| E hene, 09.05.2016, 05:28 PM |
Jetën nuk e shkova në gjumë
Nga Përparim Hysi
Jetën nuk e shkova në gjumë
Jetën nuk e shkova në gjumë
Si ujë i ndenjur nuk kam qënë
Si zot kam qënë në timen punë
Tani që nuk e kam , më dhëmb.
Më dhëmb, se jam i papunë
Dhe ndjej në shpirt zbraztësirë
Jetën, po e shkove në gjumë,
Zëre se nuk ke jetuar, ta dish mirë.
Letër një Deliranti
E shoh. Rreh gjoksin dhe hiqesh si trim
Por po ta them hapur:- Je vetëm përçmim!
Zë e skërmitesh sikur je elefant
Kot që jargavitesh, o zoti Delirant!
Nuk i përfill të tjerët ( i quan si miza)
Si Don Kishoti zë e bën "batërdira"
Kur trimëria të shfaqet përballë,
Si qen i rrahur, me bisht në shalë.
"Kush kokën mban lart dhe mbahet i rëndë,
Ka mendjen e vogël e të lehtë si pëndë" *
Jargavitesh e skërmitesh si trim me pallë
Kur fillon "beteja", me bisht në shalë.
* varg i Naim Frashërit.
4 maj 2016
"Ahu" i njeriut
"Ahu" i njeriut që heq me shpirt
Djeg më shumë se sa djeg zjarri
Ta dinë pushtetarët (që të gjithë)
Do ta paguajnë së gjalli.
Mos e kujtojnë veten të fuqishëm
Dhe një gjëmb nuk do t'u hyjë në këmbë.
"Ahu" i njerëzvet i ngjan zjarrit të nënhirshëm
Ka për t'i djegur, pak nga pak, si gjëmë.
6 maj 2016
Po të varej nga unë
Po të varej nga unë,
Gjithë të fuqishmit ( ku janë e nga janë)
Që inatin ma sjellin mbi hundë
Se mbi të dobtit e të varfërit bëjnë hatanë...
Se si kuaj të azdisur frerin e marrin nëpër këmbë
Se gjasme janë të fuqishëm ( të pyesin as nuk kanë përse?)
Dhe zënë që të tjerët janë gati t'i hanë me dhëmbë
Unë as do t'i lija gjallë mbi dhe...
7 maj 2016
Luftën nuk e dua
Luftën nuk e dua, se kam shpirt prej pëllumbi
Por Atdhenë, në e shoh në rrezik, nuk më trëmb plumbi.
Luftën nuk e dua, po e them fare prerë
Po për lirinë nuk e fut kokën në ferrë.
Pra luftën nuk e dua, por jo atë për liri
Për liri luftoj, se ndryshe s'do isha njeri
Jam me gjithë ata që për liri luftojnë në botë
Jam kundër atyre që në botë hiqen si ZOT!
Se të sulmosh një vend tjetër, detit i ke hyrë në këmbë
Këtë nuk e bën një shtetar që ka dy fije mënd
Kujtohu se kur sulmon një vend ( sado të jetë i vogël)
Vjen një ditë dhe do të vijë mendja rrotull.
Kështu do të ndodhë, sado që mund të jetë vonë
Dhe nuk shkruaj kot: historia e dëshmon.
Tiranë, 7 maj 2016