Kulturë
Kadri Kadiu: Ndodhira të vogla
E marte, 10.05.2016, 06:54 PM
NDODHIRA TË VOGLA
Nga Kadri Kadiu
Mos prisni ndonjë gjë të madhe nga këto shkarravinat e mia. Nuk e mohoj se, që në të ri, thurja vargje e bëja përshkrime. Qysh kur isha në klasën e shtatë, në Shkollën e Progrit në Devoll, mësuesja e letërsisë, Margarita Papargjiri (Pani), në orët letrare që zhvilloheshin në shkollë, më ngarkonte që të bëja recensione të librave të shkrimtarëve më të njohur të asaj kohe, si përshembull të Romanit "Tokat e Çara" të Mihail Shollohovit, të Romanit "Këneta" të Fatmir Gjatës etj. Në shkollën e mesme, në Teknikumin Bujqësor të Korçës, mësuesi i letërsisë, Kristaq George, hartimet e mia nuk m'i kthente asnjëherë por i ekspozonte ato në Këndin Letrar të Shkollës. E sikur të kisha vazhduar këtë rrugën e letërsisë, edhe unë xheç do të kisha bërë dhe ndofta do t'ia kisha kaluar të paktën atij devolliut, ish studentit tim, shkrimtarit Thani Naqo, i cili dikur mësonte leksionet e mia kurse tani unë lexoj librat e tij. Mirëpo ja që më tej unë nuk e ndoqa këtë rrugë por iu futa punës si turku, duke punuar me zell, edhe nga 12 orë në ditë, për ndërtimin e socializmit. Në fakt, jo se hoqa dorë fare nga të shkruarit, por shkrimet e mia më tej iu kushtuan problemeve ekonomike dhe bujqësore. Tani që kam ardhur këtu në Amerikën Kapitaliste, xheku bëj ndonjë shkrim me cikërrima nga mbresat e mia të jetës. Me pishman e kam këtë punë, por ja që më jep kurajo një miku im, Poeti devollit Meti Fidani, i cili më thotë: "S'ka gjë se janë cikërrima bre Kadri, pasi edhe lumin e madh përrenjtë e vegjël e bëjnë".
Ja dhe sot do të lexoni ca cikërrima:
1. Hartim jashtë klase
Në maj të vitit 1959 erdhi për vizitë në Shqipëri Udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe i gjithë Kampit Socialist, Nikita Hrushovi. Festë e madhe u bë ato ditë në gjithë Shqipërinë. Në atë kohë unë isha në klasën e tretë të shkollës së mesme. Mësuesi i letërsisë na dha që të bënim një hartim jashtë klase, me temën: "Përshtypjet tuaja për vizitën e mikut më të shtrenjtë të Shqipërisë, Nikita Sergejeviç Hrushovit".
Mësues Kristaqi na la një javë kohë për ta përgatitur atë hartim. Mua më doli punë e madhe atë javë pasi çdo ditë më duhej të bëja nga një hartim sepse më ranë më qafë gjysma e klasës që t'ua bëja unë hartimin. E kam të regjistruar në kujtesë se shkrova tetë hartime me atë temë. Sistemi i vlerësimit në shkollë në atë kohe ishte me pesë nota, ku nota dysh ishte pakaluese ndërsa nota më e lartë ishte pesa. Gjashtë hartime i bëra për notën tresh pasi kaq deshën shokët e mi të klasës, rrogën bazë, sa për të kaluar. Një hartim e bëra për notën katër pasi këtë e kisha për shokun tim devollit, Qani Lipen nga Shënkollasi. Ky Qaniu ishte nxënës shumë i mirë në mësime, bile me nota më të larta se unë, mirëpo ja që në hartime nuk është me të nxënë por është me të dhënë. Hartimin e tetë e bëra për vete, kuptohet që i kushtova më tepër vëmendje, me synimin që të merrja notën pesë. U a shpërndava unë këto hartime porositësve dhe secili i kopjoi me shkrimin e vet dhe vuri në fund emrin e vet.
Pas një jave, kur mësuesi i letërsisë na i solli hartimet të korrigjuara e të vlerësuara, rezultoi se gjashtë hartime kishin marrë notën tresh; një hartim, ai i Qaniut, kishte notën pesë, kurse hartimi im kishte notën katër. Akoma edhe sot nuk më ka dalë inati me veten time, që hartimin për Qaniun e kisha bërë më të mirë se sa timin.
Me Qaniun jemi edhe sot shokë, kemi qenë sëbashku studentë edhe në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, pastaj kemi qenë përsëri kolegë si pedagogë në atë Institut, e më vonë kemi punuar përsëri bashkë për disa vite në Ministrinë e Bujqësisë. (Në Ministri, një shoqja jonë e punës këtij Qaniut nuk i thoshte Qani por i thoshte Naqi, por nejse, kjo është një temë tjetër).
2. Ditëlindja e gjyshes
Para ca kohësh isha në Shtetin Utah ku një dhëndri im amerikan, Mathew, kishte dy gjyshërit e vet. Gjyshi ishte 94 vjeç kurse gjyshja 96 vjeçe. Ditën që shkuam ne rastisi që të ishte ditëlindja e gjyshes kështu që nipi i saj e dhëndri im Mathew, porositi në një ëmbëltore një tortë ku u shkrua emri i gjyshes dhe në vend të qirinjve, sipër tortës u vendosën numrat 9 dhe 6. (Kjo për arësyen e thjeshtë se 96 qirinj mund të vendoseshin vetëm në një tortë me përmasat sa ajo e Lulzim Bashës që e vendosi në Sheshin Skënderbej të Tiranës me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë). Pasi ia kënduam gjyshes atë këngën "Happy Birthday", unë e urova gjyshen më konkretisht, duke i thënë: " U bëfsh 100 vjeç"! Do ti që nuk i pëlqeu fare gjyshes ky urimi im, pasi sipas meje ajo duhej të jetonte edhe vetëm katër vjet të tjera? Prandaj ajo jo vetëm që nuk më falenderoi për urimin por nxitoi të më thotë: "Më mirë mos e caktojmë ne, ia lemë Zotit ta vendosë këtë punë".
Kafshova gjuhën unë për atë urim të gabuar që kisha bërë dhe fillova të flas më pak e të dëgjoj më shumë. Por më bëri përshtypje edhe një gjë tjetër: Gjyshi, sa herë që i fliste gjyshes, pra plakës së vet, nuk i fliste në emër por i drejtohej me fjalën "Honey" (Hani). E vërteta është se unë që në fillim kur erdha këtu në Amerikë, dëgjova dhe mësova se bashkëshortët, zakonisht kur i drejtohen njeri-tjetrit, në vend të emrit përdorin fjalën" Honey" (Hani), që do të thotë mjaltë, ëmbëlsi, i e dashur, shpirt etj; pra i drejtohen me përkëdheli, me lajkatim, por unë nuk e kisha menduar se edhe në këtë moshë përdoren këto lajka. Ne në Shqipëri s'para përdorim lajka të tilla dhe bashkëshorteve iu thërrasim në emër, kurse pleqtë tonë në kohët e mëparëshme nuk përdornin as emrin por e thërrisnin njeri-tjetrin me "moj" dhe "ore". Nejse, si me shaka, unë i bëra Gjyshit një kompliment duke i thënë se "sa shumë që e dashke plakën që e quan "Hani, Hani". "Jo mo zotëri, mu përgjigj Gjyshi, po unë ka nja 15 vjetë që ia kam harruar emrin asaj prandaj e thërras kështu".
3. Shaban Matrapazi
Kur bëra dasmën e djalit tim, Shpatit, këtu në Kolorado, vajza ime e madhe, Monika, e cila ka një biznes të vetin, më tha: "Si peshqesh për dasmën unë do iu ble nga një kostum Shpatit, ty babi, bashkëshortit tim si dhe dy bashkëshortëve të motrave të mia, të Vjollcës e të Edit, ndërsa për nusen e Shpatit, për mamin, për dy motrat si dhe për vete do të ble për secilën nga një fustan".
Ishim kështu dhjetë veta ne që do të merrnim peshqeshe për dasmë. U nisëm, me tre makina, për tek një dyqan rrobash me emër që është këtu në zonën tonë. U futëm në dyqan dhe shitëses së parë që na doli përpara i kërkuam ndihmë të na drejtojë pasi do të blemë pesë palë kostume burrash dhe pesë fustane. Shitësja, e gëzuar, jo vetëm që na u vu menjëherë në dispozicion, por me që në atë moment në dyqan ndodhej edhe pronari i dyqanit, ajo e njoftoi edhe atë se ishte rasti për të bërë një pazar të mirë. Erdhi pronari dhe na u prezantua: Unë jam Shaban Durguti nga Istambuli, tha, nice to meet you. ( Bukur të takohem me ju). Ama, thashë me vete unë, qenka turk ky Shabani kështu që t'i bëj ca lajka e t'i hiqem si mik se helbete, mund të na bëjë ndonjë ulje çmimi. (Kështu e mendova në fillim unë por më vonë kuptova se në pazar Shabani ishte më çifut se çifuti).
Nice to meet you too, Shaban Efendi, ia ktheva unë. ( Kënaqësi dhe për ne që takohemi me ju). Edhe unë, i thashë, mysliman jam, nga Shqipëria, Kadri e kam emrin.
Unë shqipërishten e thaj fare por anglishten nuk e ngas mirë kurse nga turqishtja nuk kam haber fare. Mirëpo ja që aty për aty u kujtova se nuk ka shqiptar që nuk i di nja njëmijë fjalë turqisht, si fjala vjen haber, aksham, merhaba, hallall, haram, hanëme, bej, efendi, terxhuman, hallva, bakllava, ishalla, mashalla, badihava, birinxhi, xhenet, xhihenem, zengjin, fukara, xhambaz, matrapaz, hazër, xhevap, hesap, sevap, selam, alekym selam e kështu me radhë. Kështu që, për t'i pëlqyer Shabanit, fillova t'i flas atij me atë anglishten time të çalë por duke futur brenda sa më shumë fjalë nga këto turqizmat e shqipes.
E kështu, nën shoqërimin e Shabanit, vazhdonim ne nëpër dyqan të zgjidhnim e të provonim, secili sipas dëshirës, kostumet apo fustanet që do të blinim. Ajo që do të paguante paret, Monika, na i kishte dhënë lejën që "secili të zgjedhë atë që i pëlqen dhe të mos bëhet merak për çmimin". Pas gati një ore kërkimesh nëpër dyqan, secili mbante në dorë kostumin apo fustanin që kishte zgjedhur, por puna ngeli tek unë. Provova nja 4-5 kostume të përmasave të ndryshme por asnjëri nuk më vinte pas trupit. Kjo gjë jo për faj të kostumeve por për fajin tim, se tani në këtë moshë mua më janë prishur proporcionet e trupit; më është rritur perimetri i belit kur gjatësia e gjymtyrëve nuk ka ndryshuar, kështu që nuk ka pantallona apo xhaketë që të më mbërthehen kopsat në bel. Detyrohem që gjithmonë të marr rroba me 2-3 numra më të mëdha dhe pastaj t'i shkurtoj mëngët e xhaketës dhe paçet e pantallonave. Për shkurtimin e paçeve, ia ka marrë dorën bashkëshortja ime dhe e bën mirë atë punë ndërsa shkurtimi i mëngëve të xhaketës do më shumë specialitet pasi mëngët kanë dhe astarin brenda, kanë edhe ca të prera të veçanta ku vendosen edhe disa kopsa etj. Tani, në kërkim të kostumit tim u angazhuam 10 veta, plus Shabani 11. Shabani më ndillte mua që të shkoja andej nga repartet ku ishin rrobat më të shtrenjta mirëpo unë nuk e hanja atë kokër ulliri. Vërtet që kostumin për dasmë do ma blinin, por unë nuk do të bëhesha dhëndër e as duhej që të merrja një kostum më të shtrenjtë se sa ato që do të merrnin dhëndurët e mi, e që ta them drejt fare, më dhimbseshin më shumë se të tjerëve edhe paret e vajzës time, kështu që nuk i shkëputesha atij repartit të rrobave më të lira, "Low Price". Më në fund vendosëm se cilin kostum do të merrnim dhe i thamë pronar Shabanit që mundësisht të na i shkurtonin nja 2-3 centimetra mëngët e xhaketës. "Patjetër, tha Shabani, s'ka problem fare, bujrëm të shkojmë tek rrobaqepësja e dyqanit se për dy minuta ua shkurton ajo", dhe na çoi tek një kënd i dyqanit ku punonte rrobaqepësja. Para se t'i flisnim ne rrobaqepëses, Shabani nxitoi e i tha: " Merr porosinë e këtyre dhe preua kuponin për pagesë"! Dhe ajo ashtu bëri, mori masën e shkurtimit dhe na dha kuponin ku shënohej se duhet të paguanim në arkë 90 dollarë.
Eu, thashë unë i inatosur, 400 dollarë bën gjithë kostumi ndërsa për dy minuta punë dashkan edhe 90 dollarë të tjerë. Le që i bëmë gjithë këtë pazar e nuk na uli asnjë cent në çmim ky turku, por na dashka edhe një thelë mbi bisht tani. Hajt të ikim fare, i thashë vajzës, se nuk e meritoka ky turk matrapaz. Hajt të ikim thashë unë por tani nuk ndaheshim dot nga Shabani, pasi ai e kuptoi që unë e shava duke i thënë matrapaz në gjuhën e tij dhe mori zjarr si pushka e jevgut. Vajza ime, Monika, mundohej të më qetësonte edhe mua por edhe Shabanin. Mua më thoshte. "Po ç'ke o babi, kur unë po paguaj afër gjashtë mijë dollarë për gjithë këto rroba që po marrim, le të paguaj edhe 90 më shumë, s'ka gjë". Ndërsa Shabanin mundohej ta qetësonte duke i shpjeguar se " matra-paz" në gjuhën shqipe janë dy fjalë, matra dhe paz, që do të thotë tregëtar i mirë". Shabani ndofta dhe nuk u bind me shpjegimin që i bëri vajza ime por më në fund e mbylli gojën pasi iu ngroh xhepi me një dorë të mirë parash.
E kështu, ma blenë me zor mua kostumin tek matrapazi i Stambollit këtu në Denver.
Kadri Kadiu, Denver, maj 2016.