinë e një lirie të vërtetë kombëtare? Kurrë nuk do jemi të lirë, nëse edhe një pjesë e atdheut mbetet e robëruar! Liria është atëherë kur çdokush është i lirë të jetojë e të trashëgojë brezat në atdhe, po çfarë ndodh me mua? Edhe njerëz të afërt janë bashkuar me komunistët dhe më kanë kthyer pushkën, se u rrëfej të drejtën, të vërtetën. Tre gënjeshtra e venisin të vërtetën e aq më shumë në popullin tonë të paditur, boll tu tregosh një përrallë dhe të gjithë mbeten gojëhapur dhe të besojnë..."

Kështu mendonte, teksa autobuzi i vetëm që shkonte drejt Tiranës, gjer arriti.

Zbriti. Së pari takoi drejtuesit e Ballit Kombët për të marrë detyrat e radhës. Kurrë nuk diti të thotë "Jo", përherë i gatshëm, përherë i bindur në çdo detyrë. "Atdheut i shërbehet ku ka nevojë e asnjëherë atje ku të intereson ty... ", kështu mendonte ai. Por kishte kohë që vërente shumë padrejtësi edhe mes forcave të Ballit. Disa nga udhëheqësit shëtisnin me makinat e gjermanëve, e disa i kalonin malet e kodrat me këmbë. Kështu detyrë pas detyre, përherë të kryer më së miri, mori urdhërin të shkojë në një takim të rëndësishëm në Durrës...

Ishte fillim gushti i vitit 1944. Mezi kishin mundur tu shpëtonin përndjekjeve të forcave partizane, të cilat kishin bërë kërdinë në ekzekutimin e krerëve udhëheqës të Ballit Kombëtar, për të kapur dhe ekzekutuar edhe Profesorin. Ngado sulmohej, edhe nga komunistët, edhe nga një pjesë e ballistëve. Kujt ti fliste? Kush ta besonte? Edhe më të afërtit që e kishin provuar nëpër beteja dhe detyra nga më të vështirat, e shikonin si me dyshim. Ç'të ishte vallë? Kush i përhapte gjithë këto? Kush lufton dhe punon më shumë, sulmohet më shumë, kjo dihet, por në kohë lufte duhet pasur kujdes, se gjyqi bëhej pa avokat dhe gjykatës, vetëm me grykën e pushkës. Dhe sapo kishte shpëtuar për mrekulli nga një rrethim i befasishëm, atje ku ishin strehuar, filloi të mendohej dhe të ndjehej ligësht.

Shumë nga shokët më të mirë ishin vrarë, disa bënin jetë qejfi nëpër zyra të shtetit të qeverisë kuislinge, disa kishin kaluar më shumë në ilegalitet të plotë për të ruajtur kokat. Po ai çfarë ishte? Pse vetëm atë caktonin në detyra më të rrezikshme? Por, mendonte ai, "Kush do t'i bënte ato?" Ndaj kurrë nuk kishte kundërshtuar. Por sot për herë të parë nuk donte të dilte jashtë, as të luftonte, as të fliste para popullit. Pse vallë ndjehej kështu?

Në një farë mënyre, jetën tonë mistershëm e drejtojnë forca të ndryshme të natyrës së panjohur nga njeriu dhe ai vetëm ndjen këtë prani, pa i emërtuar, apo pa u vënë emër. Ç'emër t'i vinte kësaj gjendjeje sot?

"Gruaja!" - Mendoi me zë dhe mbylli sytë për të biseduar me të, ashtu siç bënte shpesh në netët e errta nëpër shi e borë. Por në vend të shikonte atë, u shfaq sërish ai djali i vogël duke vrapuar buzë detit gjer vegimi më në fund u zhduk dhe ju bë sikur ndjeu të qarët e një foshnje. "Do ketë lindur nusja ime!" - Mendoi ai dhe brofi në këmbë.

- Ku po shkon? - E pyeti shoku që kishte afër.

- Këtu, këtu... - tha ai kur u kujtua që ishte i strehuar për t'i shpëtuar vdekjes.

U ul sërish, futi dorën në xhepin e mbrendashëm të xhaketës, preku qostekun e florinjve dhe ndjeu duart e gruas së tij kur i shtërngoi fort dhe provoi thika në zemër, ndaj shtërngoi më fort dorën në xhepin e xhaketës së bërë shoshë nga plumbat, por për çudi as dhe një gërvishtje në trup, e zuri gjumi...

Të nesërmen e ditës që iku nga shtëpia Profesori, ra porta e jashtme me forcë. Doli nëna me vrap për të parë, por ç'të shikonte? Kryetari i bashkisë dhe 5 gjermanë të armatosur, me çanta të mëdha mbi shpinë e të armatosur, qëndronin pranë portës.

- Foli Profesorit të dalë! - Tha kryetari i bashkisë i sigurtë se ai ishte aty.

- S’është në shtëpi...

- Thuaji të dorzohet, se ndryshe do vijnë njerzit e Avokatit e do e vrasin.

- Pse do e vrasin? Çfarë ka bërë im bir?

- Ka vrarë Avokatin!

- Shko, zoti kryetar, gjeje cili e vrau, se djali im s’është i pabesë të vrasë shokët e tij! - Foli ajo me gjithë forcën e zërit.

Atëherë njëri nga gjermanët e shtyri tutje dhe u futën në oborr. Të gjithë kishin dalë në derë, sikur donin ta bllokonin atë. Kur gjermanët u drejtuan nga dera, fëmijët u shpërndanë nëpër oborr të lemerisur. Jashtë dëgjoheshin ulërimat e fëmijëve, mbrenda kërcitjet e orendive që përplaseshin për të shfryrë mllefin që s'arritën ta kapnin Profesorin. Nëna, motra dhe gruaja e profesorit shkuan pranë fëmijëve dhe i mbuluan me krahë, siç bën kllocka me zogjtë kur shikon se po sulet skifteri. S'kaloi as 10 minuta dhe gjermanët dolën nga shtëpia, hapën çantat, ngritën një çadër në mes të oborrit. Të gjithë shikonin të habitur. Në derën e çadrës, drejtim portës së jashtme, vendosën mitraloz me këmbë, gati për zjarr.

Atëherë e gjithë familja hyri mbrenda. Ç'të shihje; një karrike e thyer e gjithçka tjetër kthyer përmbys. Katastrofë! Pa e dhënë veten, tri gratë filluan të rregullojnë shtëpinë. E shoqja, e pse së mbrendëshmi ishte e ngazëllyer që s’arritën ta kapnin burrin, por shqetësimi se diku mund ta arrestonin e ta vrisnin e tronditi aq thellë saqë thikat që i cponin zemrën i dërgonin dhimbjet gjithandej, deri në fund të barkut e përfundonin pas kërbishtes. U mundua të merrte veten, por kjo gje u përsërit disa herë.

- Nënë… jam keq... - tha ajo dhe u ul mbi shtrat.

- O e mjera unë, po si do bëjmë? Ata janë jashtë, si do të marrim maminë?

Pa e mbaruar fjalën nëna, u ndje trokitja e portës së jashtme. Ajo doli me vrap, pa se kishte ardhur i vëllai që i solli një thes miell. Mori thesin dhe e porositi të shkonte të merrte maminë italiane, e vetmja që ishte në atë kohë në Vlorë.

Gjermanët nuk u përzien fare me lëvizjet e tyre, ata rrinin në gatishmëri thuaj se nga çasti në çast do të vinte Profesori ta arrestonin apo ta vrasin.

Shumë herë gjërat ndodhin, thjesht ndodhin, ndaj është mirë ta lëmë nganjëherë jetën të lirë si një ujë që derdhet për ta gjetur vetë udhën.

Vërtet udha e jetës është e çuditshme, por më e habitëshme është përpjekja e njeriut për t'i dhënë drejtimin që dëshiron dhe atëherë ajo bëhet më kapriçoze, më kokëfortë, dredhon e fshehtas teje ka shkuar andej nga kurrë se ke menduar. Shpesh në udhën e duhur, ndodh edhe buzë greminave, apo oazave të pa menduara kurrë... Ndaj është mirë ta lëmë në udhën e saj, ne të vjelim me aqsa mundim frutet që gjejmë gjatë kësaj udhe, të ndjejmë gjer në palcë ankthin e humnerave dhe pritat e pabesive... edhe Nirvanën e oazave.

Kështu ishte shndërruar jeta e kësaj familjeje, pa pasur asnjë mundësi të mendonte për jetën e aq më pak të drejtonte atë, por përsëri është një jetë tjetër së mbrendëshmi që jetohet përmes ëndërrimeve dhe secili prej tyre e jetonte bukur atë. Me kujtimet ndërtonin skenare dhe i përjetonin ato të gjallë e kështu s'kishin bërë gjë tjetër, vecse kishin rijetuar ato në kohë e hapësitë tjetër dhe jeta vazhdonte...

Më në fund erdhi mamia. Nëna i hodhi një vështrim të vëllait, më pas gjermanëve si për t'i dhënë porosi që djali të mos dukej në shtëpi. Porta u mbyll dhe vrapuan tek dhoma e nuses për të pritur pak gëzim mes këtij terrori. Nusja ishte shtrirë si e vilanosur. Symbyllur ajo shkonte në ditën që u takua me të shoqin, dasmën te tyre... lotët e tij ditën e fundit kur e përcolli gjer tek porta dhe harronte dhimbjet. Mamia, kur e pa si të vilanosur mendoi se mos i kishte rënë të fikt, dhe e lëvizi duke i folur. Ajo hapi sytë. Mbrenda tyre shfaqej ngazëllim.

- Keni dhimbje?

- Pak...

- Mos fli, se mbyt fëmijën!

- Nuk po flija, po pushoja...

Kishte ardhur çasti i lindjes së fëmijës. Asnjëherë s'e kishte vrarë mendjen për të menduar në ishte djalë apo vajzë. Ajo kishte edhe djem, edhe vajza, por kjo fëmijë që po vinte në jetë, bashkë me dhimbjet e lindjes, sillte dhimbje tjera që të bëjnë t'i harrosh ato.

Mamia e kontrolloi dhe i tha që kishte ardhur momenti të lindte, ndaj i tha t'i jepte fort që të dilte fëmija. Po, a ka forcë më të madhe se vetë çasti kur foshnja ka kohën e daljes në jetë? Si në çdo gjë ka mister, edhe lindja është mister, se vetë fjala lindje, nuk do të thotë me e provokuar atë, por me e lënë të lirë të ndodhë dhe s'kaluan pak minuta ajo ndodhi, duke u lajmëruar me të qarët e foshnjës...

- Djalë e keni...  - tha mamia duke e ngritur lart. - Tu rrojë!

- Faleminderit! - U dëgjua zëri i nënës, ndërsa nusja vetën aqsa e pa, mbylli sytë dhe shkoi tek i shoqi për t'i rrëfyer që u bënë me djalë. Në fetyrën e saj të zbehtë kaloi një re gëzimi dhe më pas u kthjellua dhe erdhi në realitetin e hidhur në të cilin jetonin...

- Pije këtë gotë qumësh, nuse, se djali do të pijë...

- Ajo e rrëmbeu gotën dhe e piu njëherësh, si të mos kishte provuar ndonjëherë qumësh.

Po në fakt, ku i dilte radha asaj të pinte qumësht? Një dhi, katër fëmijë, tani u shtua edhe një... Duhet të pinte ajo, që të pinte foshnja në gjirin e saj...

Kaluan tri ditë dhe gjiri i saj s'po sillte asnjë pikë. Qumështi ishte trembur! Djali qante me të madhe e pse e thithte gjirin gjesa ajo nuk e duronte dot më.

Nëna doli me vrap jashtë, mori dhinë që ishte lidhur në një cep të oborrit, e dërgoi pranë çezmës dhe filloi t'i lante gjinjtë me ujë e sapun. Më pas e ngjiti nëpër shkallë dhe e futi tek dhoma ku rrinte nusja me foshnjën.

- Sillma djalin, nuse, le të pijë tek gjiri i dhisë! Edhe Zeusi me qumësh dhije është rritur...

- Urdhëro nënë...  - tha ajo me lot në sy duke i dhënë djalin.

Ashtu siç ishte i lidhur me pelena, nëna e afroi tek gjiri dhe ai filloi të pijë si kec i bardhë gjer u ngop dhe lëshoi gjirin e fjeti si qingj.

Gjermanët ndenjën dhe disa ditë, gjer në fund, mblodhën çadrën dhe u larguan.

Në portës’ erdhën më, as gjermanët, as Profesori, vetëm nëna hynte e diltë për të kullotur dhinë e të gjithë gëzonin momentin kur djali i vogël pinte me etje dhe flinte i qetë.

Jeta rridhte në udhën e saj e ata jetonin me dëshirat e tyre përmes ëndërrimeve dhe kujtimeve për djalin, burrin, babanë e tyre, vetëm djali i vogël rritej dhe prekte çfarë shikonte, asgjë nga ato që ënërronin tjerët s’përfshihej në ëndrrat e tij, ndaj ai fantazonte për gjëra që s'i kishte jetuar, por që i dëshironte nëpër vitet jetë, ku do të rritej pa provuar një herë dorën e babait mbi flokë, pa ndjerë një herë krahët e tij ta ngrinte lart, siç kishte bërë me fëmijët e tjerë, pa fjalët këshilluese të tij... Ai thjesht rritej duke ëndërruar dhe ëndrrat kur s’i realizonte i sillnin dhimbje e për të shpëtuar kësaj lufte të mbrendëshme, vetë dhimbja shndërrohej në muzë dhe muza e bëri poet...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora