Kulturë
Kushte favorizuese burgimi për vrasësin e Xhon Lenon, tërbohen adhuruesit
E merkure, 13.08.2008, 08:08 PM
Në rast se do të ishte gjallë, sot Xhon Lenon do të ishte 66 vjeç dhe me shumë gjasa do t‘i kishte dhuruar muzikës botërore perla të tjera të përmasave të "Imagine", e vlerësuar si kënga e shekullit, nga shumica e sondazheve të kryera gjatë mijëvjeçarit të ri. Por 27 vitet e fundit kanë rrjedhur pa të, pa muzikën e tij, pa zemërimin e tij, pa fantazinë e tij: mbrëmjen e 8 dhjetorit të vitit 1980, u vra në Nju Jork nga Mark Çapman, i çmenduri që pak orë më parë i kishte kërkuar t‘i hidhte një autograf mbi diskun e tij të fundit të sapo publikuar "Double Fantasy". E pret më pas për gjashtë orë. Kur në orën 22:40 e sheh të afrohet bashkë me Joko Ono, nga e cila nuk ndahej për asnjë çast, e qëllon nga pas shpine: pesë të shtëna për t‘i dhënë fund makthit të tij dhe jetës së një prej muzikantëve më të mëdhenj të epokës sonë.
Ajo që ka tërbuar sot adhuruesit e këngëtarit simbol është publikimi i lajmit, që vrasësi është përfshirë që në vitin 1992 në një program burgimi me kushte të lehtësuara, falë të cilit i mundësohen takime të shpeshta dy-ditore me bashkëshorten, në një strukturë të ngritur posaçërisht nga autoritetet e burgut "Atika" të Nju Jorkut. Ajo që i bën të ndihen edhe më të indinjuar është fakti që ky lajm është mbajtur i fshehtë nga autoritetet për plot 16 vjet. "Është skandal i vërtet", çirret Terri, veterane e klubit njujorkez të adhuruesve të Lenonit. "Nuk do të çuditeshim edhe po ta dërgonin në shtëpi pas ca ditësh".
E para lajmin për përfshirjen e Çapmanit në programin "ribashkimi familjar" e publikoi e përditshmja britanike "Daily News". Sipas saj, ambienti ku vrasësi takohet me bashkëshorten është bërë për t‘i krijuar mundësinë të burgosurve të kenë ndjesinë e të qenit në mjedis familjar. Mobilimi dhe orenditë janë normale, nuk ka asnjë masë që të lerë të kuptohet se bëhet fjalë për një burg të sigurisë së lartë dhe nuk ekzistojnë kamera survehjuese.
Gjykata e Nju Jorkut është me kuptimin e plotë të fjalës nën mësymjen e letrave të dërguara nga qytetarë e adhurues të këngëtarit, ndërkohë që një peticion i nënshkruar nga më shumë se 110 mijë persona, kërkojnë që Çapmani me çdo kusht të mbetet pas hekurave.
I të njëjtit mendim është e veja e artistit, Joko Ono, që ka deklaruar se është kundër lënies në gjendje të lirë të njeriut që i vrau bashkëshortin. Këtë e kishte bërë të qartë më parë edhe përmes një letre dërguar autoriteteve Nju Jorkeze në vitin 2000. "Ka fikë për jetën e saj dhe të bijve", tha avokati i Joko Onos, Piter Shukat. "Ndërkohë që mendoj se edhe vetë Çapmani rrezikon jetën, në rast se vendosin ta lënë të lirë".
Artisti simbol
Ndodh që disa persona të veçantë të arrijnë të bëhen shpirti i përbashkët i miliona njerëzve. Gjithçka varet nga popullariteti, nga joshja që emëtojnë, nga forca e karakterit. Lajmi i vdekjes së Xhon Lenon nuk preku vetëm botën e Rokut, lamtumira e tij u përkufizua si "funerali i një brezi të tërë". U kthye në heroin e klasës punëtore, në simbolin e paqes, në promovuesin e protestës së shoqërisë së asaj kohe. Por mbeti, mbi të gjitha, muzikant me frymëzim të pazakontë e i aftë për ngacmime poetike tepër të fuqishme. Ditën që pasoi vdekjen e Lenon, autoriteteve iu desh të merrnin masa, për të mbajtur nën kontroll tufat e pafundme të njerëzve.
Vrasësi, Mark Chapman", ishte adhurues i tij, po aq sa njerëzit që qanin të nesërmen vdekjen e Lenonit. Në rrjedhën e viteve dha shpjegime të ndryshme mbi veten dhe mbi gjestin që kreu. "Lenon ishte një i pasur hipokrit e i përkëdhelur që nuk i besonte as vetë tekstet që shkruante".
Përpara dy vitesh, kanali Nbc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transmetoi një intervistë të re të Mark Chapman, në të cilën u shpreh se, vendimin për vrasjen e muzikantit e kishte marrë nën shtytjen e një "zëri" të brendshëm: "Asgjë dhe askush nuk do të më ndalonte - tregoi. Ishte diçka e ngjashme me përkushtimin që kishin kalorësit e bardhë, kryqtarët. Isha në shtëpinë time, i ulur mbi tapet këmbëkryq me një album të tijin në dorë. I thashë vetes: ‘Po sikur ta vras?‘ Më kujtohet se mendoja që do të mund ta gjeja identitetin vetëm në rast se vrisja Xhon Lenonin... E dija që kishte ardhur dita, çasti i duhur. Papritmas në Central Park West pashë një limuzinë të afrohej. E dija që ishte ai. Pata këtë ndjesi të pabesueshme. Makina e Xhon Lenonit ndali në anë të rrugës. Dëgjova një zë në kokë që më thoshte: Bëje! Bëje! Bëje!. Ndërsa më kaloi pranë, nxora armën, mora në shenjë shpinën e tij dhe tërhoqa këmbëzën pesë herë. Të kuptohemi, as që më shkonte në mend se po bëja diçka mizore. Mendova se ishte diçka krejt e drejtë".
Vrasësi arrin deri në atë pikë sa të shprehet publikisht se "Në rast se Lenon do të ishte gjallë do të më kishte falur". Mund edhe të ketë të drejtë, por sigurisht që kjo jo për meritë të Çapmanit. Sidoqoftë, bashkëshortja e tij, Joko Ono as do të dëgjojë për faljen e mundshme të vrasësit. Në këtë mënyrë e mendojnë edhe fansat, për të cilët Çapman nuk është penduar kurrë për krimin që kreu dhe nuk meriton jo vetëm lirinë, por as edhe ndonjë zbutje minimale të dënimit.
Rrëfimi i Joko Onos për çastin e vrasjes
"Po ktheheshim nga studioja e regjistrimit dhe i thashë: Dalim të hamë darkë përpara se të shkojmë në shtëpi? Dhe Xhoni tha: Jo, shkojmë në shtëpi se dua të shoh djalin përpara se ta zërë gjumi. Dukej sikur nuk donte në asnjë mënyrë të kthehej në shtëpi, pasi djalin ta kishte zënë gjumi. Një gjë e tillë e shqetësonte". Ky ishte edhe fataliteti, përpara apartamentit e priste i armatosur Mark Çapman.
Këto fjalë, 75-vjeçarja Yoko Ono, bashkëshortja e John Lennon, i tha gjatë një interviste, dhënë përpara një viti për "Desert Island Discs", një emision radiofonik i famshëm në Britani, gjatë të cilit personazhe të famshme intervistohen dhe dëgjojnë pjesët muzikore të preferuara. Ajo vazhdoi duke treguar se, pas të shtënave nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë nga i shoqi.