Mendime
Sinan Sadiku: Testi i arritshmërisë të anulohet
E enjte, 02.06.2016, 07:13 PM
TESTI I ARRITSHMËRISË ËSHTË DASHUR TË ANULOHEJ NË TËRË KOSOVËN E JO VETËM NË GJILAN, DRAGASH DHE NË HAN TË ELEZIT
Nga Sinan Sadiku
Testi i arritshmërisë është dashur të anulohet në tërë Kosovën dhe jo vetëm në Gjilan, Dragash dhe në Han të Elezit. Gati në çdo klasë, në nivel të Kosovës, disa nga nxënësit e dobët kanë arrit pikë maksimale. Në çdo shoqëri normale, ku funksionojnë institucionet do diskutohej , analizohej, shqyrtohej... si është e mundur që disa nxënës të kenë njësha ose dysha të falur në ditar, ndërsa po në ato lëndë në testin e arritshmërisë t`i marrin pikët maksimale. Në këtë rast ose nuk ka qenë reale nota e arsimtarit ose nuk është në rregull, gjegjësisht po na gënjen testi. Kjo mospërputhje kaq e madhe është absurde. Përkundër dobësive të arsimtarëve mendoj që shumë më afër realitetit, pra shumë më reale është nota në ditar e vendosur nga arsimtari i lëndës se sa pikët e arritura në testin e arritshmërisë.
Për dëmet që është duke i shkaktuar testi i arritshmërisë, për rezultatet e rreme të tij tashmë bisedohet çdo kund. Dëgjova që një arsimtare e ka pyet nxënësin që i ka nëntë nota të dobëta në ditar: “A e ndien veten keq që ti në test të arrtshmërisë ke marrë më shumë poenë se nxënësit që i kanë të gjitha pesëshe”. Ai përgjigjet: “Po arsimtare më vjen keq”! Një arsimtar i matematikës i një shkolle tjetër tregon se një nxënës, të cilit i jep mësim, që nuk e di as tabelën e shumëzimit, nuk e di pjesëtimin etj. në test të arritshmërisë ka marrë më shumë poenë se nxënësit e shkëlqyeshëm, pikërisht në matematikë! E shoh se vërtet pjesa dërmuese e punëtorëve të arsimit janë shumë të brengosur me rezultatet e rreme të testit të arritshmërisë.
Shumë punë janë bërë nga gjenerata e gjenerata për shkollën shqipe, shumë sakrifica. Kanë rënë shumë martirë dhe në fund ministrat tonë po e shkatërrojnë mundin e shumë gjeneratave. Disa nga intelektualët tanë i kanë kryer shkollat në Beograd, në Athinë, në Stamboll dhe i kanë kontribuar atdheut në shumë fusha. Tani shkollat dhe fakultetet tona janë duke prodhuar analfabetë me diploma. Këta analfabetë me diploma janë dhe do të jenë fatkeqësia e Kosovës.
Nuk ka mundësi që testin e maturës, testin e arritshmërisë ta kalojnë gati 70% e nxënësve. Në Zvicër vetëm 15 deri në 20% e nxënësve shkojnë në gjimnaz. Ata i nënshtrohen testit të maturës dhe shumica e tyre e kryejnë. Asnjë nuk e kryen duke kopjuar apo vjedhur, gjegjësisht duke ja përcjell atë të plotësuar dikush nga jashtë përmes mjeteve elektronike. Nxënësit e tjerë nuk i nënshtrohen fare testit të maturës, sepse vetëm gjimnazi përgatit nxënës për fakultet. Të tjerët janë kuadro teknike që futen në prodhim.
Sipas rezultateve që nxënësit tonë i arrijnë në testin e arritshmërisë dhe në atë të maturës. Pra po të jenë reale ato rezultate, ne në shumë fusha do të duhej tashmë ta kishim kaluar Zvicrën. Përfundimisht rezultatet e sistemit arsimor i vërteton ose i hedh poshtë ekonomia, prodhimi. Derisa prodhimet e Zvicrës për nga kualiteti janë të njohura në tërë botën, ne thuaja nuk eksportojmë. Edhe kur prodhojmë diçka, shumë rrallë për eksport, prodhojmë falë ekspertëve nga Serbia, Maqedonia... të cilët ekspert ndërmarrjet tona detyrohen t`i paguajnë shumë shtrenjtë. Ministria e arsimit do të duhej t`i vizitonte ndërmarrjet prodhuese dhe të tjerat , të bisedonte me menaxherët e tyre dhe të njoftohej me nivelin e përgatitjes profesionale të kuadrove që ua ofron.
Në testin e arritshmërisë dhe të maturës deri tani janë shpërblyer kopjimi e vjedhja... Jo dija.
Andaj konsideroj që Gjilanit, Dragashit dhe Hanit të Elezit u është bërë padrejtësi. Me këtë veprim ministria ka dashur t`i bindi gjegjësisht mashtroj qytetarët se po bën diçka.