Mendime
Aurel Dasareti: Liria Kombëtare
E diele, 08.05.2016, 10:33 AM
Liria Kombëtare
Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Historia e shqiptarizmit është një histori tragjike e luftërave për Liri Kombëtare nga pushtuesit gjakatarë. Megjithatë, veçanërisht prej vitit 1941 e këndej, udhëheqësit tanë kanë përdorur parulla të rreme duke u shprehur se po çonin popullin drejt lirisë, kur, në të vërtetë kishin për qëllim veç ta vinin në vargonj të ri.
***
Në mediume diskutimesh paraqitem prej vitit 2001. Në fillim, bëja çmos që të më dëgjonin të tjerët, të dukesha njeri me rëndësi. Por kur filluan të më dëgjonin e kur fillova të ndikoj, u bëra më i rezervuar e më pak i etshëm për të pasur peshë tek të tjerët. Nuk ngutem të futem aty ku engjëjt kanë frikë të shkelin.
***
Kam bindjen se shpirti im përfaqëson një pjesë të vogël të zhvillimit njerëzor dhe që në fund të fundit përshpirtja më e vogël e Unit tonë të brendshëm është jo më pak e rëndësishme se lufta dhe paqja e botës së jashtme.
Gjatë përvojës sime luftarake 6-7 vjeçare në gjithë rruzullin tokësor, zbulova se fitoren në luftë nuk e ofron as numri i ushtarëve e as sasia e armëve, fiton ajo ushtri e cila i hyn betejës me zemrën më të fortë.
***
Dekadat e para të shekullit të 21, sidomos e ashtuquajtura “kriza refugjatëve” është periudha më e dobët ndonjëherë në historinë e gjatë dhe të trazuar të Evropës e cila ofron dhe lejon pushtimin e tokave të veta dhe humbjen e lirisë së vet nga sasia masive e pafund e gjuetarëve të lumturisë, sidomos nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Evropa tani është njeriu i sëmurë i botës, një shaka globale. Prandaj, është koha që ne shqiptarët të zgjohemi nga ëndrrat e rrezikshme, t`i kthehemi vetvetes, t`i shikojmë vetëm hallet tona, të luftojmë për mirëqenien, të fitojmë lirinë tonë.
***
Ndër të gjitha kërcënimet ndaj interesave të njeriut, ajo ndaj lirisë është me rëndësi të jashtëzakonshme. Kërkesa për liri është reagim i organizmit njerëzor. Gjatë gjithë historisë klasat e ndryshme shoqërore dhe sidomos kombet kanë luftuar kundër shtypësve të tyre nëse kishte ndonjë mundësi fitoreje, por shpesh edhe nëse nuk kishte ndonjë të tillë.
Lirinë unë e shoh si mundësi rrugësh të ndryshme në dispozicion. Nëse rrugët tjera të mundshme të një situate aktuale janë tepër më të ulëta nga niveli, apo nëse lëvizja kërkon mundime e sakrifica të mëdha, njerëzit mbeten të varur nga sistemi ekzistues dhe vihen përballë lloj-lloj shtrëngimesh, poshtërimesh e shfrytëzimesh. Nëse kanë në dispozicion rrugë të tjera, atëherë inferiorë janë vetëm në shkallë më të ulët, por janë të lirë nga trysnitë e mësipërme. Po të ushtrohet trysni, ata thjesht lëvizin e ndërrojnë vend. Liria është atëherë funksion i aftësisë së njerëzve për t`u larguar nga dispozicionet ekzistues. Kur këto rrugë të tjera nuk janë inferiorë veçse në gjëra të dorës së fundit, atëherë liria është në shkallën më të lartë.
Kjo pikëpamje ndryshon mjaft nga mënyra si shihet liria zakonisht, pra kur liria përgjithësisht shihet si ideal e jo si fakt. Si ideal, lirinë zakonisht e lidhin me sakrificën. Si fakt, ajo qëndron në mundësinë për të bërë atë që dëshiron pa qenë nevoja për sakrifica.
Ata njerëz që besojnë te liria si ideal mund të luftojnë me zjarr për të, por kjo nuk do të thotë se edhe e kuptojnë se çka është. Përderisa ajo u shërben si ideal, ata priren ta shohin si një fatmirësi absolute. Në të vërtetë, liria nuk është pa aspekte të padëshiruara. Një gjë e tillë mund të bëhet më e dukshme jo kur liria është ideal, por sakrificat në emër të saj të kenë dhënë frute dhe liria të jetë arritur. Megjithatë, unë parapëlqej shumë më tepër dikë që është gati t`i përkushtohet edhe idealit më naiv sesa dikë që megjithëse flet plot inteligjencë për parimet dhe idealet e botës s`është i zoti të bëjë asnjë sakrificë për to. Në botën shqiptare të kohës tonë afshi i heroizmit ka rënë, solidariteti i bazuar në një ideal të përbashkët është dobësuar, intelektualët kanë dështuar, politikanët kanë tradhtuar. Ajo çka mbetet është një shumicë individësh, ku secili ndjek interesin vetjak siç e koncepton ai. Ky konceptim mund të përkojë ose mund të mos përkojë me interesin publik. Kjo është liria, ashtu siç mund të gjendet në një shoqëri të hapur, një liri që mund t`u duket zhgënjyese atyre atdhetarëve që kanë luftuar për të në Kosovë, FYROM...
***
Dëshira njerëzore për liri është diçka zanafillore që e gjejmë që tek kafshët e fëmijët e vegjël. Në fushën politike, ndërkaq, liria kthehet në një çështje problematike, sepse, liria e pakufizuar e çdo individi, e bën të pamundur bashkë-jetesën njerëzore. Kur jam i lirë të bëj çka dua, atëherë jam i lirë t'u vjedh të tjerëve lirinë e tyre.
***
Është e rëndësishme që sa më shumë njerëz të marrin pjesë në forma të ndryshme të veprimtarisë politike.
Është e nevojshme dhe domosdoshme të kemi pasqyrim dhe njohuri të mirëfillta si dhe të jemi seriozisht të interesuar dhe aktiv.
Një person i cili ka fuqi politike, është në gjendje për të arritur qëllimet e tij pavarësisht nga rezistenca e të tjerëve. Personi mund të pengojë të tjerët nga arritja e qëllimeve të tyre dhe mund të arrijë interesat e veta përmes tyre. Ky person mund të përdorë forma dhe mjete të ndryshme: argumentim, presion, bindje, forcën e detyrimit, frikësime, dredhi. Kur përmendi termin “person me fuqi politike” mendoj në individët dhe grupet që mund të kenë pushtet.
***
Shoqërisë shqiptare i nevojiten mediumet e mirëfillta me autorë të mirëfilltë që nxisin lexuesin (personin) të jetë veprues. Ti si person nuk mbetesh një objekt që i nënshtrohesh nxitësit, ti shpreh në të kundërtën aftësitë e tua duke u vënë në marrëdhënie reale me situatën e vendit dhe me botën, bëhesh veprues dhe frytdhënës. Pra, nxitësi i mirëfilltë shkakton një impuls, prej të cilit personi i nxitur udhëhiqet dhe priret aktivisht drejt një qëllimi pozitiv për Kombin dhe Vendin, vetveten.