Kulturë
Ibrahim Gani: Pa u shuar mirë ylli
E diele, 15.05.2016, 06:14 AM
Poezi popullore të Labërisë mbledhur nga Ibrahim Gani
1. Pa u shuar mirë ylli
Pa u shuar mire ylli,
Xhan moj Vito!
Shkon Vitorja te burimi,
Shtruar ia thotë bilbili:
-Dyqind lira të bën syri,
Tetëqind gusha dhe gjiri…
Pika loti derdh fakiri.
2.Rënkon deti
Pa dëgjo si rënkon deti,
Moj nëno, nëne
Vjen një djalë nga kurbeti,
Iku i vogël i shkreti.
I vogël udhën s’e di,
Do ta bie në shtëpi,
Do t’i shtroj verë e raki
Dhe do flemë gji më gji.
3.Dil moj dil
Dil, moj dil, apo s’të lënë,
Sos je yll a sos je hënë,
Sos je mollë për t’u ngrënë.
Dil moj, të të shohin bota,
Se mbajte krushqit te porta.
Dil se po të prêt bandilli,
Prush ndezur zemra e gjiri.
4. Po nuk erdhe…
Në rrëzë të Kallamesë
Shkojnë trimat e Moresë,
Korba që s’dola t’i pyesë,
Për atë qen të pabesë;
A do vijë këtë vjeshtë?
Po nuk erdh këtë muaj,
Hedh furkën e dal e luaj
Po nuk erdhi tanimë
Me barut do djeg shtëpinë.
5. Fryu era e malit
Fryu era e malit
Mori mend e mia,
Mbi supet e vashës,
U shpalos shamia,
Rritu moj bajame
Se ta shkoi selvia…
-Selvia e madhe,
Unë e vogël shumë,
Prit, o bandill, prit
Sa të rritem unë.
6. Unë dola…
Unë dola, dielli leu,
Doli Astritja nga dheu,
Besëqënja ç’më gënjeu.
Gënje, moj qëne gënje,
Po s’ta bëra me hile,
Te vatha e bletëve
Afër portokalleve.
7. Faj ka buza jote
Ç’faj të paskam bërë
Që më more mendjen
Moj ballukeprerë?
Fajin ta ka syri,
Syri si ulliri.
Fajin ta ka faqja,
Erë manushaqja.
Faj ka buza jote,
Mjalt i kësaj bote.
Fajin ta ka gjiri,
Erë trëndafili.
8. Në majë të malit
-Dola, moj dola,
Në majë të malit.
Piva, moj piva,
Shiun e beharit,
Në kupën e gurtë
Mbi shkëmb pranë stanit.
Hëngra, moj hëngra
Djathë e gjalpë mali.
Fjeta, moj fjeta,
Në shark të çobanit.
Bëra, moj bëra
Qejfn e shelegarit.
9.Te burimi
Ç’u ngrita menatë,
Vajta te burimi,
Lava sytë e zezë
Me ujë trëndafili.
Më humbi sahati,
Më mbeti zinxhiri.
-Ti mos qaj, moj çupë
Se ta blen bandilli.
E kishe t’argjentë,
Ta blen prej floriri.
10. Në bahçenë tënde
Në bahçenë tënde,
Dyzetë rrënjë mollë,
Seç u rrit kjo çupa,
Na e bën me dorë.
-Mos më fol me dorë,
Po folëm me gojë
-Do na shohin bota,
Kushedi seç thonë.
-Bota le të flasin,
Të thonë ç’të duan
Të dy njëri tjetrin
Më shumë do ta duam.
___________
Ibrahim Gani
Lapidare
(Në hyrje dhe në dalje të Vlorës)
-Moj Vlorë ç’do të ishim ne pa ty?
-Një komb me më pak histori,
Atdhe me më pak trimëri,
Shqiponjë me plagë në sy,
Labëri pa perlën në gji…
Në gji të nënës Shqipëri,
Ti deti që mëkon Liri!