Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës

| E shtune, 16.08.2008, 01:39 PM |


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

ISBN 99943-32-09-0
Shtëpia Botuese Onufri
© Autori, 2004

Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë,
të të gjitha vendeve e të të gjitha kohëve.
“Mendjeve fisnike që transformojnë tragjedinë tonë kolektive,
në nji kryqëzatë kundër Torturës,
në çdo vend e në çdo kohë,
me mirënjohjen ma të thellë.”

PER LEXUESIN

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati“ zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashe “jo“ diktaturës e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuejse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan“, “personalitet“ i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjsova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet. Gjatë udhës, takova dhe njofta ma mirë “njeriun“, krijesën fisnike, të etshme për liri, të djegun për vllaznim e njikohësisht, të aftë me zbritë poshtë, në botën ku mbretnon çnjerëzimi ma i plotë e vdekja ma e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e deshta me pasion. Kjo dashuni për “njeriun“ mundi edhe kërcënimin e vdekjes. Mendje fisnike kanë përshkrue atmosferën helmuese që na zuni frymën. Por nji ndërmarrje e organizueme, e ndieme nga të gjithë si nevojë urgjente dhe e padurueshme me shkye perden e mshehtësisë e me sjellë dritën që zbulon krimin e kriminelin, ka mungue. Si asht e mundun, më shkruante nji intelektuale e shqueme nga Tirana, që nuk kemi ditë për tmerret e diktaturës dhe, si asht e mundun, që asnji nga ata që ditën, sidomos “antarë të familjeve komuniste”, nuk gjetën guximin me folë e denoncue veten, ose prindin kriminel…ashtu si veproi bija e Stalinit në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ajo e Fidel Kastros në Kubën “socialiste”?! Këto pyetje të thjeshta e të thella sa vetë justifikimi i nji ekzistence moralisht të pranueshme, ndigjohen në të gjithë botën ish-komuniste. Asht nji fenomen negativ që ofendon kujtimin e viktimës. Asht padyshim, nji shprehje e degradimit të plotë të ish-“udhëheqjes” e rrethit të tyne, si edhe nji degradim i masave të indoktrinueme që e ndoqën pa mendue, për oportunitet ose nga frika që shkatërron gjithçka. Shqipnia e sotme nuk e ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme. Kjo gjendje fluide, më frikëson. Nëqoftëse refuzojmë me përballue demonët e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Kjo asht nji arsye, përse vendosa të shkruej sot, ma shumë se katër dekada mbas largimit tim nga Shqipnia.

