| E diele, 07.02.2016, 02:07 PM |
Zë kritik i ndërgjegjes dhe vetëdijes kombëtare
Nga Gjekë Gjonaj
Jo pak nga intelektualët shqiptarë në Malin e Zi shohim të jenë të renditur nëpër taborret partiake dhe sipas logjikës së kopesë, kanë shkuar pas prijësve të tyre, dhe nuk kanë patur guximin të mendojnë me kokën e vet, përveç me kokën e udhëheqësit të grigjës, edhe atëherë kur ai i ka çuar drejt kullotave të huaja. Përjashtim nga këta intelektualë bën kolegu im i nderuar Shaban Peraj, i cili tash disa vjet është shkëputur nga politika aktive dhe ka zgjedhur një rrugë më pak të levërdishme, rrugën e mosheshtjes dhe të kritikes ndaj politikës. Me opinionet dhe analizat e tij kryesisht nga jeta politike e shqiptarëve nëpër revista, gazeta dhe portale të ndryshme shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë, ka krijuar imazhin e një analisti me të drejtë fjale, që nuk është politikan por që merret me politikën. Këtë konstatim timin e deshmon libri i tij i dytë me titull ,, Vitet e humbura,, i cili u përurua të enjten në mbrëmje në Krythë të Anës së Malit, Ulqin.
Analisti Shaban Peraj në këtë libër publicistikë me artikuj, komente, opinione, reagime, intervista etj., shpreh opinionet, pikëpamjet, mendimet, idetë, vlerësimet dhe qëndrimet e tij kryesisht për politikën shqiptare gjatë 25 viteve të fundit të pluralizmit politik, të cilat autori me të drejtë i vlerëson vite të humbura të periudhës së tranzicionit. E këtë kohë, siç e dimë të gjithë, e karakterizon një realitet i hidhur i shoqëruar me një mal paradoksesh, (mos) veprimesh absurde. Sepse në vend të bashkimit ngriti kokën mosbashkimi e përçarja, në vend të moralit mbizotëron jomorali, në vend të vlerave mbizotërojnë jovlerat, në vend të guximit na kaploi frika e ligështimi, në vend të shpërgjumjes ndodh përgjumja, në vend të shpresës kemi zhgënjimin, në vend të punës dominon papuna, në vend të së vërtetës kemi gënjeshtrën, në vend të mirëqenies kemi varfërinë u shumëçka tjetër që rëndon mbi shpatullat e shqiptarëve. Këto dhe të tjera dukuri shoqërore Shaban Peraj i ka trajtuar, i ka përmbledhur në këtë libër me përkushtim, vetëmohim, sakrificë e përgjegjësi intelektuale. Ai shkruan për realitetin jo të kënaqshëm të shoqërisë shqiptare ,,pa doreza,, e pa frikë për ta thënë të vërtetën. Ai tregohet mjaft kritik ndaj pushtetarëve e politikanëve shqiptare në nivel vendor e komëetar, pavarësisht kush nga ata janë në pozitë e kush në opozitë. Edhe njëra edhe tjetra palë, me gjithë luftën që zhvillojnë , thotë autori i librit, dëshmojnë se hallin nuk e kanë për bashkëkombësit, por për poste e për pozita. Klasa politike shpitare, shkruan autori , po ndihmon humbjen e identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi , po ndikon në humbjen e vlerave të popullit, po e shpërfill votën e qytetarëve, po përçanë shqiptarët, po njollosë njëra - tjetrën , po punon jo për të mirën e komunitetit, por thjesht për kaarrierën e interesat e tyre.
Peraj në këtë botim shpreh shqetësimin e tij për mungesën e bashkëpunimit të përbashkët të të gjitha subjekteve politke shqiptare në Mal t Zi, për mospasjen e një platforme të përbashkët të veprimit politik të liderëve tanë politik, për rajonalizimin e trojeve shqiptare në Mal te Zi, për mungesën e planprogrameve mësimore, teksteve shkollore, administratës shkolllore, për formimin e komunës së mëvetësishme të Tuzit e nevoja të tjera të shqiptarëve në Mal të Zi.
Opinionet e tij, siç del edhe në këtë libër, shpërfaqen para nesh tamam ashtu siç i ka hije një intelektuali te mirefillte që i përcjellë me vëmendje proceset politike, kulturore, arsimore, ekonomike etj. Reagimet, opinionet e tij vijnë si rezultat i ndërgjegjes së pastër dhe vetëdijes së lartë kombëtare e intelektuale. Ai ngre zërin me qëllim ndërgjegjësimi, në mënyrë që të mos na përsëriten gabimet, në mënyrë që të mos merremi pastaj me pasojat. Ai tregohet konkret e korrekt, konsekuent e parimor, bindës në qëndrimet dhe konceptet e veta. Ai kërkon vetëdijesim, ndërgjegjësim, shpërgjumje, unitet, seriozitet, sinqeritet dhe vendosmëri veprimi të inteligjencies, politikanëve e subjekteve të ndryshme.
Libri ,,Vitet e humbura,, është një shembull e mësim për rolin dhe kontributin e intelektualit në kohën e tranzicionit, një shembull se cili duhet të jetë roli i intelektualit në shoqëri, se si ai duhet të merret me problemet e kohës, se si duhet të reagojë e jo të heshtë, se si duhet të gjykojë me kohë e me kokën e vet.
Vlera e këtij libri është e padiskutueshme, sepse është artikuluar si duhet zëri i ndërgjegjes dhe vetëdijes kombëtare e intelektuale. Ky zë kritik, e them me bindje, do të dëgjohet dhe do të gjejë shtrirje në kohë dhe hapësirë përmes kësaj vepre. Sot dhe nesër. Gjithnjë. Kush ka vesh dhe durim ta dëgjojë.
(Fjalim me rastin e përurimit të librit “ Vitete e humbura” të autorit Shaban Peraj, në Krythë të Anës së Malit- Ulqin, më 4 shkurt 2015)