E shtune, 21.12.2024, 02:33 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Damian Himarioti

E diele, 13.03.2016, 07:38 PM


DAMIAN HIMARIOTI

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Prolog

Ndodhia do të rrëfehet këtë tregim, fill   në Fushë-Dukat, të Vlorës në korrik 1537. Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, prijës i perandorisë më të madhe të kohës, që shtrihej në tre kontinente, pasi pushtoi Hungarinë, arriti në portat e Vjenës dhe detyroi Arqidukën Ferdinand të Habsburgëve të pranonte vasalitetin.Ishte në kulmin e fuqisë. I hodhi sytë nga Italia.Kishte ardhur koha ta pushtonte. Me njëzet mijë trupa të zgjedhur Zbarkoi në Vlorë, kundruall Otrantos. Fushimi,si piknisje, u ngrit në Fushë-Dukat, buzë detit. Flota nën drejtimin e Kapudan Pashës,Hajredin Barbarosës, u strehua në Pasha Liman. Para nisjes për zbarkim në tokën e tëpafeve, për të siguruar shpinën dhe prapavijën, Sulltani ngarkoi Ajaz Pashën që të spastronte krahinën e Himarës nga luftëtarët e mallkuar arnautë por….

1

Bylyku i  xhenjerwve-varrmihës e la pas fushimin perandorak. Në krye printe çaushi dhe në fund e mbyllte imami mjekërbardhë, që ndryshe nga të tjerët ishte i veshur me xhybe të gjatë. Në zallishten e fushëtirës buzëdetit, dukeshin si të mbira nga dheu qindrat e çadrave. Mes tyre, por paksa më pranë detit, kuqëlonte shatorrja madhështore e padishahut, ku valvitej bajraku me gjysmëhënën.

Pas një copë udhe, niste e përpjeta. Rruga e ngushtë kalonte mes shqopishteve dhe mareve. Xhufkat e fierit dhe Barishtet e zverdhura, ishin vyshkur nga thatësira. E përpjeta sa vinte bëhej më e thikët, dielli më përvëlues dhe vapa bezdisëse. E përpjeta, barra e pajisjeve në shpinën e djersitur dhe veglat e punës në supe, ishin të lodhshme dhe ata nisën të dihasnin.

Kur mbërritën në një lirishte, para se të fillonte pylli me pisha, hasën një burim me ujë të kthiellët. Uji gurgullonte dhe rridhte nëpër një rrëkezë. Nën ujë zbardhnin zajet dhe rëra e imët. Qëndruan, u liruan nga ngarkesa, pinë ujë dhe u freskuan. Të ndarë në grupe të vogla, u ulën në hijet e busheve. Bylyky i tyre ishte formuar ato dit, shpejt e shpejt, ngaqë në luftime kishte patur shumë të vrarë. Ishin nga vende dhe kombësi të ndryshme dhe akoma nuk kishin arritur të njihnin mirë njëri-tjetrin.

Idris Ahmetoglu,  u dystua mbi fjerishte bashkë  me një asqer të ri, që nga mosha dukej aty rreth të tridhjetave.

-Arkadash, hajd të njihemi, se nga sot do të punojmë e luftojmë tok. Si e ke emërin?

- Jakup.

-Nga ç’vend vjen?

- Nga Shqipëria.

-Ku bie ky vilajet? S’e kam dëgjuar.

-Është ky ku jemi ulur. Ju i thoni Arnautistan.

-The nga Shqiperia. Pse i thonë Shqipëri?

-Nga shqiponja, mbreti i qiellit. Ne keto male ka shume shqiponja.

-Demek, ti je Jakup Arnauti. Jakup Shqiponja.

-Po.

-I bukur ky vendi juaj, po i egër, shumë male, shumë gurë.Si rroni në të?

-S’ka vetëm male. Epo, ja si ta them , me të keq. Ky na ra në pjesë. Po ti nga je?

- Nga malet Taurus. Rrëzë fushës së Çukurovës. Tokat janë të kuqërremta, të ngjeshura e të forta, mezi i çan plori. Bëjmë a s’bëjmë tre muaj bukë! Stepa e thatë pjell vetëm gjëmbaçë. Tokat e mira që ujiten i kanë agallarët.

-Pse ke hyrë në ushtri?

-E kush na pyet ne? Sa herë Sulltani niset për luftë, agai ynë, me urdhër të valiut na ve përpara si tufë bagëti. I gëzohemi edhe atyre akçeve që na japin dhe plaçkës së luftës.

-Je i martuar?

-Po. Kam edhe tre fëmijë. Janë akoma të vegjël,si zogjtë në fole që presin me sqep hapur ti ushqejë e ëma.

-Të merr malli për ta?

-E ç’farë babai do të isha po të mos më merrte?Sa herë i kujtoj më merr të qarët. I shoh në ëndërr.

-Po ti je i martuar, ke fëmijë?

- Po.

-Sa gra ke?  Thonë që gratë tuaja janë të bukura si hyrie!

-Një. Ne se kemi zakon të marrim më shumë se një grua. Po ti?

-Ç’më thua arkadash.S’ma mba as kuleta as shtëpia. Agai ynë ka një harem me gra të bukura.

-Po ti ,po të kishe gjendje e mall, do të merrje gra të tjera?

-Në fshatin tonë thonë që burri me gra, me mall dhe fëmijë

nuk ka të ngopur.

-Kjo vape qeni na e mori shpirtin. Po dimri si eshtë në këto anë?

-_Maleve bie borë, po në fushë dimri është i butë, e zbut deti.

-Eh ky deti! Mos ma kujto. Po të mos ishte, këtë sahat do të gjendeshim në Itali, se për atje jemi nisur. Sulltani ka premtuar që në qytetin e parë që do të marrim, do na lerë tre dit e tre net të bëjmë plaçkë e skllevër sa të gjejmë e sa të mundim!

Idrisi, bënte- çbënte, me ata sytë e vegjël e dinakë shihte pa rreshtur nga kreu i monopatit dhe nga shkurret, pastaj fliste e fliste kot nasikoti. Pa që bashkbiseduesi shfaqi shenja bezdie.

-Arkadash, mos pandeh që jam fjalaman. Në flas shumë e kam nga frika. Më duket që ajo largohet tok me fjalët. Më ka mbetur huq që së vogli. Kur ktheja netëve të verës delet në shtëpi, udha kalonte te  tyrbja e varrit të kadiut. Më bëhej sikur shihja hije dhe flakë zjarri.Që të hiqja frikën u flisja deleve dhe këndoja me zë të lartë ndonjë këngë koti!

-Po tani, ngase ke frikë?

-Nga arnautët.Dalin si xhindet, tek si pret, sikur i pjell dheu.Thonë që shigjeta nuk i godet dhe shpata nuk i pret. Të vrasin por nuk vriten. Allah, Allah, ruajna nga e keqja! Si thua, të na sulmojnë këtu ku jemi?

-Nuk e besoj, janë ngjtur në male.

Pushimi mbaroi. Bylykbashi urdhëroi të ngriheshin.

Në krahun lindor të udhës, rrëzë malit, para se të niste pylli i pishave, u duk fshati i rrënuar. Shtëpitë ishin djegur kulm e themel. Ende dilte tym. Kishin mbetur mbi çatitë trarët e nxirë, si eshtrat e shtëpive të vdekura. Fshat i djegur, fshat i vdekur!S’dukej frymë njeriu. I kishin kallur flakën edhe kishës. Jakupi e dinte që ajo ishte Shën Triadha. Aty dikur ai ishte falur. Kambanarja kishte mbetur më këmbë, po kryqin ja kishin thyer. Mbajti këmbët.

-Të vjen keq?

Jakupi u gëlltit dhe zemrës i vuri një gur.

-Epo, Allahu i ka ndarë fatet e njerëzve. Po ty?

- I urrej këta pis arnautë e të pafe, do më vinte mirë që të shuheshin e mos mbetej këmbë prej tyre. Me mua kanë hyrë në gjak, vite te shkuar me kane vrare nje vëlla.

