Kulturë
Petraq Kolevica: Vigani që prehje nuk gjeti
E merkure, 24.02.2016, 07:33 PM
PETRAQ KOLEVICA:
VIGANI QË PREHJE NUK GJETI
Për kujtim dhe nderim
“Epikut më të madh të shekullit”, At Gjergj Fishta!
Një frat të pafat po tërhiqnin me dhunë.
Në terrin e natës, nja katër spiunë,
E nxorën nga burgu, ku hoqi sa mundi.
Tani, më të keqen, do hiqte së fundi.
E shanin, e tallnin, gjith’ rrugës, parreshtur,
Sa vajtën te varri në kishën e heshtur.
Atje ishte varri, ku prehej poeti,
Vigan’ i lahutës që prehje nuk gjeti.
Dhe frati shpejt puthi një gur të llustruar,
Kur pa përmbi të - At Gjergj Fishta - të shkruar.
O frato, - i thirrën, - na kazmën dhe bjeri,
Shkallmoje krejt varrin me pllaka mermeri!
“Ky varr, ba m’u prish, ka m’u prish dhe Shypnia”.
Dhe ra, pushtoi varrin me krahët e tija.
Po horrat e çuan, e shembën me grushta
Dhe varrin e prishën me kazm’ ata pushta.
Tani, frat-o, jepi, gërmo shpejt e shpejt
Dhe eshtrat e varrit këtu nxirri krejt.
Dhe frati gërmonte, ç’të fliste më kot?
Dhe eshtrat që nxirrte i lante me lot.
I nxori të gjitha, po kafka ku ish?
Kërkoje! - i thirrën, - kërkoje sërish!
Dhe frati gërmonte me thonj e me duar
Që mos të dëmtontë at’ kafkë të çmuar.
Dhe ja ku e gjeti! Me gishtat e mpirë,
E ngriti, e puthi dhe ngeli i ngrirë.
Si dridhej në duar kjo kafk’ e poetit!
Figura e fratit - fantazm’ e Hamletit.
Tani, frat-o, futi kokallat në thes!
Dhe frati i fuste ngadal’, me kujdes.
Dhe thesin ata përmbi shpinë ia vunë.
Rrëshqanthi e shpunë tek ura mbi Bunë.
Tani, o frat, flaki kokallat në lumë.
Këtë, jo! - tha frati, - këtë s’e bëj unë.
Si the, mo! - i thirrën, - si the ti, mor qyq?
Po frati s’përgjigjej se po bënte Kryq.
Këputi një shkelm, të dëgjojë, idioti.
Po frati s’dëgjonte se lutej te Zoti.
Dhe qentë e tërbuar s’duruan më shumë
Dhe kockat dhe fratin i flakën në lumë.
Dhe ikën të qeshur e duke nxituar
Të merrnin shpërblimin për krim’n e shëmtuar.
Po ndërsa fundosej kufoma e fratit
Agimi zbardhonte nga pas Rozafatit.
Dhe uj’rat e Bunës vërshonin, ushtonin,
Poetit dhe fratit lavdin’ i këndonin.