Kulturë
Shefqet Rexhepi: Tufë lirike e pjesëve dramatike
E enjte, 10.03.2016, 06:27 PM
Tufë lirike e pjesëve dramatike
Nexhat Halimi:”Fyelli i gjallë”, botoi “FAD”, Prishtinë 2008
Shkruan Shefqet Rexhepi
“Fyelli i gjallë”,përmbledhje prej pesë pjesësh dramatike për fëmijë,që sapo doli nga shtypi, e shkrimtarit të sprovuar Nexhat Halimi, është një kumt i mirë që tregon se shkrimtarët tanë përballë frymëzimeve të shumta,nuk lënë anash as botën fëmijërore. Para lexuesve të vegjël dhe jo vetëm atyre,shkrimtari i më shumë se 20 veprave, kryesisht në poezi,sjell pjesë dramatike që ndryjnë në vete ngjarje e veprime, të cilat ngjallin kërshërinë, jo vetëm për t’ u lexuar, por edhe për t’ u vënë në skenë.
Gjuha poetike nuk vjen si diçka e imponuar
Libri prihet nga “Tregimi për një vjedhje”,me një temë nga çapkënëritë e fëmijëve në një ambient shkollor. Një grup nxënësish zhurmshëm komunikojnë,ngacmojnë njëri tjetrin,këmbejnë “etiketime” me fjalë poetike, bisedojnë për dashurinë, librin,baltën ,yllin. Nën këtë zhurmë, duke dashur të befasojnë një shok të tyre, ia vjedhin disa para në dhomën e përgatitjes për orën e edukatës fizike. Në shkollë krijohet një gjendje tensioni,ndaj nis një “proces hetimi” nga ana e pedagogut të shkollës, për të parë se kush ishte ai që dëshiron t’ i hedhë hije të keqe shkollës. Mirëpo, në fund zbulohet se vjedhja kishte qenë vetëm një dëshirë për të befasuar shokun e tyre Edin, të cilit me ato para ata i blejnë një libër, pikërisht atë që ai kishte ndërmend edhe ta blejë.
Në pjesën”Trandafili me zemër” shtjellohet tema e dashurisë ndaj nënës. Vëlla e motër nga paratë e kursyera dalin t’ ia blejnë nënës së tyre një tufë trëndafilash. Mirëpo,në shitoren e luleve ata ndeshen me shitësen dhe me njerëz të tjerë për të shpaluar edhe motive të tjera në zhvillimin e veprimit të kësaj pjese. Dialogët trokasin e shpërthejnë brenda enigmës së trëndafilave të bardhë e të kuq, vargjeve të Zhak Preverit etj. Pjesa “Vetëtima e shpatës”është një lexim i kështjellës së Ulqinit nga brenda e nga jashtë. Tregohet e kaluara e Ulqinit, plaga e mërgimit ,shkëlqimi dhe heroizmi i ulqinakëve, nëpërmjet heronjve Bego Babotit dhe Likacenit. Mirëpo, këto ngjarje të së kaluarës së lavdishme në mënyrë mjeshtërore tejkalojnë ligjërimin historik,sepse përshkohen nga të papriturat,nga episode të shumta, siç është trimëria e Likacenit, i cili arrin të zërë rob trimin e madh grek Karallampo, ndërsa me shkathtësitë e tij për t’ i ikur një kurthi të sulltanit, arrin të marrë titullin hero i Perandorisë Osmane.
Mirësjellja dhe mbrojtja e ambientit, e shikuar nga një sy autentik, është temë e pjesës”Gjykimi i Apollonit”. Një djalë kryeneç sillet vrazhdë në shkollë , por edhe kudo në ambientin që e rrethon. Ai thyen e përlan gjithçka gjen para vetes:turbullon liqenin,thyen degët e pemëve,s’lë rehat shpendët. Shih për këtë organizohet një gjykim për këto vepra të pamira që bën ai. Djaloshin e shpëton gjyshi , i cili u jep besën Verës dhe shpendëve se Apolloni më s’ do të bëjë veprime të këtilla.
Në pjesën“I plagosuri” autori shtron temën e luftës kundër dhunës serbe në Kosovë,e cila u shkallëzua sidomos nga fundi i viteve “90. Tre fëmijë nisin aksionet kundër militarëve serbë:duke vënë pllakate, duke bërë përpjekje për t’iu kundërvënë me armë ushtrisë serbe. Gjithçka bëjnë ashtu si dinë ata, pa ditur kush për këto veprime. Ata arrijnë t’ iu bashkohen ushtarëve të UÇK-së. Pjesa është dëshmi e zgjimit kombëtar, por edhe e respektimit të parimeve të luftës nga ana e ushtarëve që luftojnë për liri. Kemi dy episode interesante në këtë pjesë. Roja serbe,të cilën këta fëmijë bëjnë përpjekje ta zënë rob,është me përkatësi të përzier kombëtare,ndaj nuk shtie në fëmijët, madje ai braktis edhe ushtrinë vrasëse. Ai arrin që edhe një ushtarak tjetër, po kështu me përkatësi të përzier ( nënën e kishte myslimane, ndërsa babanë kroat) ta largojë nga ushtria serbe. Ushtarët e UÇK-së respektojnë parimet e luftës,ata megjithëse humbin një shok në luftime, pasi vrasin në betejë komandantin e ushtrisë armike, robërojnë edhe disa ushtarë , por me ta sillen në pajtim me ligjet e luftës.
