Kulturë
Baki Ymeri: Alexandru-Cristian Milo? në gjuhën shqipe
E diele, 22.05.2016, 12:58 PM
Alexandru-Cristian Milo? në gjuhën shqipe
(I fshehur ndërmjet yjeve, Amanda Edit, Bukuresht 2016)
Nga Baki Ymeri
Alexandru Cristian-Milo? u lind në qytetin Bistrica të Transilvanisë (23/09/1952). Është poet, prozator SF, dramaturg dhe inxhenier linguist rumun. Shkollimin fillestar e kreu në Oradea, liceun në Colegiul Na?ional Liviu Rebreanu në Bistricë, Fakultetin e Medicinës Gjenerale në Kluzh-Napoka. Preokupime ekzistenciale: pedagog shkollar, metodist, gazetar, drejtues i Klubit UNIVERS SF në Bistrica. Anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Rumanisë, si dhe anëtar i disa shoqatave ndërkombëtare të krijuesve në SHBA, Itali, Japoni etj. Laureat çmimesh nacionale dhe internacionale për poeti, themelues i shkollës së kozmopoezisë, anëtar i disa shoqatave rumune për studimin e fenomeneve të panjohura ajrore, Qytetar Nderi i qytetit Bistrica.
Vepra: Botoi 20 libra të kozmopoezisë, prozë SF, publicistikë. Ndërmjet viteve 1987 dhe 2015, botoi: Këngë për agimet e ditës, Yje të përkujtuara, Qenje drite, Emra nga qielli, Sirtari astral i profetit, Poemat e njeriut elektrik, Poemat e bimëve, Princesa fluturimtare vllahe, Burgu i kohës, Rrugët e qiellit, Koha e Babilonit të kaltërt, Kombi kozmik, Libri i oqeanit, Fëmijët kozmikë-raca e re, Filizat e memorjes kozmike, Poema të ritakuara nën Sirius, Die bits des kosmishen gedachtnisses, Qytetarë të kozmosit, Allo, le cosmos a l'appareil, Filozofi siderale, Bibla e rrëshqanërëve, Laser, Kozmos, Jug Galaktik – 4 histori kozmike të Tokës, Liga e bardhë dhe njerëzit metadimenzionalë, Kozmonautë të bardhë.
REFERENCA KRITIKE
“Bardi bistricean është një trubadur i Njeriut Kozmik, i fotoneve të klonarëve, të ADN-së. Risia dhe guximi i këtij poeti qëndron në faktin se vepron me konceptet e shkencës dhe teknikës, nëpërmjet të cilave mendon imagjinativisht dhe i komponon me zhdërvjelltësi metaforat e mirëfillta... Alexandru Cristian Milo? ilustron një hipostazë figurative të poetit, një zbavitës i degdisur në botën e përfytyrimeve, në mënyrën më të veçantë.” (Gheorghe Grigurcu)
„Abstrakcionet dhe sentimentet tubohen si në një vërshim të papritur e të pakontrolluar, duke prurë me to ishuj poezie, thuajse të mbetura nga librat paraprakë të këtij autori fantast, që boton revistën Univers SF”. (Nicolae Prelipceanu)
“E gjithë kjo poezi është një mënyrë për të trajtuar, për të denoncuar dramën e humanitetit tokësor – nëpërmjet sentimentit të përkatësisë së tij në një komunitet kozmik. Është poezia e një frymëmarrjeje të re. Është poezia e një diskursi të ri.” (Constantin Ciuble?an)
Zogj guri
Shtëpitë janë zogj guri
Dritaret, flatrat e tyre!...
Oradea e çapkanllëkut tim
Prej këtu, prej këtu, prej këtu,
Prej këtu duket Dielli!...
Përralla e Re e të Përhiturës
Kur njerëzit na vijnë në shtëpi,
Atëherë edhe nëna ka vend në tryezë!...
Çifti ideal
Ai ishte një baba,
Një nënë, ajo, ishte!...
Tru atletik
I konektuar në yje,
Si në korentin elektrik!
Klieshe 1980
Lulja e kërkon dritën,
Qyteti autostradat,
Burri, gruan dhe fëmijët a tyre...
Muri i kishës
Tre gra të veshura gjatë rrugës
E masnin me ruletë murin e kishës,
E masnin gjatësinë e jetës?!...
Rezerva
Kundërmon ajri i pranverës
Erëmirë,
Ngopu!...
Në qetësi
Unë,
Unë e pashë lindjen para se të lindë,
Unë,
Unë e pashë perëndimin para se të perëndojë,
Ti,
Ti mund të shkosh në Qetësi!...
Bota
E lodhur
Zog metalik, stelar,
Nga,
Do të
Fluturosh?
Një familje e bashkuar
I ati im kolonel,
Nëna ime arsimtare,
Vëllau në gjimnaz,
Unë prore me sytë në Diell,
Një familje e bashkuar –
Mund të paramendoni vallë,
Ndonjë tjetër më të fortë?
Vagabond i fjalëve dhe i yjeve
Kam një qejf të çakërdisur
Të vagabondoj nëpër fjalë
Dhe yje,
T’i preki, t’ia mas pulsin heshtjes
Së ngujuar në to!...
Ardhmëriologji
Kush je ti që do të mi
Lexosh poemat?
Hapi gjerë dritaret
Dhe shiko, ditën, yjet!
Me Universin në duar
Ulu në piano
Dhe këndomë,
Deri në freskinë e agimeve
Gjithëçka që din më mirë,
Deklaratën më të çiltërt
Të dashurisë!...
Tekanjozllëk
Ja se ç’kërkojmë!...
Kërceva lart nga gëzimi,
Duke e kundruar
Në krejt rendin e saj,
Artistik!...
Rekuiem
Te koka e pleqve që vdesin
S’do të jeni kurrë të vetmuar.
Këta pleq kanë qenë edhe ata,
Dikurë, të dashuruar!
Këshillë fshehtësie
Të vish
Është gjithmonë shkuarje,
Të shkosh
Është gjithmonë ardhje,
Në mendime më mirë
Të mbetesh!...
Për Pashkë
Për Pashkë
Bryma e vonë mbi lulet e bardha të qershisë,
Për Pashkë
Në flokun tim të zi, fije të bardha!...
Për Pashkë
Një shportë me ve të ngjyrshme, këngëtare...
Etika Galaktike
Mendo!
Mendo në të vërtetë diçka!
Mendo diçka në të vërtetë!
Mendohu!
Mendomë!
Historia është një top
Historia është një top
Me njolla të mëdha gjaku,
E rrokullisur atypëraty
Derisa ndizet Hëna,
Ndizet dhe shuhet
Me kurreshtje nga topi në top,
Historia është një lajm
Me flatra përralle,
Në stadiumin e jetës
I stërkuqen mollëzat e faqeve,
Duke notuar nga gjerësia në gjerësi!
Konfesione
Sipas babait, arumun.
Sipas nënës,rumun
Sipas meje, poet!...
Tre këshilla për ta kuptuar dëborën
Këshilla e parë:
Duaje dëborën me zemër fëmije!
Këshilla e dytë:
Shikoje dëborën me sy fëmije!
Këshilla e tretë:
Mësoje dëborën
Në gjendjen për të qenë, gjithmonë, fëmijë!
Portret minatori (në thëngjill)
Nuk pij alkohol,
Nuk pij duhan,
Nuk pij kafe,
Kam flokët e gjata, muzikale,
Frekuentoj Thellësitë
Dhe Lartësitë,
Të dashuroj dij, vetëm,
Si një minator i Yjeve.
Leje kalimi
Pjesa ime e ndritur
Dhe me pjesën tënde të pandritur,
Pjesa yte e pandritur
Dhe me pjesën time të ndritur,
Në shtratin ku ëndërrojmë.
Kopertina për vëllimin e ardhshëm
Çka më shërben biblioteka ime
E stërmbushur me libra?
Çka mund të pres nga ana e tyre?
Kur ti je për të gjithë një antikariat
Dhe ende i gjallë!
Dhe ende i dehur,
Si një kalimtar!
Verbërim i yjeve!
Njerëzit e Mileniumit 3
Jemi njerëzit e Mileniumit 3,
Shkencat e Teknologjitë na i zotërojnë jetërat,
Një Asketizëm Kozmik
Dhe Flatrimi i Pandërprerë,
Me Raketa,
Me Shpejtësinë e Dritës,
Në Kozmos!
Universi ynë, një Univers i ri?!
Në Sistemet galaktike të Universit
Yjet kanë forma të ndryshme dhe
Vërtiten me shpejtësi të ndryshme.
Sistemi galaktik,
Kështusoj, mund të lakohet, shkallë-shkallë.
Procesi i lakimit në disa
Sisteme Galaktike ende, ka,
Formën Spirale,
Na lanson Idenë
Dhe Informacionet
Për një Univers të Ri!...
Autorportret
Yll i largësisë jam,
Bie gjethi n’shkretëtirë,
I mugulluar përmbi Fjalë,
Shkruaj ç’jam e jam ai ç’shkruaj!