E hene, 30.12.2024, 06:09 PM (GMT)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Namik Selmani, krijuesi me sharm

E hene, 08.02.2016, 07:46 PM


Namik Selmani, krijuesi me sharm të veçantë estetik dhe stilistikë emocionale

Nga Hyqmet HASKO

Kur dikush mbush moshën e pensionit, bashkë me kujtimet e punëve të kryera dhe angazhimeve që e kanë shoqëruar gjatë kohës aktive të punëve, detyrave e funksioneve, vjen dhe qasja e personalitetit të tij shoqëror, e shkallës së formimit etik e kulturor dhe e gjurmëve të lëna në vepra që vazhdojnë.

Namik Selmani, edhe tani që ka dalë në pension, ka një jetë të mbushur aktive me punë krijuese, përkushtim estetik, shkrimtari, kritika letrare, studime, monografi, poezi, proza, kalkulime estetike e kulturologjike të gjithëfarëshme.

Përkushtimi i tij në fushën e letrave kombëtare, dhuntitë, talenti, atdhetaria e vënë në veprim me anë të një estetike kualitative, e bëjnë veprën e Namik Selmanit të dashur e të kërkuar për mijëra lexues në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ndër shqiptarë ku flitet e shkruhet gjuha e bukur shqipe.

Namik Selmani është një autor aktiv dhe në veprim të vazhdueshëm për promovimin e vlerave kulturolgjike në mbarë botën shqiptare, qoftë si redaktor i shumë librave të autorëve nga Kosova, Çamëria e hapësirat e tjera mbarëshqiptare, qoftë si kritik letrar e studiues që ka nxjerrë në pah vlerat e mjaft autorëve të këtyre hapësirave etnike, qoftë si promovues e moderator që ka kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e mjaft veprimtarive ku në fokus kanë qenë autorë të ndryshëm nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, jashtë kufijve tanë administrativë.

Namik Selmani ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968, në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Para se të dilte në pension, ka punuar si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. K a pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i Shqiponjës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanitetj.

Disa nga tituj e veprave të tij mund të përmendim: “Vatra e mallit”, poezi, “Zërat e brigjeve të mia”, poezi, “Dallandyshet e Çamërisë”, proza, “Kroi i këngës çame”, poezi, “Trokitje në Dodonë”, proza, “Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore”, monografi, “Fari çam”, poezi, “Kërkoj monumentet”, proza, “Shpirti çam”, antologji personale me poezi, “Dritaret e besimit”, poezi fetare për rininë islame, “Rruga e një shkolle”, monografi për shkollën mesme profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat, “Arkivi i fjalës”, botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme etj.

Poezia e tij shquhet për tonet e ngrohta lirike, sharmin gjuhësor, dendurinë dhe gjallërinë e figurave, freskinë e mesazheve që burojnë nga çdo strofë dhe varg. Nga vëllimi në vëllim, duket ngritja cilësore e poetit, zgjerimi tematik dhe përforcimi i kredove të autorit.

Rrugët nga vjen dhe frymon poezia, si lëndë eksplicite e shpirttit më të thëllë njerëzor, që buron qysh nga pavetëdija prehistorike kolektive mbi të bukurën dhe transhendeten, janë të shumta e të larmishme, por të gjitha mblidhen në të njëjtin vektor: në vektorin e sendërtimit të atij pjalmi gjenetik, psikofilozofik, etik dhe mbi të gjitha estetik, që e nxjerr njeriun nga sinoret e të zakonshmes dhe e ul në fronin afër hyjnive. Ky përjetim të zgjohet kur “përballesh” me poezinë e Namik Selmanit, teksa gjurmon atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm dhe përcillet vetëm nga poetë të vërtetë.

Selmani është i natyrshëm në aktin e tij poetik; duke e thyer shtratin e tradicionalizmit poetik, atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga thellësia e etnosit kolektiv, ai me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, krijon struktura të veçanta të ligjerimit poetik.

Poezia e këtij poeti nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit. Janë këto cilësi që vënë në lëvizje turbinën e mendimit të tij poetik, për të krijuar në vargje emocionalë energjinë e përfytyrimit, të ndjenjës dhe emocionit të thellë.

Poeti e tejshtrin shikimin e tij në hullinj të përjetimesh, mbresash dhe kujtesash të unit, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj, është një lojë përtej këtij uni, një lojë befasuese dhe plot dritëhije; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Poeti mbjellë kështu farë malli, klithme, ëndërrimi, humbje, ankthi, vetmie, buzëqeshjesh, dhimbjesh, flirti; mbjell magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…

Në qendër të këtij rrëfimi shumpëlanësh e me mesazhe të dendura, fokusohet me germa të mëdha fjala njeri, raportet e tij etike, sociale, dashurore, filozofike, etike me kohën, me bashkëkohësin, me filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave. Vargu elegant i Selmanit nuk kërcet, nuk rreket të bëjë dhe aplikojë rekurse filozifike, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Aventura poetike e poetit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij autentike, vetvetes estetike; në të njëjtën kohë, është një udhëtim historik, mitologjik, bashkëkohor, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare.

Poeti shkruan një poezi ku tekinat moderne të vargëzimit shkrihen në mesazhe universale, përdor më së shumti vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, por herë herë dhe vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta).

Ky vizatim i çastit nuk është kurrësesi i mjaftueshëm për një poet me një profil tepër të detajuar si Selmani, pasi poezia e tij meriton shqyrtime të kujdesshme, përaqsje krahasuese e analiza më të holla, por në analizë të mbrame, mund të themi se tek Selmani shohim një poet të formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, me një lirizëm të thellë, të beftë e sugjestiv.

Në prozën e Selmanit, kryesisht në prozën e shkurtër vihet re hollësia e përshkrimit, detajet e përshkrimit, gjendjes dhe veprimit të personazheve, stili lakonik dhe me një kolorit të pasur gjuhësor dhe emocional.

Prozat e tij nuk përmbajnë ngjarje sensacionale dhe protagonistë të beftë e sensacionalë; ngjarjet e thjeshta, detajet e holla, gjetjet e bukura, kërkimi në gjërat e zakonshme me të cilat rrethohet njeriu në përditshmërinë e tij, të cilat shkrimtari i vështron në një plan të thelluar dhe emocional, janë konturet ku lëviz proza e Selmanit.

Konturimi i një realiteti në hije, i imëtsirave të panjohura, që i vënë personazhet dhe kushtet sociale të shfaqjes së tyre, përcillet në prozën e këtij autori si një risi, që nuk e lë rrëfimin të notojë në rrjedha të rëndomta, por e mban atë në një impulsivitet emocional të beftë e të pa parashikuar.

Monografitë janë librat ndoshta më të arrirë të autorit, pasi në shkrimin e tyre autori, përveç aparatit të thellë njohës e referencial, përdor dhe shtysat ideoemocionale të krijuesit të ndjeshëm, që përfshihet në fatin dhe jetën e protagonistëve të tij duke u bërë palë me të drejtën, të mirën dhe të vërtetën e përcjellë në këto libra.

Në librin e tij më të fundit “TE JESH MESUES” autori paraqet aspekte të panjohura ose pak të njohura të punës së mësuesit, duke përdorur, si gjithmonë në veprën e tij, një aparat të pasur shembush e përvojash, të cilat ai i ka ngritur në art, si një mundësi për të vjelë përvojë dhe për të mësuar të fshehtat e punës së arsimtarit.

Përdorimi i argumentit edhe këtu gërshetohet me gjuhën poetike të poetit, me elegancën e frazë ssë letrarit, me thelësinë e argumentit të shpalsour të analistit dhe investiguesit që e përdor mjeshtërisht gjuhën dhe di të krijojë emocion me anë të përdorimit racional dhe efikas të saj.

Namik Selmani është një krijues serioz dhe i kompletuar, që futet me siguri tek më të mirët e brezit të tij, tek ai brez idealistësh, të cilët po kontribuojnë që letërsia, arti, kultura jonë kombëtare të dalin plotësisht nga ngujimi i dikurshëm absurd dhe primitiv, në një shoqëri të hapur e në një epokë të çliruar nga kufizimet dhe tabutë, të cilat janë armiqtë më të ëmdhenj të artit dhe letrave, ku me dinjitet kontibuon dhe krijon vlera ky poet, prozator, analist, kritik letrar dhe kulturolog me vlera që vijnë gjithnjë e më shumë duke u rritur dhe pasuruar në kohëhapësirën mbarëshqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora