E shtune, 21.12.2024, 12:41 PM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: Themelim apo ndërrim emri?!

E merkure, 13.07.2016, 07:13 PM


Themelim apo ndërrim emri?!

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Përmes faqes së internetit “Lapsi.al” të datës 11 korrik 2016, u njoha me ftesën e mëposhtme që Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, i ka dërguar anëtarësisë së saj:

“25 vjet prej themelimit të Partisë Socialiste, e bëjnë festën e ditëlindjes së këtij viti një moment të posaçëm ritakimi mes brezash, për të kremtuar së bashku arritjet dhe sfidat e familjes sonë të madhe politike. Me dëshirën që të ndajmë këtë moment të gëzuar së bashku, shpresoj të takohemi në mjediset e shtëpisë sonë në Tiranë”.

Vëllazërisht

Edi Rama

E martë, 12 korrik, ora 19:00

Lulishtja pranë Selisë së Partisë Socialiste”.

Me këtë rast, dëshiroj, së pari, të theksoj se më bëri shumë përshtypja fjala “themelim” që përmend Kryeministri Rama në ftesën e vet. Të rinjtë socialistë poshtë moshës 25-vjeçare janë të bindur se Partia Socialiste është themeluar në vitin 1991. Ata nuk e dinë që mbarë populli shqiptar është dëshmitar i drejtpërdrejtë i daljes në skenë të Partisë Socialiste më 12 qershor 1991. Kjo parti, pikërisht në këtë datë, në Kongresin e dhjetë të Partisë së Punës të Shqipërisë, thjesht ndërroi emrin nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Pra, nuk pati kurrfarë themelimi. Se themelimi i një partie politike ka një tjetër ecuri. Në atë kongres nuk u deklarua shpërbërja dhe shpërndarja e Partisë së Punës, e cila periudhën mes viteve 1980-1990 e mbylli me një dështim shembullor në qeverisjen e vendit, të shoqëruar me një varfërim të mbarë popullit deri në përmasa mitike, si në asnjë tjetër vend socialist të Evropës Lindore. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Pra, u bë vetëm ndërrimi i emrit të një partie komuniste në parti socialiste. Dhe anëtarët e saj, me në krye krerët komunistë, u gdhinë komunistë dhe në pasditen e 12 qershorit u ngrysën socialistë. Faktikisht, nga komunistë, u shndërruan në neokomunistë, por tashmë në kushtet e pluralizmit politik.

Së dyti, meqë do të mblidheshin në shtëpinë e tyre, siç e quan Kryeministri Rama selinë e Partisë Socialiste, për të festuar 25-vjetorin e ndërrimit të emrit, normalisht, nuk duhej të harronin të ftonin në festën e tyre edhe fqinjin që kanë në shtëpinë pranë. Se ne e kemi zakon që kur kemi festë, fqinjin e shtëpisë gjithmonë e ftojmë të ndajmë gëzimin me të. Pra, e kam fjalën për fqinjin e shtëpisë socialiste, Janullatosin, të cilit Ramiz Alia, udhëheqësi shpirtëror i socialistëve shqiptarë, në takimin me Micotaqisin më Tiranë më 13 janar 1991, pranoi t’i dorëzonte fronin e kishës ortodokse fanoliane. Do të ishte një rast ideal për të parë se si socialistët, duke filluar nga Kryeministri Rama, si gjithmonë, do të puthnin me radhë veladonin e Janullatosit. Se, ashtu si edhe Ramiz Alinë, edhe Janullatosin e kanë udhëheqës shpirtror. Prandaj jo më kot, në Projektkushtetutën e vitit 1998, ata hoqën nenin e Projektkushtetutës së vitit 1994, sipas të cilit krerët e kulteve fetare duhet të jenë me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare, duke i çelur shtegun ardhjes së Jalullatosit në krye të kishës dhe hedhjes në harresë të veprës së lavdishme të Fan Nolit.

Së treti, në ftesën e vet Kryeministri Rama e fton anëtarësinë socialiste të kremtojnë së bashku arritjet dhe sfidat e familjes së madhe politike.

Domosdo. Partia Socialiste, gjatë këtyre 25 vjetëve që kanë kaluar pas ndërrimit të emrit, ka se çfarë të kremtojë si arritje të shënuara në qeverisjen e vendit. Le të mos shkojmë larg, por të ndalemi në këto tre vjetët e fundit të qeverisjes së saj.

Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, Partia Socialiste trashëgoi nga Partia Demokratike plantacionet e drogës së Lazaratit. Brenda këtyre tre vjetëve, qeveria socialiste e lazaratizoi krejt territorin e vendit. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe që ka kërkuar shumë mund dhe djersë për t’u realizuar, pasi për eksportimin e drogës jashtë vendit, nuk mjaftonin vetëm mjetet e transportit tokësor dhe detar, por duheshin përdorur edhe fluturakët e vegjël që endeshin poshtë e përjetë qiellit shqiptar

Gjatë qeverisjes socialiste është vënë re vjedhja e thesarit dhe grabitja e bankave ditën për diell. Sigurisht që vjedhje dhe grabitje të tilla kërkojnë esnafë të kalibrit të lartë, të cilët vetëm shteti di si t’i organizojë dhe t’ua fshehë gjurmët me merak. Prandaj edhe kriminelët e këtyre vjedhjeve dhe grabitjeve kanë mbetur të pazbuluar deri tani. Sepse kur krimi nuk zbulohet, autor i tij është vetë shteti

Gjatë këtyre tre vjetëve të fundit, është vënë re një braktisje masive e vendit nga ana e qytetarëve të thjeshtë, për të kërkuar azil ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian. Kur u liberalizua heqja e vizave gjatë viteve që qeveriste Partia Demokratike dhe deri në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, nuk u vu re anjë braktisje e vendit nga qytetarët shqiptarë. Madje anjëri prej atyre që shkonin në Evropën Perëndimore për të takuar të afërmit dhe fëmijët, nuk kërkoi azil, por u kthye në atdhe. Krejtësisht e kundërta ndodhi me rikthimin në pushtet të Partisë Socialiste në qershor të vitit 2013: sipas të dhënave që janë bërë publike në mjetet e informimit masiv, këto tre vjetët e fundit vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë.

Në këto tre vjet të qeverisjes socialiste, me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe shtimin e taksave, qytetarëve po u kanoset varfëria e viteve ’80, të cilën ua imponoi me dhunë diktatura komuniste.

Pra, rezulton se Partia Socialiste, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, nuk mund të heqë dot dorë nga politika e varfërimit të shtresave të gjera të popullit, sepse, sipas këndvështrimit të saj komunist, sa më i varfër të jetë populli, aq më i bindur dhe më i nënshtruar bëhet ai dhe, për pasojë, aq më afatgjatë bëhet qeverisja e saj. Pikërisht sipas modelit të qeverisjes së Putinit në Rusi. ?shtë me të vërtetë paradoksale kur e mendon që neokomunistët shqiptarë me mantel socialist, kërkojnë që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ama të qeverisin sipas modelit putinian.

Prandaj, në këtë 25-vjetor të ndërrimit të emrit, socialistët kishin se me çfarë të krenoheshin gjatë qeverisjes së fundit trevjeçare. Sepse neokomunistët, ashtu si edhe etrit e tyre komunistë, nuk i njohin disfatat.

Kolumbus, Ohajo

12 korrik 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora