Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Vlerat Amerikano-Evropiane
E marte, 10.05.2016, 07:31 PM
VLERAT AMERIKANO-EVROPIANE
Nga Frank Shkreli
9 Maji shënon çdo vit Ditën e Europës, një ditë kur festohet paqa dhe bashkimi në Evropë. Kjo datë shënon gjithashtu përvjetorin e deklaratës historike të të ashtuquajturës “Deklarata Schuman” të vitit 1950, në të cilën Ministri i atëhershëm francez i Punëve të Jashtme, Robert Schuman për herë të parë hodhi idenë për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë. Qëllimi i idesë së tij për një Evropë të bashkuar ishte që të bënte të pamundur luftën midis kombeve europiane. Fillimisht, vizioni i tij kishte për qëllim krijimin e një institucioni të ri që do të menaxhonte dhe do të drejtonte prodhimin e çelikut dhe të qymyrit, por që historikisht është konsideruar si fillimi i institucionit mbarë-europian, që sot njihet si Bashkimi Evropian (BE).
Kjo ditë u shënua anë e mbanë Evropës ndërkohë që institucionet evropiane hapën dyertë për publikun jo vetëm në Bruksel dhe Strasbourg por edhe zyrat e BE-së anë e mbanë botës, në shënim të kësaj dite, organizuan aktivitete të ndryshme në shtetet ku kanë përfaqësi.
Ndërkaq, para se të nisej për një vizitë diplomatike prej katër ditësh në disa shtete europiane për takime me udhëheqsit e tyre dhe njëkohsisht për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë kundër korrupsionit, me rastin e Ditës së Evropës, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry përshëndeti Bashkimin Evropian në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan duke thënë se më shumë se 65 vjetë më parë ndonëse Europa ende ishte e shkatërruar nga Lufta e dytë Botërore, “Deklarata Schuman”, krijoi vizionin e një Evrope të bashkuar dhe në paqe. “Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “janë themeluar në bazë të vlerave demokratike, vlera të cilat sot e kësaj dite i ndajmë me partnerët tanë europianë.” Këto vlera, nënvijoi Z. Kerry, na bashkojnë përballë një numri sfidash politike dhe humanitare anë e mbanë botës.” Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Evropës, Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Bashkimi Evropian shërben si shembull i vazhdueshëm i demokracisë, i lirisë dhe i begatisë, vlera këto të arritura nëpërmjet një qëllimi dhe parimesh të përbashkta të qeverive dhe popujve të ndryshëm të rajonit.” Si të tillë, përfundoi kryediplomati amerikan mesazhin drejtuar BE-së, “Shtetet e Bashkuara me krenari qëndrojnë pranë jush dhe me ju -- si miqë dhe partnerë.”
Për këtë bashkim bashkëpunim dhe vlerash të përbashkta amerikano-evropiane foli gjithashtu javën e kaluar edhe Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Varshavë të Polonisë, ku manifestoi vlerat e përbashkëta të Amerikës me kombin polak dhe me Evropën në përgjithësi, ndërsa theksoi se për dy kombet tona, “trashëgimia që ne ndajmë i ka rrënjët thellë në historinë tonë, është e gjallë në komunitetet tona sot dhe u jep energji të reja parimeve që na bashkojnë.” Numri dy i diplomacisë amerikane vizitoi Varshavën për të festuar 225-vjetorin e kushtetutës polake që është më e vjetra në Evropë, dhe e dyta në botë pas kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, “Një dokument”, që sipas tij, “përgatiti rrugën për themelimin e lëvizjeve demokratike anë e mbanë botës, në mbështetje të realizimit të aspiratave universale njerëzore.” Gjatë historisë, u shpreh diplomati amerikan, “dy kombet tona kanë njohur momente triumfi dhe periudha tragjedishë të mëdha”. Por ajo që është me rëndësi është fakti se si ne, si qytetarë dhe si qeveri, përballemi me momente të tilla historike dhe “Nëse ne bashkohemi dhe qëndrojmë pranë dhe me njëri tjetrin në mbrojtje të lirisë, të demokracisë dhe zbatimit të ligjit, përballë rreziqeve, trazirave dhe përçarjeve që na kanosen”, tha zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Numri dy i diplomacisë amerikane u kujtoi polakëve vizitën e Papa Gjon Palit të dytë (me origjinë polake) në Amerikë dy dekada më parë, duke cituar Papën Vojtila i cili ka thënë me atë rast se, “Çdo gjeneratë duhet të dijë se liria nuk qëndron vetëm në faktin se duhet të jemi të lirë të bëjmë çdo gjë që dëshirojmë – liria e vërtetë duhet të bazohet dhe të garantojë të drejtën për të bërë atë që duhet bërë, e që është e nevojshme”, në momente të caktuara historike.
Antony Blinken foli për meritat e Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-s dhe vuri në dukje edhe debatin në lidhje me rëndësinë dhe meritat e këtyre dy organizatave sot, ndërkohë që shtoi ai, disa madje kanë venë në pikëpyetje vetë parimet e demokracisë liberale dhe nëse modeli i qeverive tona mund të mbijetojë në këto kohë krizash. Përballë një situate të tillë, shtoi ai, ia vlen të kujtojmë se pse NATO dhe BE-ja janë aq të rëndësishme jo vetëm për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare, por edhe për sigurinë, zhvillimin dhe paqën në secilin prej vendeve anëtare. Ndërsa popujt e Evropës Lindore shëmben komunizmin duke ndryshuar kështu hartën e Evropës, NATO dhe BE-ja, tha ai, këto dy institucione të mëdha transatlantike -- të themeluara mbi parimet e demokracisë, të lirisë së individit dhe të zbatimit të ligjit -- mbështetën dhe përkrahën tranzicionin paqësor të vendeve evropiano-lindore, nga komunizmi në demokraci. Këto dy organizata, tha diplomati amerikan, do të vazhdojnë të mbrojnë primet dhe vlerat tona të përbashkëta si edhe ato vende që këto vlera e parime i ndajnë me ne.
Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi në fjalmin e tij se, “Në radhët e NATO-s nuk ka qytetarë të klasës së dytë”, ndërsa citoi Presidentin Obama, i cili dy vjetë më parë, në një fjalim në Varshavë ka pohuar se, “Ne qendrojmë së bashku, tani dhe për gjithmonë, sepse liria juaj është edhe liria e jonë.”
Z. Blinken, pohoi se çdo demokraci, përfshirë edhe atë në Shtetet e Bashkuara, i ka të metat e veta. Por debati dhe dialogu i sinqert janë të doesmodoshëm në një demokraci të mirëfilltë, ashtu siç është e rëndësishme edhe ndarja dhe pavarësia e pushteteve qeveritare, si dhe respekti për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë.
Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë u shënua “Dita e Evropës”. Pas pranimit në parim të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi të draftit përfundimtar të reformës në drejtësi, Përfaqsuesja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin u shpreh nga Shkodra se -- megjithëse Shqipëria ka shumë punë për të bërë në rugën e antarsimit në BE -- ka ardhur koha, shtoi ajo, që Këshilli i Evropës të rekomandojë hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa në Kosovë, ku dita e Evropës është ditë feste, u mirëprit propozimi për liberalizimin e vizave, por u theksua njëkohsisht edhe rruga e gjatë dhe e vështirë me të cilën përballet vendi drejtë integrimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Bekim Çollaku pasqyroi ndjenjat e shumë vetave në lidhje me integrimin e Kosovës në organizmat evro-atlantike, ndërsa u shpreh se, “Nuk ka rrugë të shkurtër, në udhën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”. Fatkeqsisht, kjo vlenë edhe për Shqipërinë. Për një kohë të gjatë tani, zyrtarët evropianë i kanë bërë të qarta qëndrimet dhe kushtet e tyre për antarësimin e shqiptarëve në organizmat evro-atlantike.
Demokracia nevojitë mençuri dhe virtyte, por edhe debat dhe dialog të mirëfilltë me respekt ndaj njëri tjetrit dhe kushtëzon ndërtimin e institucioneve bazë për një demokraci të mirëfilltë, përfshirë një parlament përfaqsues të popullit, parti politike të mirëfillta, shtyp të lirë, shoqëri civile me liri veprimi, polici të përgjegjëshme dhe profesionale dhe natyrisht një sistem të pavarur juridik dhe gjyqësor. Janë këto vlera amerikano-evropiane që kanë karakterizuar NATO-n dhe BE-në gjatë dekadave – “të bashkuar në qëllime dhe parime”. Ndonëse siç pohoi edhe Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Çollaku, i cili tha se nuk ka rrugë të shkurtër drejtë integrimit në BE, është e qartë se sado e gjatë të jetë kjo rrugë, për kombin shqiptar nuk ka rrugë as alternativë tjetër përveç integrimit të tij të plotë politik dhe ushtarak në organizmat evro-atlantike! Në “Ditën e Evropës”, kjo është dëshira jo vetëm e shumicës së shqiptarëve, por njëkohsisht është edhe vullneti dhe dëshira e miqëve perëndimorë që kombi shqiptar të zejë karrigën e vet në radhët e kombeve evropiane, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin. Por ky objektiv mund të arrihet vetëm nëqoftse realizimi i këtij qëllimi do të bëhet prioriteti numër një i politikës shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.