Idrisi e zhbiroi me sytë e vegjël dinakë që të shihte si i priti fjalët  etij. Priste prej tij tjetër përgjigje. Nuk i besonte këtij arnauti. E kishin porositur të mos ia ndante sytë. Ata nganë pa folur më, udhës së përpjetë. Kur sosën te vendi ku ishte zhvilluar përpjekja, s’u besuan syve: toka ishte mbjellë me të vrarët. Ploja ishte e madhe. Të vrarët kishin rënë  përmbys, në shpinë, brinjazi, me gjunjët mbledhur, krahët të hapur, me gojë të çapëlyer, sytë të shqyer e të çakarritur. Kishte dhe trupa pa kokë dhe kokët e prera, të rruara, me apo pa mjekra, ishin  rrokullisur larg trupave. Kufomat ishin të lara në gjak, pllanga gjaku kishte edhe mbi tokë, por gjaku ishte tharë dhe nxirë. Kishte azapë, jeniçerë, akinxhinj. Shigjetat dhe ushtat ishin ende të ngulura në shpine e në gjokse. Gjithandej shiheshin shpata të thyera, mburoja të flakura, shtiza, harqe leqekëputur dhe shigjeta majëmprehta.

-Të gjithë këta janë tanët.- tha Idrisi –Kanë qenë duke ia mbathur,se plagët dhe goditjet i kanë në shpinë. Po arnautët e mallkuar ku janë? Axheba, thua të mos kenë patur të vrarë?!

-Ma do mendja që i kanë hequr të vrarët e tyre.

Nga vapa, kufomat ishin fryrë, kishin nisur të prisheshin. Ca miza të mëdha jeshile vizhëllinin sipër plagëve . Tufat e korbave krokasnin mbi kurorat e pishave dhe ecnin duke kërcyer midis kufomave. Ca qen të uritur u tërhoqën duke hungërirë. Duhma e rëndë e kufomave ishte e padurueshme. Ata lidhën nganjë çember rreth hundëve e gojës, por pa dobi. U zgjodh një lëndinë e vogël për të hapur varret dhe varrmihësit filluan nga puna. Nisën t’i mblidhnin të vrarët. Idrisi i kapte nga këmbët dhe Jakupi nga krahët, i rendisnin rrëzë gropës që po hapnin të tjerët e që do të ishte varri i përbashkët. Mblodhën edhe kokat dhe i vunë pranë kokëprerëve, pa ditur në ishin të tyret. Të vdekurit nuk flasin! Puna ecte ngadalë se toka ishte e thatë, e fortë dhe me gurë. Të njëjtën bënin edhe grupet e tjera. Në atë shurdhëri të pyllit, dëgjoheshin tingujt e mbytur të kazmave  vringëllimi metalik i lopatave, krokama e korbave, dihatja e mbartësve të kufomave  dhe mërmërima e imamit që lutej për shpirtin e asqerëve të rënë.

Nuk u dihej as emri  as kombësia, por do të dihej të nesërmen pas apelit. Ata do të shkruheshin në defterët e çdo taborri. Qatipët ishin të përpiktë në hartimin e listave të shehitëve. Ishin varrhumbur por jo emër humbur.

Kufomat i mbështollën me qefinet, që asqeri e ka me vete në turbanin e çallmës. I varrosën me kryet nga lindja, nga Kibleja e shenjtë. Në pirgun e dheut, atje ku duhet të ishin kokat vunë më këmbë  gurë të gjatë.

Imami bëri lutjet me syre nga Kurani, që Allahu ti mishëronte dhe që shpirtrat e shehitëve të preheshin në xhenet, pastaj varrmihësit i mbuluan me dhe. Më vonë, vendësit këtë lëndinë e quajtën “Varret e turqve”

Jakupi vuri re se Idrisi ishte zbehur dhe çerja i ishte bërë baltë. Duart i dridheshin. Nuk duroi dot më, u tërhoq mënjanë, u ul galiç dhe volli sa nxori zorrët.

-  Arkadash, nuk je mirë?

-  Më është prishur midea. Ti qënke i fortë!

Varrimet vazhduan gjer në të perënduar. Ata zbritën tatëpjetë për të shkuar në fushim. S’u ndahej frika, u dukej se pas i  ndiqte hija e arnautëve që kishte bërë atë batërdi.

2

Kur ra boria e zgjimit dhe fushimi u gjallërua pas gjumit të natës, Idris Dutogluit nuk ja zuri syri arkadashin, Jakup Arnautin, që kishte fjetur jashtë çadres. Sefte mendoi se gjendej aty pari për tu larë e për nevojat personale, por kaloi sahati e ai s’u bë i gjallë. Më shumë u qederos, kur në një zgëq të çadrës gjeti një torbë me rrobet jeshile të uniformës së tij. Që të shkarkonte veten lajmëroi bylykbashin.

-Jakup Arnauti është bërë fir! Ka ndrruar edhe veshjen. Nuk ja kam besën, druaj mos na bën ndonjë prapësi.

-Po ti, ku i ke sytë?

-Ka ikur natën, si hije, kur ne flinim.

-E njeh ta shohësh?

-Si kalin balash.

-Kërkoje , gjeje dhe ma sill se kam t’i them nja dy fjalë.

Asqeri Idris Dautogllu, shkoi te akçiu dhe mori tasin e çorbës me bollgur, një qepë dhe një copë bukë. Çorba dukej e mirë, avullonte dhe aroma e dhjamit të djegur i ndolli oreksin, hëngri si i babëzitur. Më pas boria lajmëroi rreshtimin e taborreve për apelin e mëngjesit. Idrisi zuri vend në bylykun e tij, pastaj ata morën detyrat për punët e ditës ,por ai s’e harroi Jakup Arnautin.

3

Para çadrës perandorake, ishin rreshtuar pashallarët për raportin e mëngjesit. Sulltan Sulejman Kanuniu, ishte zgjuar heret.Kishte bërë gjumë të shqetsuar, me copa dhe ishte gdhirë me dhimbje koke. Kishte parë ca ëndërra të rrëmujshme që s’i mbante mend.Ndihmësit e veshën dhe i hodhen ujë të merrte abdes. Nuk deshi të hante. Piu shurupin e ëmbëlsuar me mjaltë e të ftohur me borë. I ëmbël shurupi, të hidhura lajmet. Vuri mbi krye turbanin ku shkëlqente një gur rubini gjak i kuq, dhe në brez këllëçin që e kishte mollëzën e dorezës së artë stolisur me safire të gjelbër. U rehatua në divanin mbuluar me lëkura tigri. Tartarët kishin sjellë postën, me letrat ishte mbushur tryeza e ulët. Midis tyre dalloi tubin e Hyrrem Sulltanës. E hapi, letra, e lidhur me gajtan të kuq, binte erë gjyl trëndafili, që i kujtoi ermirimin e kurmit të saj. Nisi ta lexojë.  Eh,fjalët e asaj gruaje ishin balsam për shpirtin dhe ushqim për mendjen, buronin dashuri, mall dhe përdëllim. Por e la mënjanë. Përjashta ishin  pashallarët.  Nuk deshi ti linte të prisnin gjatë.I dha porositë truprojtësit.

I pari hyri serasqeri Ajaz Pasha, me hap të lehtë, i përkulur në shenjë nderimi, ra në gjunjë  i puthi cepin e rrobes, pastaj u ngrit dhe u zbyth i heshtur dy hapa prapa. Sulltani e zhbironte me sy, kishte në ta një dritë të keqe, të verdhëreme  dhe shkrepëtima zemërimi e përçmimi. Ajaz Pashai u mrrol e u mblodh sa një grusht.  Zemërdredhur priste që mbi të të shkarkohej furtuna dhe të binte rrufeja.

-Ajaz Pasha, haberet e këqia kanë mbërritur para teje. Besimin që të dhashë ma ktheve në turp. Arnautët , një tufë leckamanësh, pa din e iman, të vunë përpara si tufën e deleve, ishin gati të hynin në fushimin tim. Këto dy muaj kemi humbur një të tretën e asqerëve. Kjo tokë është lagur nga lumi i gjakut turk. Për faj tënd kemi ngecur këtu si në  një moçal. Turp! Haram e paç besimin tim!

Heshtje e rëndë si vdekja. Dëgjohej vetëm gërvima e pendës së qatipit që shkruante fjalët e Padishahut.

-Lartmadheria juaj fort e ndritur, Sulltani i Botës….

-Mjaft! Mos guxo të nxjerësh nga goja e gënjeshtërt asnjë fjalë se ma shpif dhe për Allah, me dorën time mund të bëj ndonjë hata! Je i shkarkuar. Dorzo myhyrin dhe vulën e serasqerit. Shko mbyllu në çadrën tënde dhe prit urdhërat e mia!

Pashai, duardredhur, as i gjallë as i vdekur, nxori nga brezi kuletën e kamoshit të kuq dhe e uli mbi tryezën e qatipit. Me dorën e djathtë sulltani bëri isharetin që ai t’i hiqej sysh.

çadër hyri admirali, Kapudan Pasha, Hajredin Barbarosa.

-Hajredin pasha, na sill ca habere të mira që të ma lehtësojnë peshën e kësaj dite të rëndë.

- Sulltani im i madhërishëm. Flota zbarkoi në fshatrat e bregdetit të Himarës dhe i bombardoi nga deti. Atje s’ka më veç rrënojave. Rrënjët e së keqes u shkulën.  Mbrojtësit arnautë ca u vranë e u prenë dhe ca të pakët u ngjitën maleve të tyre të mallkuar ku e dinë që ne s’i ndjekim dot. Gratë dhe fëmijët i kishin përcjellë që më parë në Korfus. Anijet e flotës janë strehuar në Pasha Liman dhe në Vlorë. Presim urdhërat e madhërisë suaj.

-Eh, këta arnautët! Të pabindur, kryengritës, trima të çartur. Që në kohën e Murat Hanit, janë një gjemb në këmbën e perandorisë. Edhe këtë herë e shpëtuan Italinë! Ushtria jonë u katandis kokoshi një thelë! Nuk hidhemi dot përtej detit.  Janë tetë mijë të vrarë!

-Pamë që Ajaz Pashai doli i mërzitur.

-Ja hoqa ofiqin, por jo kokën. Turpin që na bëri se lan as deti! Pa mendoje, kush mund ta zevendësojë?

-I takon madhërisë suaj që ta vendosë, por mendoj që Hyzrev Pasha Gjiritlliu, është më i përshtatshmi dhe më i devotshmi.

-Paskemi qenë në një mëndje.

Në një vend të dukshëm ishte varur harta e  Pir Reizit, me brigjet e shqipërisë dhe siujdhesën e Italisë. Një vijë e kuqe lidhte Vlorën me Otranton, dhe nje tjeteër me Romën. Sulltani ja ngjiti sytë gjatë.Ky ishte vullneti i tij, por sharra turke kishte ngecur ne gozhdën arnaute. Po e mbyste gulçi. Rënkoi dhe doli nga çadra. Kishte nevojë të merrte pak ajr të pastër. Po afrohej mesdita e ditës së shenjtë të Xhumasë dhe falja e namazit. Dha porosi ti përgatisnin kalin. Hovi mbi shalë si më i miri i kalorësve . Kali një at i racës së pastër arabe, që ndjeu mbi shpinë peshën e të zot, shkrofëtiu dhe çukërmoi me këmbën e parë zallin, po freri ishtrënguar e pengonte të niste vrapin. Bylyku i kalorësve truprojtës ju gjend pas.

E liroi frerin dhe i grahu atit, që u turr përpara me trok të lehtë. Kur arriti buzujin, kalëroi përgjatë plazhit, pastaj u ndal, me sytë nga perëndimi. Atje ishte Italia, Roma e pasur me bukuritë e saj, Vatikani, papa, katedralja e Shën Pjetrit. Ai ishte zotuar para allahut: do ta shkelte atë vend, papës do ti vinte mbi krye turbanin e islamit, kambanaren e Shën Pjetrit do ta shndërronte në minare, kryqin e urryer do ta zevendësonte me gjysmëhënën e islamit, ungjillin me kuranin. Që aty,  myezini do të thërriste lavdinë e Allahut. Roma do të ishte kryqyteti perandorak i perëndimit.

Por në mes ishte ky det dhe shqipëtarët!

4

Allahuuuu  ekbeeeer, la ilahe il Allah… Zëri i fortë dhe melodioz i muezinit lajmëronte faljen e vaktit të xhumasë. Jakup Arnauti, veshur e ngjeshur si jeniçer, me rrobet flakë të kuqe, pa sesi sulltani me shpurën po kthehej. Ata qëndruan para çadres madhështore. Kujdestarët shtruan qilimin pak para taborrit të jeniçerëve dhe truprojtësve. Sulltani hoqi çismet dhe me shikimin nga lindja u gatit t’i falej Allahut.

Asqerët dolën nga çadrat. Jakupi përfitoi nga rasti dhe ngau  përpara, me çape të lehtë e të shpejtë, zuri vend te rreshti i shpurës. Askush s’ia hodhi sytë. Në fushim ra heshtja e shenjtë, kur duket se shpirti i dorzohet krijuesit në pritje të një mrekullie. Dëgjohej vetëm ezani i muezinit dhe më pas mërmërima e lutjes së  mijëra shpirtrave të asqerëve. Nga ajo fushë e zhuritur, fjalët me devocionin dhe lutjet e besimtarëve, me hallet, brengat dhe shpresat ngjiteshin drejt qiellit, në atmosferën mistike,  me besimin se i plotfuqishmi i shihte dhe i dëgjonte.

“Të gjithë këta i falen Allahut dhe profetit të tyre. Duhet të jem i vëmendshëm dhe të bëj në lëvizje ritin e tyre,- mendoi pa ia ndarë sytë jeniçerit që kish në brinjë -  Jam i vetmi që i falem Tënëzoti, Jezu Krishtit-zbërtheu këmishën dhe puthi kryqin e argjendtë të varur në qafë me gajtan, pastaj e afroi më pranë zemrës, pastaj nisi lutjen:” Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emir yt. Ardhtë mbretëria jote……..U bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu edhe mbi dhe. Na liro nga i keqi, se e jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia, përherë e në jetë të jetëve. Amin”

Teksa nisi të lutej, ju kujtua ajo ditë, kur kapedan Dhimo Gjoka, e thirri bashkë me dhjetë trima të tjerë.Fytyrë vrenjtur e fjalëpakët, ai u tha: ”Duhet vrarë sulltani, si dënim për gjithësa na ka bërë dhe po na bën. Po ra koka, bie dhe trupi. Kush e merr përsipër?” Pyetja ishte e rëndë si vdekja, zëri i vendosur si për një vendim të marrë që s’duronte kundërshtim. Ata u rrëfyen të gatshëm. Zgjodhën atë, Damianin, që ja njihnin burrërinë e trimërinë, por edhe ngaqë fliste gjuhën e tyre. Kapedani qëndroi vetëm me të dhe bisedoi gjatë . E gjithë vështirësia ishte si t’i afrohej. Sido që u mundua ta mbante veten, në sytë dhe fjalët e tij  kishte shpresë dhe dhimbje. Kur e përcolli e dinte që ishte ikje pa kthim. Këtë e dinte dhe Damiani,që do të ishte një i vetflijuar. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtonte, por mrekullitë ndodhin rrall.   Dhe ja ku ishte afruar. Sulltani i turqve s’ishte as dhjetë hapa më tej.

Me duart shtrirë përpara e pëllëmbët lart ai mërmëriste lutjen: ”Zot, i shenjtëruar, kthjelloma mendjen, qetësoma dhe jepmi  guxim zemrës, forcë krahut për të goditur , qartësoma vështrimin që të mos gaboj goditjen, që vrasësi ynë gjaksor  të bjerë i vdekur e të mbytet në gjakun e tij. Të lutem e përgjërohem në emer të vendit dhe popullit tim të robëruar. Amin!” Ra në gjunjë, pastaj u përkul dhe mbështeti ballin në tokë. Ishte e ngrohtë dhe me atë aromën e veçantë. Ai ndjeu sesi toka rënkonte, gjëmimi vinte së thelli. Nuk e duronte thundrën e huaj.  Ajo ishte bërë varri i tyre. ”Bëhu gati,- i tha vetes-erdhi çasti yt,por oh,ai është duke u falur dhe lutur. Shpirti i tij duhet të shkojë në ferr e jo në parajsë!”

Edhe sulltani, ne shenjterine e së xhumasë, bënte duanë e tij: “O allahu im! Ty të drejtohem me lutjet e mija. Ty të adhuroj, o Allahu im. Ti je krijuesi i gjithçkaje dhe në dorën tënde është mirësia. Na mishëro o Allah dhe na i fal gabimet. Na mëso o Allah, atë që na vlen dhe na bëj të vlefshëm me atë që na mësove. Nëse kjo luftë e imja është e hajrit për fenë dhe për jetën time dhe xhematit tim, për të tanishmen dhe të ardhmen, bëje të mundshme që të arrihet lehtësisht dhe bekoje. Jepu prehje në xhenet shehitëve të islamit”

Falja mbaroi. Sulltan Sulejmani u ngrit. Pas lutjeve ndjeu se në shpirt kishte paqë dhe mendimet i ishin kthjelluar. Befas u ndje një e bërtitur. U kthye dhe pa një jeniçer, të shpejtë si xhind, të hakërryer që me shpatë zhveshur  ishte turrur drejt tij. Pas e ndiqte një asqer, edhe ai me shpatë xhveshur. Ja, ja, ai po arrinte, tehu i shpatës ndrinte në diell si një flakërimë rrufeje. “Vdis,qen!” Sulltani,i çoroditur nga befasia e vdekjes që i ishte turrur, nxori instiktivisht nga brezi kllëçin që të priste goditjen por asqeri e arriti jeniçerin, vetëm pak hapa larg Sulltanit dhe ju hodh përsipër. Ishte Idris Dautogllu, që s’i ishte ndarë. Damiani i dha njw goditje të shpejtë, të rëndë. Idrisi u rrëzua. Mjaftoi ky pengim që truprojtësit ta vinin në mes. Ai luftoi si i tërbuar, shpatat vringëllinin, mori disa plagë, por i vetëm s’mund t’ua dilte.

-E dua të gjallë!- bërtiti Sulltan Sulejmani, që po ndiqte përpjekjen.

E çarmatosën dhe vunë posht. E lidhën duar e këmbë me zinxhirë.

5

Ngjarja bëri bujë. Idris Dautogllu, I plagosur në sup e i mbytur në gjak, tha se e njihte atë, që nën tundimin e djallit, kishte guxuar të ngrinte dorën e tij të mallkuar kundër padishahut dhe tha që ai , ishte Jakup Arnauti, asqeri i ri i bylykut të xhenjerëve.

-Silleni, se dua ta shoh me sy e ta dëgjoj me veshë arnautin e mallkuar- porositi Sulltani aganë e jeniçerëve. Le të vijnë edhe Hyzrev Pasha, kadiu dhe imam Ebsudi.

Kur Damianin  e shpunë para sulltanit, dielli ishte më të perënduar dhe vapa ishte zbutur. Sulltani i madhërishëm, ulur në divanin e tij, vuri turbanin dhe hodhi mbi supe pelerinën e purpurt.

-Afrojeni, dua ta shoh nga afër sesi është ai që donte vdekjen time.

Damjani ngau  ca hapa përpara.Në fytyrë e duar kishte plagë. Zinxhirët e rëndë, lidhur këmbë e duar e pengonin.

-Në gjunjë, bjerë në gjunjë! Je përpara Sulltanit të Botës!

- Ne nuk përgjunjemi para askujt, përveç Zotit!

Agai i jeniçerëve, kur e pa që nuk po bindej, i mëshoi me gjithë peshën mbi supe dhe e goditi në  leqet e gjunjëve. Damjani u përgjunj. Atë që se bëri bindja, e bëri forca. U mundua të çlirohej e të ngrihej, por s’ishte e mundur, duart e rojeve rëndonin si mal.

Sulltani, para se t’i bënte pyetjet po e zhbironte me sy: shtat mesëm, shpatullgjerë,trupngjeshur, i fuqishëm, në pamje i hijshëm.”Këta arnautët, janë racë e bukur por edhe trima”, mendoi ai. Në haremin e tij, më të bukurat ishin ato që vinin nga ky vënd.