Lirizmi në asnjë moment nuk zbeh linjën e zhvillimit dramatik të situatave
Këto tema ndërtohen e zhvillohen nëpërmjet veprimeve të motivuara,qoftë si mesazhe aktualizuese e rikumbime,qoftë si stil i të shkruarit e i formësimit, që është paksa i veçantë në këto pjesë dramatike. Shkrimtari i shtron vetes dy detyra në këto projeksione, sepse dihet, pjesët janë shkruar edhe për lexim, por gjithsesi me qëllimin final për t’ u vënë në skenë. Së pari të sigurohet një brumë, lëndë dramaturgjike , që do ta mbajë gjithnjë të ndezur vëmendjen e të rinjve, duke ndjekur veprimin e ngjarjes në skenë dhe njëkohësisht , secila skenë, madje edhe tërë shfaqja të ketë një tingëllim lirik. Hovet lirike gjithsesi nuk vijnë këtu vetëm pse shkrimtari është i lindur poet, e dëshmuar kjo me një poetikë të sublimuar në sa e sa vëllime poezish ,përkatësisht pse nuk ka mundur t’ i ikën vokacionit të tij poetik, por pse ka dashur që veprimet në tekst dhe si rrjedhim edhe në skenë, të nxisin imagjinatën krijuese të fëmijëve . Gjuha poetike e këtyre pjesëve nuk vjen si diçka e imponuar, ajo rrjedh e kumbon brenda veprimeve dhe ndeshjeve të personazheve. Fjala poetike ka këtu disa funksione:shënjimin e identifikimin e personazheve, procesin e shpalosjes së botës shpirtërore të fëmijëve, ballafaqimin e nuancuar të dëshirave dhe synimeve të tyre. “Jeta nuk është lojë...është fluturim nëpër hark të ylbertë, me kokën në cung e këmbët në pranga”,diçka ashtu si Mjeda që klithte dikur:”Lirin e keni ju!na hekra kemi”. Kemi të bëjmë me fëmijë të rritur para kohe, kur teknologjia kishte arritur vetëm deri te gramafoni, mirëpo kjo nuk i pengon, përkundrazi i motivon ata fuqishëm për të kërkuar “një libër për baltën dhe yllin”, si simbole të atdhedashurisë, të ndriçimit dhe të lirisë. Në zhvillimin e veprimeve Halimi di të hedhë në lojë krejt padiktueshëm të papriturën, që do shndërrohet në levë të zhvillimit të përshkallëzuar të veprimeve. Në këtë frymë bien në sy disa depërtime të lehta psikologjike në vetëdijen e fëmijëve, siç është rasti me inkuadrimin e dytëshorit (kipcit) në vetëdijen e fëmijës, gjakut të përzier të personazheve nga pikëpamja kombëtare, dilema rreth zgjedhjes së trëndafilave, përpjekja për të demitizuar çdo gjë që i rrethon fëmijët në lojën e tyre të përditshme, në ballafaqimet me ambientin natyror, shtresimet historike, luftën kundër dhunës etj.
Ai zgjedh këtë prosede i bindur se fëmija më së miri, duke filluar pikërisht nga kjo fazë, duhet të formojë botën e tij dhe kjo mund të arrihet, sidomos nëpërmjet lojës spontane,fjalës plot fantazi e reflektime, të përshkuar edhe nga shprehja lirike e dëshirave,hoveve dhe mendimeve. Duke ecur kësaj rruge shkrimtari arrin disa qëllime:nxit botën imagjinatave të fëmijës,e bën atë pjesëmarrës aktiv në veprimet që zhvillohen,pasuron botën e tyre refleksive e të ndjenjave ,duke arritur që të përçojë, udhës sa më autentike, e sa më joshëse, mesazhin te fëmija,e pse jo edhe te shtresat tjera të lexuesve.
Poetikja, lirizmi, ndërkaq në asnjë moment nuk zbehin linjën e zhvillimit dramatik të situatave. Në këto pjesë dramatike nuk vërehen momente heterogjenizuese, shpërqendrimi , përkundrazi ruhet kohezioni i ndërtimi të veprimit, pa të cilin jo vetëm që nuk ka lojë fëmijërore, por as linjë dramatike veprimi, qoftë si tekst, qoftë si shfaqje. Në funksion të strukturës së ngjeshur të këtyre pjesëve dramatike, dialogu shtreson vrull vërtet magjeps. Ai zhvillohet shpejt, duke kaluar rrëmbyeshëm nga një moment në tjetrin, por pa cenuar asnjëherë ndërlidhjen, gradualen e zhvillimit të veprimit, e si rrjedhojë edhe të mesazhit. Dialogët vlojnë brenda ballafaqimesh, përshkohen nga lirizmi, megjithatë rrëfimet para syve të fëmijëve këmbehen shpejt e shpejt, për të mbajtur gjallë gjithnjë përqendrimin e lexuesit, por edhe shikuesit në rastin e inskenimit.
“Fyelli i gjallë” iu jep edhe një mundësi të shkëlqyer teatrove tona për fëmijë për të inskenuar këto pjesë dramatike, të cilat besojmë fort se do të joshin e bashkëjetojnë me kërshërinë e fëmijëve. Ato janë një lëndë e mirë edhe për ekranizime televizive, duke ditur se në këtë fushë ende jemi larg përmbushjes së dëshirave të fëmijëve.
Është botuar ne gazetën “Zeri”, më 18 janar 2009, por gabimisht ka dalë pa emrin tim,te nesërmen ka dale sqarimi, se ka rene gabimisht emri i autorit.