Kulturë
Albert Zholi: Sulejman Prenjasi për Ibrahim Kodrën
E diele, 06.03.2016, 10:11 AM
Flet piktori Sulejman Prenjasi
- Ibrahim Kodrën e kam takuar për herë të parë në vitin 1997, kur shkova në Itali dhe hapa një ekspozitë në Milano
- Ju tregoj dy amanetet e Ibrahim Kodrës: Të varrosej në fshatin e lindjes dhe të hapej një Galeri me emrin e tij
- Me Ibrahim Kodrën mbajta lidhje 9 vjet, sa herë vija në Shqipëri më thoshte, kujdes më sill raki!
- Ekspozita më e bukur me Kodrën ishte me motive për Kosovën, italianët u habitën
- Kodra ka pasur dy martesa të dështuara, ai ishte “martuar” me pikturën ndaj nuk ishte i lidhur
- Njëherë kur ngeli pa lekë, ai i dhuroi pronarit të lokalit një pikturë për një darkë
- Kodra nuk e fshihte origjinën, fliste shqip dhe thoshte me zë lë lartë, jam shqiptar
Nga Albert Z. ZHOLI
Ka një jetë shumë interesante… Në vitin 1960 mori iniciativë të shkëputej nga fshati për të ardhur në Tiranë. Për dy vjet u fsheh tek barakat e romëve për të mos e zënë policia. Kurrë nuk donte të kthehej në fshat. Emigracioni i të birit, ikja e djalit në emigracion dhe brengat janë derdhur në disa nga pikturat që vizitorët i shikojnë për herë të parë. Madje shumë kush nga ata nuk e di që disa nga telajot kanë vizat e dyshekut të djalit që i ka ikur në emigracion dhe babai i ka kthyer në telajo për të derdhur shpirtin e tij të madh. Më në fund duket sikur rruga e suksesit është hapur dhe Sulejman Prenjasti i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali. Fati e ka bërë të vetën. Piktori takon në Milano të famshmin Ibrahim Kodra dhe piktori me famë botërore entuziazmohet nga piktura e tij, duke shpërthyer në një bravo të madhe për piktorin e sapo zbuluar nga Shqipëria. Ja ku e keni Shqipërinë, thotë maestro Kodra, duke drejtuar dorën nga punimet e tij. Dhe me ndihmën e tij, i vijnë ftesat me radhë për të hapur ekspozita ngado, në gjithë Italinë. Sulejmani tani gjendet në faqet e shtypit italian dhe atij shqiptar, duke shijuar pas kaq vjetësh sakrifice dhe vullneti kënaqësinë që jep flaka e pasionit, që nuk u shua kurrë. Marrja e kartës së anëtarit të Akademisë Evropiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri
Kur e keni njohur për herë të parë Ibrahim Kodrën dhe si?
Unë Ibrahim Kodrën e kam takuar për herë të parë në vitin 1997, kur shkova në Itali dhe hapa një ekspozitë në Milano. Në atë ekspozitë vjen dhe Ibrahim Kodra, i cili kishte me vete 4 kritikë arti për pikturën. Kritikët ishin italianë. Unë nuk e njohja por vetëm kisha dëgjuar për të. Ai pasi pa ekspozitën, aty mes njerëzve që ishin të pranishëm tha me zë të lartë: Nqs doni ta njihni Shqipërinë, ja ku e keni në këto piktura. Në ekspozitë kishte shumë njerëz ku dallonin emigrantët shqiptarë por edhe dashamirës të shumtë të pikturës në Itali të cilët e dashurojnë shumë këtë lloj arti. Kjo ekspozitë ndenji e hapur 15 ditë. Në këto ditë ai erdhi disa herë dhe kështu u bëmë miq. Një ditë ai më ftoi në shtëpi. Kishte një shtëpi të bollshme në kat të katërt të një pallati të bukur. Brenda kishte edhe studion e madhe, një studio ku shikoje gjithfarë pikturash. Ibrahimi nuk ishte i martuar atë kohë, pas dy martesave të dështuara. Brenda kishte një grua që i shërbente.
A keni hapur së bashku ndonjë ekspozitë?
Po. Bashkëpunimi më i madh i yni u bë kur hapëm një ekspozitë të përbashkët në qytetin Koma të Italisë. Koma është një qytet i vogël por i bukur në kufi me Zvicrën. Në këtë ekspozitë ne ishim një grup . Ishim disa pikturë si Arjan Kalari, Sulejman Prenjasi, Xhevdet Badri dhe Jetullah Haliti, kosovar. Kjo ekspozitë u bë vetëm për Kosovën, pra me motive kosovare ku unë kisha 20 punë. Ishte periudha kur Kosova ishte në luftë. Në atë kohë Kosova njihej shumë pak në Itali dhe shumica thoshin se lufton Shqipëria kundër Serbisë. Në atë ekspozitë foli Kodra dhe unë. Kodra foli si një shqiptar i vërtetë duke bërë të njohur luftën që bëhej në Kosovë. Në atë ekspozitë tha se do të vinte dhe këngëtarja me origjinë shqiptare Ana Oxi, por atë ditë pati djalin të sëmurë dhe kështu nuk mori pjesë. Kjo ekspozitë qëndroi hapur 15 ditë, ku u bë një propagandë e madhe për Kosovën dhe sigurisht dhe për Kosovën, duke treguar se jemi rrënjë të një gjaku. Në këtë zonë Kodra kishte shumë influencë
Sa vjet keni mbajtur lidhje të vazhdueshme me Ibrahim Kodrën?
Mbi 9 vjet. Ishin lidhje shumë miqësore, lidhje shumë interesante, të këndshme dhe me plot kuriozitete. Kudo ku shkelte Kodra linte gjurmë dhe përcillte mirësi. Ishte natyrë Bohemi dhe kishte ide shumë interesante për jetën.
Sa ekspozita ke hapur në Milano dhe në gjithë Italinë?
Në “Sasete Kultura”, qendër kulture në galerinë nga më të mirat në Milano kam hapur katër ekspozita. Të gjitha këto me mbështetjen e Ibrahim Kodrës. Kam hapur ekspozitë në Siçili, në Palermo tek “Vila e Mbretit” ku aty Kodra kishte një kritikë arti që e ndiqte kudo. Ai i ka bërë kritikat më origjinale pikturave të tij. Kemi hapur dhe një ekspozitë në Xhenova, ku Kodra kishte një shtëpi. Ai më mori me vete në shtëpinë e tij, ku kaluam disa ditë të mrekullueshme.
Kush ka qenë miku më i mirë i Kodrës në Itali, sipas mendimit dhe kohës që ju qëndruat me të?
Për mendimin tim ka qenë kritiku i artit Patituçi me origjinë nga Kalabria. Ai e ka ndjekur për shumë vite artin e Kodrës. Mund tët themi se ai mbetet kritiku më realist dhe njohës real i pikturës së Kodrës. Në këtë kohë kur unë isha aty, Kodrës filluan ti afrohen edhe kritikë të tjerë që nuk i ndaheshin. Kjo bëri që Patituçi të largohej. Një ditë e pyes Patituçin, përse po largohesh nga Maestro Kodra? Ai duke tundur kokën më thotë sepse rreth tij po mblidhen mashtrues dhe falsifikatorë. Nuk të jap më shumë shpjegime dhe u largua në heshtjen e tij. Nuk dua ta njollos veten në këtë periudhë. Ishte viti 2000. Pas atij momenti Patituçi nuk e shoqëroi më Maestro Kodrën (siç i thoshin në Itali).
Sa vite qëndruat afër me Kodrën?
Afërisht 9 vjet. Edhe unë banoja në Milano, ku kam djalin. Takoheshim shpesh, pasi ai donte të pinte një gotë raki.
A ishte patriot Kodra, a e donte Shqipërinë dhe artin shqiptar?
Kodra ishte më patriot se mijëra artistë apo të vetëquajtur patriot. Ai i bënte shumë reklamë artit shqiptar. Thoshte me forcë se Shqipëria ka artistë të mëdhenj dhe një art me vlerë. Madje do të them se ai bënte dhe poezi për Shqipërinë. Më ka lexuar nja tre të tilla, por nuk i mbaj mend. Më vjen keq që nuk kam marrë dorëshkrimet e tyre.
Kur e takove për herë të fundit Kodrën?
Disa muaj para se të ndërronte jetë, pra në vitin 2006 kur isha në Milano. Unë shkoja vazhdimisht në Itali tek djali dhe sa mbërrija do të shkoja tek ai. Më priste për ti përcjellë të rejat nga Shqipëria dhe rakinë e radhës.
Çfarë kishte të veçantë Kodra?
Ai e njihte mirë historinë e Shqipërisë, fliste për Kosovën për Çamërinë, por edhe për kalabrezët, me të cilët mbante lidhje. Ai kur ishim në takim fliste vetëm për këto probleme, vetëm rreth shqiptarëve, kombit tonë. Kishte dhe një mik shqiptar në Milano Kozma Carapuli, me të cilin rrinte kur nuk isha unë. Atë e kishte mik të mirë. Ne aty zhvilluam dhe një takim mes emigrantëve shqiptarë që e titulluam “Shqiptarët në katër breza”. Ku në podium vendosëm shqiptarët e Kalabrisë të ikur qysh në kohën e Skënderbeut, ata të kohës së Zogut, të arratisur gjatë regjimit komunist dhe emigracionin e fundit. Ishte një aktivitet i madh. U bë një darkë e madhe me shqiptarët.
