E shtune, 21.12.2024, 12:19 PM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Përshtypje nga Franca

E diele, 05.06.2016, 12:45 PM


Botime të reja: Në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta e prof. Fadil Beqirit

Doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit “Përshtypje nga Franca”
Sot, më 3 qershor 2016, doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit Përshtypje nga Franca”. Libri, një ditar dokumetar-letrar, i botuar nga Art Club “Rifat Kukaj” e i shtypur në studion Lena Grafik në Prishtinë, doli pikërisht sot, në shenjë respekti dhe përkujtimi për kolegun e autorit, prof. Fadil Beqiri, i cili mbush dy vjet nga vajtja në atë botë, e të cilit edhe i dedikohet libri

Fjala e recensuesit

Bedri SHYTI

Filozofia e Bedri Tahirit: miqësia, dashuria dhe mirësia

Burri i madh është gjithkund ku përhapet lavdia e tij.

(Filozof Piron)

Me mikun tim të dashur dhe të çmuar, Bedri Tahirin, na lidhin shumë kujtime, mbresa e përjetime të rëndësishme dhe interesante nëpër kohë. Jeta na bashkoi në burime, në male e në konaçe të Ashlanit e të Galicës, të Prishtinës e të Tiranës. Por, jeta na bashkoi edhe në profesionin e shenjtë të mësuesisë si dhe në rrugën tonë të lavdishme për lirinë e Kosovës.

Bedriu u lind dhe u rrit, u edukua dhe u burrërua në djepin e gurrës së forcës e të fisit të njohur e të çmuar të Galicës së kryetrimit të çetave çlirimtare, Azem Bejtë Galicës. Vendlindja e tij, Galica heroike, ishte edhe frymëzimi i parë krijues i Bedri Tahirit.

Veprimtaria e tij letrare tashti e tridhjetë vjet më parë, me mbi tridhjetë tituj veprash, ngërthen në vete përballjen e popullit tonë me armiqtë shekullor. Të gjithë titujt e veprave të Bedri Tahirit janë të natyrshëm dhe domethënës, që dëshmojnë përkushtimin dhe aftësinë e tij krijuese për të kapur, për të shtruar dhe për të trajtuar tema të rëndëssishme për gjuhën, për kulturën, për historinë, për atdheun, për flamurin, për sakrificën, për trimërinë, për lirinë, por edhe për bujarinë, për burrërinë, për traditën, për mikpritjën, për miqësinë.

Krijuesi që na bën nder të gjithëve

Në vitet e ’90-ta, kur Kosova po përjetonte dramën më të dhimbshme dhe më trodnitëse në historinë e vet, për shfarosje nga fashistët serbosllav, të udhëhequr nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviqi, arsimi- shkolla, ishte damari që mbante gjallë frymën në këto troje. Bedri Tahiri, përveç detyrës së pedagogut shembullor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që po ushtronte në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri, i doli përballë edhe një detyre të veçantë për kohën.

Më 16 tetor 1995, profesor Bedriu erdhi në shkollë më i hareshëm së kurrë. I thashë: Profesor Bedri, vjen nga Drenica apo nga Prishtina, dy qendra të rëndësishme nga të cilat kishim vënë sy e vesh të gjithë? Vij nga Prishtina,- tha, dhe nxori nga gjiri librin e tij të parë, monografinë letrare-historike “Azem Bejtë Galica”, kushtuar gjeneralit e kryekomandantit të të gjitha çetave shqiptare, që, për vite të tëra, kishin luftuar për komb e për atdhe. E përgëzova shpirtërisht për punën që kishte bërë dhe për jehonën e librit që do të kishte në atë kohë shumë të rëndësishme të kushtrimit për atdhe, kur në maja malesh po flakëronin shqipet e lirisë, po lindtte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Libri u shpërnda shpejt, bile një fluturoi edhe në Austri dhe ra në dorën e albanologut të njohur austriak Prof. Dr. Hermann Olberg, mik i çmuar i shqiptarëve. E kishte dërguar miku i Bedriut që punonte atje, Avdi  Avdiu nga Kolla. Unë pata nderin ta ruaj e ta shpëtoi nga zjarri i luftës Fletëfalënderimin e profesorit austriak, i cili ia dërgoi Bedri Tahirit në vitin 1997. Në të, pos tjerash, shkruan:”Ju përgëzoj për botimin e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili hedh dritë mbi luftërat e pandara të popullit tuaj për liri dhe sakrificat e pareshtuara drej çlirimit kombëtar. Unë si albanolog ju uroj Juve dhe mbarë popullit shqiptar suksese të plota deri në fitoren përfundimtare, në mënyrë që edhe shqiptarët si gjithë popujt tjerë të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem të zgjidhet. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në idealin e Juaj kombëtar! Me resepkt Prof. Dr. Hermann Olberg

Paraqitja e dytë e krijuesit Bedri Tahiri, që bëri bujë të madhe, brenda dhe jashtë vendit, është padyshim vepra madhore “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, e cila përjetoi nëntë ribotime, e që unë do ta quaja kryevepra e autorit dhe ndër kryeveprat e kulturës dhe historisë sonë kombëtare. Me këtë vepër përmendore e lavdisë për Komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin dhe familjen e gjerë Jashari, na bëri nder të gjithëve. Po e veçoj një rast, kur, ky libër dhe autori i saj, Bedri Tahiri, na e zbardhën fytyrën dhe nderuan shkollën tonë në Francë.

Në vitin 2000, unë si drejtor i Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, me profesorët e gjuhës frënge dhe administratorët e shkollës, qëndruam dy muaj në Grenoble të Francës, për një ngritje profesionale. Kishim një takim protokolar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Grenoblës dhe me inspektorin e lartë të Francës, znj. Martine Storti. Në shënjë respekti unë ia dhurova librin“Adem Jashari- legjendë e legjendave” drejtorit të Gjimnazit “Champolion”. Për t’i dhënë një kuptim më të veçantë citova edhe mendimin e kryadministratorit të Kosovës, dr. Bernard Koushner, i cili në Librin e Përshtypjeve në Prekaz kishte shkruar: “Dua ta them një të vërtetë të madhe. Prekazi lëvizi gjithë mekanizmat botërorë, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte çmim NOBEL për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”. Ata, u shikuan mes veti dhe për një kohë mbetën si të nemitur.

I nderuari di të  nderojë

Vepra që hyri në decenien e tretë të krijimtarisë letrare të Bedri Tahirit është ditari dokumentar-letrar “Përshtypje nga Franca”. E veçanta e kësaj vepre është se autori për herë të parë shkruan diçka për veteveten, për shokët dhe miqtë e tij gjatë qëndrimit të tyre dymujor për aftësim pedagogjik në Grenoble të Francës. Me këtë vepër autori bëhet edhe më  i nderuar e më i respektuar, ngase ka treguar mirësinë dhe nderimin për kolegun e tij dhe kolegun tonë shumë të respektuar, prof. Fadil Beqiri, një pedagog i merituar dhe një veprimtar i denjë i kauzës kombëtare, i cili ndërroi jetë para dy vjetesh.

Kështu, libri “Përshtypje nga Franca” hapet me këtë përkushtim që ia jep vlerën e një lapidari pavdekësie:

Fadil Beqirit,

kolegut të dashur e të respektuar, veprimtarit të palodhur të çështjes  kombëtare, i cili,  më 3 qershor 2014, na e la shëndenë!

Autori

Retrospektivë

Pa u thelluar në analizën përmbajtjesore të librit, i cili është ilustruar edhe me foto interesante që flasin shumë, këtë do ta vlerësojnë më mirë lexuesit, që tashmë e njohin mirë stilin dhe profilin e tij krijues, unë, personalisht e falënderoj shumë kolegun tonë krijues, Bedri Tahirin, i cili, me këtë vepër na ktheu në kohën më të bujshme, më të këndshme dhe më të avancuar deri tash të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri si dhe në kohën kur na zhgënjyen keq organet tona komunale në vitin  2003...

Ishte viti 1999 kur lufta në Kosovë përfundoi. Çlirimtarëve tanë dhe popullit liridashës u doli në ndihmë bota e civilzuar, sidomos NATO-ja, dhe përgjithmonë u përmbys armiku shekullor, serbosllavia. OKB-ja bëri thirrje për rimëkëmbjen e Kosovës. Aftësimi i shkollave ishte prioritet. Vizitat e herëpashershme  të organizatave qeveritare e joqeveritare nga vendet e ndryshme të botës i mundësuan Kosovës për të shtrirë projektet e veta.

Përfaqësues të Qeverisë franceze ishin më seriozët për të përkrahur aftësimin e Gjimnazit të Vushtrrisë. Regjioni Rhone-Alpes, regjioni më i zhvilluar i Francës, me 15 milion banorë, kryeqytet Lionin, ishte donator i ngritjes së Gjimnazit tonë. Bashkëpunimi ynë ishte i shkëlqyeshëm. Një meritë të veçantë kanë profesorët tanë të frëngjishtës: Hajdin Hajdini, Xhafer Merovci, Muharrem Qirezi, Basri Xhaferi, Gani Ismaili, Riza Bilalli dhe Zeqir Xhaferi. Nga ana franceze rol vendimtar patën: znj. Martine Storti, inspektore gjenerale e Ministrisë së Arsimit në Francë; z. Christian Duhmel, ministër i kulturës në Lion; znj. Nikole Noel, zv. kryetare e qytetit të Lionit; z. Claud Fruche, drejtor i fondacionit inicues për zhvillim ballkanik; z. Michel Amadry, president i lartë i Drejtorisë së Regjionit Rhone- Alpes, etj.

Më 27 shkurt 2000, znj. Martine Storti që i printe delegacionit francez shpalosi para nesh Projektin për aftësimin e shkollës sonë, i cili përfshinte këto fusha:

Renovimin dhe ndërtimin  e objektit shkollor,

Përgatitjen e laboratorëve, bibliotekës, sallës sporteve dhe ateliesë së muzikës,

Pajisjen me inventarë e  me mjete mësimore,

Lidhjen telefonike e të internetit,

Përgatitjen e sistemit të nxehjes qendrore,

Rregullimin e hapësirës shkollore dhe sistemit të alarmit  si dhe

Aftësimin pedagogjik të të gjithë mësimdhënësve në IUFM-CIEP në Grenoble.

Nga vera e vitit 2000 Projekti filloi të realizohet sipas planit. Lidhjet e rregullta i mbanin me udhëheqës të Zyrës ndërlidhëse franceze në Prishtinë, z. Christof Di Marco, z. Emmanuel Gayrand dhe përkthyeses, znj. Anida Iliadhi. Punët ecnin mbarë. Mbikëqyrës ishte KFOR-i francez. Pranimi i objektit shkollor u bë më 19 dhjetor 2000, ku morën pjesë personalitete të larta të Kosovës e të Francës. Përurimin e bëri kryeadministratori i Kosovës, dr. Bernard Kouchner bashkë me Anne Mari Comparini, president i regjionit Rhone-Alpes, Charles Josselni, ministër për kooperim, i cili edhe e zbuloi Pllakën e vendosur në shkollë.

Gjimnazi i Vushtrrisë ishte shkolla e parë në Kosovë që filloi punën me standardet më të avancuara në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. Herëpashere na vizituan pedagogë të njohur francez për t’i ndihmuar profesorët tanë, sidomos në përdorimin  e mjeteve laboratorike  dhe për aplikimin e metodave të reja për mësim modern e bashkëkohor.

Grenobla  na ndriçoi mendjen

Në kuadër të rehabilitimit të Gjimnazit tonë, Rhone-Alpes realizoi edhe përkrahjen pedagogjike në formë të kursit për aftësimin praktik në Francë të mësimdhënësve dhe personelit administrativ. Vendi i përgatitjes pedagogjike ishte caktuar qyteti Grenoble, si qendër ndërkombëtare për studime pedagogjike. Koha e realizimit të Projektit ishte periudha 2000-2002. Kursi për çdo grup ka zgjatur tetë javë, katër në kurs intensiv për gjuhën frënge dhe katër të tjera vizita në orë mësimore nëpër gjimnazet e Grenoblës. Qendrat e trajnimit kanë qenë: CIEP (Qendra Ndërkombëtare për Studime Pedagogjike) në Universitetin “Stendal” dhe IUFM (Instituti Universitar i Edukimit për Mësues).

Projekti ka filluar më 3. 7. 2000 dhe ka mbaruar më 26. 5. 2002, gjithsej tetë grupe, ku janë përfshirë 77 mësimdhënës. Të gjitha harxhimet, madje edhe për familjet e mësimdhënësve, i ka mbuluar regjioni Rhone- Alpes.

Dhe, pa u lodhur më shumë me shpjegime teorike, po u lë në shoqërim me ditarin dokumentar- letrar “Përshtypje nga Franca” të autorit Bedri Tahiri. Në të, shumë qartë dhe në mënyrë të sinqertë e me argumente janë pasqyruar të gjitha përpjekjet tona për ta përmbyllur sa më suksesshëm Projektin për ngritje pedagogjike të mësimdhënësve tanë, për aftësimin e nxënësve në tregun botëror të dijes.

Përmbajtja e librit ruan në vete kujtime të mira, të rëndësishme e shumë interesante për mirësinë dhe solidaritetin e bartësve të institucioneve dhe popullit francez për të përkrahur në kohë të duhur nxënësit dhe mësimdhënësit tanë, ruan kujtime të këndshme edhe për gjeografinë, historinë, artin, traditën dhe kulturën franceze, duke filluar që nga parahistoria e deri në kohën moderne.

Pra, autori Bedri Tahiri, kolegu ynë i nderuar, me këtë libër shpalos kujtesën tonë kolektive, e cila ruan përjetimet e shkëlqyeshme të jetës dhe përvojës sonë që e fituam në Francë gjatë viteve 2000-2002. Jam ndjerë shumë mirë si drejtor i Gjimnazit që isha atë kohë, kur në mbarim të Projektit, së bashku me përgjegjësit francez analizuam punën tonë të përbashkët dhe, aftësimi e ngritja profesionale-pedagogjike e mësimdhënësve tanë, u vlerësua me notat më të larta.

Autori, me gjuhën e pasur figurative e me një pastërti brilante, shpeshherë na krijon befasira të këndshme, që deri tani as nuk i kishim vërejtur e as nuk i kishim dëgjuar. Ditarin e pasuron në mënyrë të veçantë stili i tij i lartë, por i thjeshtë e i kapshëm për të gjitha moshat e të gjitha shtresat. Krahasimi është përdor me një mjeshtri të rrallë, duke i dhënë veprës një kolorit shkëlqyes e fascionues. Çdo gjë të bukur dhe të rëndësishme franceze autori e krahason me ato të popullit tonë, duke krijuar një analogji mbresëlënëse. Një gërshetim mjeshtëror e artistik i dy kulturave të lashta e me traditë historike.

Unë do të shtoja vetëm dy-tre detaje, që mishërohen me përmbajtjen e librit.

Më 1812, Napoleon Bonaparta, e fiton betejën e Bordonës, në luftë kundër gjermanëve dhe rusëve, pikërisht duke përdorur strategjinë e Skënderbeut, ngase, siç pohon vetë: Atë natë fjeta me librin “Strategjia e Skënderbeut”.

Detaji i dytë i shkon qytetit të kinematografisë botërore, Kanës. Regjisori ynë i mirënjohur, Isa Qosja, me filmin “Proka” është zgjedhur laureat i çmimit të parë dhe të dytë në Festivalin e Filmit “Shpresat e reja” në Canus Film Festival”.

Edhe një detaj më ka lënë përshtypje. Në Rrafshlartën e  Marsejit, në Lapidarin e njerëzve të njohur të kulturës dhe artit francez, pranë shkrimtarit të madh Lamartinit, shkruante:

“Legoisme et la haine, sont seul une patrie: La fraternite n’en a pas”

(“Vetëm egoizmi dhe urrejtja kanë atdhe:Vëllazërimi nuk ka”)

Dhe, fare në fund, nuk më mbetet tjetër, përveçse ta përgëzoi autorin për dhurimin e kësaj vepre të çmuar, “Përshtypje nga Franca”, me të cilën ka nderuar  Gjimnazin ”Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, nxënësit e kolegët si dhe të gjithë lexuesit e tij të shumtë që do ta mirëpresin me dashamirësi si gjithë veprat e tij të mëparshme. Për ne që i kemi shijuar ato ngjarje e bukuri mahnitëse është një rikujtesë e mrekullueshme, ndërkaq për të tjerët, një margaritar që do t’ua shuaj kërshërinë dhe t’i brumos me dije e kulturë.

Faleminderit Qeveri franceze, faleminderit Grenoble!

Të lumtë pena e të punoftë mendja profesor Bedri Tahiri dhe urime edhe 60-vjetori i lindjes!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora