Mendime
Skënder Kapiti: Politika e ka falimentuar Shtetin
E premte, 27.05.2016, 07:23 PM
Politika e ka falimentuar Shtetin
Nga Skënder S. KAPITI
Politika pothuajse kudo shqiptare ka si kulturë papërgjegjshmërinë dhe sjelljen e korruptuar ndaj shoqërisë, shtetit dhe kombit te vet. Këto vese të dëmshme dhe të ulta të saj , ajo, pra, politika po i kultivon dhe po e infekton gjithnjë e më shumë me to edhe shoqërinë, aq sa është bërë shumë e vështirë që nga shoqëria të dalë një elitë e vërtetë politiko-patriotike për të ndërtuar shtetin demokratik, ligjor, modern dhe të sigurtë e të mirëqënë ekonomikisht dhe të integruar ndërkombëtarisht.
Pra, kultura dhe veprimet sidomos tejet të dëmshme dhe negative të politikës , politika në tërësi, është bërë kështu një sëmundje sociale. Dhe jo vetëm kaq por politika me sjelljet dhe veprimet e saj dhe të politikan-halabakëve dhe e mercenarëve të parasë së pisët të krimit, korrupsionit e të pandershmërisë, injorantë, amoralë, të pakulturë e të patraditë patriotizmi dhe të papërgjegjshëm para kombit e kanë kapur politikën, administratën dhe pushtetin, e për pasojë e kanë falimentuar edhe shoqërinë, edhe shtetin; pasi, politika e këtij soji e ka prishur drejtësinë, dhe pra, prej politikanëve dhe prej politikës së këtillë që edhe e zgjedh, edhe i bindet por edhe e duron për çudi edhe vetë populli, shqiptarët po vuajnë nga varfëria, papunësia dhe nuk po integrohen të dy shtetet shqiptare akoma në BE.
Sot, në kohët moderne me shtet kuptohet, pranohet dhe respektohet si i tillë shteti i ndërtuar mbi vlera dhe me standarte funksionale shtetformuese moderne, demokratike dhe ligjore që garanton sigurinë juridiko- civile, politike , ekonomike dhe sociale qytetarëve të vet; arsye këto të asaj për të cilat njerëzit hyjnë në shoqëri dhe që ndërtohet shteti; arësye këto, dhe shkaqe pse populli dhe kombi sakrifikon për lirinë dhe për pavarësinë e shtetit të vet kombëtar të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht sipas parimeve të barazisë dhe të respektit reciprok.
Edhe lexuesi më i thjeshtë vetëm kur kujton këto argumente dhe kritere mbi shtetin( pasi ka dhe të tjera), dhe pa qenë nevoja për të hyrë në filozofira të tjera akademike e shkencore të stërholluara mbi shtetin, menjëherë i shkon në mendje se këto standarte dhe funksione që i duhen shtetit, asnjëra nuk janë realizuar as në Shqipëria dhe as në Kosovë, dhe prandaj të dy këto shtete janë akoma dhe kanë probleme të mëdha me demokracinë, me korrupsionin, me ligjshmërin, me progresin dhe mirëqënien sociale dhe me integrimin politik të brëndshëm dhe në BE.
Këtu po marr si shëmbull Shqipërinë, shtetin shqiptar, pasi megjithse ka mbi 100 vjet Shtet, akoma që prej një shekulli mbetet shteti më i prapambetur civilizisht, demoktatikisht, ekonomikisht dhe shtet joligjor, ku problemet më të mëdha që ka akoma edhe sot Shqipëria janë mungesa e shtetit ligjor, mossundimi i ligjit apo sundimi i korruptuar dhe kriminal i tij, sundimi i drejtësë së vetëgjyqësisë politike dhe shitblerja e së drejtës. Shteti falimenton së pari kur nuk funksionon drejtësia. Dhe ajo që e verteton këtë fakt është mungesa pothuajse tërësore e besimit të publikut te drejtësia; mungesa e interesit të politikës në përgjithësi, mungesa e vullnetit të saj për të ndërtuar shtetin ligjor të së drejtës, gjë e cila vertetohet nga realiteti që akoma edhe prej tre viteve të fundit, prej vitit 2013, kohë kur vota masive popullore ja besoi pushtetin premtimeve të mëdha edhe kësaj të ashtuquajture “Rilindje” të PS-së, duke shpresuar ne vendosjen e sundimin e ligjit, për luftën dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Por edhe, dhe pavarësisht përkrahjes së jashtëzakonshme dhe të gjithanshme dhe megjithë këmbënguljen dhe presionin e shteteve kryesore dhe më të fuqishme demokratike europiane të BE, dhe sidomos të aleatit më të madh të shqiptarëve SHBA, politika shqiptare kokëfortë, dhe e korruptuar, e kriminalizuar dhe e papërgjegjshme është treguar, dhe vazhdon të tregohet e të veprojë si antidemokratike , antikombëtare dhe antiamerikane duke penguar e bllokuar sistemin politiko-demokratik dhe integrimin e Shqipërisë në BE; duke mos bërë dekriminalizimin e vetes; duke mosbërë ndarjen dhe pastrimin e politikes nga krimi; dhe duke mos bërë Reformën në Drejtësi të cilat janë jetike për shqiptarët dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Këtë realitet e pranojnë dhe e deklarojnë edhe deputetë me përvojë dhe jetëgjatësi 26 vjeçare në parlament, dhe aq më tepër edhe të PS-së e cila qeveris sot, si p.sh. deputeti Ben Blushi kur pranon se: “ Ky është parlamenti më i shëmtuar në botë, i cili vetë pranon se ka kriminel”, dhe vazhdon e pyet se: “kush i futi ata në parlament?. Dhe vazhdon të thotë se ky është bërë tashmë model i shtetit dhe se partitë politike janë ndërmarrje fitimprurëse. Ndërsa po kolegu i tij, deputet i PS-së dhe ishkryeministër z. Pandeli Majko shkon dhe më tej kur shprehet se “Nëse nuk miratojmë Reformën në Drejtësi rrezikojmë të kthehemi në një shoqëri gjysmë siciliane... dhe ky nuk është dështim vetëm politik por për të gjithë shoqërinë tonë”. Pra, nëse një shtet nuk qeveriset nga drejtësia ai shtet dhe ajo shoqëri dështojnë, dështim që vjen prej politikës dështake, dhe dështim a nuk do të thotë më keq se sa falimentim?
Politika aktuale qeverisëse e kësaj Rilindjeje është në vazhdën e asaj të pushtetit të djeshëm të kësaj opozite të sotme: të dyja janë demokratike, prointegrimit dhe proamerikane në dukje dhe me mashtrime, dhe tej mase hipokrite, manipuluese dhe të djallëzuara me demokracinë, integrimin dhe kundrejt aleatit tonë besnik dhe të madh SHBA.
Politika kundërkombëtare dhe antiamerikane aktuale pozitë-opozitë me pengimin që i bëjnë Reformës në Drejtësi synojnë t’i shmangen ndëshkimit ligjor të tyre dhe t’ja zgjasin jetën bashkëpushtetit politik tinëzar të tyre të korrupsionit, të krimit, të vjedhjes dhe të tradhëtisë pa marrë parasysh dhimbjet dhe pasojat e rënda që i kanë shkaktuar popullit shqiptar, madje duke kërcënuar dhe sovranitetin kombëtar dhe integrimin; duke guxuar dhe arritur deri atje tradhëtia e tyre sa që të “kundërshtojnë” dhe të refuzojnë ndihmën edhe strategjinë amerikane për rritjen e imazhit dhe të prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë në shërbim të integrimit e Shqipërisë në BE, pasi BE nuk e pranon Antarësimin e Shqipërisë pa plotesuar standartet demokratike të sundimit dhe ndërtimit të shtetit ligjor. Pra, më shumë për progresin dhe integrimin e Shqipërisë interesohet dhe bëjnë SHBA se sa politika shqiptare e cila bën të kundërtën madje. Ndërsa në Kosovë nuk kemi bashkëpushtet tinëzar pozitë-opozitë por kemi pushtet bashkëqeverisës pozitë-opozitë që sillet e vepron edhe ky njëlloj si ky në Shqipëri, pra kemi monopol qeverises politik joinstitucional pushtet-kundërpushtet në Shqipëri dhe institucionalisht monopol bashkëpushtet pozitë-opozitë në Kosovë.
Po kjo politikë pozitë-opozitë vepron edhe sot pra, ashtu siç veproi edhe me refuzimin që i bëri pak kohë më parë propozimit amerikan për demontimin e armëve kimike të Sirisë; akt ky që po të mos refuzohej nga pozitë-opozita aktuale shqiptare e cila edhe sot nuk bën akoma kryereformën e Reformimit të Shtetit Shqiptar, që është Reforma ne Drejtësi do të ishte një shans i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët që vjen një herë në 100 vite dhe që e humbën shqiptarët prej politikanëve të vet të mbrapshtë.
Demontimi i armëve kimike të Sirisë do t’ja rriste në maksimum prestigjin dhe autoritetin e shtetit shqiptar si aktor dhe faktor i rëndësishëm ndërkombëtar në kontributin për zgjidhje të problemeve me rëndësi globale. Dhe kjo si strategji e SHBA-së do të kontribuonte dhe ishte në funksion të strategjisë së saj për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Pra politika shqiptare e verbuar nga korrupsioni dhe interesi personal nuk e ka për gjë edhe pse populli i saj vuan, dhe pse shtetin e falimenton dhe pse po prej saj edhe se Pavarësia e Shtetit rrezikohet dhe kërcënohet. Pra, si me veprimet e saj haptazi antidemokratike e kunderkombëtare dhe antiperendimore ashtu si edhe me “hutinë”, “neglizhencat” si dhe me gjoja “seriozitetin ” dhe me “patriotizmin” fals dhe me hipokrizinë e saj politika shqiptare nuk është serioze, korrekte dhe e besueshme më jo vetëm prej shqiptarëve por as prej miqve dhe shteteve dashamirëse të shqiptarëve.
Shteti falimenton kur ai kapet dhe sundohet nga një politikë e tillë si kjo aktuale si në Shqipëri, dhe në Kosovë. Edhe në aspektin ekonomik e financiar shteti shqiptar ka falimentuar përderisa 35% e ekonomisë është prej prostitucionit, drogës dhe krimit, dhe pjesa tjetër pothuajse e tëra prej dërgesave të emigrantëve ekonomik, donacioneve dhe prej borxheve. Atëhere lind pyetje se çfarë ekonomie, biznesesh, punësimi dhe prodhimi vendas ka në Shqipëri dhe për çfarë politike monetare mund të bëhet fjalë kur shteti merr borxhe për rrogat e administratës , për pensionet dhe për përkrahjen sociale pavarësisht se pensionet dhe përkrahja sociale në Shqipëri janë në nivelet aq të ulta gati si të pabesueshme; tjetër, shteti shqiptar është i detyruar për të marrë gjithnjë borxhe të reja shtesë për të larë borxhet e vjetra. A nuk përbën vetëm ky fakt faliment të shtetit?
Shteti ka falimentuar përderisa nuk ai nuk siguron kushte zhvillimi e sigurie bizneseve dhe punësimit të qytetareve të tij në Shqipëri, por këtë shqiptarët e kërkojnë duke kërkuar azil politik dhe ekonomik nëpër vendet e BE-së dhe të SHBA-së aq sa në bisedat më të zakonshme të qytetareve shqiptarë kryefjala është ajo që dëgjohet nga goja e tyre se: e shpëtova djalin apo vajzën se ja rregullova letrat apo dekomentat e qëndrimit si në Itali, Francë, Spanjë, Hollanë, Gjermani, SHBA, Kanada etj.
Tjetër aspekt falimentimi për Shqipërinë është problemi i superkorrupsionit që kanë bërë pushteti dhe drejtësia me pronat e shqiptarëve, me grabitjen , vjedhjen dhe abuzimit me to, gjë që ka si autor shtetin e administruar dhe të pronësuar prej kësaj politike; shtet-politikë e cila i ka futur shqiptarët në një konflikt e vetëgjyqësi me njëri-tjetrin pa zgjidhje dhe pa krye, dhe pa zgjidhjen e së cilës zor se do të ketë zhvillim , investim dhe integrim në BE. Nëse pronësia e shqiptarëve do të merret në shqyrtim nga Gjykata e Strazburgut, zgjidhja e të drejtës së pronësisë së shqiptarëve do ta ngarkojë shtetin shqiptar me një kosto ndoshta jo dhjetra po edhe qindra miliard dollarëshe dhe vetëm ky fakt, pra korrupsioni me pronat dhe me pasuritë e shqiptarëve do të përbënte falimentim të sigurtë të shtetit shqiptar, të shtetit aktual me ekonominë më të dobët (nëse ka ekonomi) në Europë dhe me korrupsionin dhe antiligjshmërinë më të lartë në Europë dhe më gjërë.
Pra shteti është i falimentuar përderisa keqfunksionon demokracia dhe ligji, pasi keqfunksionim i shtetit do të thotë mirëfunksionim i antishtetit, i antiligjit dhe i korrupsionit; shteti falimenton kur ka dhe mbahet me borxhe; kur në të ka paqëndrueshmëri dhe përplasje të ashpra politike, dhe moszhvillim ekonomik dhe jomireqënie sociale, papunësi dhe varfëri dhe kur popullsia e shikon perspektiven, të ardhmen dhe sigurinë vetëm nëse i jepet mundësia për t’u larguar nga shteti dhe atdheu i tij.