E enjte, 14.11.2024, 06:51 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: At Anton Harapi - Monumenti kombëtar

E premte, 19.02.2016, 10:18 PM


AT ANTON HARAPI: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

(70-vjetori i pushkatimit të At Anton Harapit (1946)

dhe 100-vjetori i rënjes së Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, 1915)

Nga Frank Shkreli

Shkurti shënon 70-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist të At Anton Harapit, njërit prej atdhetarëve dhe dijetarëve më të dalluar të kombit shqiptar.  70-vjetë më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që as pas 70-vjetësh nuk i dihet as varri i tij.  Hapni dosjet! Ashtuqë në këtë 70-vjetor të pushkatimit të këtij personaliteti të shquar të kombit, të zbulohet se ku është varrosur, jo vetëm Anton Harapi, por edhe patriotë të tjerë të kombit, eshtërave të të cilëve u janë humbur gjurmët nga regjimi komunist. Të zbulohet varri i tij dhe varret e shënjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqët historikë të shqiptarëve.  Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.”  Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtërat t’i treteshin.

At Anton Harapit i kishte falë Perendia shumë dhunti morale dhe talente të shumëta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.

Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli.  Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav.  Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi.  Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare.  Në kujtim të 100-vjetorit të rënjes së dëshmorëve Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, vrarë nga forcat serbo-malazeze (1915) dhe duke shënuar 70-vjetorin e pushkatimit të At Anton Harapit shkurtin e vitit 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia vlenë të kujtohemi se çfarë burrash dhe çfarë  atdhetarësh kishte dikurë kombi shqiptar.

Fjalimi i At Anton Harapti në ceremoninë e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre:

“DY LOTË E NJË BETIM

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!...

Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.

Doni t'a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t'amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !

Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s'do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s'uej .

Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t'uej.

Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t'ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.

E udha e mbarë u qoftë !

Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t'i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t'uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.

Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.

Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.

Me të tanë fuqinë t'uej vigane m'i a bani një urim Shqipnisë; m'i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.

Por dhe nje namë, si rrufeja, m'i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t'i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t'i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.

Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç' krahine ishit e ç' besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t'uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo' Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s'u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m'i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?

Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?...

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t'and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t'and mblodhe, ne votren t'ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.

Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t'u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t'ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t'i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.

T'i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.

Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;

Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “    

(Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, " Hylli i Drites", Shkoder 1936.)

At Anton Harapi nuk ishte as “tradhëtar” as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite -- por ishte dhe mbetet një atdhetar i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 70-vjetor të pushkatimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktual – duke u bërë thirrje, ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij në fjalimin që mbajti si anëtar i parlamentit shqiptar në vitin 1944:   “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora