E hene, 30.12.2024, 05:54 PM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Nusja e praruar

E enjte, 11.02.2016, 07:44 PM


NUSJA E PRARUAR

Në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Nga Bedri TAHIRI

“Na ishte njëherë një Nuse e Praruar, e cila, e ndryrë në kullën e fildishtë, me dekada e shekuj, priste e priste dorën e fatit e të trimit që t’ia hiqte vellon e nusërisë. Për të u sakrifikuan breza e breza luftëtarësh e dijetarësh shqiptarë, por kot. Ajo, nuk vinte se nuk vinte dot, por qëndronte e mbyllur, larg syve të njerëzisë, mu si shtojzovallet në lugjet e Krojeve të Bardha. Kurmi i saj hirplotë  kishte çmim shumë të lartë dhe kundërmonte veç erë gjaku. Dhe, një ditë, nga kreshtat e Drenicës, u fanit një Gjarpër i guximshëm e i zhdërvjelltë, i cili, pas përpjekjesh të shumta arriti ta marrë NUSEN E PRARUAR...”

Kështu do të nis rrëfimi, pas ca e ca motesh, për ngjarjen më të madhe të historisë sonë. Dhe, ata që rrëfejnë, veçan ata që dëgjojnë, do ta marrin si ndonjë tregim imagjinues, me përmasa  përrallore a biblike. Mbase, edhe nuk kanë shumë faj, sepse ashtu vajti puna e kësaj nuseje të shumëpritur. Fati i saj nopran qe aq i ndërlikuar saqë vërtetë kaloi caqet e reales. Velloja e saj, nga vonesa e stërzgjatur, e humbi bardhësinë e zakonshme. Nga rreket e gjakut të lirisë ndërroi edhe ngjyrën, e tëra u bë e kuqe...

*  *  *

E diela e madhe e shtatëmbëdhjetë shkurtit të vitit dymijë e tetë gdhiu pa futur gjumë në sy. Dasma e madhërishme kishte nisur edhe më herët. Atmosfera e saj mahnitëse po e tundte në themel gjithë vendin e shqipeve. Madje, jehu i saj dëgjohej edhe tej e tej, deri në skajet e globit. Këtë ditë, bashkë me njerëzit, po festonin edhe fushat e malet, edhe katundet e qytetet, edhe kodrat e lugjet, edhe brinjat e gërxhet. As kënga e zogjve nuk kishte të ndalur. Ah, për zogjtë mos të lodhemi fare, ata ia thanë këngës edhe atëherë kur gjëmonin grykëhollat tona çlirimtare.

Po dielli ç’kishte vallë që po vendnumëronte?! Çapat e tij në horizont nuk dukeshin që po lëviznin fare. Rrezet e arta, sado që ndrinin fuqishëm, nuk arrinin dot ta zbusnin acarin, që si me shpatë, grinte pamëshirshëm. Sidoqoftë, acarziu veçse koritej atë ditë, sepse nuk mundej ta pengonte dot kremten e jashtëzakonshme. Ata që suksesshëm patën sfiduar betejat dhe përleshjet e përgjakshme, ku ndjenin për të ftohtët ?! Jo xhanëm, jo, zjarri i zemrave të tyre, ngjashëm me krateret e vullkaneve shpërthyese, shkrinte çdo gjë para vetes.

Hija fascionuese  e NUSES SE PRARUAR kishte mbuluar gjithë vendin, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Bukuria e saj mahnitëse ende fshihej nën duvakun e bukur të nusërisë. Në fytyrën e saj engjëllore vërehej një buzëqeshje e bëftë ëmbëlsie. Ajo po e priste dorën e dhëndrit që t’ia nxirrte në pah hirin dhe gjithë shkëlqimin e bukurisë marramendëse.

Dhe, ora e madhe e historisë po afronte!

Toka e qielli shëmbëllenin në fazën e hershme të krijimit të gjithësisë, kur Hyji, me kandil në dorë, zbriste shkallëve të parajsës.

Erdhi edhe pasdreka.

Ora pesëmbëdhjetë e pesëdhjetë  minuta.

Një akordim melodik me kohën e zonjës së nderuar Amerikë.

Çasti më vendimtar për shqiptarët, madje edhe për mbarë njerëzimin po trokiste si një kambanore ogurmirë. Akrepat e orës shënonin pikën kulmore që ndante dy epoka: të djeshmen dhe të sotmen, errësirën dhe dritën, robërinë dhe lirinë, egërsinë dhe civilizimin, dhunën dhe paqen, injorancën dhe diturinë, tiraninë dhe demokracinë...

Në atë çast solemn e të papërsëritshëm, aty, në Sallën e Parlamentit, po ngjiste mrekullia!

*  *  *

Sakaq, Dhëndri e Nusja, ballë për ballë:

-           Mirë se erdhe Nuse!

-           Mirë se të gjeta Dhëndër!

-           Shumë u vonove, Nuse!

-           Pata pengesa, Dhëndër!

-           E di, e di, ama paksa tepër më duket!

- Ehe, rruga ime qe tepër e gjatë dhe e vështirë. Është një histori në vete që nuk ia gjen dot shoqen në botë. Sa e sa herë u bëra gati të zbres në tokën arbërore, sidomos në Drenicën tënde të panënshtruar, por dallgët e ndryshme më largonin që andej fluturimthi...

- Gjatë të pritëm, Nuse!

- Ashtu është, dhëndër. Të gjitha peripecitë i di dhe i kam ruajtur thellë në gjirin tim të përvëluar. Para një shekulli isha edhe më e bukur dhe më e disponuar se sa sot. Kur të parët tuaj, si dragonjtë me fleta, pas pesë shekujsh hoqën xëcin mynxyros, mundën kuçedrën e gjakosur aziatike, unë u stolisa mirë e mirë dhe hipur mbi kalë të bardhë u nisa drejt jush. Doja të zija vend mu në gjirmë të vatrave tuaja stërgjyshore. Mirëpo, barbarët e Karpateve, që duke u zvarritur zunë vend dhe gjalluan me thonj thepave të Shumadisë, u vërsulen këtej, duke ma prerë rrugën. Në Vlorë arrita e gjymtuar fare...Etërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj kurrë nuk i lëshuan armët e lirisë nga dora. Luftuan, qëndruan dhe kurrë nuk u dorëzuan. Gjaku i tyre më ushqeu si ambrozi energjik dhe më mbajti gjallë e të freskët përherë. Çdo plagë që merrja, më forconte, më frymëzonte, më përtërinte...

-  Më pastaj, nuk provove për të ardhur më ?!

- Po, si jo! Bile, në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Malësinë e Bujanit, njërën këmbë e pata vënë në tokë. Edhe atëbotë isha e gëzueshme dhe shumë e gatshme për t’ia marrë valles së përjetësisë. Por, ç’e do, të shkretën, dëbora e madhe mbytëse dhe acari i pamëshirshëm shkatërruan  lulet e porsaçelura dhe unë mora arratinë...

-  Na ke bërë naze, Nuse!

- Jo, Dhëndër! Unë kam pritur me padurim të shkel në shtëpinë tuaj të begatë e përplot trimëri, bujari e ndershmëri. Këmbëngulësia juaj për të më fituar mua, më bëri të ndjehem e fortë dhe që gjithmonë të shpresojë në Ditë të Bardhë.

-  A ke dyshuar ndonjëherë në gjakimet  tona ?

- Po, atëherë kur u përpoqën t’ju mashtrojnë me një nuse shtrigë, me një gungaçe, e cila, nuk ishte gjë tjetër veçse një hije e kamufluar me synime asimiluese. Për fat, djalëria juaj symprehtë nuk e hëngri sapunin për djathë. Ajo, pa hezituar fare, vazhdoi ecjen në rrugën e lavdisë, në rrugën e të parëve të vet dhe nuk reshtën duke më kërkuar mua.

- Më në fund erdhe, Nuse!

- Jo, Dhëndër, as kësaj here nuk erdha vetë, por ju erdhët e më morët. Unë, siç thashë, këtupari isha përherë, sepse, që nga ilirët e lashtë ushqehesha me  gjakun tuaj. Mirëpo, lufta Juaj e fundit çlirimtare, gjaku i dëshmorëve të UÇK-së dhe sakrifica e mbarë popullit, fituan përkrahjen e arsyeshme të  botës së civilizuar dhe kështu mu hap rruga e sigurt për në shtëpinë tuaj. Më erdhi mirë, që kësaj radhe, të gjithë folët me një gjuhë, të gjithë ishit të një mendjeje dhe të një synimi, andaj edhe më fituat mua. Edhe sot, në këtë ditë të shenjtë, u treguat të denjë më shumë së kurrë. Dasmorë të tillë; të sjellshëm, të matur, të kujdesshëm, të disiplinuar, nuk kishte parë bota më parë. Kjo tregon se jeni popull i lashtë dhe me traditë. Zaten, kjo nuk do shumë mend, kur ju e kishit shtetin tuaj, ILIRINË, madje edhe një mbretëreshë, Teutën, shumica e popujve përreth qëndronin maje degësh pemësh e lisash...

- Të lumtë goja Nuse! Të gjitha, sa i the, janë të vërteta. Sot, pas kaq e kaq vuajtjesh e përpjekjesh, pas gjithë atyre sakrificash mbinjerëzore, po e kurorëzojmë ëndrrën shumëshekullore të të gjithë brezave. Për Ty dhamë shumë, më shumë se kushdo tjetër, andaj kjo ditë do të mbetet Dita më e Madhe e historisë sonë...

Dhe, NUSES SË PRARUAR me emrin PAVARËSI, i shkëlqente  kurora në kokë, në të cilën, me shkronja të argjendta ishin stolisur dy fjalë: REPUBLIKA E KOSOVËS!

Dasmorët mbajtën iso dhe duartrokitën fuqishëm.

Popullit i ngriu loti në qepallë. Ishte një lot i përzier dashurie, gëzimi, mallëngjimi, dhembshurie, krenarie...

Kënga dhe vallja  e detyruan edhe hënën të lakmonte dhe të zbriste në logun e haresë së madhe...

 

PAVARËSIA

 

Nëpër mote, dekada e shekuj

Për trojet tona u flijuam

Dhe  pemën e ujitur me gjak

Asnjëherë nuk e shijuam

 

Brezi brezit amanet

Gjakimet për LIRI

Luftërat dhe sakrificat

Të dhanë shpirt PAVARËSI

 

Sot erdhe me këmbë të mbarë

Oj Nuse me shumë prikë

Në ballë të shkëlqyeka madhërishëm:

K O S O V A  R E P U B L I K Ë!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora