Kulturë
Meri Lalaj: Në ferrin komunist me të gjallët
E diele, 26.06.2016, 03:46 PM
Në ferrin komunist me të gjallët
(Kushtuar Gëzim Çelës)
Nga Meri Lalaj
Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve Durrës organizoi përurimin e dy librave të zotëri Gëzim Çela. Autori i këtyre librave me tregime të jetuara ka kaluar 22 vite të jetës së tij nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Libri i parë titullohet “Klithma e një nëne” në ballinë ka një pikturë të Gëzimit: rrotull një drapëri e çekani, ai është i lidhur këmbë e duar me tela me gjemba, një burrë me kokën krenare të ngritur lart ndonëse i torturuar, ndërsa në ballinën e pasme është vendosur fotoja e Gëzimit djalosh 21 vjeçar para se ta burgosnin, një djalë shumë simpatik, i qeshur, i hijshëm porsi aktor filmash dhe përkrah fotos janë të shkruara fjalët e Solzhenicinit: “Kur i keni marrë një njeriu çdo gjë, ai nuk është më në dorën tuaj. Ai është i lirë”. Libri i dytë ka një titull edhe më kuptimplotë “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë” në ballinën e parme shohim foton e burgut të Spaçit me flamurin kuq e zi që valavitet pa yll, foton e Gëzimit tek Muri i Berlinit, ndërsa në ballinën e pasme është vendosur fotoja e Gëzimit në ditët që po jetojmë dhe përkrah fjalët e Mitrush Kutelit: “Atdheu është Atdhe edhe atëherë kur të vret”.
Gjithnjë e kam të vështirë të shkoj në Durrës sepse nga jeta ime e dikurshme më ka mbetur shija e keqe e të trokiturit në Degën e Punëve të Brendshme, në zyrat e Komitetit Ekzekutiv dhe në spital, por për Gëzimin për të marrë pjesë në festën e tij do ta bëja rrugën edhe më këmbë…
Unë e kam njohur Gëzimin kur jetoja në minierën e Manzës, po ashtu kam njohur edhe nënën e tij, zonjën Roza Çela, e cila ka shërbyer ndihmësmjeke mami në qytetin e Lushnjës dhe ka marrë titullin “Qytetare Nderi” për atë qytet. Kjo nënë e ka ndjekur birin e vetëm burg më burg pa u lodhur sepse e mbante gjallë dashuria për Gëzimin. Festa e përurimit të librave u hap me këngën që Gëzimi i ka kushtuar nënës së vet “O nan, jemi t’ lir” me vargje të shkruara prej tij, muzika nga Zihni Beqiraj dhe kënduar nga i mrekullueshmi Kastriot Tusha. Në sallë ndodheshin shumë shokë e miq të Gëzimit ish të burgosur: Simon Miraka, Reshat Kripa e të tjerë si edhe përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve të Vlorës dhe Kavajës, të cilët përshëndesin me fjalë të ngrohta Gëzimin. I pata lexuar këta dy libra para disa vitesh dhe tani i rilexova me tjetër kënaqësi, këto tregime janë të sinqerta, të vërteta, të thjeshta, të dala nga shpirti sikurse “Rrëfimet e Shën Agostinit”.
Parathënien e këtij libri me titullin “Liria e lidhur” e ka shkruar me plot emocion me tingëllime poetike dhe shpirtërore, poeti Demir Gjergji, që e ka njohur Gëzimin kur punonte në minierën e Manzës. Pas revoltës së Spaçit dhe pushkatimit të katër të burgosurve, disa të tjerë u ridënuan, midis tyresh edhe Gëzimi. Nëna e tij e kërkonte sa në një burg në tjetrin të merrte vesh në ishte gjallë. Ajo klith rrugëve të qytetit të Rrëshenit, klith thekshëm posi tigreshë e plagosur për pjellën e vet dhe ndodh çudia: aty në gjyq Gëzimi dëgjon zërin e nënës së vet. Dhe nëna Rozë sigurohet se i biri është gjallë në çastin kur policët i pranojnë pakon me ushqime. Po kjo nënë e palodhur plotëson dëshirën e të birit duke i sjellë në burg pikërisht kitarën e Vaçe Zelës. Gëzimi bëhet shok e mik në burg me Xhelal Koprenckën, nipin e Xhelal Koprenckës, firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 1912, këtë Xhelal të ri e pushkatojnë në burgun e Tiranës më 1979, meqenëse ndodhen në qeli të izoluara të dy, Gëzimi dhe Xhelali mirren vesh duke trokitur në mur duke bërë biseda të gjata me alfabetin Mors. Gëzimi ka pasur fatin e madh që në burg në vitin 1958, kur të burgosurit po ndërtonin aeroportin e Rinasit të njihet me përkthyesin e jashtëzakonshëm Jusuf Vrioni dhe të dy mbeten miq për tërë jetën. Një nga tregimet më të bukura të këtij libri është “Çibuku me tul buke në qeli”. Tre të burgosur në një qeli izolimi ëndërrojnë të pinë cigare, pas disa ditësh për fatin e tyre të mirë u sjellin një pako me duhan të grirë, por nuk mund ta pinë sepse nuk kanë asnjë fije letër për ta dredhur. Atëhere Gëzimit i troket në kokë mendimi se mund të sajojë një çibuk me tul buke, kështu rrinë pa ngrënë bukë një a dy ditë i njomin copat e bukës së mbledhur, Gëzimi sajon llullën e shpon vrimën me një fije fshese dhe thithin të dëshiruar aromën e duhanit. Djallëzitë e hetuesve nuk kanë të sosur njërin prej të burgosurve me që ishte fetar e mashtrojnë duke i thënë:”Vëre dorën mbi Kuran dhe thuaj të vërtetën!” (Në vend të Kuranit një libër partie). Në njërin prej tregimeve rrëfehet për diç makabre, i burgosuri që do të pushkatohet pret në shi para gropës së varrit dhe prokurori e shtyn pushkatimin për ditën tjetër sepse nuk do të laget nga shiu. Gërshetuar tok me tregimet janë edhe disa poezi të bukura ja disa vargje: “Prandaj i heshtur si varri, / Si i sillet kandilit një flutur, / Si yjet që digjen nga zjarri / Vras kohën në heshtje duke pritur…”
Në librin “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë” Gëzimi na tregon se e futën në qelinë e izolimit për një muaj sepse policëve fytyra e tij iu duk e mërzitur teksa mori vesh vdekjen e Presidentit Kenedi dhe kur del nga burgu shkon në Amerikë për të vizituar varrin e të atit, Mahmut Çela dhe varrin e Kenedit. Autori na rrëfen për mundimet e të burgosurve që edhe dhëmbët duhej t’i shkulnin me darë të zakonshme që shkul gozhdët. Tregon të vërtetën lidhur me avionin amerikan “Lockheed T 33”, që u ul në aeroportin e Rinasit në kohën që aty punonin të burgosurit. Na tregon se si të burgosurit në ato kushte çnjerëzore mundoheshin të mësonin gjuhë të huaja sepse donin të ishin njerëz. Më kujtohet se kur Gëzimin e futën në burgun e dytë, i kërkova nënës së tij një fjalor frëngjisht (ndonëse dija pak frëngjisht) dhe ky fjalor u mbyt bashkë me nja 500 librat e mi kur u përmbyt baraka ku jetoja. Gëzimi di të jetë mirënjohës me njerëzit që e kanë ndihmuar pas daljes nga burgu veçanërisht ai shkruan me simpati për drejtorin e minierës së Manzës, Skënder Xhuglini.
Ka mbaruar njëherë e përgjithmonë koha e klithmave është koha e urimeve për krijimtarinë, për jetën, për zonjën e tij fisnike. Gëzimi mund të ishte bërë piktor i madh, aktor i madh, poet i madh, por ai mbeti njeri i vërtetë, Njeri i Madh.