-Epo, ti je Damjani, gjoja Jakup Arnauti. Po mua më njeh, e di kush jam?

-Urdhëro të mi heqin hekurat. Të flasim si burri me burrin!

-Këmbët dhe duart i ke të lidhura. Gjuhën e ke të zgjidhur. Të bëra një pyetje.

-Je Sulejmani, një rob zoti, sulltan i turqve, që vret e pret e bën vetëm të liga! Ne s’të pranojmë për mbret tonin.

-Kaq?

-Për ne vetëm kaq.

- Ebsud efendi, thuaja se para kujt gjendet.

-O ti, pjellë e djallit të mallkuar. Kafsho gjuhën e helmët si të gjarprit. Gjendej para sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, me ymër të Allahut sundues i popujve të tre kontinenteve, veriut të Afrikës dhe Egjiptit, persisë e palestinës, Ballkanit Hungarisë dhe Transilvanisë, që ka trokitur në portat e Vjenës, ka vënë nën vasalitet Arqidukën e Austrisë. Zotrues i steresë dhe deteve, prijës i ushtrisë së islamit, që për lavdinë e tij do të ngrejë bajrakun me gjysmëhënën, atje ku është kryqi i vatikanit të të pafeve! More vesh?

Pas kësaj ligjërate të Ebsud efendiut u bë  heshtje. Këtë e prishi sulltani:

-Pse doje të më vrisje,pse e doje vdekjen time?

Sulltanit nuk i shpëtoi nga vemendja që arnauti se quajti asnjëherë   sulltan , madhëri apo ndonjë ofiq tjetër. “Duket që në sytë e përflakur dhe fytyrën e egërsuar, që ky skllav gjaur më përbuz e më urren”, mendoi ai.

-Pse bën sikur s’e di? Jemi në luftë. Ne duam ta fitojmë këtë luftë. Kapedani im thotë që po ra koka, rrëzohet gjithë trupi. Këtë u nisa të bëja. Pastaj kjo e sotmja do të ishte një hakmarrje për të vrarët  tanë, fshatrat e rrënuara, shtëpitë e djegura, tokat e mbetura djerr, për gratë e veja, për fëmijët jetimë, robërit që i shisni si bagëtinë në tregjet e skllevërve e gjithë të zezat që i keni punuar këtij vendi, aq të shumta sa s’kanë të numëruar. Ne jemi njerëz të lirë, se durojmë zgjedhën e robërisë që na keni vënë…..

-Ka një orë për të lindur e një për të vdekur. Se kur lindim e kur vdesim, është në dorën e krijuesit. E kemi të shkruar. Jeta ime nuk ishte shkruar të sosej sot. Jotja, po. Je ende i ri, nuk ke frikë nga vdekja?

-Një luftëtar nuk i trembet vdekjes.

-Po sikur të ta falja jetën, çfarë do të bëje?

-Kurseje bujarinë për ndonjë vend dhe rast tjetër. Edhe tre jetë po të kisha do të bëja të njëjtën gjë: do të  vrisja!

Sulltan Sulejmani u nervozua. Deshi t’i hakrrehesh, por e mbajti veten.

-Kadi effendi, nga dëshmitë që dëgjove,çfarë dënimi i takon të marrë Damian Himarioti?

-Sulltani im i madhërishëm, që je drita e botës, me sheriat e me kanun, kush ngre shpatën kundër Teje, nga shpata do të bjerë!

- Merreni- urdhëroi ai, zbatoni dënimin,  jo në kërcu, por në hu, të ripet i gjallë, ti dalë shpirti me adhap. Prisni. Tani që tu fik jeta, të mbetet ndonjë peng?

-Po. S’do të më tresë dheu që nuk të vrava dot!

Rojet e nxorën përjashta. Damiani hodhi sytë nga qielli. Ishte I kthjellët.        Mbi malet e vetëtimave po grumbulloheshin retë.

Epilog.

Trimat himariotë, natën pa hënë, hynë në fushim, vranë rojet dhe e morën trupin e martirizuar e  të pajetë të Damian trimit. E varrosën në kishën e Shën Marisë, me kryet përballë detit. Nata e qau me lote yjesh, deti me shkulme dallgësh nën ison e erës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora