| E merkure, 01.06.2016, 06:57 PM |
Ese për mendimet e mia
Nga Reshat Kripa
Para syve më dalin vargjet e një poezie të një poeti anonim, më falni nëse e kam përdorur edhe herë të tjera, të një poeti që më janë fiksuar në mendjen time. Këto vargje më dalin parasysh tani:
Strukur thellë në qoshen time,
Zog i mbyllur në kafaz,
Para syve shumë kujtime,
Zemra gati nuk më plas.
Para syve më del vetja ime e viteve të kaluara dhe e këtyre të sotme. Më dalin mendmet e mia dhe pyes veten:
- A i kam qëndruar besnik këtyre mendimeve?
Nuk e di. Në këtë kaos ku është zhytur ky vend edhe unë nuk e di se ku
jam dhe ku duhet të jem. Nuk e di se ku jam, pasi duke dëgjuar këta zëra korbash që këlthasin në politikën shqiptare, më duket sikur nuk kam asnjë mendim. Nuk kam pasi klithmat e korbave të zinj nuk më lejonte te shpreh mendimet e mia, pavaresisht nese do të dëgjohen ato apo jo. Është pikërisht kjo që zemrën time e bënë të plasë. Megjithatë unë dua të flas dhe, e them me zë të lartë, do të flas. Do të flas për atë që më kanë mësuar ata burra që kurrë nuk do t’i vijnë më Shqipërisë. Edhe këtë e kam thënë edhe herë të tjera por do ta përsëris sa të jetë e nevojshme deri sa daullet e kësaj thirrje të dëgjohen nga shqiptarët.
Mësuesit e mi më kanë mësuar se duhet të luftojë për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Por a është e tillë Shqipëria e jonë? Për fat të keq jo. Shqipëria që unë kam ëndërruar dhe kam luftuar nuk është kjo e sotmja. Nuk është Shqipëria ku forcat politike e shohin njera-tjetrën si armik dhe jo si kundërshtar politik, njësoj si në periudhen e përmbysur kur vendi ishte ndarë në dy kampe, në mbështetës të sistemit komunist dhe kundërshtarë të tij dhe kur këta të fundit ishin te detyruar të ropateshin burgjeve dhe kampeve të internimit. Nuk është Shqipëria që drejtohet nga njerëz me të kaluar kriminale. Nuk është Shqipëria ku ish përgjegjësit kryesorë të diktaturës komuniste sot janë në krye të pushtetit qëndror dhe atij lokal. Nuk është Shqipëria ku sundon hipokrizia dhe servilizmi ndaj udhëheqjes shtetërore. Nuk është Shqipëria ku mungon ndjenja e personalitetit të njeriut dhe ku njerëzit janë kthyer në manekinë që veprojnë sipas shkopit të dirigjentit.
Dua që të çirrem, dua të thërras deri në kupë të qiellit. Dua të shpreh mendimet e mia. Por nuk gjej terren. Nuk gjej terren pasi në Shqipëri, megjithëse ka një numër të madh organesh të shtypit të shkruar dhe atij viziv, që e quajnë veten të pavarur, rrallë ndonjeri pranon që t’i botojë mendimet e mia. Këtë e kam provuar me shumicën e organeve të shtypit të shkruar në Shqipëri por nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tyre. Mendoj se një përgjigje, dhe kjo është edhe në etikën e një organi shtypi serioz, duhej të ma kishin kthyer. Por kjo mungoi. Atëherë çfarë duhet të bëjë unë? Nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i drejtohem të vetmit shtyp të shkruar në Shqipëri që më ka botuar dhe organeve të shtypit elektronik të cilët, për të thënë të vërtetën, gjithashtu më kanë botuar gjithçka iu kam dërguar.
Më lejoni t’iu jap një shmebull. Para disa kohe shkrova një monodramë subjekti i së cilës ishte infiltrimi i ish-punonjësve të Sigurimit të Shtetit në organet e drejtësisë shqiptare të sotme. Ua shpërndava disa specialistëve të njohur të teatrit shqiptar por, me përjashtim të vetëm njerit prej tyre, nuk u denjua të më kthehej një përgjigje. Ua dhashë dhe ua dërgova edhe disa teatrove dhe regjizorëve në Kosovë por përgjigje nuk mora. Përse? Nuk vlente monodrama? Mua nuk do të më vinte keq nëse do të më shprehnin një mendim të tillë, por ky nuk erdhi. Nuk mund ta vinin në skenë për shkak të frikës së kundërshtimit të atyre që sot drejtojnë vendin? Nëse edhe kjo do të ishte e vërtetë unë do ta prisja me kënaqësi një përgjigje të tillë. Por edhe kjo, përsëri nuk erdhi. Atëherë përse? përgjigjen jepeni ju të nderuar lexues.
Kjo është gjendja e Shqipërisë së sotme. Duke perifrazuar me librin e Lewis Caroll do ta quaja “Shqipëria në botën e çudirave”. Këto janë mendimet e mia që rrijnë të ndrydhura në memorien time. Nuk e di nëse ndokush do të më tregojë rrugën që duhet të ndjek për të shprehur këto mendime. Në pastë ndonjë do ta prisja me kënaqësi.