*

Në kampet e burgjet komuniste ku kalova dhjetë vjet rinie, ziente urrejtja e dëshira për hakmarrje. Në nji ambient të këtillë brumoseshin shpirtnat e rij, të atyne që do të ishin përfaqsuesit e së nesërmes, kalitësit e së ardhmes për nji komb që gjithnji vuejti e për të cilin, skamja e frika kanë qenë buka e përditshme. Komunizmi në Shqipni e zhveshi shqiptarin nga rrobet e trupi e të shpirtit. Këtu qëndronte edhe sfida jonë e madhe si të burgosun. Në ato ditë fatale, nji mendim i frikshëm mbizotnonte: sot jemi “skllavë” të regjimit të kuq; nesër, kur të vijë “dita e lirisë”, a do të ishim të “lirë”, të aftë e të gatshëm me marrë në dorë fatin tonë? A do të kishim ende vullnetin për nji ringjallje morale të vërtetë? A do të ishim në gjendje me thellue besimin tonë në shenjtnisë e jetës së njeriut dhe, bindjen tonë në lirinë, dinjitetin, e të drejtat e të gjithëve, fqiut, shokut edhe kundërshtarit, pavarësisht nga plagët e marruna në trup e shpirt? A do të ishim në gjendje sidomos, me rikrijue nji bashkësi vllaznish e motrash, të lirë, të ndërgjegjshëm për rolin e tyne në shoqni e kryesisht, të çliruem nga frika e persekutimit të organizuem shtetnor...të “shtetit tonë”. Vetë ideja që kujdesi jonë përqendrohej në mendime të këtilla, na mbante gjalë, kryenaltë e të vendosun. Na kishim rezistue me sukses pushtimin fashist e çnjerëzimin komunist; dhe kjo ishte fitorja jonë e madhe. Në burgjet e fashizmit e komunizmit, rinia shqiptare, “breznia e djegun“ e atyne ditëve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vllaznore të lirë, e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji “shteti“ monstër. Ishim të ndërgjegjshëm se, “dita e lirisë” do të na vinte përballë nji shoqnie të deformueme nga terrori komunist, ku qytetarët ishin transformue në nji “homo duplex” (njeriu i ri socialist), që frikësohej me shprehë publikisht mendimin e vet e detyrohej me mbytë “jetën private“ e me jetue nji “jetë politike”, deri në vdekje. Na kishim dyshimin e justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të ishin qenie të sakatueme, akoma nën peshën e frikës, frikës së madhe primordiale, frikës së kafshëve që rrahen me dru të pagdhendun, ose tërhiqen zvarrë me litar, deri në kasaphanë... Sepse regjimi i kuq ktheu qytetarinë e lirë në instrument të “pushtetit”, e lidhi atë kokë e kambë me “Partinë e shtetin” e kërkoi ta kthejë në nji “qen të stërvitun”, në shërbim të padronit. Kur padroni “Parti e shtet” u zhduk, ushtria e të mashtruemve u ballafaque me nji boshllëk që e përpiu. Ashtu si me diktaturat fashiste e naziste, tirania komuniste në Shqipni, i ofroi popullsisë nji “besim të gënjeshtërt” që nuk ushqeu njeriun, nuk e çliroi atë, por e mashtroi. Në boshllëkun e botës pa kuptim, ku nuk ka vend “njeriu”, asht absurde të kërkosh “kuptim”. Asht natyra e mbretnisë së “keqes”, e “ligësisë”. Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë përpiqen me dalë nga rrethi vicioz që i mundon, vetëm me hedonizëm, me shijimin e të mirave landore, pa kujdes për vlerat morale e shpirtnore. E jo vetëm në Shqipni! Kudo në botën e sotme, të rijt janë hutue, janë pa nji busull të jetës tyne dhe shpeshherë, edhe pa ideal....Disa gjejnë rrugëdalje në terrorizëm, nji rrugë pa asnji dalje, sepse nuk respekton shejtninë e jetës njerëzore, pa përjashtim! Përpjekjet e vazhdueshme e pikpamjet e paragjykimet e ofrueme nga forcat e mëdha të shoqnisë konsumatore, që të pranohen si “vlera të mirëfillta”, janë mjaft efektive, e prirja me qenë “i veçantë”, i hapun për mendimet jokonvencionale, jopopuliste, shihet shpesh si herezi....ose “donkishotizëm”. Megjithatë, pikërisht aty asht tharmi i nji jetese të mirëfilltë dhe i përparimit të shoqnisë. Ndoshta, leximi i përvojave të jetueme nga të rij si ata, do të mundësojë nji kuptim ma të mirë të botës ku jetojmë, e do të lehtësojë gjetjen e nji alternative të pranueshme, autentike e gjithherë, fisnike. Që nga bankat e shkollë së mesme, breznia ime “e djegun” zgjodhi alternativën që i kushtoi shumë vuejtje e gjak. Por ajo ishte rruga e vetme, rruga e nderit. Me luftue pushtuesin fashist, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë Kosovën, me refuzue duartrokitjen e diktatorit, nuk kanë qenë gjeste të zakonshme, megjithëse detyrë morale e politike për të gjithë. “Breznia e djegun” e kreu këtë “detyrë” me nder e guxim. Në këtë përleshje me të “keqen” që mbuloi vendin tonë, ajo rini, ende pa u rritur mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte që nuk mund të fitohej, e jo për fajin e tyne….Në këtë akt tragjik u shfaqën format ma të nalta të heroizmit e, modelet ma të mira të dinjitetit njerëzor sidomos, solidariteti në vuejtje e kambëngulja me i qëndrue besnik vetvetes. Breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë! Ekzistenca e së “keqes” në botë, natyra e saj, zanafilla e rrjedhimet e saj, mbeten nji mister që më frikëson. “E keqja”, si akt i vullnetit të lirë të keqbamësit, e ban atë nji kriminel fajtor e përgjegjës aktiv. “E keqja”, e pranueme pa kundërshtim, “e keqja” pasive, i ban të gjithë fajtorë, sepse pasiviteti mundson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit, e lejon kryqëzimin e pafajnisë. Heshtja para krimit asht nji “e keqe” pasive. Ajo mbron errësinën, mospërfill padrejtësinë që e sjell, mohon detyrimin tonë për ndëshkim të fajit dhe fajtorit. Me heshtje krijojmë atmosferën e nevojshme për dhunë e padrejtësi. Me heshtje pranojmë mbrapshtinë morale të dhunuesit, që sjell vetëm vuejtje e mjerim, pranojmë përmbysjen e së “mirës”, së drejtës, së lirës e të çdo gjaje njerëzore. Me heshtje jetojmë të zhytun në moçalin e mëkatit që refuzojmë të njohim, si veçori e jetës sonë, tashma të pasinqertë. Me heshtje para së “keqes”, na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Shqipnia, edhe sot jeton në pellgun e padrejtësisë! Ende sot ajo nuk ka gjetë zanin e vet, zanin e ndërgjegjes njerëzore. Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë. Si rrjedhim, nuk janë hedhë bazat e nji shoqnie civile, të qytetnueme, ku heshtja para krimit e shëtitja e lirë e kriminelit, nuk lejohen nga shoqnia civile shqiptare, e nga “shteti” i detyruem me mbrojtë këtë shoqni. Shqipnia, edhe sot jeton në nji vakuum të madh moral, që duhet mbushë sa ma parë. Nji spastrim ligjor i paligjshmërisë asht i domosdoshëm. Ky vakuum asht veçanërisht i dukshëm në tekstet shkollore për brezninë e re, për qytetarët e së nesërmes. Botëkuptimi komunist në vendin tonë, fryma, mentaliteti, metodat, shprehjet e tij helmuese, nuk janë çrranjosë. Ata vazhdojnë të derdhin helm në shoqni. Edhe sot, Shqipnia ndjek shembullin e ish-Bashkimit Sovjektik, vendi ku trashëgimia bolshevike mbijeton në çdo burokrat që vepron si me qenë ligji vetë dhe, ku qytetari dorëzohet para autoritetit arbitrar. Në këtë gjendje, nuk mund të shpresohet për nji përgjigje që lehtëson plagët e hapuna, sepse për klasën sunduese, “nuk ndjehet nevoja” e nji pyetjeje. Sunimtarët e Shqipnisë postkomuniste nuk kanë vuejtë në kurrizin e tyne peshën e shtypjes e dhimbjet që shkaktoi kamxhiku i kuq, për afër gjysëm shekulli….Sot, fëmijet e viktimave të diktaturës së kuqe, mbetvn vazhdimisht të pangushlluem, nuk gjejnë qetësi e jetojnë përherë me frikën e përsëritjes së terrorit të kuq dhe krimit në kurrizin e tyne, sot, ose mbasardhësve të tyne, nesër. Nji vend i friksuem si Shqipnia, jeton ankthin e nji të nesërmeje kërcënuese që shqetëson e vret shpresën e të ardhmes që duhet të premtojë nji jetë ma të qetë për të gjithë. Disa janë mbushë me helm, disa me pasuni prrallore, të tjerë largohen nga votrat stërgjyshore, si nji popull i mallkuem. Vendi mbetet shkret, votrat të boshatisuna. Zemrat e djeguna nuk gjejnë ngushëllim, derisa të gjindet nji përgjegje…! Ndërkaq, krimineli i padënuem jeton jetën e rehatshme që nuk meriton. Sot, shoqnia shqiptare thellësisht e traumatizueme nga zbulimi i pjesshëm i krimeve të pabesueshme, të vërtetueme nga nji evidencë e besueshme, nuk gjen fuqi të mjaftueshme për ndërgjegjsim e ripërtrimje. Sot, Shqipnia lëkundet në balancë në mes së vjetrës që jep shpirt, e së resë që nuk ka fuqi me lindë!

*

Pse shkruej? Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit justifikon mbijetesën time! Zbulimi i dhimbjes se vuejtun, e ngren viktimën në sferën e absolutes, dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së “keqes” që shkakton këtë dhimbje. Drita këput vargojt e lidhun në errësirë. Drita sjell lirinë! Tue justifikue mbijetesën time, unë, dëshmitari okular, akuzoj krimin e diktaturës komuniste dhe të çdo diktature, pavarësisht nga ngjyra e saj, me shpresën se nuk do të përsëritet kurrë ma,....kurrë ma nuk do të arrestohen, torturohen, dënohen e pushkatohen të pafajshmit ... kurrë ma nuk do të thehen kockat me çekan, nuk do të kalohen netët e gjata të varun me litar të ashpër, në pemët e oborrit të Sigurimit, ose hekurat e qelive të burgut, në shi e në borë, me nji trup të zhveshun lakuriq e të dërrmuem nga kërbaçi i “hetuesit”, me nji trup gjysëm të ngordhun nga dënimi pa ushqim, për ditë me radhë...kurrë ma, kurrë ma!

*

Sot kanë mbetë kujtimet! Besnikëria e shokëve përballë presioneve të elementit fashist e “shokëve” komunistë, gjesti mbinjerëzor i kushërinit Zyhdi; respekti pa rezerva për traditën që i kushtoi jetën babës sim; paqa e brendshme fetare e klerikëve; heroizmi i atyne që dhanë jetën për atdhe e liri; fryma e naltë e rezistencës kundër okupatorit; kundërshtimi kambëngulës, i ndërgjegjshëm, para shtypjes së tiranisë komuniste, fisnikëria e grues shqiptare në vuejtje e mobilizimi i mija qytetarëve, sidomos i brezit të ri, ndezën flakën e shpresës për nji të ardhme të re, të lirë, e sidomos premtuese. Çka mund të pritej ma shumë nga nji grup të rinjsh, akoma të parritun mirë e pa eksperiencë – si grupi ynë i Organizatës së Rinisë Demokratike – që dha gjithçka për të ardhmen dhe nuk kërkoi gja për vete?! Aktivistët e O.R.D.-së – shumica të vorfën e pa pretendime – u dalluen për nji revoltim të brendshëm që provokoi terrori i ushtruem në vend dhe qëndrimi i qeverisë komuniste të Shqipnisë, në problemet e jashtme. Atdheu po binte nën nji okupacion të tretë, në nji kohë kur Europa e shtypun, fitonte lirinë. Shqipnia kishte hye në rrugë të gabueme! Tue i qëndrue besnikë vetvetes, Fahri Rusi, Elez Troshani, Qamil Nikshiqi, Ndoc Gjoka, Matilda Gjoka, Xhevat Meta, Eqrem Rusi, Sulejman Qehaja, Sami Repishti (e Patër Gjon Shllaku, që na këshilloi) u ndanë nga “të tjerët”, e pranuen vuejtjen, edhe vdekjen. Por me këtë sfidë, ata fituen kënaqësinë shpirtnore të luftëtarit për liri, të atyne që kryejnë “detyrën” në kondita jashtëzakonisht të vështira, e me ndërgjegje të pastër në përleshjen me djallin e kuq e mbretninë e tij mbi tokë. E ma në fund, triumfuen! Sot kanë mbetë kujtime e burgjeve dhe kamoeve të punës së detyrueshme, ku u dergjën të rijt idealistë, legjioni i gjimnazistëve të Shkodrës dhe qyteteve të tjera të Shqipnisë që, pa pretendime treguen vendosmëninë e tyne me kundërshtue murtajën e kuqe. Sot kanë mbetë kujtimet e të gjithë intelektualëve guximtarë, që refuzuen të “këndojnë” bashkë me Neronin, ndërsa Roma digjej flakë, të qytetarëve e katundarëve të zhgënjyem e të vorfnuem, të malsorëve kryenaltë e të dërrmuem, të pleqve pa shpresë mbijetese në burgje, të smurëve që vdiqën çdo ditë, pa asnji mjekim,...kujtimet e nji mase të tanë të burgosunish, pa asnji shpjetim. Sot mbeten kujtimet e turmave të pafajshme, të burgosuna me plotësue “forcën punëtore” të planeve të çmenduna pesëvjeçare...! Ky ka qenë “materiali i zgjedhun” për burgosje, torturë, punë të detyrueshme dhe ekzekutim. Xhelatët e tiranës së kuqe si Zoi Themeli, Fadil Kapisyzi, Lefter Lakrori, Nesti Kopali, Nesti Shkurti, Abdyl Hakiu, Idriz Çoba, Ali Xhunga, Kasem Troshani, Xhemal Selimi, Xhevdet Miloti e çeta e nënoficerëve dhe gardianëve, drejtorët e burgjeve e kampeve (që njoha unë), të gjithë ata që e banë jetën tonë nji ferr mbi tokë, kanë qenë kriminelë ordinerë, vrasës me pagesë, që duhet të dalin para gjyqit për krime kundër njerëzimit. Vetëm atëherë, bota do të besonte të pabesueshmen e do të kuptonte sa poshtë ka ra shqiptari “fashist” e “komunist”, në trajtimin e shqiptarit pa ngjyra... e vlla! Këto monstra me fëtyrë njeriu, përfaqsojshin tipin e ri kriminel komunist, gjakpirës, që planifikon e ekzekuton krimin me gjakftohtësi. Për hir të karrierës, këta kriminelë ordinerë merrshin inisiativën e veprimit në qelitë e errta të burgut, larg syve të botë, e ekzekutojshin me dorën e tyne viktimën pa mbrojtje. Ishin bisha të egra, bisha të egra... Ideja e “gjykimit të fundit” para Krijuesit, që zhvillohet pa pjesmarrjen e njerëzve, përban nji nga aspektet ma tërheqse të besimeve monoteiste. Njerëzit harrojnë shpejt! Megjithatë, me ramjen e turpshme të komunizmit, Shqipnia ka zbulue praninë e së “keqes” në gjiun e vet, e përpiqet të mos e pranojë. Por, do të ishte nji gabim fatal me harrue këtë fakt kokëfortë, e në planifikimin e së nesërmes, mos me llogaritë mundësinë e daljes përsëri në skenë të monstrës së kuqe. Këtë, njerëzit e mirë nuk duhet ta harrojnë! Fatmirësisht, në këtë botë të nëntokës, u gjetën edhe Jonuzët, si ai rreshteri nga Berati, që rrezikuen shumë me lehtësue jetën tonë, në burgje e kampe të punës së detyrueshme. Jonuzët e të gjtiha burgjeve e kampeve, qofshin bekue! Ata sollën frymën e mirësisë njerëzore në skutat ma të errëta të dhunës, ku mshehej tortura. Ata ringjallën besimin tim në madhështinë e racës nejrëzore. Ky, asht Njeriu! Në këtë botë të nëntokës u gjendën, edhe studenti Muhament Fejza e bujku Muho S.Toshi, që rrezikuen jetën e tyne e të familjeve, me lehtësue arratisjen time. Për këta dy heronj të heshtun, qofshin bekimet e falenderimet e mia! * Tue përfundue, shfaq mirënjohjen time të përhershme dhe të pakufishme për prindët e mi, Hava e H.Ibrahim, viktima të diktaturave fashiste e komuniste, për motrat Fejzie, Mejreme, Hadie, vëllaun Vehbi e familjarët e tjerë në Shqipni, që vuejtën aq shumë për mue, më shpëtuen nga uria, e më shëruen plagët e thella të burgut! Njikohësisht, shpreh mirënjohjen time ma të thellë edhe për bashkëshorten time, Diana Chipi, për përkrahjen e saj të plotë e për mirëkuptimin e gjendjes sime shpirtnore e të pikpamjeve të mia për dekada me radhë; për djalin Daren, për vajzën Ava – e fëmijt e tyne – që mundësuen rihymjen time në jetën “normale”. Ata kanë qenë dhe mbeten, burime gëzimi e kryenaltësie për ma shumë se dyzet vjet banimi në SH.B.A.

Baldwin, New York, USA S.R:
Shtator, 2003

Dërgoi për Zemra Shqiptare z. Ilir Dardani