Mendime
Paul Tedeschini: Gjuha Shqipe, Gjuha e Shqiptarve!
E shtune, 09.08.2008, 06:47 PM
GJUHA SHQIPE, GJUHA E SHQIPTARVE!
Paul Tedeschini
Nga Paul Tedeschini
Lexova artikullin e Mehmet Krajës: " Shizma kosovare e gjuhës “ i botuem në gazetën TEMA.
Kush e ka jetue dhe e kujton kohën e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës në Shqipni, e din mirë se çdo e drejtë e njeriut asht dhunue. Për gjysë shekullit, që nga viti 1944, viti i “ çlirimit “, i asht imponue gjithë popullit shqiptar në Shqipni politika e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij, tue mos lejue asnji parti tjetër politike. Që nga viti 1945, viti i “çlirimit “, i asht imponue gjithë popullit shqiptar në Shqipni pushteti i Enver Hoxhës dhe i grupit të tij, tue eleminue çdo formë tjetër të pjesëmarrjes në Pushtet. Që nga viti 1944, viti i “ çlirimit “, iu hoq shqiptarve në Shqipni e drejta e lëvizjes mbrenda vendit e aq ma tepër jasht vendit. Që nga viti 1967 i asht imponue popullit shqiptar në Shqipni ateizmi dhe i asht hjekë njeriut e drejta e ndërgjegjes. Që nga viti 1944, ”çlirimi i vendit “, gradualisht u ç’pronësuen njerzit dhe i asht hjekë njeriut edhe e drejta e pronës deri në pikën që as fshatarit nuk i lejohej të mbante bagëti apo pula. Që nga viti 1972 i asht imponue si gjuhë zyrtare të gjithë popullit shqitar, mbrenda dhe jasht Atdheut, dialekti jugor i Enver Hoxhës. Arrijtme deri në ate pikë sa s’kishim as çka me hangër.
Sot mbas 15 vjetësh edhe na kena fillue me i harrue këto gjana e aq ma teper të rijtë e sotëm që këto gjana, që po tham, u duken qesharake dhe të pabesueshme. Por këto gjana kanë ndodhë me të vërtetë, ma besoni!!!
Rifitimi i të gjithë këtyne të drejtave dhe ndërgjegjësimi don kohë. I ashtuquejtuni “Pluralizëm” , edhe pse jo i mirefilltë, asht nji hap i madh përpara për vendin tonë, edhe pse partitë e formueme nuk janë gja tjetër veçse pjellë e “Nënës Parti”. Me kohë, me dashje a padashje, edhe këto parti, siç thuhej në ate kohë, do të bahen “revizioniste” dhe njeriut dalangadale do t’i kthehen të drejtat simbas principeve të demokracise europiane. Edhe vetë njerzit e ndrydhun nga diktatura dalngadale do të ndërgjegjësohen për këte demokraci. Nuk ka forcë ma në botë, që ta rikethejnë sistemin falimentar socialist dhe diktaturën komuniste, aq ma pak të tipit të Enver Hoxhës. As vetë bijt e Enverit dhe të bashkëpuntorve të tij (shumica jo kot “anmiq të Popullit dhe të Partisë“), nuk kishin me pranue ma kthimin mbrapa.
Sot lejohen parti të ndryshme, lejohet pjesmarrja e përfaqësuesve të partive të ndryshme në Pushtet, lejohet nga qeveria shqiptare lëvizja e lirë e njerzve mbrende dhe jasht vendit, lejohet prona private, po kthehen (demek) pronat, lejohet aktiviteti privat, nuk ndalohet ma mbajtja e pulave, nuk denohet ma si krim besimi fetar, por lejohet lirisht, janë rihapë kultet fetare, lejohet me ndigjue radio te hueja dhe me pa televizione te hueja, sot ke të drejtë të vallzojsh si të duesh bile janë hapë diskoteka, lejohet me diskutue lirisht për politikën pa pasë frigë se të fut kush në burg, lejohet me u veshë simbas modës, sot në proceset gjyqësore ke prap të drejtë të kesh avokat mbrojtës, sot ke të drejtë të mbajsh valutë të huej dhe ta thyesh valutën lirisht, sot ke të drejtë ta pengojsh tjetrin me t’u përzi në punët e tueja personale, e shumë e shumë gjana të tjera, që në kohën e diktaturës komuniste ndaloheshin.
Mbasi sot asht ba demokratizimi i jetës dhe heqja e dhunimit në të gjitha fushat, pse mos të hiqet edhe dhunimi që iu ba gjuhës, dhe të lejohet populli të flasë dhe të shkruej gjuhën e vet lirisht?
Dhunimi i gjuhes i vitit 1972 ka qenë nji hap mbrapa në fushën gjuhësore dhe nuk ka qenë gja tjetër veçse nji dhunim, që as ky nuk ka se si t’i rrezistojë kohës si nji proces i pashmangshëm demokratizimi edhe në këte fushë. Ndalimi me ligje i përdorimit të gegnishtes ishte nji krim jo vetëm ndaj përqindjes ma të madhe të popullit shqiptar, por ka qenë nji krim edhe ndaj autorëve shqiptarë ma me vlerë, tue fillue që nga autorët e dokumentave të para të gjuhës shqipe e deri tek autorët e fundit të kryeveprave me famë botnore të letërsise shqipe të persekutuem përmatepër edhe fizikisht.
Lind pyetja: Me ç’të drejte “Tirana e kuqe” pretendon që kosovarët, vetëm se janë shqiptarë, që përma tepër jetojnë jasht Shqipnijet, duhet t’u nënshtrohen ish ligjeve të diktataturës të vitit 1972 në Shqipni?!!
Këto janë pretendime imponuese, absurde, nostalgjike “ akademistash “ të kuq të Shqipnisë, të cilët bijnë në kundërshtim edhe me vetë “Ligjet e zhvillimit dialektik të gjuhës“, të propaganduem prej atyne vetë. Këto janë pretendime anakronike dhe kontrakorrente me kohën e zhvillimit të sotëm të Shqipnisë dhe të Rrajonit.