A ka qenë i martuar Ibrahim Kodra?
Po. Ibrahim Kodra ka qenë dy herë i martuar dhe të dy herët martesat i kanë dështuar. Kjo ndoshta ka ardhur dhe për natyrën e tij tejet të hapur dhe të përkushtuar ndaj pikturës. Herën e parë u martuar sapo mbaroi Konservatorin. U martua me një vajzë italiane më të bukurën e Milanos për kohën. Ajo martesë bëri bujë. Pas tre muajsh martese, Kodrën e thirrën në Afrikë për një tur të gjatë ekspozitash ën disa vende Afrikane nga një Shoqatë piktorësh ndërkombëtarë. Duke parë një natyrë të virgjër, ai u harrua pas ambientit, virgjërisë së natyrës, pas peizazheve specifike. Pra harroi deh gruan. U kthye në Milano fill pas një fiti. Kur shkoi në shtëpi nuk e gjeti gruan. Ajo i kishte lënë një letër lamtumire ku i thoshte: I dashur ti nuk je për grua! Je I dashuruar vetëm me pikturën. Martesën e dytë e bëri pas 6 vjetësh. Prapë e njëjta mesele. E thirrën për një turn ë SHBA. Ishte një tur ndryshe. U nis. Hyri ën botën e madhe amerikane. Harroi gjithçka. Penela dhe telajo. Plot 10 muaj. Asnjë lidhje me bashkëshorten. Harresë totale. Ku vjen dita e kthimit kujtohet për të. Ngre supet. Por koha kishte ikur shpejt….mendonte se nuk do përsëritje e njëjta ngjarje. Por për fat të keq po. Edhe bashkëshortja e dytë ishte larguar. Shtëpia sërish bosh. Ç’të bënte? Asgjë! Vendosi të mos martohej më. Jeta e tij ishte lidhur vetëm me pikturën. Ajo ishte gjithë jeta e tij.
E kishte peng martesën?
Posi, peng të madh. Kur e prezantova me djalin tim, me lot në sy më tha? Pikturën më të madhe të jetës, ti ke djalin. E ke sa një mal. Sa miliona piktura. Po unë? Asgjë. Vetëm telajot e pafundme.
A kishte ngelur keq ndonjëherë ekonomikisht Kodra?
Po. Ai nuk ishte ekonomist i mirë. Prishte shumë dhe bënte shumë ndere. Shpeshherë nuk dinte si ti përdorte lekët. Njëherë më ka treguar një histori të pabesueshme për një piktor të madh. Më duket se ishte kthyer nga Gjermania. Kur doli nga aeroporti për të shkuar në shtëpi shikon në xhepa asnjë qindarkë. Qeshi me vete. E kishte marrë uria. Shkon në shtëpi dhe kërkon nëpër sirtarë nuk gjeti asnjë cent. Mori një pikturë dhe shkoi në një lokal afër shtëpisë. I thotë pronarit mere këtë pikturë dhe më shtroi një darkë të mirë. Pronari u habit. Ishte një llokmë e madhe. Hëngri dhe piu sa u trullos. Donte të mos ishte i qetë për atë veprim. Një pikturë për një darkë. Kështu janë artistët, të mëdhenj në shpirt por ekonomist të dobët. Shumica vdesin në varfëri. Më ka çuar disa herë tek ai lokal dhe ma ka kujtuar disa herë atë ngjarje. Edhe sot piktura e tij e madhe ndodhet në atë lokal të thjeshtë të Milanos.
Çfarë pije preferonte Kodra?
Ndoshta nuk do ta besoni, por Kodra që kur filluan lëvizjet dhe u hapën kufijtë dhe shqiptarët u bënë pjesë e shoqërisë italiane, pinte vetëm raki. Sa herë shkoja ai më porosiste, kujdes mos harro të më sjellësh raki, Dhe unë sa herë shkoja merrja disa bidonë plastik me raki. I pinim bashkë. Njëherë kemi arritur të pimë dhe një kile e gjysmë. E shijonte shumë dhe pse aty kishte pije nga më të shtrenjtat dhe cilësoret.
A e fliste mirë shqipen Kodra?
Sigurisht. Me atë të folur të zonës së vet. Madje mund të them se nuk jepte asnjë theks italian. Kjo mbase ngaqë unë se di mirë italishten. Por nuk kuptoja asgjë që të ndryshonte në gjuhën tonë. Komunikoja lirisht. Kurrë mes nesh ai nuk foli italisht, kurrë madje e fliste shqipen me zë të lartë.
A e fshihte prejardhjen Kodra?
Kurrë. Kudo ai thoshte troç jam shqiptar. Nuk harrohen ato çka ai ka bërë për Kosovën, por edhe për emigrantët shqiptarë. Edhe kur ishim së bashku ai fliste shqipen për ta dëgjuat kushdo. Kurrë nuk e mohoi apo nuk ndihej keq për origjinën përkundrazi, kudo e thoshte me zë të lartë jam shqiptar. Kjo është ajo që më lidhi më shumë me Kodrën. Ai shoqërohej me të gjithë shqiptarët, ndihej mirë mes tyre, ishte shumë patriot dhe kishte një ndjesi madhështore për kombin. Rrallë mund të gjesh sot patriot të tillë. Ai në këtë pikëpamje ishte një ‘Rilindës’.
Ju ikët nga fshati dhe u strehuat për dy vjet në barakat e romëve, si je ndjerë mes tyre?
Jam ndjerë shumë, shumë mirë. Romët janë një popull ahengaxhi. Janë rritur në një jetë kolektive dhe nuk e shikojnë jetën pa njerëz. Ato çka kanë ti vënë përpara me zemër. Janë njerëz tepër bujarë dhe që nuk njohin rregulla strikte. Por kurrë nuk vrasin, kurrë nuk shajnë, kurrë s’të bëjnë dëm. Ata rriten mes veglave muzikore që u bien të gjithë dhe e kalojën jetën mes ahengut pa e vrarë shumë mendjen. Kur ika nga fshati shkova në një kthinë të një barake të tyre. Ishte viti 1960. Pa bërë pasaportizimin nuk të linte njeri të zije punë apo të kërkoje shtëpi në Tiranë. Por unë doja me çdo kusht që të vija ën Tiranë, të ardhmen si piktor e shikoja vetëm këtu. Kisha bërë tre vjet ushtri dhe me disa miq mundohesha të zeja një punë për të bërë pasaportizimin. Policia vinte kërkonte në zonën e romëve për të kapur ata që fshiheshin ti kthenin në fshatrat e tyre. Ata më mbanin aty dhe më fshihnin. Një herë policia qëndroi dy ditë aty rrotull. Unë u fsheha pas një kolibeje mes ferrash. Kishte vetëm dy dërrasa që rrinin si piramidë. Kisha dy ditë pa ngrënë. Më grinin zorrët. Gati sapo më binte të fikët. Një vajzë rome rreth të 18, yll e bukur e kishte vënë re qëndrimin tim. Në darkë ajo më vjen dhe më flet me zë të ulët. Ju përgjigja po ashtu. Ajo u afrua dhe më solli gjysmë buke dhe një copë djathë. Ja rrëmbeva nga duart. Mu duk gjella më e shijshme në botë. Atë vajzë fillova ta simpatizoj. Isha gati të bija në dashuri. Por më pengonte opinioni, se ishte rome. Isha në mëdyshje. Por ato ditë ndodhi mrekullia. Një miku im më gjeti punë nënoficer në ushtri. U lehtësova. Jeta ime mori rrugë tjetër. Punova 3 vjet nënoficer, ku bëra dhe pasaportizimin. Më vonë fillova të bëja një pikturë për romët. E lashë rreth 35 vite në harresë, përgjysmë. Tani i jam rikthyer dhe më tregon pikturën gati në mbarim. Ishte shumë e bukur.
Dy dëshirat e të madhit, Ibrahim Kodra:
1. Të kishte një galeri me emrin e tij, ku të vendoseshin të gjitha punët e tij dhe t’ia falte popullit shqiptar. Nëse dikush do ta nderojë le t'ia plotësojë, duke mbledhur të gjitha punët e tij.
• Unë jam dakord t’i dorëzoj falas punët e të ndjerit.
• Kështu duhet të dorëzojë, gjoja Fondacioni i falsifikuar.
• Dhe kush ka marrë e përvetësuar punët e tij.
• Kështu nderohet i madhërishmi Maestro!
2. Të varrosej në vendlindje. Kjo është realizuar!
Njerëzit më të mëdhenj janë varrosur në vendlindje dhe pa ceremoni. Qoftë artistë edhe presidentë të nderuar. Hapni libra e lexoni. Maestro Kodra kishte një profesor arbëresh që e ndiqte në rrugën e tij të artit Prof. Patituçin. Aty ka arkiv për Kodrën.
? Kur e pyeta pse u largove nga maestroja?
? Hynë mashtrues e falsifikatorë dhe unë nuk mund të njollos veten.