| E hene, 02.05.2016, 04:40 PM |
Aforizma
NGA PROF. SKËNDER R. HOXHA
- Ai që e ka atdheun të robëruar e së paku një herë në ditë nuk i qan zemra për të, ai është i zhveshur nga ndjenjat njerëzore, e mos të flasim për vlerat kombëtare të tij.
- Ai që nuk ka fond vetjak njohurish dhe aftësish oratorie, merret me përgojime e përfolje të të tjerëve.
- Pas ndërrimit të pushteteve, pakurrizorët e çanakëlëpirësat vrapojnë për t’u bërë vegël e pushtetit të ri, por në shpirt mbajnë nostalgjinë për pushtetin e ikur.
- Njeriu qyqar s’di kë ka mik, as kë ka armik.
- I ligu gjithmonë flet pas shpine, sepse nuk ka guxim të ballafaqohet me të vërtetën,
- E vërteta është si një foshnje e sapolindur, të cilën shumëkush e dëshiron, por pakkush e bën të veten.
- Jashtë frontit të luftës çdo vrasës është kriminel.
- Populli është i pafajshëm, por futet në gabime kur lajthitet prej politikanëve të tij.
- Ata që dështojnë në fusha të diturisë së mirëfilltë, kthehen që të merren me politikë.
- Gënjeshtra, edhe në shaka, është gënjeshtër.
- Sa herë ngutesh – gabon.